Isra- ja dhe mi'raxhi

nga Vullnet Merja | Publikuar në Prill 22, 2017, 1:59 a.m.

Me emrin e Allahut, Të Gjithmëshirshmit Mëshirplotit

 

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, zotërinë e krijesave dhe vulën e profetëve, mbi Ehli Bejtin e tij të pastër e të dlirë, mbi shokët e tij të zgjedhur dhe mbi të gjithë të dërguarit e Allahut.

Selamun alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Paqja, mëshira e Allahut dhe mirësitë e Tij qofshin mbi ju!

Allahu i Madhëruar thotë: "I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit), rrethinën e së cilës e kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga mrekullitë Tona. Ai, me të vërtetë, dëgjon çdo gjë dhe sheh çdo gjë." (Sure "Isra", ajeti 1).

Kur profeti Muhamed ndodhej në Mekë, ai udhëtoi nga Qabja në xhaminë Aksa, në Palestinë. E më pas, nga xhamia Aksa, Allahu e ngriti në qiell për të parë shenjat madhështore të Allahut dhe madhështinë e Tij në hapësirën qiellore. Po në të njëjtën natë, Allahu e ktheu profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në Mekë.

Kurejshitët mekas, kur dëgjuan se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut  qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) po u fliste muslimanëve rreth kësaj ndodhie madhështore, u tronditën aq shumë saqë e quajtën profetin gënjeshtar, edhe pse e dinin që ai ishte "es sadikul emijn", i vërteti besniku. Ata kurrë nuk e kishin dëgjuar që të gënjente apo të mashtronte. Mirëpo kjo ndodhi ishte më e madhe dhe më e lartë se sa aftësitë dhe mundësitë e tyre dhe ata nuk e perceptonin dot përshkak se padituria ua kishte mbuluar sytë e zemrës dhe të mendjes.

Sigurisht, kjo ndodhi madhështore është e mbushur me të fshehta e mistere, të cilat as shkenca nuk ka arritur t'i shpjegojë të gjitha ato. Kjo ndodhi, padyshim i hapi rrugë udhëtimeve në hapësirë. Ata që sot udhëtojnë nëpër hapësirë dhe që arritën në hënë, padyshim që ata e studiuan ndodhinë e Israsë dhe Miraxhit, edhe pse nuk e pohojnë këtë, siç ndodh me shumë zbulime të tjera, baza e të cilave janë në Kur'anin e shenjtë. Të udhëtosh sot në hapësirë është bërë diçka e thjeshtë. Ashtu siç janë sqaruar shumë çështje që përmend Kur'ani, nëpërmjet shkencës dhe teknologjisë, edhe kjo çështje, gjithashtu, është sqaruar dhe nuk është nevoja të debatohet.

Ne si besimtarë besojmë në Allahun e Plotfuqishëm i cili ia përgatiti të Dërguarit të Tij këtë udhëtim madhështor e të begatë. Ne besojmë, gjithashtu se profeti Muhamed udhëtoi me fuqinë e Allahut të Madhëruar i shoqëruar nga meleku Xhebrail (paqja qoftë mbi të!).

Në gjuhën arabe, me fjalën "Isra" nënkuptohet udhëtimi natën. Fjala "lejlen", që përmendet në ajetin e parë të sures "Isra": “ ... që e barti robin e Tij natën", nënkupton një pjesë të natës dhe jo tërë natën. Isra është udhëtimi tokësor që Allahu ia mundësoi profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) përmes Burakut, në vijën horizontale, nga Qabja në Kuds (Palestinë).

Fjala "Mi'raxh" ka kuptimin e ngritjes në lartësi. Mi’raxhi nënkupton udhëtimin dhe ngritjen e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në vijën vertikale, prej Kudsit (Palestinë) në shtatë qiejt, deri në Sidretul Munteha, hollësirat e të cilave i di vetëm Allahu i Gjithëditur.

Është interesante të përmendet se profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në udhëtimin e tij qiellor, nuk qe ngritur drejt nga Qabja, por së pari udhëtoi në Kuds (Jerusalem), në Bejtul-Makdis (Palestinë), dhe më pas, prej aty, u ngrit në shtatë qiejt e më tutje. Kjo, për t'i treguar myslimanëve rëndësinë e Kudsit dhe lidhjen e tij me Qaben.

Sipas historisë islame, ndodhia e Israsë dhe e Miraxhit ka ndodhur në një prej periudhave më të vështira të profecisë së profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), menjëherë pas vitit të dëshpërimit  (amul huzni), në të cilin Profeti humbi dy mbështetësit, ndihmuesit dhe mbrojtësit në mesin e njerëzve, bashkëshorten e tij dhe nënën e besimtarëve, hazreti Hatixhenë (Paqja qoftë mbi të!) dhe xhaxhain e tij Ebu Talibin (Allahu qoftë i kënaqur me të!).  

Kjo ngjarje ka ndodhur para emigrimit (hixhretit) të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nga Meka në Medine. Kjo mund të quhet edhe si mrekullia (el mu'xhizetu) e dytë e madhe e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) pas Kur’anit, i cili ka qenë, është dhe do të mbetet mrekullia e përjetshme për profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Kjo ndodhi përforcon profetësinë e profetit Muhamed se ai është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve.

Nuk ka dyshim se këto janë ngjarje që realizohen me dëshirën, vullnetin dhe fuqinë e Krijuesit të gjithësisë, të Cilin s’e lodh asgjë dhe për të Cilin asgjë nuk është e pamundur, krejt me një qëllim të vetëm, që njerëzimin ta bindë për vërtetësinë e mësimeve të njerëzve që thoshin se ishin pejgamberë. Me një fjalë, për ta vërtetuar dërgimin e pejgamberëve dhe fjalëve të Veta që ua shpallte atyre.

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) Isranë dhe Mi'raxhin e kreu me trup dhe me shpirt.

 

Është e habitshme se disa përpiqen të konstatojnë se Israja dhe Miraxhi kanë qenë shpirtërore. Mirëpo, kjo përpjekje e tyre është në kundërshtim me ajetet që flasin për këtë ndodhi madhështore, të cilët tregojnë se kjo ndodhi ka ndodhur me trup dhe me shpirt.

 

Në Kur'anin e shenjtë, Miraxhi përmendet në dy sure: në suren "Isra", ajeti 1 dhe në suren "Nexhm", ajetet 13-18. Në suren "Isra" tregohet për udhëtimin e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nga nga Xhamia e Shenjtë (Qabja) për në xhaminë Aksa. Ajeti thotë: "I lavdëruar qoftë Ai që e mbarti robin e Tij (Muhamedin) natën nga Xhamia e Shenjtë (në Mekë) në Xhaminë e Largët (të Jeruzalemit)..." 

Surja "Nexhm" tregon për Miraxhin, ku thotë: "...ndërkohë që ai e ka parë atë edhe një herë tjetër, te Sidretul Munteha-ja, ku ndodhet Xheneti i Strehimit. Kur Sidrën çfarë nuk e mbulonte?! Shikimi i tij nuk u shmang dhe as nuk e kaloi masën, por ai pa disa nga mrekullitë më madhështore të Zotit të tij!..." (Sure "Nexhm", ajetet 13-18)

Besimtari kryen çdo ditë Mi'raxh. Këtë e bën duke falur pesë kohët e namazit. Në një hadith të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thuhet: “Namazi është Miraxhi i myslimanit”. Kur besimtari fal namazin, ai bisedon me Allahun e Madhëruar pa asnjë ndërmjetës dhe kryen Miraxhin. Pasi jep selam, djathtas dhe majtas, ai kthehet sërish në mesin e njerëzve, në jetën e tij normale, me energji të reja, të cilat i fiton kur fal namazin me përqendrim, vetëdije dhe sinqeritet.

Në trojet tona shqiptare kjo natë është e njohur si Nata e dytë e mirë. Besimtarët e agjërojnë, falin namaze nafile, japin sadeka, kujtojnë të vdekurit e tyre me lutje e me këndim Kur'ani e të tjera vepra të pëlqyeshme.

S'ka dyshim se këto Netë të Mira e kanë mbajtur gjallë Islamin në Shqipëri e gjetkë. Më thelbësorja është që në këtë Natë të begatë ne duhet të ulemi dhe të bëjmë llogaritë e vetave tona dhe të pyesim veten: Sa e kemi ndjekur profetin Muhamed? Sa i kemi zbatuar porositë e tij në jetën tonë? Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: "Bëjini llogarinë e vetave tuaja para se t'ju bëhet llogaria."

Në këtë Natë duhet të mësojmë se profeti Muhamed u dërgua mëshirë për mbarë njerëzit. Të mësojmë se Allahu e dërgoi atë përgëzues për punëmirët se ata do të shpërblehen me Xhennet dhe paralajmërues për punëkëqinjtë se ata do të dënohen me ndëshkim të rëndë në Jetën Tjetër, nëse nuk pendohen për punët e këqija të tyre.

Të mësojmë se profeti Muhamed u dërgua për të përhapur moralet e mira. U dërgua për të përhapur dijen, pastërtinë, drejtësinë, vëllazërinë, dashurinë, respektin dhe harmoninë. U dërgua për të zhdukur moralet e këqija, injorancën, paditurinë, padrejtësinë, shtypjen, urrejtjen, armiqëisnë, vrasjen, grabitjen...etj.

Në këtë Natë të hapim Kur'anin e shenjtë dhe të lexojmë ajetet që flasin për qëllimin e dërgimit të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me qëllim që të njihemi sa më shumë me personalitetin e profetit tonë të dashur.

Allahu i Madhëruar thotë në Kur'anin e shenjtë: "O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues. Jepu lajmin e mirë besimtarëve se Allahu ka (përgatitur) për ata dhunti të madhe." (Sure "Ahzab", ajetet 45-47)

Sa të mrekullueshëm këto ajete! Vallë, sa përfitojmë ne nga drita e këtij pishtari ndriçues në jetën tonë? A jemi prej atyre që Allahu ka përgatitur mirësi e dhunti të shumta? Qëllimi i përkujtimit të këtyre netëve të mira është që ne të mendojmë thellë rreth këtij ajeti, rreth Kur'anit në tërësi dhe rreth jetës së profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Në këtë Natë të Mirë duhet të mësojmë se Kur'ani nuk ka zbritur për ta mbajtur në shtëpi për bereqet, apo mbrojtje e ruajte. Nuk ka zbritur që të varet nëpër makina apo në zyra e institucione. Kur'anin duhet ta varim në zemrat tona në mendjet tona në ndërgjegjet tona. Kur'ani duhet të jetë prijësi ynë në këtë jetë. Profeti Muhamed ishte Kur'ani folës. Allahu e bëri atë shembullin dhe modelin më të mirë. Sa përfitojmë ne nga ky shembull dhe nga model?

Nga ndodhia e Israsë dhe e Mi'raxhit mësojmë:

- Allahu është i Plotpushtetshmi dhe Ndihmësi i të zgjedhurve të Tij.

- Profeti Muhamed është njeriu më i lartë, më i përkryer dhe më madhështori.

- Mësojmë lidhjen mes Qabes dhe Xhamisë “El Aksa” dhe se të dyja këto xhami janë të shenjta.

- Namazi i profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) si imam i profetëve të tjerë ka kuptimin se mesazhi i tij përfshin të gjithë njerëzit, të gjitha vendet dhe do të vazhdojë deri sa të ketë jetë mbi Tokë.

- Të gjithë urdhrat në të mira dhe ndalimet nga të këqijat i kanë ardhur profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nga Allahu i Madhëruar nëpërmjet melekut Xhebrail (Paqja qoftë mbi të!).

Në librin "Biharul Anuar" përmendet një hadith i përcjellë nga imam Aliu se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e  tij!) i ka treguar atij (Aliut) dhe zonjës Fatime Zahra (paqja qoftë ata të dy!) se çfarë kishte parë në udhëtimin e Israsë dhe Mi'raxhit. 

Në atë hadith thuhet se Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: Një ditë unë dhe Fatimeja shkuam tek Profeti Muhamed dhe e gjetëm atë me sy të përlotur. Unë i thashë: Kurban për ty nëna ime dhe babai im, pse po qan? Ai tha: "O Ali, natën e Mi'raxhit unë pashë gratë e ymetit tim në tortura të ashpëra. Më erdhi keq kur pashë gjendjen e tyre dhe qave prej torturave të dhimbshme.

Pastaj, Profeti filloi të tregojë se çfarë kishte parë në natën e Mi'raxhit duke thënë: "Unë pashë një grua të varur nga flokët e saj dhe truri i saj po valonte.

Pashë një grua të varur prej gjuhës së saj dhe uji i nxehtë i xhehennemit hidhej në fytin e saj.

Pashë një grua e cila po hante mishin e trupit të saj dhe zjarri ishte i ndezur poshtë saj.

Pashë një grua ku këmbët e saj ishin të lidhura me duart e saj dhe e kishin sulmuar gjarpërinjtë dhe akrepat.

Pashë një grua të shurdhët, të verbët, memece në arkivolin prej zjarri dhe mishi i kokës po i dilte nga hundët, trupi i saj ishte i copëtuar prej hixhamit (ilaç i cili shkakton thërrmimin e mishit) dhe bursit (ilaç i cili shkakton kruajtjen dhe rënien e mishit).

Pashë një grua e cila po priste mishin e trupit të saj me gërshërë."

Zonja Fatime Zahra (paqja qoftë mbi të!) i tha babait të saj: Më trego çfarë veprash kishin kryer ato gra në këtë jetë (dynja), derisa Allahu u caktoi atyre këto dënime?

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i tha: "Përsa i pëket gruas që ishte e varur prej flokëve të saj, ajo në dynja u`a shfaqte burrave flokët e saj. Përsa i përket gruas së varur nga gjuha e saj, ajo shante dhe poshtëronte burrin e saj. Përsa i përket asaj që po hante mishin e trupit të saj, ajo e zbukuronte trupin e saj për njerëzit. Përsa i përket asaj që duart i ishin lidhur me këmbët dhe e kishin sulmuar gjarpërinjtë dhe akrepat, ajo ka qenë e papastër, nuk merrte abdes, nuk i pastronte rrobat, nuk lahej prej xhynybit dhe mestruacionit, nuk pastronte veten e saj dhe namazin e quante gjë të pa vlerë. Përsa i përket verbueses, shurdhes, memeces, ajo lindte fëmijë me zina dhe thonte se këto janë fëmijët e burrit të saj. Përsa i përket asaj që po priste mishin e saj me gërshërë ajo ekspozonte veten e saj për meshkujt." (Biharul Anuar: vëllimi 103, faqe 245.)

O Zoti ynë! Na bëj prej atyre që e njohin fuqinë Tënde! Na bëj prej atyre që e njohin të Dërguarin Tënd! Na bëj prej atyre që e ndjekin rrugën Tënde, rrugën e të Dërguarit Tënd dhe rrugën e të dashurve të Tu! Na bëj prej atyre që e lexojnë, e kuptojnë dhe e zbatojnë Librin Tënd, Kur'anin e shenjtë! O Zoti ynë! Na i ndriço zemrat me dritën e Kur'anit!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI