“Asnjë i mbijetuar’’ nëse futen në konfliktë Rusia me SHBA-në dhe NATO-n

Publikuar në Qershor 13, 2017, 2:42 a.m.

Vladimir Putin ka folur gjatë në një intervistë të dhënë për regjisorin Oliver Stone, pjesëza të së cilës janë publikuar në mediat e huaja.

Stone e pyet Putin nëse Shtetet e Bashkuara do të ishin dominante në një konflikt të tillë. “Nuk besoj se ndonjë nga ne do t’i mbijetonte një konflikti të tillë”, thotë Putin.

Kur Stone e pyet kreun e Kremlinit nëse ka shpresë për një ndryshim në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës, ai përgjigjet: “Gjithmonë ka shpresë. Derisa të jenë gati të na çojnë në varreza dhe të na varrosin”.

Udhëheqësi rus ka thënë gjithashtu se vendet që i bashkohen NATO-s bëhen në mënyrë të pashmangshme “vasalë” të Amerikanëve.

Presidenti ka nënvizuar se veprimet e Rusisë janë një përgjigje ndaj atyre që ajo i sheh si kërcënime, që vijnë nga NATO dhe që po përhapen drejt kufijve të saj.

“Na duhet t’i drejtojmë sistemet tona drejt objektivave që përbëjnë kërcënim për ne. Situata sa vjen e bëhet më e tensionuar”, ka thënë Putin.

Stone e pyet gjithashtu se sa të besueshme janë informacionet që tregojnë se ai u ka mbijetuar të paktën 5 atentateve.

Putin refuzon të japë një përgjigje direkte, por shprehet: “Unë bëj detyrën time, agjentët e sigurisë bëjnë të tyren dhe po e bëjnë me sukses”.

Duke shprehur besimin tek agjentët, ai ka cituar edhe një fjalë të urtë ruse: “Ata që janë të destinuar të varen nuk kanë shanse të mbyten”.