100 thënie nga İmam Khomeini

nga Vullnet Merja | Publikuar në Qershor 6, 2017, 4:45 a.m.

100 thënie nga İmam Khomeini

 

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

 Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Njeriu! Qënia më e përsosur e gjithësisë. Qënia e cila është quajtur zëvendësi i All-llahut në Tokë. Qënia, për të cilën Krijuesi ka vendosur në shërbim të tij çdo gjë. Qënia, të cilën Allahu e ka dalluar nga qëniet e tjera nëpërmjet intelektit, mendjes. Pra, o njeri mëtoje veten tënde dhe vendos se si duhet të jesh. Mëto o njeri se Krijuesi të ka sjellë ligje e rregulla, të cilat të sigurojnë e të garantojnë përsosurinë, qytetërimin, lumturinë, qetësinë dhe ardhmërinë tënde. Mëto o njeri se Krijuesi yt ka sjellë të dërguar, të cilët i përzgjodhi nga mesi yt, me qëllim që të sqarojë ato ligje e rregulla të Krijuesit tënd dhe të të udhëzojë ty në rrugën e drejtë e të shpëtimit. Por, është për të ardhur keq, se ti o njeri nuk i bindesh plotësisht urdhërave të Krijuesit dhe nuk i zbaton detyrat e ngarkuara. Si pasojë e këtij indiferentizmi nga ana jote, sot shohim me qindra fatkeqësi e tragjedi në mesin e bashkësisë tënde. Atëherë, të drejtohemi ty o njeri, si t’i shfarosim këto dukuri negative, që në të njëjtën kohë janë shkatërruese dhe vdekjeprurëse? Përgjigja është shumë e thjeshtë. Për këtë, në radhë të parë kthehu tek vetja jote, sepse brenda teje ndodhet “gjykata” e cila do të të orientojë kah ajo që është më e përsosur dhe kjo gjykatë është ndërgjegja jote. E nëse nuk arrin të nxjerrësh konkluzionin e duhur për shkak të konfliktit intelekt-ego, atëherë mëto më thellë dhe drejtohu kah Fjalë të vyera bashkësia jote, sepse në të do të gjesh patjetër përkrahës dhe udhëzues. Është detyrë e jotja o njeri, që bashkësia në të cilën ti jeton të jetë e pastër dhe e lumtur. Por kjo pastërti e kjo lumturi arrihet vetëm e vetëm duke filluar me ndryshimin e vetes tënde e më pas të punosh për ndryshimin e të tjerëve dhe të mos presësh që kjo ndreqje të të vijë vetvetiu apo gjëkundi, sepse Krijuesi yt në Librin e Tij Fisnik, Kur’anin, thotë: “Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetet e tyre.” (Sure "Rra'd", ajeti 11) Pra, o njeri, është detyrë që të ndreqim vetet tona drejt asaj që është më e mira, sepse me anë të këtij veprimi arrijmë të fitojmë lumturinë individuale, më pas atë familjare dhe në fund atë shoqërore. O njeri! Të gjithë jemi dëshmitarë se kjo dukuri neveritëse që gjendet në mesin e shoqërisë njerëzore e ka burimin tek vetë njeriu. Këtë e dëshmon edhe Allahu në Kur’an ku thotë: “Për shkak të veprave (të këqija) të njerëzve, janë shfaqur në tokë e në det të zeza (bela, skamje, katastrofa, humbje e bereqetit, etj.)… “ Nëse i hedhim një vështrim historisë njerëzore, do të vërejmë se misioni kryesor i profetëve ka qenë reformimi shoqëror. Ky është Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të fhr mbi familjen e tij!), i cili me durim e me ndihmën e Allahut, arriti të bëjë një reformim të fuqishëm në shoqërinë arabe, duke i shfarosur ato dukuri të cilat janë në kundërshtim me fitran e (natyrshmërinë e lindur të) njerëzve. Historia na tregon se ky veprim asnjëherë nuk është ndalur, por ai ka vazhduar, vazhdon dhe do të vazhdojë deri në mbarimin e kësaj jete. O njeri! Duhet që t’i hedhim një sy historisë së kaluar për të mësuar se si vepruan profetët, e më pas disa personalitete e udhëheqës, në kryerjen e reformimit të shoqërive, siç ishin Imam Husejni e më pas reformatori bashkëkohor, Imam Khomeini. Duhet të dimë se reformimi i një shoqërie bëhet me mjete e me metoda të ndryshme dhe më e mira metodë është “urdhërimi në të mira dhe ndalimi nga të këqijat”.

Të nderuar lexues! Me rastin e 28 vjetorit të ndërritmit jetë të themeluesit të Revolucionit islamik të Iranit, eruditit, juristit, komentuesit, gnostikut dhe liderit të pashoq, Imam Khomeini (Allahu qoftë i kënaqur me të!),  po paraqesim 100 fjalë të arta prej tij.

Imam Khomeini ka thënë:

1 - Allahu është dritë

Nuk ka dritë përveç Allahut dhe çdo gjë tjetër është errësirë.

2- Allahu, Krijuesi i gjithçkaje

Të gjithë ne jemi prej Allahut. E gjithë bota është krijesë e Allahut dhe çdo gjë i

përket Atij.

3- Qëllimi i të dërguarve

Vërtet, qëllimet e gjithë të dërguarve (profetëve) përmblidhen në një frazë të

vetme që është: Njohja e Allahut.

4- Qëllimi i shpalljes

Vërtet, qëllimi kryesor i shpalljes është përçimi i njohjes së Allahut

5- Detërat e pafund

Hyni në detin e Njëshmërisë (së Krijuesit), në detin e profetësisë dhe në detin e Kur’anit Famëlartë dhe zhytuni në thellësitë e tyre.

6- Etika e adhurimit

Prej etikës së adhurimit është që të mos njihni fuqi tjetër përveç fuqisë së Allahut të Madhëruar dhe të mos lavdëroni tjetër përveç të Vërtetit dhe të dashurit e Tij.

7- Shkaku i poshtërimit

Nëse punët tuaja nuk janë të lidhura me Allahun dhe nëse përçaheni, sigurisht që ju do të jeni të poshtëruar.

8- Frika ndaj Allahut të Madhëruar

Unë po ju them: Mos iu frikësoni tjetërkujt përveç Allahut dhe mos shpresoni

te askush tjetër përveçse tek Allahu.

9-  Qëllimi i ftesës

Është detyrë e jona që të ftojmë të tjerët, me kusht që ftesa të mos jetë për vetet tona e as

për dynjanë (për interes vetjak apo jetik), por t’i ftojmë në rrugën e Allahut.

10- Allahu është i pranishëm

Allahu ekziston, prandaj mos u bëni të pavëmendshëm ndaj Tij, sepse Ai është prezent dhe çdo gjë është nën mbikqyrjen e Tij.

11- Mbikqyrja e Allahut

Për çdo punë që të bëni, duhet t’i frymëzoni zemrat tuaja se Allahu ju mbikqyr.

12- Vlera e punës

Në punë nuk është e rëndësishme forma e saj, por qëllimi i saj.

13- Vlerësimi i njerëzve

Etaloni bazë në Islam është kënaqësia e Allahut dhe jo kënaqësia e njerëzve. Ne i vlerësojmë njerëzit në bazë të përuljes (bindjes) së tyre ndaj Allahut të Madhëruar.

14- Kujdes!

Kujdes, o njerëz! Kujdes, o shtet! Tregohuni të gjithë të kujdesshëm, sepse ju jeni në

praninë e Allahut dhe të gjithë do të jepni llogari nesër. Mos ecni mbi gjakun e

dëshmorëve tuaj pa e çarë kokën!

15- Mos u përçani

E gjithë bota është në praninë e Allahut, prandaj mos bëni mëkate dhe mos u

përçani për gjëra të kota e të paqëndrueshme. Punoni për Allahun dhe dilni në rrugën e Tij.

16- Mbështetja tek Allahu

Mbështetuni në Allah, sepse mbështetja në Allahun është rrugëzgjidhja e të gjitha problemeve tuaja, me shpresën e Allahut.

17- Shërbimi ndaj fesë së Allahut

Të gjithë ne jemi prej Allahut, prandaj duhet që të jemi në rrugën e shërbimit të Tij (të fesë së Tij).

18- Begatitë e Allahut 

Vërtet, All-llahu është Ai i Cili na ka dhuruar të gjitha të mirat, prandaj duhet që ne

t’i shpenzojmë ato mirësi në rrugën e Tij.

