Gjimnazistet nga Kosova, ndër fitueset kryesore në Amerikë në garat e diturisë

Publikuar në Qershor 21, 2017, 3:29 a.m.

Një grup gjimnazistesh nga Kosova ka arritur të zërë vendin e dytë në një garë të diturisë, që është mbajtur në Osuego, në shtetin e Nju-Jorkut, ditë më parë. Vajzat kosovare kanë marrë medalje argjendi në Olimpiadën Ndërkombëtare "GENIUS 2017", në fushën e projekteve mjedisore për energji të qëndrueshme. Ato kanë konkurruar kundër 1700 nxënësve nga 73 shtete të botës.

Suksesin e nxënëseve kosovare, që vijojnë mësimet në gjimnazin "Hasan Nahi" në Prishtinë, e ka përshëndetur edhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e cila i ka pritur ato në ambasadën e Kosovës në Uashington. 

Ajo ka thënë se suksesi i gjimnazisteve kosovare në garën ndërkombëtare të diturisë është "një dëshmi më shumë se vajzat tona dhe rinia jonë nuk njohin kufi, dhe se kureshtja dhe etja e tyre për dituri do ta çojë vendin tonë përpara".

 

"T'i dëgjosh ato duke folur për ëndrrat e tyre për të studiuar për inxhinieri gjenetike, kimi, inxhinieri dhe fizikë është dëshmi se e ardhmja jonë është e ndritur", është shprehur ambasadorja Çitaku.

Blerona Zulfaj, Kaltrina Hyseni, Çlirimtare Ramadani, Ema Halimi, Emira Jetishi, Elena Hyseni dhe Zana Shehu janë shtatë shkencëtaret e reja kosovare që kanë marrë medalje argjendi në Olimpiadën Ndërkombëtare “GENIUS 2017”, në fushën e projekteve mjedisore për energji të qëndrueshme. Ato janë shoqëruar në SHBA nga profesoresha Eriona Basha.

Në saje të rezultateve të vlerësuara nga kjo garë, gjimnazistet kosovare kanë fituar edhe bursa nga "Oswego State University of New York". Ato fituan të drejtën e bursës për shkollimin në këtë institucion, falë medaljes së argjendtë me projektet inovative shkencore.