Fitër bajrami dita e bashkimit dhe e falenderimit

nga Vullnet Merja | Publikuar në Qershor 27, 2017, 3:27 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

(Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!)

Muaji i begatë i Ramazanit mbaron me kurorëzimin e Fitër Bajramit, i cili është i ngjashëm me festën e diplomimit të të sukseshmëve në universitetin e muajit të Ramazanit. Të sukseshmit e këtij universiteti janë ata që Allahu ua ka pranuar agjërimin, adhurimet dhe veprat e mira në këtë muaj të begatë. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sigurisht, kjo ditë është festë për atë që Allahu ia ka pranuar atij agjërimin dhe ia lavdëron namazin. Çdo ditë që në të nuk i bëhet mëkat Allahut, ajo është festë.”  (Nehxhul Belaga)

Fitër Bajrami është festa që e festojnë muslimanët pas mbarimit agjërimit të muajit të begatë të Ramazanit. Fitër Bajrami është në ditën e parë të muajit Sheval. Quhet “Ijdul Fitr”, sepse muslimanët në këtë ditë e çelin dhe nuk e agjërojnë. Nuk lejohet agjërimi në ditën e parë të Fitër Bajramit.

Në aspektin fetar Bajrami ka kuptimin e falenderimit të Allahut për çdo gjë që Ai na ka mirësuar dhe na begatuar në këtë jetë, veçanërisht me mirësinë e Islamit.

Në aspektin human Bajrami ka kuptimin e bashkimit të fuqisë së të pasurit me dobësinë e të varfërit në dashuri e mëshirë. Kjo simbolizohet me dhënien e zeqatit, bamirësinë dhe përkrahjes ekonomike.

Në aspektin shpirtëror Bajrami ka kuptimin mposhtjes së egos dhe të qënit i pastër shpirtërisht dhe larg të këqijave e të shëmtuara. Duhet që të gjitha ditët e jetës tonë të jenë Bajram.

Në aspektin social festa Bajramit është dita e bashkimit e unitetit dhe e vëllazërimit. Është dita e fëmijëve, të cilët gëzohen pamasë në këtë ditë feste. Është dita e miqësisë,sepse në këtë ditë ripërtërihen lidhjet miqësore dhe forcohen akoma më shumë. Është dita e pastërtisë së zemrës prej urrejtjes, zemërimit, smirës e mllefit. Është dita e të larguarit nga të menduarit për keq,nga shpifja, përgojimi, sharja e fyerja. Allahu i Madhëruar na mëson në Kur’an dhe na thotë: Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!” (Sure “Hashr”, 10). Ashtu siç zbukurohemi me rroba të pastra në Bajram, po ashtu duhet të zbukurohemi me morale të mira gjatë gjithë jetës tonë.

Festa e Bajrami është në një kohë të caktuar. Kjo do të thotë që në këtë kohë t’i harrojmë problemet e vështirësitë dhe të mbledhim forcat për t’u përballur me sfidat e jetës në vazhdim.

Në bajram shfaqen virtytet e larta nga natyra e pastër e krijuar nga Allahu. Duhet që këto virtyte të jenë të shfaqur edhe pas Bajramit. Pra, të jenë të pranishme gjatë gjithë jetës tonë. Bajrami është mejdani i garimit në të mira e në bujari.

Festa në Islam ka kuptimin e respektit, dashurisë, nderimit, madhështisë, pajtimit mes njerëzve. Ka kuptimin e madhështimit e të lartësimit të Krijuesit të Gjithpushtetshëm. Në Kur’anin e shenjtë thuhet: Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (Sure “Bekare”, ajeti 185)

Fitër Bajrami është ditë gëzimi për besimtarët

Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: “Me dhuntinë e Allahut dhe mëshirën e Tij – vetëm me këto le të gëzohen!” (Sure “Junus”, ajeti 58)

Dhe: “Pa dyshim, miqtë e Allahut nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar dhe as për t’u dëshpëruar. (Të tillë janë) ata që besojnë dhe që (i) frikësohen (Allahut). Ata i pret lajmi i mirë në këtë jetë dhe në tjetrën. S’ka ndryshim në fjalët e Allahut; kjo është fitorja madhështore.” (Sure “Junus”, ajetet 62-64)

Dhe: “Janë të gëzuar për çfarë u ka dhënë Allahu nga dhuntitë e Tij…” (Sure”Ali Imran”, ajeti 170)

Fitër Bajrami është dita e dhuratave

Transmetohet nga imam Bakir (Paqja qoftë mbi të!) se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kur vjen dita e parë e muajit Sheval një thirrës thërret: “O besimtarë. Merrini dhuratat tuaja.” Pastaj tha: “O Xhabir. Dhuratat e Allahut nuk janë si dhurat e mbretërve.” Më pas tha: “Kjo ditë është dita e dhuratave.”

