Kur’ani libri i jetës

nga Vullnet Merja | Publikuar në Gus. 13, 2017, 2:05 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

 Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Allahu i Madhëruar thotë: “…Ne ta zbritëm ty Librin (Kur’anin), sqarues për gjithka…” çështje

Kur’ani i shenjtë është Fjala e Allahut dhe mrekullia e përjetëshme, të cilën Allahu ia shpalli vulës së profetëve, profetit Muhamd (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai është burimi themelor i besimit dhe i legjislacionit të fesë së pastër islame. Asgjë nuk gjendet më lart se Kur’ani. Cilido që e kupton ashtu si duhet Kur’anin dhe e zbaton në jetën e tij, sigurisht që do të jetojë një jetë të kënaqshme e të lumtur. Kur’ani është libri i jetës dhe këtë e dëshmon vetë Kur’ani i shenjtë, i cili thotë: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit kur ju thërret drejt asaj që ju jep jetë…” (Sure “Enfal”, ajeti) Pa dyshim, ndjekja e Kur’anit dhe zbatimi i tij e rigjallëron njeriun dhe e drejton drejt rrugës së Krijuesit. 

Më poshtë do të paraqesim disa çështje kur’anore, të cilat duhet t’i njohim dhe t’i praktikojmë në jetën tonë të përditshme

1- Kur’ani, streha e shpëtimit

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “…Ai (Allahu) ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij…” (Sure “Tegabun”, ajeti 11.) Ky ajet na sqaron se besimi në Allahun ndikon në udhëzimin e zemrës.

Sa nevojë kemi për zbatimin e Kur’anit dhe të rregullave të tij, veçanërisht në këtë kohë në të cilën kultura materialiste po vërshon si rebesh i furishëm duke shkatëruar çdo gjë që i del përpara! Kjo kulturë materialiste, me vërshimin e saj, po shkatërron anën shpirtërore të njeriut. Jo vetëm kaq por po e shkatërron qënien njerëzore.

Streha e vetme për të shpëtuar prej këtëj vërshimi shkatërrues është zbatimi i Kur’anit të shenjtë, i cili është sqarues për çdo gjë. Mirëpo, është për të ardhur keq se ne sot e kemi braktisur këtë strehë të begatë. E si pasojë, na kanë goditur dhe vazhdojnë të na godasin fatkeqësi të shumta dita-ditës.

2- Kur’ani na urdhëron që të përpiqemi 

Allahu i Madhëruar në Kur’anin e shenjtë thotë: “Ata që përpiqen (luftojnë dhe sakrifikojnë) për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët.” (Sure “Ankebut”, ajeti 69.)

Në këtë ajet flitet për sakrifikuesit, të cilët Allahu i udhëzon në Rrugën e Tij. Ata sakrifikues janë:

Ata që sakrifkojnë me veta e tyre në rrugën e bindjes dhe të adhurimit të Allahut.

Ata që sakrifikojnë në largimin prej mëkateve

Ata që sakrifikojnë në shtypjen dhe frenimin e epsheve të shfrenuara

Ata që sakrifikojnë në thirrjen e njerëzve në rrugën e Allahut.

Ata që sakrifikojnë në kryerjen e urdhërit në të mirë dhe të ndalimit nga e keqja duke përdorur të gjitha mjetet e mundshme si ato elektronike, gazetat, revistat, radio, televizioni e të tjera.

Ata që sakrifikojnë në rrugën e paisjes me vlera dhe moral islam.

Ata që sakrifikojnë në edukimin e të tjerëve me edukatën e profetëve dhe të të dashurve të Allahut.

Ata që sakrifikojnë në përhapjen e vlerave humane dhe njerëzore.

Ata që sakrifikojnë në ndjekjen e Profetit dhe të mësimeve të tij të larta.

Ata që sakrifikojnë në përhapjen e fjalës së Allahut.

Të gjithë këta, Allahu do t’ia tregojë rrugët e Tij që të çojnë në Xhennet.

3- Kur’ani urdhëron për fjalë të mira

Allahu i Madhëruar në Kur’anin e shenjtë thotë: Vallë, a nuk e sheh se si Allahu e përqas fjalën e mirë me pemën e mirë, e cila rrënjën e ka të fortë në tokë, kurse degët nga qielli? Me lejen e Zotit të saj (pema) jep fruta në çdo kohë. Allahu u tregon shembuj njerëzve, që t’ua vënë veshin.” (Sure “Ibrahim” ajetet 24-25.)

Fjala e mire, në vetvete, në çdo kohë dhe në çdo vend, është mirësi e madhe. Ajo është e shpërblyer tek Allahu i Madhëruar. Prandaj, prej bazave të jetës në Kur’an është edhe përdorimi i fjalës së mirë me të tjerët. Në një ajet tjetër Allahu Fuqiplot thotë: Thuaju, robëve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut. (Sure “Isra”, ajeti 53.). Dhe: “… thoni fjalë të mira njerëzve…” (Sure “Bekare”, ajeti 83.)

Në këto ajete Kur’ani na mëson etikën e komunikimit e të bisedës me të tjerët. Pra, Allahu i Plotfuqishëm, Krijuesi i gjithësisë dhe i njerëzisë, na urdhëron që të flasim atë që është më e mira, më e bukura, më e ëmbla dhe më e dobishmja. Është detyrë e çdo njeriu që të ndjekë gjithmonë të mirën në të folur dhe ta braktisë të keqen, pra fjalët e këqiaj e të ndyta.

S’ka dyshim se fjala më e mirë, më e dobishme dhe më e përkryer është fjala e Allahut të Madhëruar, Kur’ani i shenjtë, i cili është dritë, udhëzim dhe shërim për njerëzit. Kur’ani përmban bazat për jetën dhe për jetesën. Ato janë të shumta e të panumërta. Nuk ndryshojnë me ndryshimin e kohës dhe me evolimin e dijes e të shkencës. Përkundrazi, sa më shumë të përparojë dija dhe shkenca në çështjet e jetës, aq më të qarta janë ato baza. Në Kur’an sqarohet se kjo jetë është fusha e të mbjellave për Jetën Tjetër. Çfarë të mbjellim do të korrim. Në Kur’an sqarohet se çfarë pëlqen dhe çfarë nuk pëlqen Allahu.

Nga Kur’ani kuptojmë se duhet të zbatojmë ato që na urdhëron Allahu dhe profeti dhe të heqim dorë prej atyre që na urdhërojnë të largohemi. Për këtë në Kur’an thuhet “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.” (Sure Ahzab”, ajeti 36.)

Nga Kur’ani kuptojmë se morali i Profetit ka qenë i gjithi Kur’an. Për këtë Allahu na thotë se Profeti është shembulli më i mirë për ne në çdo fushë të jetës: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Sure Ahzab”, ajeti 21.)

Kur’ani na sqaron qëllimin e dërgimit të profetit Muhamed, ku thotë: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.” (Sure Ahzab”, ajetet 45-46.)

Prandaj, çdo besimtar dhe besimatare, duhet ta ballafaqojnë veten e tyre me thëniet e Kur’anit dhe me transmetimet e sakta të Profetit Muhammed dhe të familjes së tij të pastër e të bekuar dhe të shohin  se a janë afër këtyre thënieve apo janë larg tyre? Nëse janë afër t’i luten Allahut që t’i forcojë në këtë rrugë që ndjekin. Nëse janë larg, t’i mbështeten Allahut dhe të përpiqen me sa të munden që të afrohen sa më shumë me thëniet e Kur’anit dhe me thëniet e të dashurve të Allahut. S’ka dyshim se thëniet e Kur’anit dhe transmetimet e sakta, janë rruga për në Xhennet.

