Ehli Bejti (paqja qoftë mbi ta!) Në Kur’an

nga Vullnet Merja | Publikuar në Prill 17, 2017, 1:42 a.m.

Me emrin e Allahut, Të Gjithmëshirshmit MëshirplotitFalënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin Muhamed, zotërinë e krijesave dhe vulën e profetëve, mbi Ehli Bejtin e tij të pastër e të dlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur.

Selamun alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu!

Paqja, mëshira e Allahut dhe mirësitë e Tij qofshin mbi ju!

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur. (Sure “Nisa”, ajeti 59)

Në jemi krenarë që jemi prej ndjekësve dhe pasuesve të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Jemi krenarë që Allahu na ka bekuar dhe na begatuar me librin e fundit qiellor, Kur’anin e shenjtë.

Nuk ka dyshim se dashuria dhe ndjekja e Profetin si dhe zbatimi i Kur’anit është një nga detyrat primare të çdo besimtari. Përderisa nuk realizohet dashuria e vërtetë dhe e sinqertë për Profetin dhe as nuk zbatohet Kur’ani i shenjtë, atëherë nuk mund të presim udhëzim në rrugën e drejtë dhe as shpëtim nga fatkeqësitë dhe problemet në këtë jetë dhe as shpëtim nga dënimi në Jetën Tjetër.

Duhet që dashuria për profetin Muhamed të jetë e rrënjosur në zemrat tona.

Për këtë, Profeti ka thënë: “Nuk do të më besojë ndonjëri prej jush, derisa të jem më i dashur sesa vetja e tij, prindi i tij, fëmija i tij dhe e gjithë njerëzia.” Me të vërtetë, dashuria ndaj tij është degë e dashurisë ndaj Allahut të Lartësuar. Që të dyja janë nga aksiomat e besimit dhe nga përparësitë e tij.

Dashuria ndaj Profetit duhet të shoqërohet me dashurinë ndaj njerëzve më parësorë e më të afërt të tij, - Ehli Bejtin- të cilët janë më të merituarit për mbartjen e amanetit dhe përhapjen e mesazhit të tij. Me këtë plotësohen hallkat e domosdoshme të zinxhirit të dashurisë ndaj Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij.

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Duajeni Allahun për atë që ju ushqen nga begatitë e Tij. Më doni mua për hir të dashurisë ndaj Allahut dhe duajeni Ehli Bejtin tim për hir të dashurisë ndaj meje.”

Në një hadith autentik të përcjellë nga Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), thuhet: “Duajeni Allahun për atë që ju ushqen nga begatitë e Tij. Më doni mua për hir të dashurisë ndaj Allahut dhe duajeni Ehli Bejtin tim për hir të dashurisë ndaj meje.”

Gjithashtu, Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Dashuria për ta është shenjë besimi dhe urrejtja për ta është shenjë hipokrizie.”

Në një tjetër hadith ai ka thënë: “Ai që i do ata, e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe ai që i urren ata, e urren Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” E dhjetëra hadithe të tilla të cilat ftojnë për dashurinë ndaj Ehli Bejtit dhe ndalojnë urrejtjen ndaj tyre.

Ajo që s’ka dyshim, është se Allahu i Lartësuar e obligoi dashurinë ndaj Ehli Bejtit përkrah obligimit të ndjekjes së rrugës së tyre, sepse ata janë familja e dashurisë dhe e vilajetit përshkak të afërsisë së tyre tek Allahu i Lartësuar, pozitës së tyre tek Ai dhe pastërtisë së tyre prej idhujtarisë, politeizmit (shirk), mëkateve dhe prej çdo gjëje që i largon prej mejdanit të bujarisë e kënaqësisë së Allahut.

Dashuria ndaj tyre nuk është thjeshtë një dashuri kalimtare, thjeshtë një ndjenjë, apo që ka lidhje thjeshtë me prejardhjen e tyre nga Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Dashuria ndaj tyre është një princip që ka lidhje me dashurinë për udhëheqësit bartës të Mesazhit, të cilët Allahu i Lartësuar i bëri udhërrëfyes për njerëzinë pas Profetit të Tij fisnik (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Allahu u dhuroi atyre cilësitë e përsosura si: trimëria, falja, sinqeriteti, dituria, urtësia, etika e morali. Ata i ka bërë porta të Tij udhërrëfyese në rrugën e Tij të drejtë, bartës të diturisë së Tij, depozitë të njohurive të Tij, përcjellës të Shpalljes së Tij.

