Bota sot sheh fotot e përgjakshme të Maqedonisë

Publikuar në Prill 29, 2017, 2:31 a.m.

Gjithçka filloi me votimin e kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë nga shumica e re parlamentare, të cilët tanimë udhëhiqen nga kryetari shqiptar, Talat Xhaferi.

Situata u tensionua kur në Kuvend u futën protestuesit që veten e emëruan para 60 ditëve si mbrojtësit e shtetit maqedonas.

Befas filloi dhuna ndaj deputetëve të shumicës së re parlamentare.

U sulmuan deputetët Zoran Zaev, Radmilla Sheqerinska, Damjan Mançev, Maksim Dimitrievski dhe deputeti i vetëm shqiptar, lideri i LR-PDSH-së, Ziadin Sela.

U bllokuan gazetarë dhe deputetët brenda sallave të Kuvendit, të cilët u morën peng nga protestuesit.

Bota ka parë fotografi të tmerrshme teksa shihen deputetët e rrahur dhe të gjakosur.

Faktori ndërkombëtar ka pranuar si kryetar legjitim të Kuvendit, Talat Xhaferin, duke bërë gjithashtu thirrje për qetësim të situatës dhe vetëdijesim të qytetarëve që të ruajnë gjakftohtësinë.

Kanë reaguar edhe udhëheqësit e shteteve fqinje, të cilët i kanë dënuar aktet e dhunës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ftuar për maturi te faktori shqiptar në Maqedoni ndërsa edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dënuar aktin e dhunës, shkruan Telegrafi Maqedoni.

Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov, ka ftuar të gjithë kryetarët e partive parlamentare që të takohen nesër urgjentisht për të rishikuar situatën në vend.

Gjersa Zoran Zaev, i cili është gjakosur pas sulmit në parlamentin e Maqedonisë, është pritur si hero në selinë e partisë LSDM.