Imam Mehdiu, e vërteta e padiskueshme

nga Vullnet Merja | Publikuar në Maj 13, 2017, 12:50 a.m.

Me emrin e Allahut, Të Gjithmëshirshmit Mëshirplotit

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, zotërinë e krijesave dhe vulën e profetëve, mbi Ehli Bejtin e tij të pastër e të dlirë, mbi shokët e tij të zgjedhur dhe mbi të gjithë të dërguarit e Allahut.

Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Paqja, mëshira e Allahut dhe mirësitë e Tij qofshin mbi ju!

Ne besojmë në gajb, në dijen e fshehtë dhe kjo është pjesë e besimit islam. Allahu i Madhëruar thotë: “Elif, Lam, Mim. Ky është Libri që nuk ka dyshim në të, (sepse është prej Allahut), është udhëzues për ata që janë të devotshëm. Ata që e besojnë të fshehtën (gajb), e kryejnë faljen, (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë ata japin (zeqat, sadaka, etj).... " (Sure "Bekare", ajetet 1-3)

Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: Kush është ai që e di të fshehtën, atë që do të ndodhë në të ardhmen në dynja, në univers, pas dynjasë? Nëse duam të njohim të fshehtën ku të shkojmë? Cili është ai që e njeh të ardhmen, e cila është në vetvete një pjesë e së fshehtës? Sipas Islamit, përgjigjia e prerë: “Askush nuk e di të fshehtën, përveç Allahut të Madhëruar.”

Në Kur'anin Fisnik, burimi i parë i legjislacionit (Sheriatit) islam, ka shumë lajme të dijes së fshehtë edhe për të ardhmen. Pjesa më e madhe e Kur'anit trajton domethënien e dijes së fshehtë, gajbin, si kuptim të gjerë. Kurse lajmet për të ardhmen, për tokën dhe ngjarjet, Kur'ani i ka paraqitur në shumë vende.

Gjithashtu, edhe burimi i dytë, sunneti, trajton hadithet e trasmetuara muslimanët nga Profeti Muhamed, (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe nga Ehli Bejti që flasin për lajmet e së ardhmes. Për këtë temë ka me qindra hadithe dhe transmetime. Një pjesë e dijetarëve kanë thënë se janë mijëra transmetime që flasin për të ardhmen dhe fundin e kësaj bote.

Një prej çështjeve që ka lidhje me besimin në gajb (e fshehta) është edhe çështja e imam Mehdiut (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!). Kjo çështje nuk është e posaçme vetëm për një grup myslimanësh apo për një medhheb të caktuar. Nuk është çështje e posaçme e shiizmit. Ajo çështje e përgjithshme që i përket të gjithë myslimanëve sepse Profeti Muhamed ka lajmëuar për këtë çështje. Përderisa Profeti Muhamed ka lajmëruar për këtë, atëherë duhet të zbatohet thënia e Kur'anit të shenjtë që thotë: "...Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj..." (Sure "Hashr", ajeti 7)

Kush është imam Mehdiu?

Ai është Muhamedi, i biri i Hasanit, i biri i Aliut, i biri i Muhamedit, i biri i Aliut, i biri i Musait, i biri i Xhaferrit, i biri i Muhamedit, i biri i Aliut, i biri i Hysejnit, i biri i Aliut, i biri i Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi ta!).

Imam Muhamed Mehdiu (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!) ka lindur në Samarra, e cila ndodhet në Irak, në vitin 255 të hixhrit.

Imamati i tij

Imam Muhamed Mehdiu (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!) e filloi udhëheqësinë (imamatin) pas vdekjes së babait të tij, imam Hasan Askeriut (Paqja qoftë mbi të!), në vitin 260 të hixhrit.

Imam Mehdiu (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!) është shpëtimtari i njerëzimit, ardhjen e të cilit e përgëzojnë fetë qiellore. Ai do ta mbushë tokën me drejtësi e mirësi, pasi të jetë mbushur me padrejtësi e ligësi. Këtë e ka lajmëruar profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe imamët e tjerë të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!).

Çështja e lindjes së tij është fshehur nga frika e pushtetit abasit, që kërkonte ta vriste.

Për imam Mehdiun (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!) ka dy të fshehta:  Fshehja e Vogël (e shkurtër) dhe e Fshehja e Madhe (e gjatë).

Fshehja e Vogël (e shkurtër)

Kjo fshehje filloi me lindjen e imamit Mehdiut (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!), në vitin 255 të hixhrit dhe përfundoi me vdekjen e përfaqësuesit të tij të katërt në vitin 328 të hixhrit.