Në të vërtetë, dashuria dhe ndjekja e Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!) është një detyrë që Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka përmendur në Hadithin Thakalejn dhe ka urdhëruar umetin e tij që të kapet fort me ato të dyja deri sa të shkojnë te burimi i Keutherit.

Profeti Muhamed ka thënë se Ehli Bejti janë amanet për banorët e Tokës, ashtu siç janë amanet yjet për banorët e qiellit. Ai ka thënë se ata janë si anija e Nuhut; ata që hipën në të shpëtuan dhe ata që kundërshtuan u mbytën e u zhdukën.

Në të vërtetë, dashuria për Ehli Bejtin e Profetit dhe ndjekja e tyre konsiderohet si një domosdoshmëri prej domosdoshmërive të padyshimta e të prera në fenë islame, në Libër (Kur’an) dhe në traditën profetike (Sunnet).

Në Kur’anin e shenjtë, i cili udhëzon në atë që është më e mira, më e drejta dhe më e vërteta, ndodhen ajete që sipas dijetarëve dhe komentuesve – qofshin sunit apo shiit- kanë zbritur për Ehli Bejtin e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Disa prej ajeteve kanë zbritur për imam Aliun (paqja qoftë mbi të!) në veçanti dhe disa të tjera për Ehli Bejtin (paqja qoftë mbi ta!) në përgjithësi. Në këtë artikull do të paraqes disa prej atyre ajeteve të shoqëruara me mendimet e dijetarëve dhe me burimet transmetuese.

Ajeti i parë- Allahu i Madhëruar thotë: “Ka njerëz që e flijojnë veten, për të fituar pëlqimin e Allahut. Allahu është shumë i mëshirshëm me robtë e Vet.” (Sure “Bekare”, ajeti 207)

Ebu Xha’fer el Iskafij, siç përmendet te libri “Sherhu Nehxhul Belaga”, i autorit Ibn Ebi Hadijd, vëll. 3, f. 270., ka thënë: “Padyshim, Hadithi i Fjetjes në shtrat është i konstatuar me përgjithësim. Atë nuk e mohon askush, përveç të çmendurit dhe atij që nuk bashkohet me njerëzit e fesë.”

Autori i librit “El Gadijr”; vëll. 2, f. 44 dhe 55 ka thënë: “Këtë ngjarje e përmendin: “Gazaliu në librin e tij “Ihjaul Ulum; vëll. 3, f. 238. Safauij në librin e tij “Nez’hetul Mexhalis”; vëll. 2, f. 209. Ibn Sabbag el Malikij në librin e tij “El Fusulul Muhimeh”. Sibt ibn el Xheuzij e Hanefij në librin e tij “Tedhkiretul Khauas”; f. 21. Musnedi i Ahmedit; vëll.1, f. 48. Tarijkhul Tabarij; vëll. 2, f. 99 -101. Ibn Hisham në librin e tij “Es Sijretu”; vëll. 2, f. 291 El Halebij në librin e tij “Es Sijretu”; vëll. 2, f. 29. Tarikhul Ja’kubij; vëll. 2, f. 29)

Ajeti i dytë-Allahu i Madhëruar thotë: “E kush të kundërshton ty në çështjen e tij, Isait, pasi të është bërë e ditur e vërteta, t’i thuaj: ‘Ejani, t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetë ne dhe vetë ju, mandej, sinqerisht të lutemi për mallkim dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 61.)

Ky ajet quhet “Ajetul Mubahele” dhe ka zbritur si rezultat i debatit ndërmjet Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe një delegacioni të krishterësh nga Nexhrani rreth çështjes së profetit Isa (paqja qoftë mbi të!). I Dërguari i Allahut i ftoi ata në lutje që mallkimi i Allahut të bjerë mbi gënjeshtarët, siç thotë edhe ky ajet i bekuar.

