Viktima të ekstremizmit të dhunshëm, e jo përhapsëse të ideologjive

Publikuar në Korrik 20, 2017, 5:47 a.m.

Gratë që janë kthyer nga vendet e luftës, Siria e Iraku, vazhdojnë të kenë trajtimin e njejtë në Kosovë.

Ato vijnë nga familje të varfra nga Kosova, nuk kanë arsimim të duhur dhe vazhdojnë te jenë të stigmatizuara.

Kështu tha Besa Ismaili nga Bashkësia Islame e Kosovës, e cila shtoi se atyre edhe pas kthimit u mungon përkrahja familjare e institucionale, shkruan arbresh.info.

“Ato vinin nga familjet e varfra u ka munguar përkrahja e fëmijës, atyre akoma u mungon përkrahja familjës. Janë të stigmatizuara, janë të veja ose do të martohen me anëtarë të ISIS-it. Ato asnjëherë nuk i kanë ndjekur ligjëratat e BIK-ut dhe kjo tregon nivelin e ulët të arsimit që kanë”

E pyetur se a ka pasur raste, kur familjarët iu kanë drejtuar BIK-ut për të ndaluar rekrutimin apo për t’iu ofruar ndihmë të kthyerve ajo tha se ka pas raste të tilla kur nënat kanë dyshuar se fëmijët e tyre i’u janë bashkuar këtij grupi.

Sipas Policisë së Kosovës deri me tani janë rreth 44 gra dhe 37 fëmijë që u janë bashkuar ISIS-it, ndërsa, deri me tani janë kthyer 7 gra në Kosovë.

Gratë e kthyera në Kosovë trajtohen si viktima të ekstremizmit të dhunshëm, e jo si përhapsëse të ideologjive.