Xhamia në pikëpamjen e İmam Khomeinit

nga Vullnet Merja | Publikuar në Prill 3, 2017, 1:07 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Xhamitë i janë kushtuar vetëm Allahut, prandaj mos iu lutni askujt, krahas Allahut.” (Sure “El Xhin”, ajeti 18.)

Në një ajet tjetër Allahu i Madhëruar thotë: “Faltoret e Allahut i vizitojnë dhe i mirëmbajnë vetëm ata që besojnë Allahun dhe Ditën e Fundit, që falin namazin dhe japin zekatin e që nuk i frikësohen askujt, përveç Allahut. Sigurisht, që këta janë në rrugë të drejtë.” (Sure “Et-Teubeh”, ajeti 18.)

Xhamia është shtëpia e Allahut. Xhamia është një litar që mban të lidhur qiellin me tokën. Teksa i sheh ato kupola dhe ato minare të larta, të drejtuara nga qielli, të duken si fytyra të rrumbullakosura dhe duar të zgjatura drejt qiellit.

Xhamia është përfaqësuese e pastërtisë absolute, pasi në të nuk gjendet asnjë lloj papastërtie, as fizike, as morale. Ajo është një zonë rreptësisht e ndaluar për djajtë. Ajo është një zonë, ku epshet shtazarake nuk kanë vend. Duke qenë e tillë, ajo u shndërrua në burimin e pastërtisë, të besimit, të sinqeritetit dhe të kthjelltësisë.

Xhamia është galaktikë hyjnore në mesin e shkretëtirave të tokës. Nuk ka furtunë, që ta shembë gardhin e saj dhe nuk ka dallgë, që mund të mbysë udhëtarët e saj. Xhamia është një shkollë e madhe, të cilën Allahu i Madhëruar e ka cilësuar shtëpinë e Tij.

Të gjithë duhet të ngremë disa pyetje: A jemi ne vërtet nxënës të asaj shkolle?! A jemi ne prej atyre, që Allahu i Madhëruar i ka shënuar dhe i ka regjistruar si frekuentues të xhamisë?! A e gjetëm qetësinë te xhamia dhe a është zbukuruar më shumë xhamia prej pranisë sonë?!

Gjatë kohës kur Profeti i nderuar, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij të nderuar!) emigroi nga Meka për në Medine dhe nisi të vendosë piketat e para të fizionomisë së shoqërisë myslimane, hapi i parë që ai ndërmori, ishte ndërtimi i xhamisë në Medine. Ndërtimi i xhamisë në Medine ishte, në një farë mënyre, vendosja e gurthemelit të kësaj shoqërie. Që prej atij momenti të bekuar, xhamia u shndërrua në boshtin kryesor të lëvizjes islame.

Në kohën kur Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) e transferoi shoqërinë iraniane dhe emigroi bashkë me të, prej epokës së diktaturës, të tiranisë dhe të mbretërisë, kur e transferoi shoqërinë iraniane prej epokës së faraonizmit dhe të shtypjes, për në epokën e qeverisjes me ligjin e Zotit, për në epokën e artë të teuhidit (njehsimit), u kthye për të rivendosur edhe njëherë nga e para gurthemelin e besimit. U kthye për të rikthyer edhe njëherë rolin e rëndësishëm të xhamisë në jetën e myslimanëve, në jetën e shoqërisë.

Lidhur me këtë aspekt, Imami Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Përpiquni dhe bëni të pamundurën, që të rikthehet roli i xhamive, ashtu siç ka qenë në periudhën e parë të Islamit. Myslimanët duhet të jenë të vetëdijshëm, gjithashtu, se nuk ekziston në Islam asnjë teori e asnjë orientim, që i fton njerëzit të veçohen prej pjesës tjetër të njerëzve apo të vetizolohen.” (“El-Kelimatul Kisar”, f. 64.)

