Shqipëtarët vazhdojnë të paguajnë linjën e bllokuar nga Serbia

Publikuar në Maj 21, 2017, 12:36 p.m.

Në qershorin e këtij viti, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës do të paguajë 1 milionëshin e dytë për kredinë shumëmilionëshe për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe me Shqipërinë.

Edhe kjo e fundit pritet të nisë pagesën e kredisë, për këtë linjë që po vazhdon të mbetet e pafunksionalizuar, për shkak të bllokadës së Serbisë.

Edhe pse ishte e vetëdijshme për shkeljen e marrëveshjes, Serbia tash ka kërkuar sqarime nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë se për çfarë arsye i është anuluar kërkesa, pavarësisht se statuti i kompanisë binte ndesh me marrëveshjen e arritur në Bruksel, rrjedhimisht me ligjet e Kosovës.

Nga gjithë kjo situatë, KOSTT-i po dëmtohet shumë. Duke parë se as Brukseli dhe as ENTSOE-ja nuk po arrin të gjejnë zgjidhje, KOSTT-i ka nisur lobimin nëpër shtetet që janë anëtare të kësaj organizate evropiane.

Nga ana tjetër, shoqëria civile e bën fajtore kryekëput ministren në largim të dialogut, Edita Tahiri që sipas tyre, është ngutur të bëjë marrëveshje sa për sy e faqe.