Terroristi kosovar u trajtua si “rahmetli” i zakonshëm nga BIK-u

Publikuar në Qershor 13, 2017, 2:37 a.m.

Gazetari Adriatik Kelmendi ka reaguar pasi Bashkësia Islame e Kosovës ka lëshuar njoftim zyrtar për vdekjen e “Kasapit të Kaçanikut”, Lavdrim Muhaxheri. Kelmendi ka thënë se i kërkuari për terrorizëm nga INTERPOL-i, por edhe nga gjyqësia kosovare, po trajtohet si “rahmetli” i zakonshëm nga BIK-u.

Kelmendi, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se lëshimi i një njoftimi zyrtar nga Bashkësia Islame e Kosovës, është e pafalshme dhe e turpshme.

“I kërkuari për terrorizëm nga Interpol-i, si dhe nga gjyqësia kosovare, Lavdrim Muhaxheri, trajtohet si një ‘rahmetli’ i zakonshëm nga Bashkësia Islame e Kosovës, e cila lëshon njoftim zyrtar për vdekjen e tij!”, ka shkruar Kelmendi.

Ai ka thënë se dorëheqjet nuk mjaftojnë “ose nga BIK, ose nga organet e drejtësisë në Kosovë”.

“S'munden të dyja palët të kenë të drejtë, ose ta kenë gabim”, thotë Kelmendi.

Vdekjen e terroristit kosovar, Lavdrim Muhaxheri, e ka njoftuar Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), duke bërë një njoftim zyrtar në xhaminë qendrore të Kaçanikut.

“Ne e kemi bërë njoftimin si BIK që ka vdekur Lavdrim Muhaxheri. Kjo ishte kërkesë e familjes së tij dhe jo që ne kemi ndonjë informacion tjetër. Ky njoftim ishte më shumë që të njoftohen qytetarët se e pamja vazhdon për të në pesë ditët e ardhshme”, ka thënë Florim Neziraj, kryetar i BIK-ut në Kaçanik.