Fitër Bajrami dita e garimit në punë të mira

Transmetohet nga imam Hasani (Paqja qoftë mbi të!) se në ditën e Bajramit ai pa njerëz që po luanin po zbaviteshin dhe po qeshnin. Ai u tha shokëve të tij: “Allahu e ka bërë muajin e Ramazanit mejdan garimi për krijesat e Tij që të garojnë në të me bindje ndaj Tij drejt kënaqësisë së Tij. Në atë mejdan garuan njerëz dhe fituan kur se të tjerët që e kundërshtuan (garimin) humbën. Habi e madhe për ata që qeshin dhe që zbaviten në këtë ditë në të cilën shpërblehen punëmirët dhe zhgënjehen punëkëqijtë. Betohem në Allahun sikur të zbulohej vendqëndrimi i njerëzve do të shiheshin punëmirët duke u marrë me punët e tyre të mira dhe të këqijtë me të këqijat e tyre.”

Fitër Bajrami dita e bashkimit dhe e falenderimit

Imam Rizai (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dita e Fitrit është bërë festë që muslimanët të jenë të bashkuar në të duke e falenderuar Allahun për atë që Ai i ka mirësuar. Dita e Bajramit është dita e bashkimit, dita e zekatit, dita e dëshirës dhe dita e lutjes dhe e përgjërimit.”

Fitër Bajrami dita e përmendjes së Kijametit

Në ditën e Fitër Bajramit imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka majtur një hytbe dhe ka thënë: “…Vërtet, në këtë (ditë) shpërblehen punëmirët dhe humbasin punëkëqinjtë. Kjo ditë është e ngjashme me ditën e Kijametit tuaj. Prandaj, me daljen tuaj nga shtëpitë tuaja për të shkuar në namaz, kujtoni daljen tuaj nga varret për të dalë para Zotit tuaj. Me qëndrimin tuaj në vendfaljen e namazit, kujtoni qëndrimin tuaj para Zotit tuaj. Me kthimin tuaj pas namazit në shtëpitë tuaja, kujtoni kthimin tuaj, pas llogaridhënies, në Xhennet apo në Zjarr. Dijeni o robtë e Allahut se më e pakta që marrin agjëruesit dhe agjërueset është se një engjëll thërret në fund të muajit të Ramazanit: Myzhde o robtë e Allahut. Vërtet, Allahu ua ka falur juve gjynahet e shkuara, prandaj, shikoni se si do të jeni kur të filloni (pas Ramazanit).”

Të dashur lexues:

Fitër Bajrami është dita e marrjes së shpërblimeve dhe e përfshrjes në mëshirës e Allahut në fund të muajit të Ramazanit.

Fitër Bajrami është dita e vendosmërisë për të qenë të gatshëm e të përgatitur për të pritur Ramazanin e ardhshëm.

Dhurata më bujare që duhet t’i dhurojë ummeti islami profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në festën e Fitër Bajramit është vëllazërimi, krenaria, pajtimi dhe bashkimi mes tyre me gjuhë e me zemër.

Në namazin e Bajramit është një luje e mrekullueshme. Edhe pse e shkurtër ajo ka një përmbajtje madhështore. Në të thuhet:

O Zoti im. O Posedues i madhështisë. O Posedues i lartësisë. O Posedues i bujarisë. O Posedues i mposhtjes. O Posedues i faljes. O Posedues devotshmërisë. O Posedues i mëshirës. Të lutem Ty për hak të kësaj dite që e ke bërë festë për muslimanët. Të lutem Ty për hak të kësaj dite që për Muhamedin (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ke bërë krenari, nderim dhe ditë dhënieje pallogari, bekoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit. Të lutem Ty që të më përfshish në çdo të mirë në të cilën përfshive Muhamedin dhe familjen e Muhamedit. Të lutem Ty që të më largosh nga çdo e keqe nga e cila largove Muhamedin dhe familjen e Muhamedit. O Zoti im. Unë të lutem që të japësh prej mirësive që u dhe robve të Tu punëmirë. O Zoti im. Unë të kërkoj mbrotje Ty nga çdo e keqe ashtu siç të kërkuan robtë e Tu punëmirë.  

Allahu na e pastë pranuar agjërimin dhe adhurimet në muajin e begatë të Ramazanit.

E lus Allahun që Bajrami i ardhshëm të na gjejë larg luftërave, gjakderdhjeve dhe vëllavrasjeve!  

GËZUAR DHE PËR SHUMË VJET FITËR BAJRAMIN! ALLAHU NA BËFTË PREJ XHENETLINJVE QË DO TË HYJNË NGA PORTA E REJJANIT!

Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Ju!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI