Stop votimit në ditën e Fitër Bajramit në Shqipëri

nga Faik Miftari | Publikuar në Maj 21, 2017, 4 a.m.

Pas shumë peripecive dhe bisedimeve më në fund u gjet një kompromis në mes dy partive kryesore PS –së dhe PD-së, gjegjësisht Edi Ramës dhe Lulzim Bashës për t’u mbajt zgjedhjet parlamentare për Kuvendin e Shqipërisë pas skadimit të mandatit  katërvjeçar, në të cilin në mënyrë të barabartë do të merr pjesë pozita dhe opozita e tanishme shqiptare.

Por, caktimi i  datës 25 qershori për ditën e votimeve, që i bie  në ditën e Fitër Bajramit është një marrëzi e madhe dhe  e papranueshme si e tillë. Kjo mund të ndodh vetëm tek shqiptarët  në Shqipëri, e askund tjetër në botë. Edhe pse Shqipëria ka qenë e njohur në kohën e komunizmit si i vetmi shtet në botë që me ligj e ka ndaluar lirinë e shprehjes dhe besimit të lirë fetar në vitin 1967, porse tani kjo të ndodhë në kohën  e  demokracisë, me të vërtetë është çudi se jo mahi.

Myslimanët i kanë dy festa kryesore, festive fetare në vit, Fitër dhe Kurban Bajrami, dhe  gjatë kësaj dite në vend se të festohet dhe të pushohet si është adeti dhe zakoni shekuj me radhë, të votohet, të punohet, të numërohen gjer në orët e vona të mbrëmjes  fletëvotimet nga qindra dhe mijëra njerëz të angazhuar në këshillat e votimeve, vëzhgues, gazetar, kameraman e të tjerë, me të vërtet është atak pa precedan  për çdo shqiptar në përgjithësi e të myslimanit në veçanti.

Nuk është çudi që Edi Rama, të mos ketë ditur, pasi ai është katolik, por Lulzim Basha apo Sali Berisha të mos dijë, si mysliman që janë, nuk do koment.

Në vend se gabimin që e kanë bërë,  të përmirësojnë,  tani po bëhet presion, nëpërmes Komunitetit Mysliman Shqiptar, imamëve Ahmed Kalasë, Ylli Gurës, Ermir Gjinishit e tjerë, që të lobojnë dhe të bëjnë presion tek besimtarët mysliman që të dilet në votime  në ditën e Bajramit.

Por, besimtarët mysliman nuk duhet të bijnë pre assesi e  këtyre lobimeve dhe presioneve,çfarëdo çofshin, pasi që pas një muaji të agjërimit, besimtarët shqiptar mysliman  meritojnë ditë pushimi, ditë të lirë, që të falin namazin e Bajramit, të përgatisin drekën e Bajramit, të bëjnë vizita tek më të dashurit e tyre, e jo të merren me çështjet politike të  votimit në  ditën e Fitër Bajramit

Nuk bëhet nami që të shtyhet një javë përpara apo një javë prapa, bile edhe në Kosovë me siguri zgjedhjet do të mbaheshin me 18 qershor, por për shkak të zgjedhjeve të parapara  kohë më parë në Shqipëri me 18 qershor, në Kosovë janë shtyrë për një javë përpara me 11 qershor, që në të njëjtin ditë të mos mbahen në Shqipëri dhe në Kosovë zgjedhjet parlamentare.

Ka kohë akoma të reflektojnë strukturat gjegjëse shtetërore, qeveritare, partiake, pozitë-opozitë dhe të prolongojnë për një javë prapa apo përpara,  ashtu që të mund të votojnë të gjithë qytetarët e Shqipërisë pa ju cenua askujt e drejta e tyre fetare për ditë të lirë dhe ditë pushimi për festën e Fitër Bajramit.

Në rast se kjo nuk përfillet, atëherë  mbetet votuesve mysliman që  të bojkotojnë zgjedhjet parlamentare në ditën e Fitër Bajramit, dhe pastaj strukturat partiake çofshin pozitë apo opozitë në mendojnë se në dëm të kujt do të shkon, bojkotimi apo abstenimi nga votimi në ditën e Fitër Bajramit.

Në fund po përfundojë këtë qasje me këtë poezi të bukur  të shkruar nga një poet kosovar, që tani nuk më kujtohet emri, por që akoma e mbaj përmendësh tri strofat e saja,  për rëndësinë e festës së Fitër Bajramit për myslimanët kudo çofshin në botë.

                               SOT KEMI BAJRAM

                      Hej, në mbarë rruzullin e kësaj bote,

                      Ku ka mysliman,

                      Festë e madhe sot kremtohet

                       se kemi Bajram!

                       Hej, le të luhet shota,

                       Le të bien tupani,

                       Le ta dije gjithë bota,

                       Se sot është Bajrami!

                       Do të vallëzojmë e do të këndojmë

                       Natën deri vonë,

                       Ne Bajramin ta festojmë

                       Në atdheun tonë.