Librat e komentimit të Kur’anit, librat e haditheve dhe ato të jetëshkrimit të Profetit Muhamed, janë në unanimitet se ata të cilët i ka zgjedhur i Dërguari i Allahut, bazuar tek urdhri i Zotit, si vërtetues për ajetin e ndritur, janë: Aliu, Fatimeja, Hasani dhe Hysejni dhe askush përveç tyre. (Shih:Sahijhu Muslim, 4: 1871. Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 225/2999. Mesabijhu’s-Sunneh, 4: 183/4795. El-Kamilu fi’t-Tarijkh, 2: 293. Esbabu’n-Nuzul i Uahidijut: 60. Tefsijru’r-Razij, 8: 81. Tefsijru’z-Zemakhsherij, 1: 368. Tefsijru’l-Kurtubij, 4: 104. Tefsijru’l-Alusij, 3: 188-189. Tefsijru’n-Nesefij, 1: 221. Fet’hu’l-Kadijr i Sheukanit, 1: 347. Me‘alimu’t-Tenzijl i Begavijut, 1:480. Xhamiu’l-Usul, 9: 470/6479, e shumë të tjerë. [Shih edhe Ajka e Kuptimeve të Kurani Qerimit i Hafiz Ibrahim Dalliut, komentimi i ajetit në fjalë, f. 333-334, ribotim i Fondacionit të Kur’anit, Tiranë. Po ashtu, shih edhe Kur’ani, Përkthim me komentim në gjuhën shqipe i Sherif Ahmetit, f. 89.)

Ajeti i tretë- Allahu i Madhëruar thotë: “O ti, i Dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej - Zotit tënd, e nëse nuk e bën, atëherë nuk e kryer misionin e Tij. Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve…” (Sure “Maide”, ajeti 67.)

Ky ajet ka zbritur për udhëheqësinë e Prijësit të besimtarëve dhe me të njëjtin rast që zbriti edhe ajeti i parë. Ka transmetuar El-Uahidiju me zinxhir nga Ebi Sa‘id El-Khudrij, i cili ka thënë: “Ky ajet ka zbritur në ditën e Gadijr Khumit (fill pas Haxhit të Lamtumirës) për Ali ibn Ebi Talibin.”

Transmeton Sujutij dhe Sheukaniju nga Ibn Mes’udi, i cili ka thënë: “Lexonim në kohën e të Dërguarit të Allahut: “O ti, i Dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd” që Aliu është udhëheqësi i besimtarëve. (Esbabu’n-Nuzul, 115.)

Kjo është vërtetuar nga metoda të shumta të transmetuesve të besueshëm, që kanë transmetuar nga një numër i madh sahabësh (shokësh). Prej tyre: Abdullah ibn Abbasi, Ebu Said El-Khudriju, El-Bera ibn ‘Azibi, Zejd ibn Erkami, Selman Farisiju, Ebu Dherr El-Gifarij, Ammar ibn Jasiri, Mikdad ibnu’l-Esuedi dhe Ebu Hurejreja. (Shih Menhexh fi’l-Intimai’l-Medhhebij i Prof. Saib Abdu’l-Hamijd, 148, Merkezu’l-Gadijr, Kum, botimi 5.)

Në Gadijr Khum (vendi që ndodhet mes Mekës dhe Medines) Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mi të dhe mbi familjen e tij!) mori dorën e Aliut dhe e ngriti atë deri sa njerëzit panë të bardhën e pëllëmbës dhe tha: “Për atë që kam qenë udhëheqës i tij edhe Aliu është udhëheqësi i tij. O Allah i Plotpushtetshëm, duaje atë që që e do Aliun dhe bëhu armik i atij që armiqëson Aliun. Përkrahe atë që përkrah Aliun dhe poshtërje atë që e poshtëron Aliun.” Pastaj ata të dy nuk u ndanë derisa zbriti ky ajet: “…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time dhe zgjodha për ju Islamin si fe…” (Sure “Maide”, ajeti 3.) I Dërguari i Allahut tha: “Allahu është më i Madhi ndaj përsosjes së fesë, plotësimit të begative dhe kënaqësisë së Tij me mesazhin tim dhe udhëheqjen e Aliut.” (Shih Menakibu’l-Khavarizmij, 80. Maktelu’l-Imami’l-Hysejn po i tiji, 47. Terxhemetu’l-Imami Alij i Ibn Asakirit, 2: 75/577-580. Tarijkhu Bagdad, 8: 290. Tarijkhu’l-Ja’kubij, 2: 43. Shevahidu’t-Tenzijl, 157/210-215. El-Menakib i Ibnu’l-Megazilit, 19. Tedhkiretu’l-Khauass i Ibnu’l-Xheuzijit, 29. Feraidu’s-Simtejn, 1: 315. Ed-Durru’l-Menthur i Sujutijut, 2: 259. El-Itkan po i Sujutijut, 1: 75.)

Ajeti i katërt- Allahu i Madhëruar thotë: “Udhëheqësi (kujdestari) juaj është Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët që falin namazin dhe japin zeqatin, duke qenë të përulur (në adhurim - ruku’). (Sure “Maide”, ajeti 55.)

Shumica e librave të komentimit të Kur’anit vërtetojnë zbritjen e këtij ajeti për Ali ibn Ebi Talibin (paqja qoftë mbi të!) në momentin që dha unazën e tij për sadaka duke qenë në ruku’ të namazit. Ky është një tekst deklerativ dhe i qartë për prijësinë e prijësit të besimtarëve, pas të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). (Shih: Esbabu’n-Nuzul i El-Uahidijit, 3: 114. Lubabu’n-Nukul fi Esbabi’n-Nuzul i Sujutiut, 81. Tefsijru Ebi’s-Su‘ud, 3:52. Tefsijru’l-Kesh’shaf i Zemakhsherijut, 1: 649. Me‘alimu’t-Tenzijl i Begavijut, 2: 272. Xhamiu’l-Usul i Xhezerijut, 8: 664/6515 dhe botime të tjera.)

Ajeti i pestë- Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe tërhiqju vërejtjen farefisit tënd më të afërt.” (Sure “Shu‘ara”, ajeti 214.)

Në librat e komentimit të Kur’anit dhe në ato të historisë së Profetit, në lidhje me shkakun e zbritjes së këtij ajeti, thuhet se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thërriti fisin Abdu’l-Muttalib, u dha për të ngrënë e më pas iu drejtua duke u thënë: “O bijtë e Abdu’l-Muttalibit! Betohem në Allahun se nuk njoh ndonjë të ri mes arabëve që i ka sjellë popullit të tij diçka më të mirë se ç’ju kam sjellë unë juve. Unë ju kam sjellë më të mirën e kësaj bote dhe botës tjetër. Më urdhëroi Allahu i Lartësuar që t’ju ftoj juve për tek Ai. Cili nga ju më përkrah mua në këtë çështje që të jetë vëllai im, këshilltari im dhe zëvendësi im tek ju?” Të gjithë të pranishmit heshtën dhe nuk thanë asgjë. Aliu (paqja qoftë mbi të!) tha: “Unë, o i Dërguari i Allahut, do të jem përkrahësi yt për të.” Pastaj Profeti e kapi për qafe e tha: “Me të vërtetë, ky është vëllai im, këshilltari im dhe zëvendësi im tek ju, kështu që dëgjojeni atë dhe bindjuni atij.” (Shih: Tarijkhu’t-Tabarij, 2: 217. Es-Sijretu’l-Halebije i Ali ibn Ibrahim El-Halebiji’sh-Shafi‘ij, 1: 286, Daru Ihjai’t-Turathi’l-Arabij, El-Mektebetul Islamije, Bejrut. Me‘alimu’t-Tenzijl i Bagavijut, 4: 278. Sherh Ibn Ebi’l-Hadijd, 13: 210. Kenzu’l-‘Ummal, 13: 131/36496.)