Gjatë Fshehjes së vogël (të shkurtër), imami kontaktonte me pasuesit e tij nëpërmjet përfaqësuesve të tij në mënyrë të fshehtë. Ata përfaqësues ishin:

1- Uthman ibn Said El Umerij

2- Muhamed ibn Uthman El Umerij

3- Husein ibn Ruh En Neubekhtij

4- Ali ibn Muhamed Es Semerij

Fshehja e Madhe (e gjatë)

Kjo fshehje ka filluar kur vdiq përfaqësuesi i katërt i imam Mehdiut (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!), në vitin 328 të hixhrit dhe do të vazhdojë derisa Allahu ta urdhërojë ardhjen e tij.

Prania e imam Mehdiut (Allahu e shpejtoftë ardhjen e tij!)

Prania e imam Mehdiut dhe jetëgjatësia e tij kanë lidhje me fuqinë e Allahut të Madhëruar. Përderisa Allahu e ka ngarkuar me misionin e ndreqjes e të shpëtimit të njerëzimit, po ashtu Ai i jep atij jetëgjatësinë njëlloj si me profetin Nuh (Paqja qoftë mbi të!). Profetit Nuh, Allahu i dha jetëgjatësi në kryerjen e misionit të predikimit e të udhëzimit të njerëzve. Ai jetoi 950 vjet, siç thotë Kur’ani i Shenjtë, duke e ftuar popullin e tij në rrugën e Allahut: Ne e dërguam Nuhun te populli i tij. Ai qëndroi tek ata një mijë pa pesëdhjetë vjet, e megjithatë, ata i përfshiu përmbytja, duke qenë keqbërës.” (Sure “Ankebut”, ajeti 14.)

Shkenca e sotme ka konstatuar se njeriu mund të jetojë me mijëra vite. Disa dijetarë kanë kryer disa eksperimente në pjesë të ndryshme të trupit të njeriut, të kafshëve dhe të bimëve.

Prej këtyre eksperimenteve, janë ato të kryera në disa pjesë të nervave të njeriut, si në muskuj, në zemër, në lëkurë dhe në veshka. Gjatë këtyre eksperimenteve është vënë re se këto pjesë:

1- Përderisa ushqimi i duhur është i siguruar, ato qëndrojnë të gjalla e të fjetura.

2- Qelizat e tyre rriten dhe shumohen në varësi të ushqimit që përdoret.

3- Koha nuk ndikon tek ato. Kjo do të thotë se ato as nuk plaken e as nuk dobësohen me kalimin e kohës. Madje atyre nuk u duket as gjurma më e paktë e plakjes. Përkundrazi, ato rriten dhe shtohen në këtë kohë, njësoj sikur rritej e shtohej në vitet e mëparshme.

4- Të gjitha dukuritë tregojnë se ato pjesë do të qëndrojnë të gjalla e në gjumë, për sa kohë studiuesit do të jenë të durueshëm në mbikëqyrjen e tyre dhe për sa kohë sigurimi i ushqimit të jetë i mjaftueshëm për to.

Hadithe të sakta rreth imam Mehdiut

Kanë ardhur transmetime (hadithe) të sakta që flasin për ardhjen e imam Mehdiut (Paqja qoftë mbi të!) në fundin e kësaj bote dhe ai do të jetë kusht prej kushteve të Kijametit. Prej atyre trqansmetimeve përmendim:

1- Në librin "Mustedrekul Hakim, vëllimi 4 faqe 557-558 përmendet një hadith i përcjellë nga Ebu Said el Khuderij i cili ka transmetuar nga profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij se ka thënë: “Në fundin e kohës së umetit tim, do të paraqitet Mehdiu. Allahu do t'i dhurojë shi, toka do të nxjerrë frutat e saj, ai do të japë shumë para, bagëtia do të shtohet, ummeti do të madhështohet..." Albani ka thënë se zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i saktë.

2- Umu Selemeh ka thënë: “ E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) duke thënë: “Mehdiu është nga prejardhja dhe familja ime, nga pasardhësit e Fatimes” (Sunen Ebu Daud, 11/373; Sunen Ibn Maxha. Shejh Albani në Sahih el Xhamiu thotë se është hadith i saktë (sahih), 6734)

3- “Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “I dërguari i Allahut, (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mehdiu është prej nesh, pjestar i familjes sime. Allahu do ta udhëzojë brenda një nate.” (Musned Ahmed, vëllimi 2, faqe 58, hadithi 645, verifikuar nga Ahmed Shakir, i cili ka thënë: Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i saktë; Sunen  Ibn Maxha, vëllimi 2, faqe 1367. Ky hadith është cilësuar i saktë nga shejkh Albani në Sahih el-Xhamiu Sagir, 6735).

4- Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nëse vetëm edhe një ditë do mbes para ditës së Kiametit, Allahu do ta dërgoj një burrë nga familja ime që do ta mbush këtë botë me drejtësi dhe paanësi, ashtu siç ajo ishte e mbushur me shtypje.” (Ebu Daudi)

5- Transmeton Abdullah ibn Mesudi nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) se ka thënë: “ Botës nuk do t'i vijë fundi derisa arabët të sundohen nga një burrë prej familjes sime dhe emri i të cilit do të jetë si emri im.” (Musned Ahmedit, 5/199, hadithi 3573. Në një version tjetër thuhet: “… emri i të cilit do të jetë si emri im dhe emri i babait të tij do të jetë si emri i babait tim.” Sunen Ebu Daud, vëllimi 11, faqe 370).

6- Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Botës nuk do t'i vijë fundi derisa një burrë nga familja ime, emri i të cilit do të jetë si emri im, të sundojë arabët.” (Sahih Tirmidhij, vëllimi 9, faqe 74; Sahihu  Ebu Daud, vëllimi. 5, faqe 207. Është transmetuar edhe nga Ali ibn Ebi Talib, Ebu Saidi, Umu Selemeh dhe Ebu Hurejra).

7- Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Mehdiu do të jetë nga familja ime, nga pasardhësit e Fatimes (vajza e profetit). (Sunen Ibn Maxha)

8- Xhabir (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Isai do të zbresë dhe udhëheqësi Mehdi do t'i thotë: “Eja na udhëhiq në namaz”, por ai (Isai) do t'i thotë: “Jo, ata duhet t'i udhëheqë dikush nga ju si nder që i ka bërë Allahu këtij umeti.” Ndërsa në versionin e transmetuar nga Muslimi thuhet: “…pastaj do të zbresë Isai, i biri i Mejremes dhe udhëheqësi i tyre do t'i thotë: “Eja na udhëhiq në namaz”, por ai do të thotë: “Jo, disa nga ju janë udhëheqës mbi të tjerë si nder nga Allahu për këtë umet.” (Transmeton Muslimi , 225)

9- Transmeton Said el Khuderij nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) se ka thënë: “Ai është prej nesh, pas të cilit do të falet Isai, i biri i Mejremës.” (Transmeton Ebi Naim në Akhabar el Mehdi. Shejh Albani thotë se hadithi është i saktë. Shih: El Xhamiu es Sagijr, vëllimi 5, faqe 219, hadithi 5796).

E të tjera e të tjera hadithe të cilat gjenden në literatuar islame të cilët arrijnë shkallën e "tauatur" (teuaturi ka kuptimin e një hadithi të transmetuar nga aq shumë njerëz dhe shumë zinxhirë transmetimi saqë është e pamundur që ata të kenë pajtuar në gënjeshtër.)

Gjithashtu, dijetarë të shumtë islam pohojnë se imam Mehdiu është e vërtetë e padiskutueshme.

1- Muhamed Berzangjij në librin e tij “El Isha’atu li Ishrat es Sa’ah” në kreun e tretë në të cilin përmendn shenjat e mëdha dhe shenjat që do të ndodhin pak para Kiametit ka thënë: “Këto shenja janë të shumta dhe e para e tyre është ardhja e Mehdiut. Dije se hadithet që janë transmetuar rreth tij janë të ndryshme dhe të shumta.” Ai po ashtu ka thënë: “Dije se hadithet që flasin për Mehdiun, për ardhjen e tij para fundit të botës, dhe se ai është prej Familjes së pastër të profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) nëpërmjet Fatimes, arrijnë shkallën e teuatur -it, prandaj s’ka kuptim që t'i mohosh ato.”

2- Dijetari Muhamed Sefarinij ka thënë: “Ka shumë transmetime të cilat flasin për ardhjen e Mehdiut të cilat arrijnë shkallën teuatur. Ato janë shumë të njohura tek dijetarët sunit dhe janë bërë pjesë e besimit të tyre.” Më pas ai citon një numër hadithesh rreth ardhjes së Mehdiut dhe emrat e sahabëve që i kanë transmetuar.

3- Hafiz Ebu Hasan el Abĩrij ka thënë: “Hadithet muteuatire të transmetuara nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) që e përshkruajnë Mehdiun janë të shumta. Ato tregojnë se Mehdiu do të jetë nga familja e Profetit, do ta mbush tokën me drejtësi, Isai, i biri i Mejremes, do të vijë dhe do ta ndihmojë ta vras Dexhallin, do t'i prijë (Mehdiu) umetit në namaz dhe Isai (paqja qoftë mbi të!) do të falet pas tij (Mehdiut).”

Nga këto që përmendëm më lart del në pah se çështja e imam Mehdiut është e vërteta e padiskutueshme dhe besimi në të është besimi në të fshehtën (gajbin).

“O Zoti ynë! Ne dëshirojmë nga Ty, që me shtetin e nderuar (të imam Mehdiut) ta lartësosh Islamin dhe pasuesit e tij; ta poshtërosh hipokrizinë dhe ndjekësit e saj; të na bësh neve në atë shtet prej thirrësve në bindjen ndaj Teje, udhëheqës në rrugën Tënde; për hir të atij shteti, të na dhurosh dinjitet në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër.”

Paqja e Allahut qoftë mbi ju!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI