Sureja Hamd (Al-Fatiha), Himni i besimit të muslimanëve
Sure Hamd “Fatihatul kitab” që d.t.th. “Hapësja e Librit” është quajtur gjithashtu dhe filluesja e Kur’anit, për arsye se Kur’ani fillon me këtë sure. Sure Hamd edhe pse është një sure e shkurtër dhe ka ajete të shkurtra, por ka një domethënie shumë të lartësuar, dhe rëndësia e kësaj sureje është aq e madhe sa që atë e kanë quajtur “Ummul kitab” që d.t.th. “e ëma e Kur’anit”.
Sure Hamd është e vetmja sure të Kur’anit që këndimi i saj është i obligueshëm në të gjitha namazet farz (të obligueshme), dhe secili nga ne gjatë një dite dhe nate e lexojmë atë së paku dhjetë herë. Në të vërtetë mund të themi që kjo sure është himni i të gjithë myslimanëve të botës, sepse përmban dhe shpjegon themelet e besimit ndaj Zotit dhe doktrinat e fesë së Tij.
Është bërë e obligueshme që të gjithë ne, në çdo falje të namazit ta recitojmë atë (suren Hamd) si deklaratë për adhurimin e Zotit.
Fillimi i punës me emër të Zotit
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ ﴿1﴾
1. Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Ashtu sikur që Kur’ani fillon me suren Hamd, vetë kjo sure dhe suret e tjera të Kur’anit (me përjashtim të sures Teube) fillojnë me “bismil-lah pra emrin e Zotit”.
Muslimanët përgjithësisht secilën vepër e fillojnë me këtë ajet, pra me besmelen[1]. Fillimi i punës me emër të Zotit ka një domethënie të veçantë.
Në kohën kur ne i fillojmë punët me emër të Zotit, në realitet jemi duke pohuar që çdo gjë që ekziston në këtë botë është nga Zoti, dhe çdo forcë që ndikon dhe secila e vërtetë dhe dukuri që shfaqet në ekzistencë, burimi dhe origjina e saj është tek Zoti.
Kujdesi ndaj emrit “Allah” dhe shqiptimi i besmelen në fillim të çdo pune është shenjë e besimit tonë në monoteizëm. Besim në atë që çdo gjë që ekziston në këtë botë është krijuar nga ana e Zotit, dhe asnjë gjë nuk ekziston në këtë botë që të jetë krijuar nga vetja dhe të jetë një ekzistencë e pavarur, ose të ketë një veçori dhe ndikim të pavarur. Ne secilën vepër e fillojmë me emër të Zotit dhe nga Ai dëshirojmë që të na ndihmojë në kryerjen e veprës së dhënë.
“Allah” i cili është emri personal i Zotit, në Kur’anin e Madhëruar dhe botëkuptimin islam nënkupton një ekzistencë që posedon të gjitha përsosmëritë dhe s’ka asnjë të metë apo mangësi, një ekzistencë që të gjitha krijesat janë adhurues të Tij, të dashuruar pas Tij, dhe me dije apo pa vetëdije drejtohen në drejtim të Tij.
Nocionet “Rahman” dhe “Rahim”, atributet më të shquara të Zotit, që të dyja rrjedhin prej fjalës “rahmet”, shpjegojnë dy aspektet e mëshirës së Zotit. I pari – emri Rahman - çdo gjë që i dhurohet secilës krijesë, madje ekzistenca e saj, në të vërtetë është nga mëshira e Zotit, për arsye se ne dhe të gjitha krijesat e tjera nuk kemi asgjë nga vetja jonë dhe të gjithë ne për nga ekzistenca, nga fillimi deri në fund, jemi të varur, të varfër dhe nevojtarë ekzistencialisht. Me anë të asaj që na dhurohet nga ana e Zotit ne evitojmë nevojat tona (për vazhdimësinë e jetës), mu për këtë arsye pohojmë që çdo gjë është nga mëshira e Tij.
Rahmeti i Zotit ka dy aspekte. Njëri aspekt është “zemërgjerësia” dhe” bollëku” i Tij si rrjedhojë e Mëshirës së Tij të përgjithshme, të shfaqur në qenie dhe në krijim, që do të thotë Ai me anë të Mëshirës së Vet krijon dhe u jep ekzistencë qenieve. Ndaj, mëshira e Zotit në këtë kuptim i përfshin të gjitha krijesat ekzistuese në univers dhe të gjithë njerëzit, madje dhe ata njerëz të cilët s’janë besimtarë, janë fryt i kësaj Mëshire.
Aspekti tjetër është vazhdimësia dhe amshimi. Nga ky këndvështrim emri Rahim i përfshin vetëm njerëzit e veçantë të Zotit, të cilët jo vetëm që përfitojnë nga mëshira e Tij e përgjithshme, si gjithë njerëzit e tjerë, por me besimin dhe adhurimin e Zotit sigurojnë një pozitë të atillë që përfitojnë nga rahmeti i pafund të Tij në mënyrë të përhershme në këtë botë dhe në atë botë.
Fjala “Rahman” në besmelen është shenjë e aspektit të parë –rrjedha e Mëshirës së Tij në gjithë qenien, kurse “Rahim” është tregues për aspektin e dytë, pra për vazhdimësinë dhe amshueshmërinë e mëshirës së Tij të veçantë.
Falënderimi i përket vetëm Atij
الْحَمْدُ للّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ ﴿2﴾
2. Falënderimi i takon All-llahut, Zotit të botëve!
الرَّحْمنِ الرَّحِيمِ ﴿3﴾
3. Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
Pas بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ dhe pohimit të asaj që çdo gjë që ekziston në këtë botë është nga ana e Tij, arrijmë në atë që ta njohim dhe kryejmë përgjegjësinë tonë si rob kundrejt Zotit. Përgjegjësia e jonë e parë është “falënderimi” i Zotit. “Hamd” në kuptimin leksikor do të thotë falënderim dhe lavdërim kështu që kuptimi i Elhamdulilahit do të jetë kjo : Çdo lloj falënderimi dhe lavdërimi i përket vetëm Atij.
Zoti i Madhëruar, ermin e Tij “rab”, zakonisht e përkthejnë si “Zot” por kuptimi i plotë dhe i sakët e kësaj fjala është Edukues dhe Kultivues. Kuptimi origjinal i fjalës “rab” është të qenët zotërues (pronar) dhe i lirë, edukues dhe kultivues. Zoti i Madhëruar është rab i të gjitha botëve. Krijesat e llojllojshme që nga inorganikët, bimët, shtazët, dhe njeriu, secila nga këto formojnë një “botë të veçantë” për vete, madje secila prej jofrymorëve, shtazëve, bimëve, dhe njerëzve kanë një botë të veçantë për vete. Zoti i Madhëruar është rab i të gjitha botëve, që d.t.th. të gjitha krijesat, secila në botën e tyre ose rrugën që kanë zgjedhur për vete, drejtimi i tyre është në duar të Zotit, Ai është i Cili i “kultivon” dhe i çon drejt përsosmërisë.
Pas “Elhamdulil-lah...” sërish përsëriten dy atributet “Rahman” dhe “Rahim” dhe njeriu përsëri e pohon që Zoti i Madhëruar me atributin e Rahmetit i ka krijuar të gjitha botët dhe poashtu që fati i tyre është në duart e Tij. Ai i edukon, formon dhe njeriu me anë të besimit në një Zot dhe duke iu bindur Atij mund të arrijë në një pozitë që të përfitojë dhe nga mëshira e përgjithshme të Zotit “rahmanijet” dhe nga mëshira e veçantë “rahimijet”.
Vëmendja ndaj ringjalljes
مَالِكِ يَوْمِ الدِّينِ
4. Sunduesit të Ditës së Gjykimit !
Në tre ajetet e para të sures Hamd është folur rreth “ Krijuesit” dhe “Zanafillës” së krijimit, kurse në ajetin e katërt flitet rreth Ringjalljes. Menjëherë pas Zanafillës monoteistike të krijimit (Burimi i jetës), përmendet Ringjallja, në mënyrë që Zanafilla (Monoteizmi) dhe Ringjallja ndodhen pranë njëra – tjetrës, këtu ekziston një çështje shumë e rëndësishme, që besimi në Zot, pa besimin në Ringjallje, është i mangët. Ç’farë dobie ka nëse jemi në dijeni për zanafillën e një rruge, por s’dimë për destinacionin përfundimtar të saj? A është e mundur që Zoti i Mëshirueshëm të jetë krijuesi i të gjitha botëve, dhe të mos ketë përcaktuar një cak përfundimtar për botën dhe të gjitha krijesat t’i ketë lënë pa qëllim dhe pa ndonjë destinim dhe qëllim të caktuar? Kjo është arsyeja që menjëherë pas besimit në një Zot është përmendur Ringjallja.
Fjala “Malik” që është përmendur është në kuptimin e pronarit ose sunduesit. Në kohën kur qëndrojmë në këmbë në namaz dhe arrijmë tek ky ajet duhet të kemi parasysh faktin që bota dhe të gjitha krijesat rrjedhin nga Zoti dhe si përfundim të gjithë në Ditën e Gjykimit do të kthehen tek Ai, dhe njerëzit do të shpërblehen apo ndëshkohen në bazë të veprave të tyre. Zoti i Madhëruar është Malik poseduesi i vërtetë i Ditës së Gjykimit, dhe duhet të kemi parasysh që pronësia e Zotit ndryshon nga pronësia jonë, sepse ne sot jemi pronar të një gjëje kurse nesër jo.
Monoteizmi praktik
إِيَّاكَ نَعْبُدُ وإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ
5. Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm te Ty kërkojmë ndihmë!
Suren Hamd mund ta ndajmë në dy pjesë. Pjesa e parë, e cila rrok monoteizmin teorik dhe është nga fillimi i sures gjer tek ajeti “Sunduesi ...”. Në këtë pjesë flitet rreth Allahut, Rahmanijetit dhe Rahimijetit të Tij (Mëshirës së tij të Përgjithshme dhe të Përveçme), rreth asaj që Ai është Rab (Edukues dhe Formësues) i të gjitha botëve dhe çdo lloj Lavdërimi i takon vetëm Atij dhe vetëm Ai, i cili është sundimtari i ditës së Ringjalljes e meriton lavdërimin.
Pjesa e dytë e kësaj sureje rrok monoteizmin praktik dhe fillon nga ajeti i sapo përmendur.... në fakt njeriu pasi që ka pohuar parimet teorike dhe njohjen e zanafillës (monoteizmit) dhe ringjalljes, vjen rradha për të caktuar raportin e vet me Zotin dhe marrëdhënien praktike me Të, që rrjedh nga ky pohim. Relata praktike duhet të jetë të përshkruar nga monoteizmi, pra ashtu sikur që në monoteizmin teorik e pranojmë njësinë e Zotit, në monoteizmin praktik gjithashtu duhet që të vendosim që të adhurojmë vetëm Zotin, i cili është Një dhe i pa shok.
Në të vërtetë ky ajet na jep mësimin e lirisë dhe të qenët i lirë. Në kohën kur ne e theksojmë që vetëm Ty të adhurojmë kjo nënkupton, që përveç Teje askënd tjetër nuk është objekt i adhurimit tonë. Shumë njerëz të cilët nuk e adhurojnë Zotin imagjinojnë më vete që janë të lirë dhe pretendojnë që nuk janë të varur prej asnjë force ose personi tjetër, por nëse mendohemi dhe reflektojmë mirë, do vërejmë që ai i cili nuk e adhuron dhe nuk i bindet Zotit, i bindet gjërave, forcave apo njerëzve të tjerë, p.sh. e adhuron vetveten dhe i bindet dëshirave të veta dhe epshit, ose i bindet njerëzve me pozitë të lartë që vetë ata kanë rënë në kurthin e epsheve të tyre. Feja Islame nga ne kërkon që në këtë botë t’i bindemi Atij, i Cili është pa të meta dhe të gjitha përsosmëritë që ekzistojnë në këtë botë janë nga Ai. Duhet të kemi parasysh se kur deklarojmë që vetëm Zotit i kërkojmë ndihmë dhe vetëm Atë e adhurojmë, kjo nuk bie ndesh me atë që në shoqërinë njerëzore në të cilën jetojmë të mos i bindemi askujt si p.sh. mësuesit, prindërit dhe të tjerëve, për arsye se bindja ndaj personave të tillë në të vërtetë është bindje ndaj Zotit (për arsye se vetë Zoti na ka urdhëruar që t’iu bindemi këtyre personave). Gjithashtu po në këtë ajet Kur’ani i Madhëruar nga ne dëshiron që të kërkojmë ndihmë vetëm prej Tij. Ne duhet të jemi në dijeni që çdo kush që posedon ndonjë fuqi, atë fuqi e ka nga Zoti.
Është e drejtë që zjarri djeg gjërat, uji shuan etjen, pema nga dheu na jep fryt dhe persona të tjerë si p.sh. prindërit dhe individët e tjerë na vijnë në ndihmë me anë të fuqive, mundësive dhe përvojave që kanë, por e rëndësishme është ajo që vëmendja ndaj këtyre faktorëve dhe fuqive të mos na çojë në neglzhencë ndaj burimitesencial dhe parimor i përsosmërisë dhe fuqisë, që është Zoti i Madhëruar. Duhet të kemi kujdes që mos të ndodhë kështu që në vend që t’i drejtohemi Zotit për ndihmë në zemrën tonë të paramendojmë një person ose forcë tjetër dhe t’i drejtohemi atij për lutje.
E vetmja lutje e sures Hamd
اهدِنَا الصِّرَاطَ المُستَقِيمَ
6- Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë!
Në pjesën e dytë të sures Hamd, pas ajetit “Vetëm ty të adhurojmë...” deklarojmë se përveç Atij nuk i lutemi askujt tjetër dhe vetëm nga Ai kërkojmë ndihmë, në ajetin vijues, iu lutemi Zotit që të na udhëzojë në rrugë të drejtë dhe kjo është lutja e parë dhe e vetmja lutje në suren al-Fatiha. Është e qartë që kjo lutje është shumë e rëndësishme, dhe mund të pohojmë që ka një domethënie gjithëpërfshirësenë mënyrë që përfshin në vete të gjitha lutjet e tjera të mira.
Duhet të orvatemi të kuptojmë shprehjen Siratel mustakim (rrugë të drejtë) në mënyrë të denjë, për të kuptuar domethënien e ajetit. Secili njeri gjatë jetës së tij përshkruan një varg ku veprat, mendimet, sjelljet e tij gjatë gjithë jetës e formojnë vijën kryesore të jetës së tij duke formuar atë rrugë që e ka zgjedhur vet ai, andaj çdo kush për vete ka një rrugë të caktuar. Shumë rrugë (vija kryesore të jetës) fillojnë me fillimin e jetës së njeriut dhe vetë njeriu është pasues konsekuent i disa prej tyre. Por duhet të jemi në dijeni që të gjitha rrugët nuk janë të drejta. Shumë prej rrugëve janë të devijuara dhe të shtrembra, dhe njeriun e çojnë drejt çoroditjes dhe devijimit. Ekziston vetëm një rrugë që e çon atë drejt synimit të vërtetë dhe përsosmërisë së kërkuar dhe kjo është po ajo rruga e drejtë e Kur’anit (Sirat el mustakim) që përfundon tek Zoti i Madhëruar.
Siratul mustekim, “rruga e drejtë” është një rrugë që qëndron larg devijimit, në të majtë qoftë apo në të djathtë, drejt shkurtimit qoftë apo drejt teprimit. Kjo rrugë, është rruga më e shkurtër për ta çuar njerëzimin në përsosmërinë. Këtu lind pyetja se ç’farë duhet të bëjmë që të shkojmë nëpër rrugën e drejtë dhe të mos pësojmë devijim nga ajo? Përgjigja është kjo që bindja ndaj urdhrave të Zotit dhe zbatimi i rregullave dhe limiteve që na janë bërë të obliguara nga ana e Profetit e Tij, mund të na drejtojnë në rrugën e drejtë. Në realitet rruga e drejtë është po ajo feja e Zotit, pra është ekuivalente me Islamin.
Për cilët persona është rruga e drejtë?
صِرَاطَ الَّذِينَ أَنعَمتَ عَلَيهِمْ غَيرِ المَغضُوبِ عَلَيهِمْ وَلاَ الضَّالِّينَ
7. Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira, jo në të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten!
Ky ajet, është komentimi dhe shpjegimi i rrugës së drejtë. Sirat el mustakim (rruga e drejtë) është rruga e atyre të cilëve Zoti iu ka dhuruar atyre begatinë e vet dhe rruga e atyre të cilët hidhërohen për hir të Zotit ose e atyre të cilët nuk janë të devijuar. Në Kur’an shumë herë është folur rreth kuptimit të “begatisë” së Zotit dhe veçorive të personave të cilëve Zoti iu ka dhënë begati. Si p.sh. në ajetin 69/ sure Nisa është thënë që Pejgamberet dhe të sinqertët, dëshmorët dhe të drejtët janë ata të cilët gëzojnë begatinë e Zotit dhe çdo kush që i bindet Zotit dhe Pejgamberit bën pjesë në këtë grup.
Gjithashtu shumë herë është shpjeguar se kush janë magdhubi aljhim dhe kush janë Dhal-lin. Magdhub alejhim janë ata të cilët qëndrojnë larg rrugës së drejtë dhe bëhen jobesimtarë ose politeistë dhe këmbëngulin ndaj besimit të tyre të gabuar, i pengojnë të tjerët nga rruga e udhëzimit dhe i shpijnë drejt devijimit. Ata të cilët qëndrojnë përballë thirrjes së të dërguarve, kurse dhal-lin janë ata të cilët edhe pse nuk mbajnë mëri (ndaj së Vërtetës) dhe s’janë këmbëngulës, por që kanë humbur rrugën e drejtë dhe shkojnë rrugëve anësore, por nuk kanë aq armiqësi me të drejtën sa grupi i parë.
Ne myslimanët gjatë një ditë dhe nate dhjetë herë nga Zoti kërkojmë që të na udhëzojë në rrugën e drejtë dhe të na fusi në radhët e profetëve, të sinqertëve, dëshmorëve, dhe të drejtëve, theksojmë që Zoti është i hidhëruar ndaj atyre personave që kundërshtojnë të Vërtetën dhe ata të cilët bien ndesh me rrugën e udhëzimit.
Përgatiti: Valbona Ismaili
[1] Besmele d.t.th. shqiptimi i Bismil-lahir Rahmanir Rahim