19- Qëllimi i dërgimit të profetëve

Allahu i ka dërguar profetët për të shpëtuar moralin e njerëzve, vetet e tyre, shpirtërat e tyre dhe trupat e tyre prej errësirave. Jo vetëm kaq, por që t’i zhdukin errësirat dhe t’i zëvendësojnë ato me dritën.

20- Muhamedi (Paqja dhe bekimi i All'llahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) profeti i begative

Që nga fillimi i krijimit e deri në fund, bota nuk ka parë e as nuk do t’i shohë begatitë e

ndonjë krijese tjetër, siç shijoi begatitë në kohën kur ndodhej profeti fisnik, Muhamedi (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) .

21-  Profeti nuk flet nga vetja e tij

Profeti më i famshëm (Muhamedi) është hija e Allahut. Ai nuk ka sjellë asgjë nga vetja e tij, sepse çdo thënie e tij ka qenë shpallje e shpallur.

22-  Profetët janë konsensualë

Nëse do t’u jepej mundësia që të gjithë profetët të bashkoheshin në një kohë të vetme,

ata nuk do të binin në kundërshtim kurrë.

23-  Lëndimet e të dërguarve

S’ka dyshim se të dërguarit lëndohen për shkak të mohuesve dhe dyfytyrakëve (hipokritëve), po ashtu edhe me fundin të cilin ata zgjodhën.

24- Detyra e profetëve

Të dërguarit janë njëlloj si mjekët. Ata u dërguan për të reformuar shoqëritë.

25-  Qëllimi i Islamit

Islami ka ardhur për edukimin e njeriut.

26-  Programi i Islamit

Islami ka zbritur për edukimin e njeriut dhe objekti më i rëndësishëm i programit islam

është njeriu dhe edukimi shpirtëror i tij.

27-  Reformimi

Islami ka ardhur për reformimin e shoqërisë.

28-  Ligjet e Islamit

S’ka dyshim se Islami, përsa i përket anës së të drejtave, përmban rregulla integrimi të plota e gjithëpërfshirëse.

29- Ligjet islame, mbi mendimin njerëzor

S’ka dyshim se ligjet e Islamit janë përmbledhëse dhe gjithëpërfshirëse deri në atë shkallë, saqë e bën lexuesin e tyre që të pohojë se ato ligje e tejkalojnë kufirin e mendimit njerëzor. Ato ligje nuk mund të jenë produkt i aftësive shkencore e mendore të njeriut.

30- Gjithëpërfshirja e Islamit

Islami nuk ka ardhur për një popull të posaçëm. Ai nuk bën dallim mes turqve, persianëve dhe arabëve. Islami është fe për të gjithë dhe sistemi i tij nuk i jep përparësi racës, ngjyrës, fisit dhe gjuhës.

31- Islami nuk e njeh dallimin

Në sistemin islam nuk ka dallim mes njerëzve.

32- Si të arrijmë tek burimi i kthjellët?

Është detyrë e jona që t’i thyejmë muret e injorancës dhe të legjendave, me qëllim që të arrijmë në burimin e kthjellët të Islamit origjinal që solli Profeti Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij).

33- Islami, përmbushës i nevojave

Sikur popujt t’i hedhin një vështrim Islamit, ata do të gjejnë në të të gjitha ato për të cilat

kanë nevojë.

34- Feja e lirisë

Islami është feja e lirisë dhe e pavarësisë.

35- Islami, sigurues i nevojave

Islami ka për qëllim që të realizojë përsosurinë e vërtetë dhe t’i sigurojë njerëzisë nevojat e tyre, qofshin këto politike, ekonomike, sociale dhe kulturore.

36- Çfarë përfshin mesazhi islam?

Mesazhi islam nuk është i kufizuar me anën shpirtërore e as atë materiale, por ai i përfshin të dyja këto anë. Kjo do të thotë që Islami dhe Kur’ani kanë ardhur për të ndërtuar njeriun dhe për edukimin e tij në të gjitha aspektet.

37- Themeluesi i shtetit

Vërtet, i Dërguari i Allahut, Muhamedi (paqja dhe bekimi i All-llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) vendosi bazat e politikës në fe. Ai formoi shtetin.

38-  Ligje për çdo fazë të jetës

S’ka dyshim se në Islam gjenden rregulla dhe programe për çdo fazë të jetës së njeriut, që nga lindja e deri në varr.

39- Qëllimet e ligjeve islame

S’ka dyshim se ligjet e Islamit kanë qëllime të larta. Ato garantojnë lirinë, pavarësinë dhe lartësimin.

40-  Adhurimi më i madh

S’ka dyshim se mbrojtja e së vërtetës dhe mbrojtja e Islamit është prej adhurimeve më

të mëdha.

41-  Interesat e Islamit

Mbrojtja e interesave të Islamit dhe e interesave të përgjithshme është më e rëndësishme sesa mbrojtja e interesave personale.

42-  Detyra jonë

Të gjithë ne e kemi për detyrë që të mbrojmë Islamin dhe jemi përgjegjës për të. Mbrojtja e Islamit në këto ditë që jetojmë, qëndron në mirëkuptimin mes nesh.

43- Udhëheqja dhe lartësimi

Nëse do t’ia paraqitni botës Islamin në formë të rregullt dhe nëse e praktikoni ashtu siç duhet praktikuar, atëherë udhëheqja dhe lartësimi do të jenë pjesë e juaja.

44-  Cili quhet “vend islam”?

Një vend quhet “vend islam” nëse në të zbatohen parimet e Islamit.

45- Çfarë sjell praktikimi i Islamit?

Nëse doni të shpëtoni prej prangave të të huajve dhe prej robërisë së tyre, atëherë kapuni me (praktikoni) Islamin.

46-  Qëllimi i krijimit tonë

Ne jemi krijuar me qëllim që të ringjallim traditën profetike, të ringjallim Kur’anin dhe

na kërkohet që të zbatojmë detyrat tona të caktuara nga Islami.

47- Islami dhe Kur’ani

Islami dhe Kur’ani janë ndihmëtari juaj.

48- Udhëheqësi i vendit

Vërtet, qëllimi ynë është i përkufizuar në përpjekjet që ta bëjmë vendin tonë “vend islam”, Kur’ani të jetë udhëheqësi i tij dhe profeti Muhamed dhe evlijatë (të zgjedhurit) e tjerë të jenë drejtuesit e tij.

49-  Premtimi dhe sakrifica

O ju muslimanë praktikues! Vërtet, ju e zbatuat premtimin ndaj Allahut dhe

Islamit madhështor. Ju na mësuat se ç’është premtimi dhe ç’është sakrifica.

50-  Zhdukja e padrejtësive

Nëse ligjet e All-llahut do të zbatohen nga një popull, atëherë padrejtësitë do t’i

zhduken atij populli.

51-  Amaneti ynë

Islami është amanet në duart tona dhe ne e kemi për detyrë që ta mbrojmë këtë

amanet.

52- Kur’ani dhe njohja e Allahut

Po të mos ishte Kur’ani, porta e njohjes së Allahut do të qëndronte e mbyllur

përgjithmonë.

53- Kur’ani, udhëzuesi ynë

S’ka dyshim se Kur’ani është ai që na udhëzon në qëllimet tona të larta, mirëpo ne

jemi të pavetëdijshëm për këtë.

54- Kur’ani, libër i begative

Është detyrë e muslimanëve që Kur’anin ta kenë shoqëruesin e tyre, sepse ai është Fjala e Allahut dhe libri i udhëzimit. Çdo mirësi që zotërojnë dhe do të zotërojnë muslimanët, janë prej begative të këtij Libri të Shenjtë.

55- Flamuri i Kur’anit

Sa herë që praktikoni diçka nga Kur’ani, ju do të mbuloheni me hijen e flamurit të tij.

Flamuri i Kur’anit ndryshon nga flamujt e tjerë. Dhe flamuri i Kur’anit është zbatimi i tij.

56- Kur’ani, mesazhi më i lartë

Nuk ka mesazh më të lartë se Kur’ani.

57- Kur’ani dhe jeta

Duhet që Kur’ani të jetë i pranishëm në të gjitha çështjet e jetës tonë.

58- Të drejtat e Kur’anit ndaj nesh

S’ka dyshim se Kur’ani ka të drejta ndaj nesh dhe ndaj gjithë njerëzisë. Për këtë, ai e meriton sakrificën.

59-  Problemi i muslimanëve

S’ka dyshim se problemi më i madh i muslimanëve qëndron tek largimi i tyre nga

Kur’ani dhe hyrja nën flamurin e të tjerëve.

60- Krenaria

S’ka dyshim se çdo gjë që e bëjmë në rrugën e Allahut dhe në rrugën e Kur’anit, ajo është krenari dhe jemi krenarë, sepse ajo është rruga e vërtetë.

61- Vendstrehimi ynë

Kur’ani është vendstrehim për të gjithë ne.

62-  Dita e Gjykimit, e padyshimtë

Kini kujdes se para nesh ndodhet një ditë tjetër dhe mos dyshoni në të. Po, para nesh ndodhet një ditë në të cilën do të japim llogari për çdo gjë. Në atë ditë njeriu do të bëjë llogaritë e vetes së tij. Atë ditë do të dëshmojnë lapsat, duart, sytë…. Po, s’ka dyshim se ajo ditë do të vijë.

63-  Regjistri i punëve

S’ka dyshim se regjistri i punëve tona ndodhet tek All-llahu. Në këtë regjistër është shënuar çdo gjë.

64- Çdo gjë është e regjistruar

S’ka dyshim se çdo fjalë, apo edhe çdo gërmë që ne shqiptojmë, do të na shfaqen atë ditë dhe do të hyjnë në peshoren e punëve tona.

65-  Edukimi i vetvetes

Edukojini vetet tuaja dhe pastrojini ato, sepse kjo jetë është kalimtare dhe do të largohemi prej saj të gjithë, unë së bashku me ju.

66- Kushti i ndreqjes së vendit

Nëse nuk kemi ndrequr vetet tona, nuk mund ta ndreqim vendin tonë.

67- Kur të fillojmë me ndreqjen e të tjerëve?

Duhet që njeriu të fillojë me ndreqjen e vetes së tij dhe të përpiqet që ta bëjë besimin,

moralin dhe punët e tij në përputhje me rregullat e Islamit. Nëse arrin të ndreqë veten

e tij, atëherë t’i drejtohet ndreqjes së të tjerëve.

68- Pavarësia e vendit

Nëse dëshironi që vendi i juaj të jetë i pavarur dhe të tjerët të mos e gjejnë mundësinë që të ndërhyjnë në çështjet e tij të brendshme, duhet që të filloni të ndreqni vetet tuaja.

69-  Detyrë e përgjithshme

Ndreqini vetet tuaja, që të ndreqet vendi juaj.

70- Cila është ndreqja e vërtetë?

Ajo që është më e domosdoshme për ne, është që të ndreqim vetet tona dhe të mos bindemi vetëm me ndreqjen e jashtme, por të përpiqemi që të fillojmë të ndreqim zemrat dhe mendjet tona. Atëherë të bindemi që dita e nesërme do të jetë më e mirë se dita e sotme.

71- Arritja e qëllimit

Nëse i ndreqim vetet tona, atëherë qëllimi që ne kemi do ta përfshijë mbarë botën në

mënyrë të menjëhershme.

72- Revolta e brendshme

Duhet që ne të shpërthejmë “revolucion” në brenditë tona dhe të bëjmë revoltë me vetet

tona. Nësa vetet tona vazhdojnë të jenë nën sundimin e djallit, duhet patjetër që të revoltohemi me vetveten.

73-  Pasojat e mosedukimit

Nëse nuk e edukojmë veten, atëherë dituria do të jetë mbulesë errësire mbi të.

74- Rezultatet e këshillave

Unë frikësohem që fundi i disave të jetë Xhenneti (parajsa) për shkakun tonë dhe për

shkak të këshillave tona, e më pas ne të përfundojmë në Xhehennem (ferr), për shkak se ne nuk i kemi edukuar vetet tona.

75- Festa e vërtetë

S’ka dyshim se festë e vërtetë është ajo ditë në të cilën njeriu arrin të fitojë kënaqësinë e

All-llahut.

76-  Ndreqja e çështjeve

Nëse besimi do të zërë vend në zemër, të gjitha

çështjet do të ndreqen.

77- Roli i besimit

Besimi është baza e të gjitha mirësive (qofshin materiale apo shpirtërore) dhe e përparimit për çdo vend.

78-  Devotshmëria

Devotshmëria është themeli i krenarisë.

79-  Zgjidhja e problemeve

Nëse besimi në All-llah dhe veprimi për hir të Tij do të jenë në çdo aktivitet shoqëror, politik, ekonomik dhe në çështjet e tjera të jetës së njeriut, atëherë shumica e problemeve do të zgjidhen, qofshin edhe nga ato më të vështirat.

80-  Sëmundjet e rrezikshme

S’ka dyshim se sëmundjet psiqike janë më të rrezikshme se sëmundjet trupore.

81-  Pasojat e vetëpëlqimit

Vetëpëlqimi është burimi i të gjitha shkatërrimeve të cilat janë shfaqur në mesin e njerëzisë, që nga krijimi i saj e deri në ditët e sotme. Por ai është edhe burimi i të gjitha fatkeqësive që do ta godasin atë deri në fundin e kësaj jete.

82-Pengesa për të sakrifikuar

Përderisa ju jeni robër të veteve tuaja dhe të egos tuaj, kurrë nuk do të keni mundësinë që të sakrifikoni në rrugën e All-llahut dhe të mbroni dispozitat e Tij.

83- Pasojat e dashurisë së kësaj jete

S’ka dyshim se të gjitha shkatërrimet shpirtërore, morale e shoqërore e kanë burimin tek dashuria e kësaj dynjaje (bote) dhe nga pavëmendshmëria ndaj All-llahut (xh.sh.)

84- Paqëndrueshmëria e postit

S’ka dyshim se çdo post që arrin një njeri, qoftë nga ana shpirtërore apo materiale, ai

do të zhduket në një ditë që nuk është e ditur (se kur).

85-  Kush i frikësohet vdekjes?

S’ka dyshim se frika ndaj vdekjes gjendet tek ai që e quan këtë jetë të përhershme dhe është i pavëmendshëm ndaj vendqëndrimit të përhershëm dhe ndaj fqinjësisë së mëshirës së përhershme.

86-  Detyra e përgjithshme

Urdhërimi në të mira (për të kryer vepra të mira) dhe ndalimi nga të këqijat është detyrë e të gjithë bijve të popullit.

87-  Detyra e dijetarëve

Nëse njerëzit i sundon ndonjë udhëheqës i padrejtë, është detyrë e dijetarëve dhe e intelektualëve të popullit që ta kundërshtojnë atë dhe të luajnë rolin e tyre në ndalimin nga e keqja.

88- Kundërshtimi i padrejtësisë

Motoja jonë është që të mos i bëjmë padrejtësi askujt dhe të mos e pranojmë padrejtësinë.

89- Bashkimi kundër padrejtësive

Duhet që muslimanët të jenë të bashkuar kundër të padrejtëve.

90- Esenca e thirrjes

Vërtet, esenca e thirrjes në Islam është thirrja për unitet dhe mospërçarje.

91- Besimtarët janë vëllezër

Kur’ani Famëlartë dëshmon se të gjithë besimtarët në mbarë botën janë vëllezër.

92-  Burimi i mirësive

Vëllazëria islame është burimi i të gjitha mirësive.

93- Në Islam nuk ka dallime

Në Islam nuk ka sunnit apo shi’it, kurd apo persian, sepse të gjithë janë vëllezër.

94- Vëllazërimi mes nesh

Është detyrë e jona - sunnitë dhe shi’itë - që të vëllazërohemi me qëllim që t’u presim

rrugën atyre që përpiqen të na grabisin.

95- Përçarja dhe bashkimi

Përçarja është prej djallit, ndërsa bashkimi dhe mospërçarja është prej të Gjithëmëshirshmit.

96-  Përçarja është vetëvrasje

Përçarja dhe konflikti në këto ditë konsiderohen vetëvrasje.

97- Gjuha e shejtanit

Prej asaj gjuhe nga e cila dalin fjalë për përçarje, ajo gjuhë është e shejtanit.

98-  Rrezikshmëria më e madhe

S’ka dyshim se konflikti mes ehlis-sunneh uel xhema’ah dhe mes shi’ahve, përhapja e shpifjeve për të nxitur përçarjen dhe armiqësinë mes vëllezërve muslimanë, kjo është më e rrezikshme dhe më shkatërruese sesa përplasjet etnike.

99- Pasojat e heqjes së lirisë

S’ka dyshim se poshtërimi i njeriut dhe rënia e tij vijnë si pasojë e heqjes së lirisë, duke e

bërë atë që të dorëzohet para të tjerëve.

100- Varfëria dhe liria

Ne e pranojmë të jetojmë jetë të varfër, me kusht që të jemi të lirë e të pavarur.

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI