Fjala e Beogradit fshihet pas votave serbe për ushtrinë e Kosovës

Publikuar në Qershor 8, 2017, 7:01 p.m.

 Kryetari i Partisë liberale serbe Slobodan Petroviq thotë se “deri më tani 100 herë kemi mundur të votojmë për Ushtrinë e Kosovës, por për këtë duhet të vendosë Beogradi dhe cili do që të jetë vendimi i tij, ne do t’i qëndrojmë prapa".

Përfaqësuesit e Listës Srpska në Kosovë, por edhe zyrtarë të Beogradit porosisin se vetëm kjo forcë politike është garantuese se nuk do të formohet Ushtria e Kosovës, ndërsa është e sigurt se kjo listë nuk do të jetë zëri i vetëm serb në Kuvendin e Kosovës, parashohin medie serbe.

Në Beograd tashmë ka zënë vend frika se në parlament mund të gjenden parti serbe që do të votonin për formimin e Ushtrisë së Kosovës pasi që me Kushtetutë serbët në Kuvendin e Kosovës duhet t'i kenë 10 deputetë.

Në këtë kontekst përmendet mundësia që Partia e serbëve të Kosovës e udhëhequr nga Aleksandar Jabllanoviq dhe Partia Liberale serbe (SLS) e Slobodan Petroviqit të zënë vend në Kuvend.

Lidhur me këtë, Petroviq ka thënë se partia e tij (SLS) gjithmonë ka pasur qëndrim se Ushtria është çështje serioze për të cilën Prishtina e Beogradi duhet të merren vesh në Bruksel:

“Në pushtet jem qe shtatë vjet dhe gjithmonë e kemi pasur këtë lloj presioni. Deri më tani 100 herë kemi mundur të votojmë për Ushtrinë, por për këtë duhet të vendosë Beogradi dhe cili do që të jetë ai vendim, ne do t’i qëndrojmë prapa”.