Ajeti i gjashtë- Allahu i Madhëruar thotë: “Thuaj: ‘Nuk ju kërkoj përkëtë kurrfarë shpërblimi, përveç se dashurisë ndajtë afërmve.(Sure“Shura”, ajeti 23.)

Ky quhet Ajeti i Dashurisë, të cilin e vërtetojnë shumica e librave të komentimeve e shumë nga burimet e haditheve dhe të historisë, se ka zbritur për të afërmit e Profetit(paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): Aliun, Fatimenë, Hasanin, Hysejnin dhe pasardhësit e tyre të pastër.

Sujutiu - dhe të tjerë përveç tij-, e ka transmetuar në librin e tij të komentimit këtë ajet me zinxhir deri tek Ibn Abbasi, i cili ka thënë: “Në momentin që ka zbritur ky ajet: “Thuaj: ‘Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen Time, vetëm se dashurinë për të afërmit”, thanë: “O i Dërguari i Allahut, nga të afërmit e tu, cilët janë ata që jemi të obliguar t’i duam?” Ai tha: “Aliu, Fatimeja dhe dy djemtë e tyre.” (Shih: Ed-Durru’l-Menthur i Sujutiut, 6: 7.Hadithi është transmetuar, gjithashtu, në librin Fadailu’s-Sahabe i Ahmed ibn Hanbelit, 2: 669/1141. El-Mustedrek ‘ala’s-Sahijhejn, 3: 172. Sheuahidu’t-Tenzijl i El-Haskanij, 2: 130 në mënyra të shumta. Es-Saua‘iku’l-Muhrika i Ibn Haxherit: 170. Tefsiru’r-Razij, 27: 166. Mexhmau’z-Zeua‘id i Hejthemiut, 9: 168. El-Kesh’shaf i Zemakhsheriut, 4: 219. Dhekhairu’l-‘Ukba i El-Muhib Et-Tabarij: 25. Is‘afu’r-Ragibijn i Sabbanit: 113 si dhe libra të tjerë kërkimorë e komentues. Shih librinEt-Teshejju’ tëSejjid El-Gurejfij, 215-216.)

Imam Shafiiu e përshkruan detyrimin e salavatit mbi Familjen e Profetit me thënien e tij:

“O Ehli Bejti i të Dërguarit të Allahut, dashuria për ju

është detyrim nga Allahu, në Kur’an e zbriti atë

Ju mjafton ju çështja madhështore, ku për ju,

ai që s’bie salavat, nuk i vlen namazi.”

 (Es-Saua‘iku’l-Muhrika, 148.)

 

Ajeti i shtatë- Allahu i Madhëruar thotë: “…O Familje e Profetit!Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” (Sure “Ahzab”, ajeti 33)

Është përcjellë nga Ummu Selemeja se kur zbriti ky ajeti i Dërguari i Allahut thirri Aliun, Fatimenë, Hasanin dhe Hysejnin dhe tha: “Këta janë Ehli Bejti im.” (El-Mustedrek ‘ala’s-Sahijhejn, 3:158/4705; Es-Sunenu’l-Kubra i Bejhakiut, 7: 63.)

Muslimi ka përcjellë në Sahihun e tij me zinxhir tek Aishja, e cila ka thënë: “Doli Profeti sapo u zgjua nga gjumi dhe kishte veshur një gunë leshi të zezë. Në këtë moment, erdhi Hasani, i biri i Aliut, pastaj erdhi Hysejni, Fatimeja dhe Aliu e pastaj tha: “…O Familje e Profetit!Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” (Sahihu i Muslimit, Kitabu Fadaili’s-Sahabe, 4: 1883 / 2424.)

Ajeti i tetë- Thënia e Allahut të Madhëruar: “Është e vërtetë se Allahu dhe melekët e Tij e mëshirojnë me madhërim Profetin. O ju që keni besuar, madhërojeni pra atë - duke rënë salavat – dhe përshëndeteni me selam.” (Sure “Ahzab”, ajeti 56.)

Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar e ka bërë detyrë të bëjmë salavat mbi Familjen, ashtu siç e ka bërë atë detyrë të bëjmë salavat mbi Profetin. E kjo paraqet gjendjen e lidhjes ndërmjet Profetit dhe Familjes së tij, siç e dëshmuam në Ajetin e Pastrimit dhe atë të Dashurisë.

Në një hadith të saktë, për të cilin kanë rënë dakort,thuhet se i është thënë të Dërguarit të Allahut: “O i Dërguari i Allahut, përsa i përket selamit mbi ty, atë e dimë, po si është salati mbi ty?” Profeti tha: “Thoni: “O Allah! Dërgo salavat mbi Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç dërgove salavat mbi Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit dhe bekoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç e bekove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit! Me të vërtetë, Ti je Falënderues dhe i Lavdishëm.” (Shih: Sahijhu’l-Bukharij, 6: 217/291. Sahijhu Muslim, 1: 305/405 dhe 406. Sunenu’t-Tirmidhij, 5: 359/3220. Sunen Ibn Maxheh, 1: 293/904. Musnedu Ahmed, 5: 353. Tefsijru’r-Razij, 25: 227. El-Mu’xhemu’s-Sagijr i Taberanijut, 1: 180. El-Mu’xhemu’l-Eusat i Taberanijut, 3: 88/2389, e shumë të tjerë.)

Ajeti i nëntë- Thënia e Allahut të Madhëruar: Ata i ushqejnë të varfrit, jetimët dhe të zënët rob edhe pse vetë janë nevojtarë, duke thënë: “Ne ju ushqejmë vetëm për hir të Zotit. Për këtë, nuk duam shpërblim e as falënderim! Ne i frikësohemi Zotit tonë në një Ditë të ashpër, që do t’i bëjë fytyrat të jenë të vrenjtura.” Po Allahu i ruajti ata prej të keqes së asaj dite dhe u dhuroi shkëlqim në fytyra e gëzim të madh. Dhe për shkak se ata duruan, i shpërbleu me Xhenet dhe me petka mëndafshi.” (Sure “Insan”, ajetet 8-12.)

Komentuesit dhe muhadithët kanë rënë dakort se këto ajete kanë zbritur për Ehli Bejtin (paqja qoftë mbi ta!). Këto ajete kanë lidhje me historinë kur Aliu, Fatimeja, Hasani dhe Hysejni, ia dhanë ushqimin e tyre, që kishin pwr iftar, të vobektit, jetimit dhe robit të luftës. Nga thënia kur’anore duket se Allahu i përgëzoi ata me Xhenetin dhe me kënaqësinë.

Ibn Abasi ka thënë: “Imam Hasani dhe imam Hyseini (Paqja qoftë mbi ata të dy!) ishin të sëmurë. Profeti së bashku me disa shokë shkoi për t’i vizituar. Ndërkohë iu drejtuan imam Aliut duke i thënë: “O babai i Hasanit! Do të ishte mirë që të kishe bërë një nedhër (zotim) për shërimin e fëmijëve të tu”. Imam Aliu, Fatime Zahraja dhe Fidhdhatu, u zotuan se kur fëmijët shërohen, do të agjërojnë tri ditë.

Nuk kaloi shumë kohë që të dy ata u shëruan. Mirëpo ata nuk kishin ushqime në shtëpi. Imam Aliu mori borxh ca kile grurë. Fatimja e bluajti një të tretën e tij dhe me miellin gatoi bukë. Në kohën e iftarit në shtëpinë e tyre erdhi një varfanjak dhe u drejtua me fjalët: Paqja qoftë mbi ju o Familja e Muhamedit. Unë jam një nevojtar prej fukarenjve muslimanë. Ju lutem, më jepni pak ushqim Zoti iu dhuroftë ushqimin e Xhennetit. Të gjithë ushqimin ia dhuruan këtij njeriu dhe atë natë nuk futën gjë në gojë,  përveç ujit që pinë.

 Ditën e dytë, gjithashtu, agjëruan dhe në kohën e iftarit e shtruan sofrën me ushqimin, (bukën prej gruri).  Përsëri u dëgjua trokitja e derës. Ishte një jetim që kërkonte ushqim dhe ç’farë kishin për vete ia dhanë atij. Edhe këtë herë bënë iftar vetëm me ujë dhe vazhduan të agjëronin për ditën e tretë radhazi.

Në ditën e tretë, një person i zënë rob, në kohën e iftarit erdhi në shtëpinë e tyre. Sërish ushqimin e tyre ia dhanë atij. Të nesërmen në agim, imam Aliu kapi për dore imam Hasanin dhe imam Hyseinin dhe shkuan te Profeti. Kur Profeti e pa se atyre u dridheshin këmbët nga uria, ndër të tjera tha: “Për Mua është shumë e vështirë që t’ju shoh në këtë gjendje aq të katandisur. Më pas u ngrit në këmbë dhe u nis me ata. Kur hynë në shtëpinë e Fatimes, e pa që ishte e zënë me adhurim. Ndërkohë, nga uria e tepërt barku i saj i ishte ngjitur pas shpinës, sytë i ishin futur brenda. Profeti u shqetësua. Në këtë kohë zbriti Xhebraili dhe tha: “O Muhammed! Merre këtë sure. Zoti i Madhëruar të përgëzon me një Familje të tillë.” (Historia e lartpërmendur është transmetuar nga 36 persona prej dijetarëve tw Ehli Sunnetit.)

(Shih:Tefsijru’r-Razij, 30: 243. Ruhu’l-Me‘anij, 29: 157-158. Tefsijru’l- Kesh’shaf, 4: 670. Fet’hu’l-Kadijr i Sheukanit, 5: 349. Me‘alimu’t-Tenzijl i Bagauijut, 5: 498. Tefsijru Ebi’s-Su‘ud, 9: 73. Tefsijru’l-Bejdauij, 2: 525-526. Tefsijru’n-Nesefij, 3: 628. Esbabu’n-Nuzul i Uahidijut, 251. Nuru’l-Ebsar, 102. Er-Rijadu’n-Nadire, 2: 227. Ruhu’l-Bejan i Ismail Hakkit, 10: 268.)

Ajeti i dhjetë- Allahu i Madhëruar thotë: Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira – pikërisht ata janë krijesat më të mira.” (Sure “Bejjine”, ajeti 7)

Edhe për këtë ajet, komentuesit e Kur’anit, suni dhe shiia, janë të mendimit se ka zbritur për imam Aliun (paqja qoftë mbi të!). Ibn Abasi thotë: Në kohën që ky ajet: Zbriti, Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e All’llahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) i tha Aliut (paqja qoftë mbi të): “Qëllimi i këtij ajeti është për ty dhe ndjekësit e tu. Ju do të jeni të kënaqur te Allahu dhe Allahu do të jetë i kënaqur me ju në Ditën e Kiametit.”(Shevahid Tenzil, vll, 2, fq, 357 , hadithi 1126, hadithi 1130 dhe faqe 362 hadithi 1139)

Gjithashtu, shih edhe: “ El Seuaikul Muhrikah”, f. 96 – “ Nurul Ebsar” f., 70 dhe 101; Tesiri “ Dur’rul Menthur” vëll, 6, fq, 379; “Biharul Enuar” vll, 35, fq, 344, hadithi 17; Të tjerë dijetar dhe hulumtues të Ehli Synetit ka cituar po këtë kuptim në librat e tyre ndër të tjera “ El Khatijb El Kaurizmi” në “ El Menakib”; “ Abu Naim El Isfahani” në “ Kefajetul Khisam”; “Al’lametu Tabari” në   Tefsirin e tij; “ Ibn Sabbag El Malikij” në Fusulul Muhime” “Al’lame Sheukani” në “Fet’hul Gadijr” “ Sheik Sulejman Kunduzij” në “ Jenabiul Meuddeh” dhe “ Alusij” në “Ruhul Meani”

Këto ishin disa nga ajetet e Kur’anit që kanë zbritur për Ehli Bejtin. Ato ajete na qartësojnë se ne duhet ta duam dhe ta ndjekim Ehli Bejtin e Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). 

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Thuaj: “Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.” (Sure “Teube”, ajeti 105)

Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën e tyre në këtë jetë dhe na bashkoftë me ata në Jetën Tjetër!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI