Kosova dhe Serbia, duhet t’i rregullojnë marrëdhëniet në secilin segment

Publikuar në Qershor 6, 2017, 4:37 a.m.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është përcaktim institucional i Kosovës dhe ai nuk ka alternativë, por do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ​në vend, që mbahen më 11 qershor, si dhe krijimit të Qeverisë së re, thonë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në largim dhe njohësit e zhvillimeve politike.

Sidoqoftë, ministrja Edita Tahiri ka theksuar se pranimi reciprok ndërmjet dy vendeve është caku kryesor që synohet nga Kosova në dialogun e Brukselit. Por, politologu Ramush Tahiri, vlerëson se deri në njohjen reciproke, të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, kanë nevojë t’i rregullojnë marrëdhëniet në secilin segment.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje teknike, ka nisur në mars të vitit 2011. Në fund të vitit 2012 ka nisur dialogu politik ndërmjet kryeministrave të të dy vendeve.

Gjatë këtij viti, dialogu ka shënuar rënie për shkak se në muajin prill në Serbi janë mbajtur zgjedhjet presidenciale. Aktualisht, Kosova gjendet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor.