Vështrim mbi jetën e İmam Sadikut

nga Vullnet Merja | Publikuar në Korrik 21, 2017, 10:52 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “…O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” (Sure “Ahzab”, ajeti 33)

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: ““Unë po ju lë juve dy gjëra. Nëse kapeni pas tyre, nuk keni për të humbur kurrë pas meje: Librin e Allahut dhe pasardhësit emi, Ehli Bejtin tim.”

Kush është imam Xhafer Sadiku?

Ai është Xhaferi, i biri i Muhamedit, i biri i Aliut, i biri i Hysejnit, i biri i Aliut, i biri i Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi ta!). Ai është imami i gjashtë prej imamëve të pastër të Ehli Bejtit të profetit Muhamed (paqja dhe bekmet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka lindur në Medinen e Ndritur (Medinetul Muneuere), me 17 Rabiul Evel në vitin 83 të hixhrit dhe jetoi 65 vjet. Për 35 vjet me radhë imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) mbarti mbi supe misionin e udhëheqësisë (imamait).

Ai është martirizuar me helm në Medinen e Ndritur, më 25 Sheval të vitit 148 të hixhrit dhe është varrosur në varrezat El Baki’u pranë gjyshit të vet imam Hasan ibn Ali (paqja qoftë mbi të!). Atë e thërrisnin (Ebu Abdilah (babai i Abdullahut), Ebu Ismail (babai i Ismailit) dhe Ebu Musa (Babai i Musait).

Imam Xhafer Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka jetuar në një periudhë në të cilën ishin të përhapura mendime dhe ideologji të shumta dhe ishin shfaqur shumë rryma dhe shkollave të ndryshme. Këto shkolla dhe ideologji të përhapura në atë kohë përbënin rrezik për shoqërinë islame, sepse po ndikonin në largimin e njerëzve nga mendimi i drejtë dhe i pastër islam.

Për këtë, imam Sadiku, ashtu si të gjithë imamët e tjerë të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta), punoi pa u lodhur për përhapjen e meszhit të drejtë që solli profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe për udhëzimin e njerëzve bazuar në Kur’anin e senjtë dhe ne Sunnetin e pastër të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Drita e dijes së imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!) bëri që të zbeheshin mendimet dhe ideologjitë e tjera të përhapura.

Shumica  e shkollave (Medhehebeve) islame janë të mendimit se imam Xhafer Sadiku (paqja qoftë mbi të!) ishte prijës i vërtetë në të gjitha dijet dhe shkencat kryesore islame. Ai ishte një personalitet shumë i shquar në shkencat islame. Tek ai kanë studiuar rreth 4 mijë studentë.  

Imam Xhafer Sadiku (paqja qoftë mbi të!), unitetin dhe solidaritetin mes myslimanëve e konsideronte prej parimeve më të rëndësishme dhe më kryesore të Islamit. Ai gjithmonë theksonte se muslimanët janë vëllezër dhe kurrë nuk duhet të kenë konflikt dhe përçarje me njëri-tjetrin.

Në shkollën e Imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!) mësoheshin shkenca të ndryshme, si mjekësia, astronomia, kimia dhe matematika. Por shkencat islame dhe jurisprudenca islame, ishin më kryesoret që mësoheshin në shkollën e tij. Në këtë shkollë u përforcua dhe u zgjerua sistemi i jurisprudencës islame, e cila luajti një rol shumë të madh në zhvillimin e qytetërimit islam. Me zgjerimin e jurisprudencës islame në shoqërinë islame u krijua mundësia për t'i bërë ballë devijimeve dhe shtrembërimeve që kishin depërtuar në shoqëri.

Në shkollën e imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!) kanë studiuar personalitete të larta islame. Ndër ata ka qenë edhe Ebu Hanife, imami  i medhhebit hanefi. Ai ka studiuar dy vite te imam Xhafer Sadiku (paqja qoftë mbi të!). Këtë e ka përmendur vetë imam  Ebu Hanifja i cili thoshte: “Nëse nuk do të ishin ato dy vite, Nu’mani do të shkatërrohej.” Me këtë thënie, e kishte fjalën për ato dy vite që mori mësim te imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!)

Malik ibn Enes, imami i medhhebit Maliki, gjithashtu, ka studiuar te imam Sadiku. Në lidhje me personalitetin e imam Xhafer Sadikut (paqja qoftë mbi të!) Malik ibn Enesi ka thënë: “Askush nuk ka takuar dhe nuk ka dëgjuar për ndonjë personalitet me virtyte më të larta morale, me dituri më të gjerë dhe me devotshmëri më të madhe se sa Imam Xhafer Sadiku.”

Kontributi Imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!) ndaj diturisë në periudhën në të cilën ka jetuar ka qenë shumë i madh në mesin e myslimanëve. Në këtë periudhë kanë ndodhur shumë zhvillime dhe ndryshime në sferat e ndryshme shoqërore, shkencore dhe kulturore. Gjithashtu, në këtë periudhë hynë dhe u pëhapën idev dhe kulturave të ndryshme.

Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!), vazhduesi i misionit të imamatit (udhëheqësisë islame) dhe i rrugës së Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!), ka qenë themeluesi i një lëvizje të re në fushën e shkencave islame. Në lëvizjen e tij shkencore, ai i ka kushtuar rëndësi të madhe çështjes e racionalitetit dhe rolin e tij në çështjet fetare dhe në njohjen e të vërtetave.

Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) theksonte se shoqëritë janë dinamike dhe vazhdimisht janë në ndryshim e sipër. Për këtë arsye dhe lëvizja e shkencës dhe dijes gjithnjë duhet të jetë dinamike dhe të mund t'i përgjigjet nevojave dhe kërkesave të kohës dhe vendit.

Etika dhe sjellja e imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!) në diskutimet shkencore, madje edhe me mohuesit e ekzistëncës së Allahut, vazhdimisht ishte e mbështetur në logjikë dhe arsye. Me dijen e madhe që posedonte, Imam Sadiku  gjithmonë largonte dyshimet e kundërshtarëve bazuar në arsye dhe në argument. Ai gjithmonë e respektonte kundërshtarin.

Kushdo që e lexon me vëmendje jetën e imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!) dhe e analizon shtu siç e meriton do të dalë në konkluzionin se prej veprave më të rëndësishme që bëri imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!), ishin:

- Pastrimi i besimit islam nga ato shtesa që u futën në të dhe nga devijimet për shkak të dyshimeve që përhapën jobesimtarët rreth besimit të drejtë islam.

- Formimi i personaliteteve islame, siç ishin: Hisham ibn Hakem, Muhamed ibn Myslim dhe Zuraratu ibn A’jun.

- Pastrimi i Sheriatit islam nga ndryshimet dhe nga devijimet që sollën duart dashakeqëse.

Pa dyshim se këto u arritën përshkak të faktorëve më të rëndësishëm që e ndihmuan imam Sadikun (paqja qoftë mbi të!) në kryerjen e misionit të tij. Ndër ato faktorë përmendim:

1- Periudha e ardhjes së pushtetit abasit. Në kohën e imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!), abasitët mendonin për forcimin e pushtetit të tyre të sapoardhur.

2- Qëndrimi i Imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!) në Medinen e Ndritur, që ishte qendra e fesë, e cila nderohej dhe madhështohej nga ana e pushtetit.

3- Pozita e lartë fetare dhe shoqërore e Imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!) te myslimanët. Për këtë pozitë kujdesej edhe pushteti.

4- Distancimi i Imam Sadikut (paqja qoftë mbi të!) nga konflikti politik, sepse ai ishte i ditur se nuk e arrinte udhëheqjen politike si rezultat i ndodhive politiko - sociale që i përjetoi në atë kohë.

5- Vështrimi i myslimanëve kah juristët (fukahatë) për të mësuar çështjet islame prej tyre. Në atë kohë nuk gjedej asnjë sahabi i profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) ishte juristi më i madh i myslimanëve dhe mësuesi i juristëve të tyre.

Kanë thënë për imam Sadikun (paaja qoftë mbi të!)

Për imam Xhafer Sadikun (paqja qoftë mbi të!), imami i gjashtë prej imamëve të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!) dhe themeluesi i Medhhebit Shiit ithneashrij kanë folur shumë dijetarë dhe mendimtarë musimanë, qofshin shiit apo sunit. Ata dëshmojnë virtytet, dijen, bujarinë, devotshmërinë dhe poziën e lartë të imam Xhafer Sadikut (paqja qoftë mbi të!).

Prej atyre thënieve dhe dëshmive përmendim:

Ibn Sabbag në librin e tij “El Fusulul Muhimetu” në kreun rreth jetës së imam Sadikut ka thënë: “Në mesin e vëllezëve të tij Xhafer Sadiku ka qenë zëvendësi i babait të tij, i porosituri prej tij dhe mbartësi i imamatit pas tij. Ai dukej nga të tjerët për nga virtytet e larta. Ai ka qenë më I përmenduri dhe më I vlerësuari. Prej tij njerëzit kanë përcjellë dijet dhe i kanë shpërndarë në vendet e tjera. Dijetartë nuk kanë transmetuar prej askujt nga Ehli Bejti aq sa kanë transmetuar nga ai (imam Sadiku). Nga ai kanë transmetuar një grup I njohur prej imamëve si: Jahja ibn Said, Ibn Xherijh, Malik ibn Enes, Eth Theurij, Ebu Hanife, Shu’betu, Ebu Ejub Es Sexhistanij, e të tjerë.”

Ibn Ebi El Hadijd El Mu’tezilij në parathënien e librit “Sherh Nehxhul Belaga” ka thënë: “Imam Aliu është baza dhe themeli i dijes së Jurisprudencës. Çdo jurist në Islam ka përfitur përfiton dhe do të përfitojë prej dijes së tij (imam Aliut). Ndërsa sahabët e Ebu Hanifes, ndër ata Ebi Jusuf, Muhamedi, e të tjerë përveç tyre, e morën jurisprudencën nga Ebi Hanife. Kurse Shafiifu ka mësuar te Muhamed ibn Hasan dhe Jurisprudenca e tij kthehet përsëri te Ebu Hanife. Ndërsa Ahmed ibn Hanbel mësoi te Shafiiu dhe jurisprudence (fikhu) i tij gjithashtu kthehet te Ebi Hanife. Ebu Hanife mësoi te Xhafer ibn Muhamed (Sadiku).”

Alusij El Bagdadij, prej dijetarëve të mëdhenj të Ehli Sunetit në librin e tij “Et Tuhetul ithna ashrijeh”, faqe 8 thotë: “Ky është Ebu Hanife En Nu’man, prej Ehli Sunetit, i cili krenohet dhe thotë me gjuhë të pastër: Sikur të mos ishin dy vjetët do shkatërrohej i biri i Nu’manit. E ka fjalën për dy vjetët që ul dhe mori dije te imam Sadiku…” 

Dhebiju në librin “Mizànul I’tidàl”, vëll. 1, f. 192, kur ka përmendur imamin thotë: “Xhafer ibn Muhammed Ali ibn Husejn El-Hàshimij, Ebù Abdil-lah është nga kolosët e imamëve, njeri bamirës, i drejtë dhe me autoritet të madh.”

Neueuiju, në librin “Tehdhibul Esmài ue Lugàt”, vëll. 1, f. 149-150, thotë: “Në lidhje me të kanë treguar Muhammed ibn Is’hàku, Jahjà El Ensàrij, Màliku, dy Sufjànët, Ibn Xhurejhi, Shu’beh, Jahjà El Kattàni e të tjerë. Të gjithë kanë një mendim të përbashkët për imamatin e për madhështinë e tij: “Ai ishte njeri i nderuar.” Kurse Amr ibn Ebu Mikdàmi thotë: “Kur unë shikoja te Xha’fer ibn Muhammedin, mësoja se ai me të vërtetë ishte prej pasardhësve të profetëve.”

Ibn Khilkàn, ka thënë: “Njëri nga të dymbëdhjetë imamët e medh’hebit imamij, ishte nga zotërinjtë e nderuar të Ehli Bejtit. Për vërtetësinë e shkrimeve të tij është thirrurme epitetin Sàdik. Nga mirësia e virtyti ai qëndron shumë më lart nga sa përmendet.”

Në librin “Sauàik” të Ibn Haxherit thuhet: “Njerëzit kanë përcjellë dituri të shumta prej tij, aq sa nuk ua mbanin këmbët. Ai njihej në të gjitha vendet.”

Në librin “Jenàbi’ul-Meueddeh”, botuar në Stamboll, faqe 380 thuhet: “Nga imamët e Ehli Bejtit është edhe Ebù Abdil-lah Xha’fer Sàdiku.” dhe vazhdon: “…ishte nga të nderuarit e Ehli Bejtit.”

Hafiz Ebù Neimi në librin “Hiljetul-Eulijà”, vëllimi 3, faqe 192 , thotë: “…dhe prej tyre është imami mendimtar e prijës në fushën e mendimeve, Ebù Abdil-lah Xha’fer ibn Muhammed Sàdiku, më i përkryeri në adhurimin e në nënshtrimin ndaj All’llahut të Lartësuar. Ai kishte preferuar qëndrimin mënjanë dhe përkushtimin. Ai e kishte privuar veten nga postet e larta e nga tubimet.”

Në librin “Umdetu Tàlib”,  faqe 184 shkruhet: “Për të thuhet se është kolona e nderit, meritat e tij janë të shumta e mjaft të njohura si te njerëzit e shquar, ashtu edhe të zakonshëm. Mensùr Ed’Deuàniku disa herë kishte vënë qëllim ta vriste, por All’llahu e ruajti prej tij.”

Shehrastànij, në librin “El Milel ue Nihal”, shkruan: “Ai zotëronte dituri të shumta në fe e në edukatë, Ishte i plotësuar në urtësi, shumë i përkorë dhe plotësisht i ruajtur nga epshet (ma’sumun)…”

Ibn Shehràshùb, në librin e tij “Fi Menàkibi Ahuàli Sàdik ”, transmeton prej Màlik ibn Enesit se ka thënë: “Asnjë sy nuk ka parë, asnjë vesh nuk ka dëgjuar, asnjë zemër nuk ka ndier njeri më të mirë se Xhafer Sadiku në virtyt, në adhurim, në dituri e në ruajtjen nga mëkatet.”

Thënie nga imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!)

Imam Sadiku i ka thënë djalit të tij:  “O biri im! Ji lexues i Librit të Allahut, përhapës i Islamit, urdhërues në të mira, ndalues nga e keqja, mbajtës i lidhjeve me atë që i shkëput, dhënës për atë që kërkon! Ruhu nga thashethemi, sepse ai mbjell urrejtje në zemrat e njerëzve!”

Imam Sadiku (paqja qoftëmbi të!) ka thënë: “Ai që ecën për t’i përmbushur një nevojë vëllait të tij, është si ai që ecën mes Merves dhe Safasë. Ai që ia përmbush nevojën vëllait të tij, është si dëshmori në rrugën e Allahut në betejën e Bedrit dhe të Uhudit. Allahu nuk e dënon një popull, veçse për shkak të shkeljes së të drejtave të fukarenjve dhe të vëllezërve të tyre.”

Imam Sadiku (paqja qoftëmbi të!) ka thënë:  “Lajmëroji ndjekësit (shiat) tanë dhe thuaji atyre: ‘Mos u përçani! Betohem në Allahun, se vilajeti ynë nuk fitohet veçse me devotshmëri, me përpjekje e sakrifica në fe dhe me simpati (el muvasat) ndaj vëllezërve për hir të Allahut. Nuk është prej ndjekësve (shiave) ai që i bën padrejtësi njerëzve.”

Transmetohet nga imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Lakmitari në këtë dynja është  si krimbi i mëndafshit, i cili sa më shumë të zgjatet e të mblidhet rreth vetes aq më të vështirë e ka që të çlirohet e të dalë prej asaj mbështjelljeje, derisa të ngordhë i brengosur.”

Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të !) ka thënë: “ Mëkati që ndryshon mirësitë, është degjenerimi moral; mëkati që trashëgon  pendim, është vrasja; mëkati që zbret fatkeqësi, është padrejtësia; mëkati që shkatërron të mbuluarat, është pirja e alkolit; Mëkati që pengon rriskun, është  zinaja (kurvëria); mëkati që shpejton zhdukjen, është ndërprerja e marrëdhënieve farefisnore; mëkati që kthen lutjen, është mosrespektimi i  prindërve.”

Allahu na mundësoftë që në këtë të jemi në rrugën e Tij, në rrugën e Profetit Muhamed dhe të Ehli Bejtit të tij të pastër e të dlirë dhe na bashkoftë me ata në Jetën Tjetër!



Burimi : Media e Lire

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI