Raporte ndërfetare në Kosovë dhe liria e besimit

Publikuar në Gus. 16, 2017, 8:57 a.m.

Departamenti amerikan i Shtetit nxori të martën raportin e tij vjetor mbi gjendjen e lirisë së besimit në botë. Raporti përfshinë të dhëna për gjendjen e lirisë së besimit në 200 shtetet e territore dhe dokumenton shkeljet e kryera nga qeveritë, grupet terroriste dhe individët.
Në këtë raport analizohet në kapituj të veçantë edhe liria e besimit në Kosovë, në të cilët theksohen probleme të ngjashme me të kaluarën.
Në kapitullin për Kosovën, raporti thekson se kushtetuta ndalon diskriminimin fetar dhe siguron lirinë e fesë, por tërheq vërejtjen se ligji nuk lejon që grupet fetare të regjistrohen si persona juridik, duke krijuar pengesa për ta në kryerjen e punëve të tyre.
Grupet fetare janë ankuar se autoritetet nëpër komuna shpesh nuk u ofrojnë të drejta dhe përfitime të barabarta, posaçërisht kur bëhet fjalë për pronat e tyre dhe vendvarrimet.
Në kuadër të përpjekjeve për nxitjen e tolerancës fetare, qeveria ka organizuar në fillim të qershorit konferencën e pestë ndërfetare duke vënë theksin tek roli i gruas në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Ndërsa në muajin mars është zhvilluar një konferencë mbi dialogun ndërfetar dhe ruajtjen e trashëgimisë fetare për të nxitur ripajtimin dhe luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Në raport thuhet mes tjerash se udhëheqësit e bashkësive të ndryshme fetare flasin për marrëdhënie të mira ndërmjet tyre dhe kanë marrë pjesë në shumë nisma e diskutime për çështjet ndërfetare.