Trimëria e Imam Aliut

nga Vullnet Merja | Publikuar në Korrik 24, 2017, 11:47 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhammed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: Pa dyshim, të dashurit (eulijat) e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut).” (Sure “Junus”, ajetet 62-63)

Nuk është e lehtë të flasësh për të dashurit (eulijatë) e Allahut dhe t’i përshkruash ata, sepse e gjithë qënia e tyre është e mbështjellë me dashurinë e madhe për Allahun e Madhëruar. Çdo mendim që mendojnë, çdo frymëmarrje që bëjnë, çdo hap që hedhin, çdo fjalë që thonë, ata e përmendin Allahun. Zemrat e tyre janë të lidhura fort me Krijuesin dhe ata janë të përulur e të binduar plotësisht ndaj Tij.

Duke qenë se të dashurit (eulijatë) e Allahut janë të lidhur me Krijuesin e Plotfuqishëm, i Cili është Drita e qiejve dhe e tokës, ata janë fanarë ndriçues për njerëzimin. Të tillë ishin të Dërguarit e Allahut në përgjithësi. I Tillë ishte vula e profetëve dhe i të dërguarve, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Po ashtu edhe prijësi i besimtarëve imam Aliu (paqj qoftë mbi të!) dhe imamët e pastër, të dlirë e të pamëkatë të Eli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!)

Mirëpo mendjet dritëshkurta, sipërfaqësore dhe ato që mendojnë vetëm për anë materiale dhe stolitë e pavlera të kësaj bote kalimtare, e kanë të vështirë ta perceptojnë pozitën e lartë të të dashurve (eulijave) të Allahut.

Eulijatë e Allahut shohin me dritën e zemrës, të cilin shumica e njerëzve në ditët e sotme e kanë verbuar. Prandaj, kur u flet atyre për qerametet e eulijave të Allahut mendojnë se po u flet përralla dhe legjenda, sepse në zemrën e tyre mungon besimi i drejtë dhe i pastër.

Prej të dashurve të Allahut të Madhëruar janë të dërguarit, të cilët Allahu i përzgjodhi dhe i dërgoi për udhëzimin e njerëzve. Disa prej të dërguarve të Tij Allahu i Madhëruar u dha mrekulli të ndryshme. Përshembull: Mrekullia e profetit Ibrahim (paqja qoftë mbi të!) ishte se Allahu e shpëtoi nga djegia në zjarrin që përgatiti Nemrudi dhe e shndërroi zjarrin në lulishte për profetin Ibrahim (paqja qoftë mbi të!). Në Kur’anin e shenjtë thuhet: “Ne thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” (Sure “Enbija”, ajeti 69)

Mrekullia e profetit Musa (paqja qoftë mbi të!) ka qenë shkopi i tij që shndërrohej në gjarpër të madh dhe dora e bardhë dhe e ndritshme. Rreth mrekullive të Musait (paqja qoftë mbi të!) Kur’ani thotë: “(Allahu) i tha: “Hidhe atë, Musa!” Ai e hodhi atë dhe, menjëherë, (shkopi) u bë gjarpër që zvarritej. (Allahu) i tha: “Merre atë dhe mos u frikëso! Ne do ta kthejmë në gjendjen e tij të mëparshme. Fute dorën tënde nën sqetull: ajo do të dalë e bardhë, pa kurrfarë sëmundjeje. Ja, kjo është një shenjë (mrekulli) tjetër (Sure “Taha”, ajetet 19-22)

Mrekullia e profetit Isa (paqja qoftë mbi të!) ka qenë shërimi i të verbërve, i lebrozës dhe ringjallaja e të vdekurve. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: “…se si me vullnetin Tim i shëroje të lindurit të verbër e të lebrosurit; se si me vullnetin Tim i ngjallje të vdekurit…” (Sure “Maide”, ajeti 111) Sigurisht, të gjitha këto mrekulli arriheshin me lejen dhe urdhërin e Allahut.

Mrekullia e përjetshme e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është Kur’ani i shenjtë.

Mrekullitë dëshmojnë se të dashurit e Allahut gjithmonë janë të përkrahur dhe nën mbrojtjen e Tij.

Të dashurit e Allahut posedojnë virtytet më të larta. Ata janë më të devotshmit, më të diturit, më të drejtët, më bujarët, më inteligjentët…etj. Një prej virtyteve fisnike të euliajve (të dashurve) të Allahut është trimëria. Ata nuk i frikësohen askujt, përveçse Allahut të Madhëruar. Të dërguarit e Allahut, njëkohësisht euliajtë e Tij, kanë qenë njerëzit më trima. Ata u përmballën me njerëzit më të egër, më të ashpër dhe më të padrejtë të kohëve të tyre siç ishin, Faraoni e Nemrudi.

Eh sa shumë Faraona e sa shumë Nemruda ka sot!! Më e keqja është se shumica e tyre janë të veshur me petkun e “fesë e të besimit” dhe i mashtrojnë njerëzit me këtë veshje duke bërë padrejtësi e duke tejkaluar kufijtë e Allahut!!! Apo hedhin parrulla të lyera me mjaltë nga jashtë, mirëpo brenda përmbajnë helm vdekjeprurës!!!

Edhe profeti ynë i dashur, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), më i larti i profetëve, ka qenë trim dhe nuk i frikësohej askujt. Gjithmonë i porosiste muslimanët se nëse i mbështeten Allahut, Allahu do t’ia forcojë zemrat dhe ata do të jenë triumfues gjithmonë.

Prej të dashurve (eulijave) të Allahut, siç e përmenda edhe më lart, janë edhe Ehli Bejti (Familja) i profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) me në krye imam Aliun (paqja qoftë mbi të!).

Meqenëse imam Aliun e rriti dhe e edukoi vetë profeti Muhamed, padyshim që ai posedonte virtyte të larta. Këtë e dëshmon edhe historia Islame. Ai ka qenë më i dituri, më i devotshmi, më i drejti në gjykim. Ai ka qenë më i forti dhe më trimi. Trimërinë e tij e dëshon si miku ashtu edhe armiku i tij. Ai është quajtur “Esedullahu el Galib” Luani triumfues i Allahut.

Të flasësh për trimërinë e imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) duhet kohë e gjatë. Prandaj, trimërinë e tij do ta përmend në mënyrë të përmbledhur si vijon:

1- Ai ishte që fjeti në shtratin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) natën kur idhujtarët kurejshit me në krye Ebu Sufjanin vendosën ekzekutimin e profetit Muhamed. Por, është Allahu Ai që i prish kurthet e idhujtarëve. Dhe ashtu u bë. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) fjeti në shtratin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe profeti doli nga Meka për të shkuar në Medine që të vazhdonte përhapjen e Mesazhit islam. Për këtë Allahu zbriti ajetin 207 të sures “Bekare” që thotë: Ka njerëz që e flijojnë veten, për të fituar pëlqimin e Allahut. Allahu është shumë i mëshirshëm me robtë e Vet.Komentuesit dhe historian muslimanë thonë se ky ajet ka zbritur për imam Aliun (paqja qoftë mbi të!).

2- Ai nuk ka qenë nën flamurin e askujt tjetër përveçse flamurit të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)

3- Ai ka qenë mbartësi i flamurit në të gjitha betejat që ka luftur me profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)

4- Në Betejën e Bedrit, imam Aliu triumfoi si në duel ashtu edhe në betejë. Në librin “el Bidajetu ue Nihajetu” i ibn Kethijr thuhet: “Aliu ka marrë pjesë në Bedër. Atë ditë ai së bashku me xhaxhain e tij Hamza dhe djalin e xhaxhait të tij Ubejdetu ibn Harith triumfuan. Kundërshtarët e tyre ishin tre: Utbetu, Shejbetu dhe Uelijd ibn Utbetu. Për këtë ka zbritur edhe ajeti 19 i sures “Haxh”: Këto dy grupe (besimtarët dhe jobesimtarët) grinden për Zotin e tyre…”  (“El Bidajetu ue Nihajetu”, vëllimi 7, faqe 25)

Et Tabarij transmeton në librin e tij të historisë nga ibn Abbasi i cili ka thënë: “Në ditën e Bedrit muhaxhirët (emigrantët nga Meka) kanë qenë 70 burra ndërsa ensarët (përkrahësit medinas) 263 burra. Mbartësi i flamurit të dërguarit të Allahut ka qenë Ali ibn Ebi Talib dhe mbartësi i flamurit të ensarëve ka qenë Sa’d ibn Ubadetu.” (Tarijkh Tabarij, vëllimi 2 faqe 138)

Po mjaftohem me thënien e Ibn Hisham në librin e tij “Es Siretu”, kur përmend të vrarët e idhujtarëve thotë: “Shumë herë përmendet emri i Aliut (paqja qoftë mbi të!). Shumicën e të vrarëve nga idhujtarët i ka vrarë Aliu ose ka marrë pjesë në vrasjen e tyre.” (Sijretu Ibn Hisham”, vëllim 2 faqe 347-354)

5- Është i vetmi në histori që kurrë nuk ka humbur në beteja. Në çdo betejë imam Aliu ishte triumfues.

6- Sa herë që përballej me ndonjë togë të armikut e shkatërronte atë.

7- Në çdo dyluftim imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ishte fituesi.

8- Në çdo betejë profeti thoshte “ja Ali meded”

9- Ai kurrë nuk është larguar nga betejat.

10- Ai ishte shumë i vëmendshëm në beteja dhe për këtë askush nuk mundej ta  mposhte atë.

11- Ai përfaqësonte të gjithë ushtrinë muslimane në betejë.

12- Më të fortët e kohës së tij kishin frikë të ballafaqoheshin me imam Aliun (paqja qoftë mbi të!).

13-  Goditjet e imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) ishin të rralla e të pashoqe.

14- Ai nuk hipte në kalë apo në deve kur luftonte. Ai thoshte: “Allahu më ka forcuar në betejë.”

15- Ai kurrë nuk i masakronte të plagosurit.

16- Kur zbriste në fushën e betejës ishte i buzëqeshur dhe i ndriste fytyra.

17- Ishte ndëshkues i rëndë ndaj hipokritëve dhe idhujtarëve.

18- Ishte strehë, shërim dhe forcë për besimtarët.

19- Armiqtë e quanin “vdekja e kuqe”.

20- Edhe melekët habiteshin nga luftimet e imam Aliut.

21- Xhebraili (alejhi selam) vetëm për imam Aliun ka thënë: “Nuk ka shpatë si Dhulfikari dhe nuk ka djalë si  Aliu.” Këtë e ka thënë në betejën e Uhudit.

22- Të vetmit njeri që i ka zbritur shpata nga qielli dhe e mbante Xhebraili (alejhi selam) ishte imam Aliu (paqja qoftë mbi të!)

23- Në betejën e Khandekut imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) u përball me Amr ibn Abdul Vud El Amirij, i cili ishte më i forti te idhujtarët. Kur Amri me ushtrinë e tij mbërritën pranë ushtrisë së muslimanëve, ai bërtiti me zë të lartë duke ftuar muslimanët për duel. Përveç imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) askush tjetër, nga sahabët e profetit që ishin të pranishëm në atë betejë, nuk iu përgjigj kërkesës së Amrit. Imam Aliu i kërkoi leje profetit që të dyluftonte me Amrin dhe profeti i thoshte: “Ai është Amri”. E imam Aliu i thoshte: “Po pastaj që është Amri.” Ai i kërkoi tri herë leje profetit dhe herën e tretë profeti e lejoi. Pas dyluftimit imam Aliu e vrau Amrin. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) për imam Aliun (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Goditja e Aliut në ditën e Handakut është e barabartë me adhurimin e njerëzve dhe të xhindëve.”

24- Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka dëshmuar trimërinë e imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) me thënien e tij në ditën e Khajberit: “Unë do t’ia jap nesër flamurin një burri trim dhe nuk është ikës në betejë. Ai e do Allahun dhe të dërguarin e tij dhe atë e do Allahu dhe i dërguari i tij.”

25- Imam Aliu e agjëronte kur luftonte.

26- Prej qerameteve të trimërisë së imam Aliut (paqja qoftë mbi të !) ishte shkulja e derës së kalasë së Khajberit. Ai e përdori atë si mburojë dhe urë për muslimanët në atë betejë e më pas e hodhi disa metra. Në këtë betejë profeti Muhamed ka thënë: “Do t’ia jap flamurin nesër një burri që e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe atë e do Allahu dhe i Dërguari i Tij, i palëkundur dhe jo ikacak.” Në mëngjes profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ia dha flamurin imam Aliut (paqja qoftë mbi të!)

27- Ai nuk kishte badigarda gjithmonë dilte vetëm.

28- Fjalimi i tij para fillimit të betejave ndikonte shumë në ngritjen shpirtërore të ushtarëve.

29- Edhe kur ishte në mejdanin e luftës, imam Aliu e falte namazin në kohën e tij.

Këtë trimëri të madhe imam Aliut (paqja qoftë mbi të!) ia ushqeu profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Profeti ynë i dashur dhe imam Aliu kurrë nuk e përdorën trimërinë e tyre kundër muslimanëve. Ata e përdorën trimërinë e tyre në rrugën e përhapjes së Mesazhit të pastër islam dhe në rrugën e Allahut të Madhëruar. Është detyrë e muslimanëve, në çdo kohë dhe në çdo vend që trimërinë e këtyre dy kolosëve të mëdhenj ta marrin shembull në rrugën e përhapjes së fesë së pastër islame. 

Mirëpo, fatkeqësisht, në ditët e sotme, porositë e profetit janë hedhur pas shpine nga shumë pushtetarë e udhëheqës që pretendojnë se ndjekin rrugën e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Muslimanët po shfaqin trimërinë ndaj vëllezerëve të tyre musliman. Pa pikën e përgjegjësisë, apo të dhembshurisë apo të mëshirës, sot derdhet gjaku i muslimanëve me preteksin se duan zbatimin e Sheriatit të Allahut në tokë.

Shtetet muslimane u shfaqin dhëmbët e trimërisë njëri-tjetrit. Dërgojnë ushtarë në vendet muslimane për shtypjen e manifestimeve paqësore, ndalojnë faljen e namazit të xhumasë, siç po ndodh në Bahrejn, dhe nuk shohin se çfarë po ndodh me Palestinën, me popullin e privuar e trim Palestinez dhe me kiblen e parë të muslimanëve, Mesxhidul Aksa.  Në Kur’anin e shenjtë lexojmë: “Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut…”

Allahu na bëftë prej ndjekësve të rrugës së eulijave  (të dashurve) të Tij në këtë jetë dhe na bashkoftë me ata në Jetën Tjetër!

Es Selamu alejkum ye rahmetullahi ue berekatuhu!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI