Kosova me Medalje të Bronztë për matematikën në ONM

Publikuar në Korrik 23, 2017, 12:01 p.m.

Atomisti, Shend Zhjeqi, ka fituar Medalje të Bronztë në Olimpiadën Ndërkombëtare të Matematikës (ONM).

"ONM është gara më e rëndësishme ndërkombëtare e matematikës, në të cilën marrin pjesë pothuajse të gjitha vendet e botës, të përfaqësuara nga nxënësit më të mirë të matematikës. ONM është kampionati botëror i matematikës për nxënësit e shkollave të mesme. Prandaj, arritja e Shendit është vërtet e jashtëzakonshme"- thuhet në komunikatë.

Shend Zhjeqi është vetëm 15 vjeçar dhe përveç që është atomist (dëshmi e potencialit të jashtëzakonshëm intelektual) tashmë ka dy dëshmi ndërkombëtare për talentin e tij të jashtëzakonshëm në matematikë Ai kishte arritur maksimumin e pikëve të mundshme në Garën Ndërkombëtare të Matematikës "Kangaroo" të organizuar në Kosovë nga Instituti ATOMI dhe tashmë ka fituar edhe Medalje të Bronztë në ONM, e 58-a me radhë, e cila është mbajtur këto ditë në Brazil.

Të gjitha këto e bëjnë Shend Zhjeqin krenari dhe shpresë për Kosovën dhe për të ardhmen e matematikës në Kosovë.

Instituti Atom e ka përgëzuar Zhjeqin për këtë arritje.