Dialogu arma e fortë e muslimanit

nga Vullnet Merja | Publikuar në Mars 8, 2017, 12:53 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit.

Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Mosmarrëveshjet dhe mospajtimet mes njerëzve janë çështje të natyrshme. Edhe brenda në një familje ka mosmarrëveshje dhe mospajtime. Mirëpo, ato nuk duhet të jenë shkak i përhapjes së urrejtjes dhe i armiqësisë mes njerëzve.

Islami është fe e paqes dhe e logjikës. Me anë të Kur'anit të shenjtë, Islami i urdhëron myslimanët, që të vënë në funksion logjikën dhe arsyen për çështjet që nuk pajtohen. Ata nuk duhet të bazohen tek ana emocionale për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ndryshimi që vihet re në mesin e njerëzve nuk është gjë tjetër veçse sprovë nga ana e Allahut, i Cili në Kur'anin e shenjtë thotë: "...Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, prandaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni tek Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti." (Sure "Maide", ajeti 48).

Gjithashtu, Allahu thotë: "Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort, duke i përdorur betimet tuaja si mjet mashtrimi të njëri-tjetrit, nga frika se mos një grup mund të jetë më i madh se tjetri. Allahu, me këtë, vetëm sa u vë në provë e, me siguri, Ai do t’jua tregojë në Ditën e Kiametit, çështjet për të cilat ju nuk pajtoheshit. Sikur të kishte dashur Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai shpie në humbje kë të dojë dhe udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë; e ju, gjithsesi, do të përgjigjeni për atë që keni bërë." (Sure "Nahl", ajetet 92-93).

Pra, mospajtimet mes njerëzve janë çështje reale dhe nuk mund të fshihen e të mbulohen. Dialogu dhe biseda e qetë janë metoda më e mirë dhe më e suksesshme për afrimitetin e ideve dhe të pikëpamjeve, për të kuptuar më mirë mendimet e të tjerëve dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Edhe Kur’ani i Shenjtë e përmend çështjen e dialogut në disa ajete. Allahu i Madhëruar thotë: “Allahu i ka dëgjuar fjalët e asaj, që diskutoi me ty për burrin e vet dhe iu ankua Atij. Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, sepse Ai dëgjon dhe sheh gjithçka.” (Sure “Muxhadele”, ajeti 1).

Dhe: “Pastaj hyri në kopshtin e vet dhe, duke qenë i padrejtë me vetveten, tha: ‘Unë nuk mendoj se kjo do të shkatërrohet ndonjëherë, dhe, nuk mendoj se do të arrijë ndonjëherë Ora (e Kiametit). Por, edhe nëse do të më kthejnë te Zoti im, sigurisht që do të gjej një vend më të mirë se ky (kopsht).’(Sure “Kehf”, ajetet 35-36).

Këto dy ajete na sqarojnë se nëse duhet të njihemi me të vërtetën, duhet që të flasim me qetësi, me argumente bindëse dhe larg nervozizmit dhe fanatizmit shkatërrues. Gjatë kërkimit të së vërtetës dy rrugë janë dhe nuk ka të tretë: ose të jemi ne me të vërtetën ose të jenë të tjerët me të vërtetën. Ai që e zbulon të vërtetën dhe të fshehtat e saj është dialogu dhe biseda e qetë, të cilat burojnë nga zemrat që e duan të vërtetën dhe sakrifikojnë çdo gjë në rrugën e saj. Edhe profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dialogonte me kundërshtarët e tij dhe bisedonte qetësisht me ta, me qëllim që të nxirrte në pah të vërtetën.

Dialogu ka qenë arma e të gjithë të dërguarve të Allahut të Madhëruar. Në Kur'anin e Shenjtë përmenden dialogjet e të dërguarve të Allahut me popujt e tyre. Përmenden dialogjet e tyre me sundimtarët e kohëve të tyre. Me anë të dialogut të qetë dhe argumentues, ata arritën t’i udhëzonin njerëzit në rrugën e të Madhit Zot.

Mirëpo, fatkeqësisht, kjo metodë që përmendin këto dy ajete të Kur'anit, nuk gjendet dhe nuk përmendet në historinë islame pas ndarjes nga jeta të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) - histori që e krijoi dhe e shkroi politika dashakeqe dhe përçarëse.

Kjo histori dashakeqe dhe përçarëse, edhe sot e kësaj dite, vazhdon të ndikojë në mendjet e myslimanëve dhe ka arritur t'i mpiksë ato. Shumica e myslimanëve janë në gjumin e pavëmendshmërisë për çështjet e vërteta të fesë së tyre të pastër, Islamit. Cilido që e lexon historinë e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe të imamëve të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), do të shohë se historia e tyre është e mbushur me dialogje dhe biseda të qeta dhe dobiprurëse. Kjo metodë e tyre ka ndryshuar jetën e mijëra e mijëra njerëzve.

Nëse ato dialogje do të lexohen me qëllimin e njohjes së të vërtetës dhe me qëllimin e udhëzimit në rrugën e drejtë e të vërtetë, nuk do të kishte mosmarrëveshje mes anëtarëve të ymetit islam. Prej këtyre dialogjeve janë: - dialogu i qetë, larg fjalëve konfrontuese e fyese, i imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) me sahabët. Me anë të dialogut, ai u sqaronte sahabëve të drejtën e tij dhe të drejtën e udhëheqësisë së tij pas profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), duke sjellë si argument ndodhinë e Gadijr Khumit; ligjërata e zonjës së grave të botëve, Fatime Zahrasë (Paqja qoftë mbi të!), e cila me një elokuencë shumë të lartë sqaroi para sahabëve të drejtën e saj dhe të drejtën e prijësisë së bashkëshortit të saj pas profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!); dialogjet e imam Hysejnit (Paqja qoftë mbi të!) gjatë rrugëtimit të tij për në Kerbela. Me fjalë të buta ai sqaronte pikëpamjet e gabura dhe mundohej të largonte urrejtjen nga zemrat e njerëzve. Mirëpo, zemrat e tyre ishin ashpërsuar dhe errësuar. Ata nuk i dëgjonin fjalët e tij të ndritshme; dialogjet e imam Sadikut (Paqja qoftë mbi të!) me Ebu Hanifen dhe me dijetarë të tjerë që e kundërshtonin atë, si dhe dialogjet e tij me të pafetë. Të gjithë habiteshin kur largoheshin nga imam Sadiku dhe pohonin se ai ishte në pozitë të lartë të dijes, të moralit dhe të etikës. Disa prej dialogjeve të imam Sadikut janë edhe në gjuhën shqipe në librin me titull: Imam Xhafer Sadiku, botim i shoqatës FLLADI; dialogjet e imam Rizait (Paqja qoftë qoftë mbi të!) në tubimet e Me’munit me dijetarë myslimanë dhe jomyslimanë. Në këto dialogje e biseda dukej qartë dija e thellë që kishte imam Rizai. Kjo e frikësoi shumë Me’munin dhe bëri atë që bëri.

Ka edhe të tjera dialogje e bashkëbisedime.

Sigurisht, dialogu dhe biseda e qetë bazuar në argumeta bindëse, janë mjeti më i përkryer i çdo kohe për të arritur tek e vërteta e humbur apo e fshehur. Nëpërmjet dialogut dhe bisedës së qetë dhe argumentuese, njeriut i hapen horizontet e të menduarit dhe arrin të kuptojë mendimet dhe pikëpamjet e të tjerëve që nuk janë në një mendimi me të. Aty ku nuk gjendet dialogu, gjendet urrejtja, armiqësia, heretizmi, sharja e ofendimi. Sepse, kur një njeri përballet me mendime ndryshe nga ato që ai është ushqyer dhe nuk di të bëjë një bisedë të qetë e argumentuese, ai shpërthen duke lëshuar akuza dhe kalon nga një degë në një degë tjetër. Ai nuk lë njeri të flasë. Kur përfundon fjalët e tij, largohet me imagjinatën se ai trimfuoi dhe se ai është në rrugën e drejtë. Ky lloj njeriu debaton vetëm me ato që ai beson. Në këto ditë ka shumë njerëz të tillë. Ata të mjerë ushqehen dhe injektohen që të mos dëgjojnë asgjë tjetër përveç asaj që u thonë paria e tyre. Sot kjo metodë është e përhapur te myslimanët.

Ne e falënderojmë Allahun që na ka begatuar me Librin e Tij, Kur’anin e Shenjtë, i cili udhëzon në atë që është më e mira. Ai na ka begatuar me dërgimin e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të cilin e ka bërë shembullin më të mirë për mbarë njerëzimin dhe jo vetëm për myslimanët. Mirëpo, me gjithë këto begati, gjendja e myslimanëve sot nuk është ashtu siç e do Allahu dhe i Dërguari i Tij. Cili është shkaku? Shkaku kryesor është se myslimanët e kanë hedhur pas shpine Kur’anin dhe Profetin. Nëse i përmendin, nuk i zbatojnë këshillat dhe udhëzimet e tyre.

Në mesin e tyre janë krijuar sekte, grupe e medhhebe të ndryshme. Janë shtuar dhe shtohen dita-ditës mosmarrëveshjet mes tyre. Secili pretendon se është në rrugën e drejtë dhe vetëm ata janë të shpëtuarit. Akuzojnë myslimanët e tjerë se janë të pafe dhe politeistë!!! A nuk e lexojnë këta Librin e Allahut, i cili thotë: “O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja! Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit! Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” (Sure “Nisa”, ajeti 59).

Në një ajet tjetër, Allahu i Madhëruar i mëson myslimanët se si të komunikojnë me ithtarët e Librit: “Thuaj: ‘O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, e nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!’ Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: ‘Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!’”. (Sure “Ali Imran”, ajeti 64).

Sa i mrekullueshëm ky ajet! Allahu na urdhëron, nëpërmjet profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që të dialogojmë me ithtarët e Librit me dialog të qetë dhe argumentues. A nuk është më parësor dialogu mes myslimanëve me njëri-tjetrin për çështjet që kanë mospajtim mes tyre?

Pa dyshim që dialogu dhe biseda e qetë ndriçojnë medjen, zemrën dhe shpirtin. Debati pa argumente, akuzimi, sharja dhe ofendimi e errësojnë mendjen, zemrën dhe shpirtin. Me anë të dialogut arrihet në bregun e shpëtimit dhe tek e vërteta. Sigurisht, që baza e dialogut është studimi, hulumtimi dhe verifikimi. Ata që studiojnë, hulumtojnë dhe verifikojnë, e gjejnë lehtë të vërtetën. Kurse ata që vetëm dëgjojnë, do të qëndrojnë të mbyllur në guackën e dëgjimit.

Të shumtë kanë qenë, janë dhe do të jenë ata njerëz, që kanë studiuar dhe kanë humtuar, të cilët e kanë gjetur të vërtetën dhe e kanë përqafuar atë. Të shumtë janë hulumtuesit në Islam, të cilët e kanë studiuar medhhebin e Shiizmit dhe e kanë pranuar atë. Frytet e dialogut janë bashkimi, vëllazëria dhe uniteti mes myslimanëve. Frytet e debatit bazuar në fanatizëm janë urrejtja, armiqësia, lufta, vrasja dhe përçarja mes myslimanëve.

Këtu lind pyetja: A janë mosmarrëveshjet mes myslimanëve parimore? Apo janë mosmarrëveshje dytësore të cilat me kalimin e kohës fanatikët dhe dashakeqësit i ngjyrosën me ngjyrat e parimeve të besimit?

Cilido që e lexon historinë, do të shohë se profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e ka lënë ymetin në rrugë të qartë. Ai ua sqaroi myslimanëve të gjitha dispozitat e fesë. Gjithashtu, me dëshminë e historisë dhe të historianëve, ai caktoi zëvendësin e tij në vendin e quajtur Gadijr Khum dhe ai ishte Aliu, i biri i Ebu Talibit. Mospajtimet mes myslimanëve, pas profetit Muhamed më shumë kanë qenë për qëllim të pushtetit dhe nuk kanë asnjë lidhje me parimet e pastra të fesë së Allahut.  

E keqja është se ne nuk e njohim ashtu siç duhet historinë dhe kështu, nuk kemi përfituar prej saj. Ne kemi lexuar vetëm ato që na janë thënë të lexojmë dhe kemi përfituar vetëm prej atyre që na kanë thënë të përfitojmë.

Allahu i Madhëruar thotë: "A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, që iu është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur." (Sure "Hadid", ajeti 16). Sa domethënës ky ajet! Sa nevojë kemi sot për mësimet dhe porositë e këtij ajeti! Sigurisht, dialogu është arma më e fortë e myslimanit. Ai i siguron atij qetësinë, lumturinë dhe shpëtimin në të dyja jetët.

Le të jemi nga ata që e ndjekin Kur'anin, synetin e Profetit Muhamed, të familjes së tij të pastër, të shokëve të tij të zgjedhur - që ndjekin rrugën e logjikës e të dialogut të qetë dhe argumentues. Allahu na bëftë prej besimtarëve të devotshëm!



Burimi : Media e Lire

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI