Të mësojmë nga Profeti dhe Ehli Bejti

nga Vullnet Merja | Publikuar në Qershor 8, 2017, 7:14 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

 Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Në të vërtetë, dashuria për Profetin dhe për Ehli Bejtin (paqja qoftë mbi ta!), konsiderohet si një domosdoshmëri prej domosdoshmërive të padyshimta e të prera në fenë islame. Ata janë pishtarët ndriçues për të gjithë njerëzit. Ata janë udhërrëfyesit e drejtë. Ata janë argument i Allahut të Lartësuar në tokë.

Profeti dhe Ehli Bejti (paqja qoftë mbi ta!) janë të dashurit e Allahut të Madhëruar. Nëse duam që të jemi edhe ne prej të dashurve të Allahut, atëherë të ndjekim rrugën e tyre të drejtë e të qartë.

Ne jemi krenarë që kemi për udhëheqës dhe udhërrëfyes profetin Muhamed dhe Familjen e tij të pastër e të dlirë (Ehli Bejtin). E falenderojmë Allahun e Plotfuqishëm që na ka mirësuar e na ka begatuar me medresenë e madhe e të pastër të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të Ehli Bejtit të pastër e të dlirë (paqja qoftë mbi ta!), nga e cila arrijmë të mësojmë kuptimin e vërtetë të Fjalës së Allahut, Kur’anit të shenjtë dhe qëllimin tone në këtë jetë.

 Të dashur vëllezër dhe motra:

Të gjithë ne duhet të mësojmë nga Profeti Muhamed, biri i Abdullahut dhe Eminesë (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që të jemi mbartës të moraleve të larta. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “se ti je me virtyte madhore.” (Sure “Kalem”, ajeti 4) Ta kujtojmë profetin tonë të dashur kur doli nga Taifi, në të cilin shkoi për t’i ftuar banorët e tij në Islam dhe banorët e atij vendi e goditën me gurë duke e plagosur. Edhe pse u largua i mërzitur e i pikëlluar prej tyre, ai lutej për ta duke thënë: O Zoti im! Udhëzoje popullin tim se ata nuk e dine (të vërtetën)!

Të mësojmë nga prijësi i besimtarëve, imam Aliu i biri i Ebu Talibit (paqja qoftë mbi të!) që të jemi gjithmonë me të vërtetën edhe pse janë të paktë përkrahësit e saj. Ai ka thënë: “E vërteta nuk më ka lënë asnjë shok mua.” Të mësojmë prej imam Aliut (paqja qoftë mbi të!), drejtësinë, devotshmërinë, trimërinë, vendosmërinë dhe besnikërinë.

Të mësojmë nga zonja e grave të botëve, Fatime Zahra e bija e profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të!) që të kërkojmë të drejtën tënde edhe nëse jemi të rënduar me plagë. Të mësojmë prej saj përkushtimin, respektin dhe dashurinë bashkëshortore dhe familjare. Duhet që ajo të merret shembull nga të gjitha nënat dhe motrat muslimane e besimtare. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Fatimeja është zonja e grave të botëve”

Të mësojmë nga imam Hasani, i biri i imam Aliut (paqja qoftë mbi të!), bujari i Ehli Bejtit, që të jemi bujarë, solidrizues dhe përkrahës të nevojtarëve. Të mësojmë nga ai se si të mbajmë premtimin dhe si të ndreqim çështjet në të cilat kanë mirësi e dobi për vëllezërit muslimanë dhe për Islamin.

Të mësojmë nga imami dëshmor, Husejni i biri i Aliut (paqja qoftë mbi të!) që të jemi krenarë dhe të pamposhtur. Të mësojmë prej tij se si të sakrifikojmë për të përhapur fjalën e Kur’anit dhe mesazhin e pastër Islam. Të mësojmë prej tij se sit ë triumfojmë ndaj padrejtësisë dhe të padrejtëve.

Të mësojmë nga zonja Zejneb, e bija e imam Aliut, (paqja qoftë mbi të!) se si të vazhdojmë rrugën e sakrificës dhe të përçimit të mesazhit, edhe nëse jemi robër te armiku.

Të mësojmë nga Abbasi, i biri i imam Aliut, (paqja qoftë mbi të!) premtimin, besnikërinë dhe përkrahjen e vëllezërve e të dashurve dhe mosbraktisjen e prijësit, ndjekja e të cilit është detyrim për ne.

Të mësojmë nga shokët dhe përkrahësit e imam Husejnit në Qerbela (paqja qoftë mbi të dhe mbi ta!) që të mos tradhëtohet imami i kohës edhe nëse na coptojnë e na bëjnë copa-copa.

Të mësojmë nga imam Sexhadi, Aliu i biri i Husejnit, (paqja qoftë mbi të!) se si t’i lutemi Allahut të Madhëruar kur jemi në vështirësi e në mirësi, që të  mos na mposhtë fatkeqësia dhe zemërimi.

Të mësojmë nga imam Bakiri, Muhamedi i biri i Aliut, (paqja qoftë mbi të!) se si të mësojmë e të nxëmë dije.

Të mësojmë nga imam Sadiku, Xhaferi i biri i Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) se si të jemi të vërtetë në fjalë e në vepra. Ai ka thënë: “Jini ftues në rrugën tonë jo vetëm me gjuhët tuaja (por edhe me veprat tuaja).”

Të mësojmë nga imam Kadhimi, Musai i biri i Xhaferit (paqja qoftë mbi të!) se prangat, burgu dhe torturat janë revolucion përballë tiranisë, padrejtësisë dhe ashpërsisë. Të mësojmë nga ai se si ta mposhtim zemërimin.

Të mësojmë nga imam Rizai, Aliu i biri i Musait (paqja qoftë mbi të!) që të jemi të dashur, bujarë, përkrahës të nevojtarëve dhe të jemi të kënaqur me atë që na është caktuar.

Të mësojmë imam Xhevadi, Muhamedi i biri i Aliut (paqja qoftë mbi të!) se udhëheqja dhe dija nuk janë kufizuara me moshën.  

Të mësojmë nga imam El Hadij, Aliu i biri i Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) që të jemi të qetë dhe të devotshëm në veprat tona.

Të mësojmë imam Askeriu, Hasani i biri i Aliut (paqja qoftë mbi të!) që të ruajmë amanetin dhe të mos zbulojmë sekretet e të tjerëve.

Të mësojmë nga imam Mehdiu, Muhamedi i biri i Hasanit, (Allahu ia shpejtoftë ardhjen!) pritjen dhe durimin derisa të vijë vendimi i Allahut. Vërtet, imam Mehdiu pret urdhërin e Allahut për ardhjen.

Nëse duam të jemi të lumtur dhe të shpëtuar në të dyj jetët, të ndjekim profetin dhe Ehli Bejtin, sepse rruga e tyre është rruga e Kur’anit. Cilido që ndjek rrugën e Kur’anit do të jetë prej të shpëtuarve në Jetën Tjetër.

Allahu na bëftë prej ndjekësve të shkollës së tyre në këtë jetë dhe na bashkoftë me ata në Jetën Tjetër!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI