Ultimatum Katarit nga Arabia, Bahrejni, EBA dhe Egjipti

Publikuar në Qershor 26, 2017, 6:07 p.m.

Arabia Saudite dhe vendet tjera të cilët kanë ndërprerë lidhjet me Katarin kanë publikuar listën e kërkesave për zgjidhjen e krizës, në mesin e të cilave edhe shuarjen e Al Jazeerës dhe ndërprerjen e marrëdhënieve me Iranin. Në listën me 13 kërkesa të cilat Dohës i dorëzoi Kuvajti, katër vendet e sipërpërmendura kërkojnë që Katari të ndërpres të gjitha kinse lidhjet me Vëllezërit Mysliman dhe grupet tjera, duke përfshirë Hezbollahun, Al Kaidën dhe ISIS-in. Katër shtetet e lartcekura i kanë dhënë Katarit afatin prej 10 ditë që të plotësojë kërkesat, në mesin e tyre edhe pagimi i një shume jo të përcaktuar të parasë në formë kompensimi.

Kërkojnë nga Katari që të shpor pjesëtarët e Gardës Revolucionare të Iranit, të mbyll përfaqësitë diplomatike në Iran dhe me Teheranin të ndërpresë të gjitha lidhjet diplomatike dhe çfarëdo bashkëpunimi ushtarak, ndërsa tregtia me Iranin të jetë e lejuar nën rregullat strikte të sanksioneve ndërkombëtare dhe amerikane.

Vendet arabe kërkojnë shuarjen e Al Jazeerës dhe mediave tjerë të Katarit, sikurse që janë Arab21, Rassd, Al Araby Al Jadeed dhe Midle East Eye. Në mesin e kërkesave është edhe dhënia fund e bashkëpunimit ushtarak me Turqinë, si dhe largimi i pajisjeve ushtarake turke, që do të thotë edhe shuarja e bazës ushtarake turke në Katar. Në rast se Katari pranon këto kushte, kontrollimi i implementimit të tyre do të jetë njëherë në muaj gjatë vitit të parë, ndërsa në vitin e dytë çdo tre muaj. Në dokument nuk ceket se çfarë do të bëjnë vendet arabe  në rast se Katari refuzon këtë listë prej 13 kërkesave.

Ministri i mbrojtjes së Turqisë Fikri Ëshëk deklaroi se vendi i tij nuk ka plan që të shqyrtojë kërkesën për mbylljen e bazës ushtarake në Katar, dhe se çdo kërkesë për mbylljen e saj do të ishte përzierja në marrëdhëniet e Ankarasë me Dohën.

Para dy ditësh sekretari shtetëror amerikan Rex Tillerson ka deklaruar se Washingtoni shpreson se Arabia Saudite dhe partnerët e saj  së shpejti do të dorëzojnë Katarit listën e kërkesave reale ashtu që të zgjidhje kriza diplomatike. ”Jemi në dijeni se saudët, emiratët, bahrejnasit dhe egjiptasit kanë përgatitur dhe koordinuar listën e kërkesave”, ka thënë Tillersoni. “Shpresojmë se së shpejti kjo listë do të paraqitet Katarit dhe se do të jetë e arsyeshme dhe e zbatueshme”.

Arabia Saudite, Emiratet, Bahrejni, Egjipti dhe një numër të  shteteve tjera kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike dhe ekonomike me Katarin me 5 qershor duke e akuzuar Katarin për mbështetje të “terrorizmit” dhe Iranit. Katari me vendosmëri të plotë  i ka hedh poshtë këto akuza të tilla të ulëta.   



Burimi : Al Jazeera