Në një tjetër fjalim, të mbajtur prej Imam Khomeinit (Zoti qoftë i kënaqur me të!), flitet sërish rreth domosdoshmërisë së kthimit të rolit të xhamisë, ashtu siç ka qenë në periudhat e para të Islamit. Midis të tjerave thotë: “Në periudhat e para të Islamit dhe jo vetëm, xhamia ka pasur një rol qendror dhe strategjik në pikënisjen e çdo lloj lëvizjeje islame. Pikënisja e çdo lloj përpjekjeje dhe nisme të myslimanëve ka qenë pikërisht xhamia...”

Mënyra sesi Imami Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) e paraqet xhaminë nuk është e lidhur me trajtimin e saj si një ndërtesë e ftohtë, e vizituar prej njerëzve disa herë në ditë. Ai ka një botëkuptim shumë më të gjerë, lidhur me rolin e saj në shoqëri.

Në mendimin e Imam Khomeinit (Zoti qoftë i kënaqur me të!) xhamia është një pikënisje e fuqishme, prej të cilës frymëzohen të gjitha etapat e formimit të njeriut dhe të ekzistencës së tij. Ekzistenca e xhamisë është e lidhur me simbolikën e orientimit të qenies dhe të rrugëtimit të saj të pandërprerë në drejtim të Allahut të Madhëruar dhe në drejtim të fesë së Tij.

Sipas Imam Khomeinit (Zoti qoftë i kënaqur me të!) xhamia është përfaqësuese e fytyrës së vërtetë të shoqërisë islame, sikurse është zemra e saj shoqërie. Ajo konsiderohet, gjithashtu, zemra e një shoqërie, sepse prej damarëve të saj furnizohet një shoqëri e tërë me njerëz të përkushtuar, të devotshëm, që e kanë frikë Zotin. Xhamia është organi i rëndësishëm, që ndihmon në pastrimin e gjakut të shoqërisë, sikurse e ndihmon atë të përmirësohet e të reformohet.

XHAMIA, FORMUESE E BREZAVE TË RINJ BESIMTARË

Edukata ka rëndësi shumë të madhe në formimin e individit mysliman. Ajo luan një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e kushteve dhe të klimës së përshtatshme emocionale, shpirtërore dhe mendore të njeriut, për ta ndjekur të vërtetën dhe për t’i orientuar energjitë e tij në drejtimin e duhur. Fundi i kësaj rruge është i mirëpërcaktuar, lumturi në këtë botë dhe mirësi e shpërblim në Botën Tjetër. Në aspektin e edukimit dhe të formimit moral të individit, xhamia ka një rol shumë të rëndësishëm.

Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) ka thënë kështu: “Xhamitë duhet të jenë qendra për edukimin e myslimanit sipas normave islame. Unë mendoj se pjesa më e madhe e xhamive këtë rol ka.” (“Kelimatun Kisar”, f. 64.)

Në një tjetër deklaratë, Imami i nderuar (Zoti qoftë i kënaqur me të!), thotë: “Xhamitë duhet të jenë vendet ku mësohet feja, edukata, morali dhe shkenca e vërtetë, në të gjitha dimensionet e fjalës shkencë.” (“Kelimatun Kisar”, f. 64.)

Sipas Imam Khomeinit (Zoti qoftë i kënaqur me të!) xhamia është toka, është dheu ku kemi mbjellë njeriun besimtar. Ai rritet me kalimin e kohës si një pemë dhe i jep frytet me lejen e Zotit të vet. Ajo është pema që është ushqyer dhe është ujitur prej dheut të xhamisë. Ajo është pema, degët e të cilës janë rritur, derisa kanë prekur qiellin. Ajo është pema e ndritur, e mbushur me frute. Rrënjët i ka në tokë, degët i ka në qiell.

Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) thotë kështu: “Mihrabi është vendi i luftës. Ai është qartësuesi i përballjes dhe i luftës kundër djajve dhe kundër tiranëve.” (“Kelimatun Kisar”, f. 64.)