4- Urtësia dhe këshilla e mirë baza e thirrjes në rrugën e Allahut

Allahu i Madhëruar në Kur’anin e shenjtë thotë: Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë…!(Sure “Nahl”, ajeti 125.)

Në këtë ajet Allahu na mëson se si të ftojmë e të thërrasim të tjerët në rrugën e Tij. Ai na urdhëron që të përdorim urtësinë, mençurinë, këshillën e bukur dhe diskutimin në formën më të mirë. Ai na ndalon që të përdorim fjalor të ashpër në komunikim me të tjerët.

Duhet patjetër që të ecim në rrugën e Kur’anit rreth kësaj çëshjeje. Në Kur’an thuhet: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira…” (Sure “Isra”, ajeti 9.) Kur’ani është i vetmi Libër që na meson, na drejton dhe na udhëzon për tek ajo që është më e mira dhe më e dobishmja në të mendur, në të shprehur dhe në të vepruar.

Kur’ani është quajtur Kur’an që të lexohet çdo ditë dhe të paktën një herë në muaj të përfundohet. Ky Kur’an, i cili i ka zbritur profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe udhëzon për tek e drejta. Kjo do të thotë se cilido që e lexon dhe e zbaton Kur’anin në jetën e tij, padyshim që është i udhëzuar dhe është me të drejtën dhe të vërtetën. Ai që nuk e lexon dhe nuk e zbaton Kur’anin në jetën e tij, është larg të vërtetës dhe të drejtës.

Kur’ani e refuzon dhunën ndaj të tjerëve dhe imponimin e tyre për të pranuar fenë e Allahut. Për këtë thotë: “S’ka dhunë (detyrim) në fe…” (Sure “Bekare”, ajeti 256).

Po ashtu thotë: Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. Vallë, ti do t’i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë?!” (Sure “Junus”, ajeti 99)

Në një ajet tjetër thuhet: “Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës.” (Sure “Insan”, ajeti 3). Në këto ajete sqarohet se Allahu e ka krijur njeriun dhe e ka pajisur me intelektin që me anë të tij të dallojë të mirën nga e keqja dhe të zgjedhë. Atëherë, përderisa Allahu nuk ka detyron, përse ne duhet t’i detyrojmë të tjerët?

5- Njeriu dëshmitar i vetes së tij

Allahu i Madhëruar në Kur’anin e shenjtë thotë: Po, vërtet që njeriu do të dëshmojë kundër vetvetes, edhe sikur të paraqesë shfajësimet e veta.” (Sure “Kijame”, ajetet 14-15)

Allahu i Madhëruar e ka krijuar njeriun në formën më të bukur: “Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer.” (Sure “Tijn”, ajeti 4). Ai e ka pajisur njeriun me mjete që me anë të tyre të arrijë të njohë veten e tij dhe të zgjedhë atë që është më e mira në këtë jetë dhe të heqë dorë nga ato që i sjellin dëme dhe shkatërrime. Prandaj, njeriu, nëpërmjet mjeteve të vendosuar nga Allahu, e kupton veten e tij se a është me të drejtën apo me të padrejtën, me të vërtetën apo me të pavërtetën, edhe pse përpiqet të shfajësohet kur është në gabim. Në Kur’an thuhet: A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy, edhe gjuhë, edhe dy buzë, dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët? (Sure “Beled”, ajetet 8-10.)

Sa të mrekullueshme këto thënie të Allahut, të cilat janë të mbushura plot mësime e porosi. Gjithashtu, ato e nxisin njeriun të mendojë thellë në veten e tij dhe të zgjedhë rrugën e lumturisë dhe të shpëtimit si në këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër. Në një thënie tjetër në Kur’an Allahu i Madhëruar thotë: Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur, duke ia bërë të njohur atij të keqen e të mirën! (Sure Shems”, ajetet 7-8.)

6- Gjithmoë të themi “inshallah”

Allahu i Madhëruar thotë: Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut! Ai është vërtet i Gjithëdijshëm e i Urtë. (Sure “Insan”, ajeti 30.) Dhe: Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve! (Sure  “Tekuir”, ajeti 29.)

Ajetet në fjalë na sqarojnë se nëse duam të bëjmë diçka në jetën tonë, duhet të themi gjithmonë “Inshallah”, (në dashtë Allahu), sepse Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Mirëinformuar për dëmin dhe dobinë e një pune.

Këtë na e sqarojnë më së miri edhe dy ajetet e mëposhtme të cilët thonë: “Asnjëherë mos thuaj, për çfarëdo gjëje qoftë, se: “Me siguri që nesër do ta bëj këtë” pa shtuar “Në dashtë Allahu!” Dhe, kur të harrosh (të thuash “në dashtë Allahu”) - kujtoje Zotin tënd e thuaj: “Shpresoj se Zoti im do të më udhëzojë në atë që është më e mirë dhe më e dobishme nga kjo.” (Sure “Kehf”, ajetet 23-24.)

Pra, është detyra jonë që ta kujtojmë gjithmonë Allahun dh eta falenderojmë për gjithçka që na ka dhënë. Përmendja e vazhdueshme e Allahut na bën që të jemi sa më afër Atij.

7- Kur’ani na urdhëron që të jemi të mëshirshëm

Allahu i Madhëruar në Kur’anin e shenjtë thotë: Trego mëshirë, urdhëro vepra të mira dhe shmangu nga të paditurit! (Sure “A’raf”, ajeti 199.)

Vërtet, ky ajet, megjithëse i shkurtër, ai është një shkollë e madhe për të gjithë njerëzit. Ai na mëson të jemi të mëshirshëm me të tjerët. Mëshira ishte prej virtyteve të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Falë mëshirës, ai arriti të përhapë mesazhin e Allahut në vendin më të ashpër e më të pamëshirshëm.

Edhe të urdhëruarit në vepra të mira ka shumë dobi. Dobia më e madhe është se duke urdhëruar gjithmonë  bërjen e veprave të mira, arrihet braktisja e veprave të këqija. Gjithashtu, edhe largimi prej të paditurve është mbrojtje prej  infeksioneve të dëmshme të tyre. Padituria verbon mendjen, shpirtin dhe zemrën. Allahu i Madhëruar në Kur’anin e shenjtë thotë:  Ai, që në këtë botë ka qenë i verbër, do të jetë i verbër edhe në Botën Tjetër dhe më i humbur nga rruga e drejtë. (Sure “Isra”, ajeti 72.)

O Zot na ruaj prej verbërisë së syrit dhe të zemrës. Na ruaj prej pavëmendshmërisë dhe paditurisë. Na e ndriço mendjen dhe zemrën me dritën e besimit, të dijes dhe udhëzimit! S’ka dyshim se ai që është i verbër në këtë jetë ndaj të vërtetës dhe të drejtës, i verbër dhe i humbur do të jetë edhe në Jetën Tjetër.

8- Kur’ani na urdhëron që të arsyetojmë

Allahu i Madhëruar në Kur’anin e shenjtë thotë: “Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju. Allahu di, kurse ju nuk dini.(Sure “Bekare”, ajeti 216)

Ka mundësi që diçka të cilën e duam dhe e pëlqejmë, të jetë e keqe dhe e padëshirueshme. Dhe ajo që  nuk e duam dhe  e përbuzim mund të jetë e mirë. Ky ajet na thotë që të jemi të kujdesshëm dhe të logjikshëm në çështjet e jetës tonë, sepse në një ajet tjetër në Kur’anin e shenjtë, Allahu i Madhëruar thotë: “…është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu në atë do t’ju sjellë shumë të mira…” (Sure “Nisa”, ajeti 19.)  Ne duhet të jemi të vëmendshëm në çdo hap të jetës tonë dhe në çdo gjë që e dëshirojmë dhe që nuk e dëshirojmë.

Allahu na e ndriçoftë jetën me dritën e Kur’anit!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI