Analizat serbe për dialogun Prishtinë-Beograd

Publikuar në Qershor 13, 2017, 2:40 a.m.

Zgjedhjet në Kosovë janë duke u përcjellë nga afër edhe te mediat serbe, të cilat po mundohen të tregojnë me analiza të ndryshme se cili lider politik nga Kosova do të ishte më i denjë për vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

Kjo vëmendje ka ardhur sidomos pas deklaratave të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili kërkoi përfshirjen e Amerikës në dialog.

“Lojtarët kryesorë në skenën politike të Kosovës u ndanë në tri blloqe dhe të dielën do të jetë një luftë e vërtetë mes tyre. Në njërën anë PDK-ja së bashku me Nismën për Kosovën, dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në anën tjetër LDK-ja me AKR-në, dhe Vetëvendosja e vetme”, shkruan gazeta Blic e Serbisë.

Por sipas analistëve serbë cilido liderë që të vijë në pushtet do të ketë synim që ta forcojë pavarësinë e Kosovës.

“Vetëm ai që ka mbështetje të gjerë, jo vetëm shumicën parlamentare do të jetë në gjendje për ta vazhduar dialogun. Në rastin e qeverisë Mustafa e kemi parë se kjo nuk është e mjaftueshme. Në Kosovë të gjithë e kanë një qëllim të përbashkët që ta forcojnë sovranitetin dhe pavarësinë”, ka thënë Dushan Janjiq nga forumi për Marrëdhënie etnike në Serbi, transmeton Lajmi.net.

 “Më e rëndësishmja është që ka një gatishmëri për të diskutuar dhe për të zbatuar marrëveshjet. Isa Mustafa partneri më i mirë? Mustafa ishte partneri më pak i keq në vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Drecun.