Në këtë shprehje të tij, Imami i nderuar (Zoti qoftë i kënaqur me të!) sqaron dhe hedh dritë mbi dy dimensione shumë të rëndësishme të luftës. I pari, është lufta kundër nefsit (kundër egos/epshit). Dimensioni i dytë është lufta kundër diktatorëve dhe kundër tiranëve të kësaj bote. Xhamia është siguria më e madhe, madje e vetmja që na ndihmon ne të fitojmë këtë luftë të madhe dhe të një saktësie të lartë.

Imam Khomeini thotë: Xhamia është një institucion shumë i rëndësishëm, që ndikon në formimin e një personaliteti të denjë prej besimtari, i cili mban mbi shpatullat e tij shqetësimet e fesë së Zotit dhe mesazhin e saj. Xhamia është institucioni edukativ më i rëndësishëm i shpirtit, i mendjes dhe i zemrës, që e ndihmon njeriun të përballet me vështirësitë e kësaj bote dhe me joshjet e saj mashtruese.

 Sipas mendimit të Imam Khomeinit (Zoti qoftë i kënaqur me të!) xhamia ka një rol të veçantë dhe shumë të rëndësishëm në forcimin e unitetit shoqëror dhe të gjetjes së një bashkëpunimi të shkëlqyer midis të gjitha shtresave të shoqërisë, që nga ato më pak të rëndësishmet e deri te shtresat e larta. Ky lloj solidariteti ka qenë, gjithashtu, objekt i Mesazhit hyjnor, pasi Allahu i Madhëruar ka zbritur një sërë dispozitash dhe rregullash që rregullojnë marrëdhënien e anëtarëve të shoqërisë ndërmjet njëri-tjetrit, si dhe vëllazërimin e tyre në Islam.

Xhamia është një qendër shumë e rëndësishme mediatike dhe informimi. Ky është një dimension tjetër shumë i rëndësishëm, gjithashtu, rreth të cilit ka hedhur dritë Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!). Lidhur me këtë dimension të xhamisë, Imami i nderuar thotë: “Xhamia është qendra më e rëndësishme e medias dhe e informimit të myslimanëve.” (“Kelimatun Kisar”, f. 64.)

Ai thotë, gjithashtu: “Qendra kryesore e medias islame ka qenë xhamia.” (“Menhexhijetuth-Theureh”, f. 478.)

Xhamia në Iran arriti të ndryshojë të gjitha ekuilibrat e forcave dhe nëpërmjet saj u realizua përballja e drejtpërdrejtë me tiranitë dhe fuqitë e errëta të kohës. Kjo është ajo që arriti të ndryshojë Revolucioni Islamik në Iran.

Lidhur me këtë, Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur prej tij!) thotë: “Xhamitë janë ato që i siguruan triumfin dhe fitoren popullit iranian. Ishin xhamitë, terreni prej të cilit mori vrull Revolucioni Islamik i popullit iranian. Xhamitë janë qendra shumë të rëndësishme dhe është detyrë e të gjithë popullit që të përkujdeset për to.” (“Menhexhijetuth-Theuretil Islamijeh”, f. 478.)

Sipas Imam Khomeinit (Zoti qoftë i kënaqur me të!) xhamitë janë kështjella të fortifikuara, të cilat Allahu i Madhëruar i ka vendosur në tokë. Për këtë arsye, duhet të përfitojmë prej tyre.

MOS I BRAKTISNI XHAMITË!

Imam Khomeini (Paqja e Zotit qoftë mbi të!) thotë: “Mos i braktisni xhamitë, sepse jeni të ngarkuar prej Allahut që t’i frekuentoni ato.  (“Kelimatun Kisar”, f. 64.)

Duke qenë se xhamia është njëkohësisht përfaqësuese e boshtit kryesor të orientimit të myslimanit dhe e besimit të tij, atëherë braktisja dhe heqja dorë prej saj do të thotë braktisje e bërthamës së orientimit të shoqërisë islame dhe një shthurje dhe destabilizim tërësor i saj. Në fakt, kjo është dhe njëra prej sëmundjeve më të rrezikshme, prej të cilës mund të goditet shoqëria islame.

Në disa raste, Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) është shprehur se vetë ekzistenca e Islamit është e lidhur me vazhdimësinë e pranisë së xhamive në shoqërinë islame.

Lidhur me këtë, Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Mbrojtja e xhamive është prej çështjeve themelore, mbi të cilat qëndron ekzistenca e Islamit, në ditët e sotme.” (“Kelimatun Kisar”, f. 65.)

Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Xhamia është një prej hendekëve më të rëndësishëm të Islamit dhe mihrabi (vendi nga ku imami prin namazin) është fushëbeteja e tij. Ata duan ta rrëmbejnë prej duarve tuaja këtë pasuri të madhe. Në fakt, mund të them me bindje se ky është vetëm fillimi i synimeve të tyre. Ky është halli i tyre më i madh, përndryshe ata nuk kanë asnjë problem tjetër. Shkoni e faluni sa të dëshironi. Ata ndihen të atakuar, të sulmuar dhe të prekur prej rolit të xhamisë këto dy tre vitet e fundit. Xhamitë janë shndërruar në qendra të rëndësishme, te të cilat grumbullohen njerëzit. Ato janë shndërruar në qendra të rëndësishme të mobilizimit shpirtëror dhe revolucionar, për të gjithë ata që synojnë të luftojnë padrejtësitë dhe tiranitë. Ky është hendeku juaj më i madh dhe unë po ju paralajmëroj. Ata duan ta marrin prej jush këtë hendek. Duan t’ju lenë pa të.” (“Menhexhijetuth-Theureh”-“Metodika e Revolucionit”, f. 479.)

MBROJINI XHAMITË

Mbrojtja e xhamisë është detyrë e shenjtë për të gjithë anëtarët e shoqërisë. Kjo është cilësia që e dallon intelektualin mysliman nga intelektuali në Perëndim. Intelektuali mysliman e sheh rolin qendror të xhamisë te të qenit shtëpi e Allahut të Madhëruar, që është Zoti i gjithçkaje. Mbrojtje e xhamive, nuk do të thotë të marrësh në mbrojtje muret, gurët dhe dyert e tyre, por të marrësh në mbrojtje rolin e saj qendror dhe thelbësor në tërësinë e jetës së njeriut. Kjo është e vetmja mënyrë për t’u shndërruar në brezin që i përket xhamive. Kjo është e vetmja mënyrë për të furnizuar qenien dhe për ta bashkuar gjakun e damarëve tanë me mirësinë, me pozitivitetin dhe me dritën që përcjell xhamia thellësive të qenies. Detyra jonë në këtë shekull është pikërisht kjo.

Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Duhet ta deklaroj me gjithë fuqinë e qenies sime: “Mbrojtja e xhamive është sot detyra më e madhe e myslimanëve.” (“Menhexhijetuth-Theureh”-“Metodika e Revolucionit”, f. 479.)

Dhe: “Kjo është detyra jonë më e madhe, te e cila duhet të përqendrohemi më shumë se gjithçka tjetër. Çdo lloj hutie apo nënvlerësim i kësaj pasurie të rëndësishme të myslimanëve sot, përkthehet në dobësi të hendekut më të rëndësishëm të shoqërisë islame, çka mund të shkaktojë shembjen e plotë të shoqërisë sonë islame. Ky zhvillim i rrezikshëm shkakton dobësimin e frymës së Islamit (Zoti na ruajttë!). Dobësimi i xhamisë është themeli, burimi dhe origjina e çdo lloj dobësie tjetër.”

Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) thotë: “Nuk ka dyshim se mbrojtja e xhamive është elementi dhe aksioni më i rëndësishëm, nëpërmjet të cilit mund të mbrohet shoqëria islame.” (“Kelimatun Kisar”, f. 65.)

Zoti ynë! Na bëj ne prej frekuentuesve të xhamisë! Na bëj ne prej atyre që jetuan me xhaminë dhe e përjetuan thellësisht atë, derisa të shndërrohet në frymë që e pushton qenien tonë dhe bëhet pjesë e çdo lëvizjeje që ne bëjmë. 

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI