Morali i Individit

Publikuar në Gus. 14, 2017, 10:40 p.m.

Jeta është një dhuratë e çmuar, që na e ka dhënë hyjnia, e, si qenie, nuk kemi pasur që më parë ndonjë fuqi a mundësi tonën për ta perceptuar, dëshiruar, pranuar apo mospranuar, po, thjesht, e kemi gjetur “veten” në “udhën”  e jetës. Secili nga ne ka qenë një gjallesë, së cilës i mungon çdo fuqi e mundësi për vetëpërmbajtje e vetmbrojtje qysh në hapat e parë që hedh në këtë botë kërcënonjëse e aspak miqësore.

Prandaj dhe Zoti na solli në këtë botë përmes prindërve – nënë e babë, që na duan më shumë se vetveten e na  përkujdesin duke ushqyer, rritur e edukuar, duke sakrifikuar e flijuar shpeshherë dhe veten e tyre.

Në rritjen e formimit tonë si njerëz, ndikojnë shumë faktorë, individë e personalitete, por, pa dyshim, është esenca jonë, fryma jonë e natyra jonë humane, që e kemi të lindur e të trashëguar si qenie njerëzore, ajo që përcakton dhe vendos.

Natyrist, ne nuk kemi asnjë meritë për të gjithë këta mundësira e potenciale që i janë vënë në shërbim jetës sonë. Është Krijuesi i Gjithëdijsëm, ai i Cili përpos jetën, na ka dhuruar edhe një natyrë që buron nga horizontet më të ndritura e më rrëzënjollëse të orbitave hyjnore.

Produkt i Providencës Hyjnore janë edhe prindërit tanë e shoqëria ku ne jetojmë. Së bashku, ata na mundësojnë aktualizimin e taleneteve, dhuntive, aftësive e kapaciteteve tona dhe na ndihmojnë në kultivimin e moralit dhe të etikës individuale e shoqërore, si dhe në formimin e personalitetit tonë.

Nga sa më lart, është e qartë që individi njerëzor nuk zotëron nga vetvetja asnjë mirësi, përpos atyre që i ka dhënë Zoti. Begatitë dhe dhuntitë e Zotit janë të shumta. Në Kur’anin Famëlartë thuhet se ato janë të panumrëta e se njeriu e ka të pamundur që t’i njohë e t’i numërojë të gjitha.

Por faktori i mirësive të Zotit është po aq veprues e i fuqishëm edhe në pjesën tjetër të jetës së njeriut, jo vetëm në hapat e tij të para në këtë botë. Përmendim ndër shumë të tjera, që njeriu nuk e ka në dorë asnjëherë rrjedhën e jetës së tij. Ashtu si në momentin e lindjes e vitet e para pas saj, ai i detyrohet Zotit për vazhdimësinë e jetës së tij, njëlloj si rrezet e diellit, të cilat kanë nevojën ekzistenciale të diellit për ta vijuar ekzistencën e tyre.

Pyetja që ngrihet vetvetiu në këtë kontekst është kjo: Si ka mundësi që, pavarësist këtyre, njeriu mund të jetë egoist, kryeneç, arrogant e mosmirënjohës ndaj të Gjithëfuqishmit, madje edhe atesit e mohues i Tij?

A nuk lindin themelet e moralit njerëzor pikërisht te pranimi i këtij realiteti prej njeriut? Sepse ky realitet i thotë pikërisht: O njeri, ishte mirësa e All- llahut që të solli në këtë jetë dhe që bëri të mundur zhvillimin e potencialit tënd njerëzor, duke të mbështetur me begatitë e panumërta të Zotit!!!

Prandaj edhe Zoti na drejtohet të gjithëve – pa dallim racor dhe fetar – në librin e Vet të shenjtë, Kur’anin Famëlartë, me këto fjalë: “O (kriesa e quajtur) njeri, Ç’të bëri që të jesh kokëlartë (mohues) përballë Zoitt tënd Bujar? Ai i Cili të krijoi, të formësoi....?”. Pra, që të dyja – logjika e shëndoshë dhe Shpallja Hyjnore – tregojnë se shkaqet kryesore pse njeriu privohet nga lartësmi që parashikon Krijuesi për të, për të rënë në nivele më të ulëta në pikëpamje morale, janë mosmirënjohja ndaj krijuesit të vet, mosnjohja e Tij si Burim i vetëm i begative, si dhe shpërfillja e faktit që njeriu është nevojtar absolut për të Gjithëmëshirshmin gjatë të gjithë ekzistencës së vet, duke nisur që nga ardhja e tij në këtë botë, e deri në largimin e tij prej saj.

Thënë ndryshe, morali i individit nis pikërisht në momentin kur ai njeh Zotin e vet Mëshirëplotë, tregohet mirënjohës për të gjitha begatitë që e shoqërojnë në këtë jetë qysh në lindje, dhe vlerëson si mëshirë të Zotit dërgimin  e Pejgamberëve e të shpalljes hyjnore, duke e ndërgjegjësuar veten vazhdimisht për të gjitha këto, në mënyrë që të mos lejojë për asnjë çast në qenin e tij asnjë farë rebelimi ndaj të Gjithëmëshirshmit.

Asnjë shoqëri njerëzore nuk mund ta përfytyrojë dot arritjen e mirëqenis materale e të lumturisë shpirtërore pa e falënderuar Zotin si burim të të gjitha begative. Dhe, po ashtu, asnjë njeri nuk duhet të ushqejë iluzione për lartësim moral e lumturi personale, pa qenë mirënjohës karshi All-llahut, Krijuesit të pashoq.

MA: Valbona Ismaili