Serbët,debat të madh për Kosovën

Publikuar në Korrik 8, 2017, 7:03 a.m.

Pas deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për inicimin e një dialogu të madh brenda shoqërisë serbe për “Kosovën dhe rajonin”, mediet serbe nuk kanë pritur shumë.

Kështu, e përditshmja e Beogradit “Blic”, e cila sikur shumica e medieve në Serbi, kontrollohet nga Presidenti Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar një debat të madh për Kosovën, në të cilin do të përfshihen segmente të ndryshme të shoqërisë serbe, që në thelb do të kenë diskutimin për Kosovën. Çfarë do të bëjë Serbia, a do ta njohë ndonjëherë pavarësinë e Kosovës?

Vuçiq ka paralajmëruar mundësinë e heqjes së Kosovës nga Kushtetuta e Serbisë, por formula se si do të ndodhë kjo ende nuk është gjetur. Tashmë dihet se ky është njëri nga kushtet kyçe të BE-së për rrugën e mëtejme të Serbisë në integrimet evropiane.

“Blic” nis serinë e teksteve të ballafaqimit të mendimeve "Kosova: Cili është plani, e cila dëshira e serbëve, e BE-së dhe SHBA-së, dhe e shqiptarëve? A do ta njohim ndonjëherë pavarësinë e Kosovës? Cila është e ardhmja e Serbisë në Kosovë? Cila është e ardhmja e Kosovës në Serbi?

Do ta pyesim pushtetin, opozitën, opinionin intelektual, OJQ-të, serbët e Kosovës, shqiptarët”, shkruan "Blic" në ballinën e djeshme të gazetës.

Kjo “iniciativë” e "Blic"-it ka filluar të implementohet qysh sot me një ballinë tjetër që i kushtohet pikërisht asaj që është paralajmëruar, raporteve të serbëve me Kosovën.