Kush është Abdullah ibn Sebe?
Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit. Falenderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur!
Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!
Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!
Allahu i Madhëruar në Kur’anin e shenjtë thotë: "O ju që keni besuar, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën." (Sure "Ahzab", ajeti 70) Ajeti në fjalë fton të gjithë besimtarët dhe besimtaret që gjithmonë të thonë vetëm të vërtetën, aq më tepër për çështjet që kanë të bëjnë me ruajtjen e vëllazërisë dhe të unitetit mes muslimanëve.
Si në të shkuarën ashtu edhe sot në këto ditë, kanë qenë dhe janë të shumta shigjetat e akuzave, trillimeve dhe shpifjeve, me të cilat janë qëlluar dhe vazhdojnë të qëllohen muslimanët Shi’it dhe medhhebi i Shi’izmit. Sigurisht, që këto akuza janë produkt i dashakeqësve, përçarësve dhe mendjeshkurtërve, të cilët vendosin gishtat e tyre në veshët e tyre prej urrejtjes kur dëgjojnë fjalën Islam, musliman. Këto akuza, trillime dhe shpifje janë pjellë e mendjeve djallëzore. Këto janë aq të shumta, saqë grumbullimi i tyre dhe përgjigjjet ndaj këtyre akuzave, trillimeve dhe shpifjeve kanë nevojë që të shkruhen me qindra volume librash dhe me tematika të ndryshme.
Fatkeqësisht, shigjetat e akuzave më shumë i hedhin pasuesit e Kur'anit dhe të Sunetit të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të cilët kanë rënë pre e mashtrimeve të politikave përçarëse dhe sunduese. Kanë rënë pre e mashtrimeve të orientalistëve qëllimkëqinj që kanë dëshirë të përhapin ngatërresa e të shkaktojnë përçarje në mesin e muslimanëve, ndërkohë që Kur'ani i shenjtë i mëson muslimanët se kur të dëgjojnë ndonjë lajm ta verifikojnë atë para se ta besojnë. Në Suren "Huxhuratë", ajeti 6 lexojmë: "O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë."
Sa i mrekullueshëm ky ajet! Sikur të zbatohej ashtu siç duhet, nuk do të shikonin as më të voglën mosmarrëveshje në mesin e ummetit të profetit Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Po ashtu, në Kur'anin e shenjtë lexojmë: "O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëritjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës." (Sure "Huxhurat", ajeti 11.) Edhe ky ajet i begatë është një shkollë më vete për edukimin, moralin dhe etikën. Ai na tregon shumë qartë që as të mos tallemi, as të akuzojmë e as të shpifim për të tjerët, sepse ata mund të jenë më të mirë se ne. Allahu është i Gjithëditur dhe i Mirëinformuar për brendinë e njerëzve.
Dihet se akuzat, shpifjet dhe trillimet burojnë ose nga mosbesimi, ose nga padituria, ose nga fanatizmi ekstrem dhe verbues. Fatkeqësisht, ka persona që e quajnë veten të ditur për jetëshkrimin e profetit Muhamed dhe për çështjet e Kur'anit të shenjtë dhe në të njëjtën kohë akuzojnë, trillojnë dhe shpifin. Ne e dimë që akuza, shpifja dhe trillimi nuk janë prej moralit islam. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: "Unë u dërgova që të përsos moralet e larta." Në një hadith tjëtër profeti Muhamed ka thënë: "Dijetarët janë trashëgimtarë të profetëve." Domethënë trashëgimtarë të dijes dhe të moralit të profetëve. Në historinë e tyre lexojmë se jobesimtarët, mendjemëdhenjtë dhe kokëfortët shpifnin, trillonin dhe hidhnin akuza të ndryshme ndaj profetëve. Vallë, kur qenka bërë akuzimi, shpifja dhe trillimi prej moralit të mirë? Në cilin libër thuhet se hyrja në Xhenet arrihet duke sharë, akuzuar, shpifur dhe trilluar?!!!
Siç e thashë edhe më lart, të shumta janë akuzat, shpifjet dhe trillimet ndaj Shiave (pasuesve) të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!). Njëra ndër ato akuza të pabaza ka lidhje me historikun e Shiizmit për të cilin thonë se e ka zanafillën nga jahudiu Abdullah ibn Sebe. Armiqtë e Shiizmit në çdo kohë e ngrenë zërin e bërtasin se Shiizmi është pjellë e këtij personi të paqenë duke rënë kështu në humnerën e gjykimeve dhe të menduarit për keq, ndërkohë që realiteti është krejt ndryshe. Ata flasin e bërtasin pa bërë ndonjë studim të mirëfilltë mbi të këtë person. Gjithashtu, edhe mbartësit e lapsave kanë shkruar dhe shkruajnë pa e parë me imtësi çështjen e këtij personi. Këta shkrimtarë dhe autorë, në të vërtetë, bazohen tek dëshirat e tyre, ose tek axhendat keqdashëse, ose të qëllimet e tyre të papastra. Mbi këtë akuzë kanë ndërtuar dhjetëra e dhjetra akuza të tjera.
Historianët dhe studiuesit, në të kaluarën, me shkrimet e tyre flasin fare shkurt e në përgjithësi për legjendën e pretenduar, Abdullah ibn Sebe. Gjatë dy shekujve të fundit kjo çështje ka marrë një karakter krejtësisht të kundërt me rrjedhën e historisë së trashëguar. Gjatë kësaj kohe nuk gjejmë një libër që të trajtojë historinë e Islamit e të sahabëve, por gjejmë vetëm faqe të nxira me bojë që flasin për këtë legjende të rreme.
KUSH ËSHTË ABDULLAH IBN SEBE?
I pari që ka shkruar se Abdullah ibn Sebe ishte jahudi, është Shehristànij, në librin e tij “El Milelu ue Nihalu” në një kohë që historianët e tjerë kanë heshtur rreth origjinës së fisit të tij, ose ata e kanë përmendur atë duke thënë se ai ishte me origjinë arabe.
Për Abdullah ibn Sebe-n kanë thënë: “Ai është një jahudi që përqafoi Islamin, me qëllim që të bëjë mashtrime në Islam, sepse ndihej shumë keq prej përhapjes që kishte marrë Islami. Veç kësaj, fushatat e njëpasnjëshme islame e mbushnin atë me mllef e zemërim, prandaj ai filloi të lëvizë kundër Islamit. Ky burrë, i quajtur Abdullah ibn Uehb ibn Sebe, njihet edhe me emrin Ibn Seuda, (i biri i zezakes), është prej jahudive të Jemenit dhe, sipas thënieve të ndryshme, është banor i San’as, ose i Hijrehit, ose i Humrit. (Shiko “Mekàlàtul-islamij’jijne ue ikhtilàful-musallijne”, Ebu Hasan El Esh’arij (vdekur në vitin 330 të Hixhretit), f. 11, Parathënia e vëllimit të parë, Botimi i parë. Shiko librin “Meshijkhatul Ez’her”, autori Abdullah Es’sebijtij, f. 122, Botuar në Bagdad. Ali El Uerdij, “Uua’àdhu Selàtijn”, f. 111, Botuar në Bagdad.)
Esh Sha'bij’ju ka përmendur se Abdullah ibn Seuda është jahudi prej Jemeni, u hoq sikur përqafoi Islamin, me qëllim që të arrinte një vend ndër dijetarët e Kufes, të quajturit “kufij’jùn”, që të kishte një pozitë në mesin e tyre.
Ahmed Emijn ka thënë: “Ne e dimë se me epitetin ibn Seuda është quajtur Abdullah ibn Sebe. Ai ishte prej jehudive të San’asë, i cili në kohën e Uthmanit u hoq se kishte pranuar Islamin. Gjithashtu, dimë se ky person është munduar t’u prishë fenë e tyre myslimanëve.”
Oratoria e Ibn Sebes luajti rolin e saj në tërheqjen e njerëzve dhe në shtrëngimin e radhëve rreth tij. Njerëzit u mblodhën rreth tij, filluan të shenjtërojnë doktrinën e tij dhe, kur Ibn Sebe e ndjeu veten të sigurt në pozitën që arriti, filloi të heqë maskën e të zbulojë fytyrën e tij të vërtetë.
Më pas, gjatë kohës që predikonte, ai filloi të atakojë doktrinën kristiane për rikthimin e Mesihut, duke shprehur habinë e tij ndaj kujtdo që vërteton se Mesihu do të rikthehet në kohën e fundit dhe se do të shtrijë ndikimin e tij mbi të gjithë njerëzit. Ibn Sebe e përgënjeshtroi kthimin e Mesihut dhe foli hapur se Mesihu nuk do të rikthehet, por ai që do të rikthehet është profeti Muhamed.
Ibn Sebe i tejkaloi të gjitha caqet e rregullat dhe filloi të thoshte se Muhamedi është prej esencës së hyjnisë. Ajo që e ndihmoi Ibn Seben të dalë si individ unik dhe të izolonte të tjerët, ishte kultura e gjerë që kishte në çështjet e Jahudizmit, Islamit e Kristianizmit, si dhe njohuritë që kishte për fetë e Iranit e të Indisë, madje edhe për fenë në Egjiptin e lashtë. Brenda një kohe të shkurtër Ibn Sebe u bë njeriu me më shumë ndikim në Egjipt, aq sa qeveritari filloi të ketë frikë e të dridhet prej tij.
Në të vërtetë, Sebeizmi u nda në grupe të shumta. Disa prej tyre shkuan deri atje sa të besojnë se Aliu përdor retë për mjet hipjeje dhe se ai do të kthehet në tokë për herë të dytë. Disa të tjerë, prej sebive, besonin se Aliu lëshon rrufetë e bubullimat mbi kokat e njerëzve të këqij.
Të tjerë prej atyre pretenduan se Aliu është dielli, disa të tjerë pohonin se figura e hënës është e përfaqësuar në figurën e Aliut.
Ata kanë përmendur se kryengritja kundër Uthmanit erdhi në sajë të lëvizjes që organizoi Ibn Sebe dhe se ai ishte personi që u thoshte me ngulm njerëzve se Uthmani e mori postin padrejtësisht. I nxiste njerëzit të ngriheshin për këtë punë, të lëviznin dhe të fillonin të godisnin sundimtarët e tyre.2 (Lexo librin “Uthmà ibn Af’fàn” i Sàbir Abdeh Ibràhijm, f. 56 e në vijim, Botim i dytë, Botuar në Bagdad; Gjithashtu lexo librin “Zubejr ibn El-av’vàm” i të njëjtit autor, f. 31058, Botim i parë; Lexo librin “Elkàmil” të Ibn Kethijrit, vëll. 3, f. 77, Botim i vitit 1356 Hixhreti; Ferijd Vexhdij, “Dàiretul-Meàrifi”, vëll. 6, f. 163.)
RRËNJËT HISTORIKE TË LEGJENDËS ABDULLAH IBN SEBE
Dijetari bashkëkohës, Sej’jid Murteda El Askerij, është prej studiuesve të mëdhenj që e ka trajtuar këtë çështje dhe ka vërtetuar se historia rreth legjendës Abdullah Ibn Sebe është thjesht fantazi, që s’ka asgjë të përbashkët me realitetin. Rezultatet e studimit të tij janë botuar në një vepër me dy vëllime me titull: “Abdullah ibn Sebe dhe legjenda të tjera.”
Ky studiues i njohur ka vërtetuar me argumente historike të padiskutueshme se burimi i kësaj legjende iluzionare është “Tarijkhu Tabarij”, histori të cilën Tabarij e ka marrë prej një burimi që reduktohet me përcjellësin Sejf ibn Ymer Et Temijmij El Kùfij, rreth ngjarjeve të viteve 30-36 Hixhreti.
Transmetimi i Sejf ibn Ymerit, ashtu siç thuhet në “historinë” e Tabarijut, është transmetimi i vetëm, i përcjellë që flet për Abdullah Ibn Seben, prandaj është rasti të bëjmë një vëzhgim të shpejtë mbi këtë person, të quajtur Sejf dhe mbi vlerën e transmetimeve të ardhura sipas përcjelljes së tij. Këtë vëzhgim do ta bëjnë nën dritën e asaj që kanë përmendur dijetarët biografë.
KUSH ËSHTË SEJFI?
Ai është Sejf ibn Ymer Et Temijmij El Kùfij. Kështu është shprehur për këtë person autori i librit “El Futùhul kebijr uerr’rred’detu”, si dhe autori i librit “El Xhemelu ue mesijru Àishete ue Alij”. Ky autor ka vdekur në vitin 170 të Hixhretit, në kohën e sundimit të Harun Err Rrashidit.
Dijetarët, autorë të jetëshkrimeve, ashtu siç e ka cituar këtë Ibn Nedijmi, në “El fihreset, f. 137 dhe Edh Dhehebij’ji në “Mijzànul-iëtidàli”, vëll. 1, f. 438, nr. 3581, si dhe në librin “Tehdhijbu-t’tehdhijb”, vëll. 4, f. 298, thonë qartë se transmetimet e përcjella prej të quajturit Sejf, janë të gradës “Daijf” dhe si përcjellës njoftimesh ai është i lënë, pra i pakonsiderueshëm. Për rrjedhojë, atij nuk i kushtohet asnjë rëndësi, sepse ka përcjellë prej personave të panjohur. Prandaj, si përcjellësh hadithesh, Sejfi s’ka asnjë peshë dhe në përgjithësi transmetimet e përcjella prej tij s’kanë asnjë vlerë. Ai ka përcjellë punë të urryera dhe është akuzuar për vënie të qëllimshme dhe për herezi.
Në librin “El Isàbetu” dhe në librin “El Istij’àb”, thuhet se Sejfi, si përcjellës hadithesh, është klasifikuar i shkallës “Daijf”–“i Dobët”, prandaj hadithet e përcjella prej tij nuk merren në konsideratë.
Gjithashtu, Xhelàludijn Sujùtij në librin e tij “El’leàlil masnùati fil ehàdijthil meudùati”, faqe 233, thotë se prej tij është përcjellë vetëm një transmetim. Më pas thotë: “Por edhe ky njoftim nuk është i saktë, edhe përcjellësit e vargut të këtij transmetimi janë të gradës “Daijf”–“i Dobët” dhe më shumë i dobët prej atyre është vetë Sejfi.
Pra, Sejfi, sipas pikëpamjes së dijetarëve biografë prej Ehli Sunetit që kanë shkruar jetëshkrimet e transmetuese, akuzohet si mohues dhe vënës i haditheve. Kjo është arsyeja që hadithet e përcjella prej tij nuk janë transmetuar në asnjë libër që mund të merret në konsideratë. Megjithëkëtë, vetëm Taarij ka cituar prej tij në librin “Tarijkhu Tabarij”. Në të vërtetë, tregimi për Abdullah Ibn Seben, tregim të cilin e vërtetoi vetëm Tabariji, u shndërrua në burim për historianët jo investigues, që erdhën pas Taberijit.
ABDULLAH IBN SEBE TEK DIJETARËT E EHLI SUNNETIT
Shumë historianë dhe studiues prej vëllezërve tanë të Ehli Sunetit, me studimet e tyre kanë hequr maskën e lojërave të qëllimkëqijve, që lëshojnë vetëm sharje. Këta dijetarë e studiues nuk kanë rënë pre e traditës së verbër të trashëguar dhe mjaft të përhapur. Përkundrazi, objektiviteti ka qenë qëllimi i tyre, për të evidentuar të vërtetën e rrugës së humbjes ku ranë akuzuesit e shpifësit. Këta dijetarë e studiues janë udhëhequr gjithmonë prej studimit shkencor e objektiv, të zhveshur prej të gjitha mendimeve të kohës së shkuar. E gjithë kjo punë e tyre ka dhënë rezultate të sakta. Në sajë të kësaj rruge studimi, ata kanë vërtetuar shterpësinë e opinioneve, me të cilat është rrethuar figura e Abdullah ibn Sebes, me të cilën dashakeqësit kishin qëllim të mbillnin farën e përçarjes në umetin islam.
Në vijim do të shpalosim mendimet e disa dijetarëve dhe studiuesve të njohur prej Ehli Sunetit, prej atyre dijetarëve që nuk kanë rënë nën ndikimin e propagandës së thurur rreth këtij të panjohuri, të quajtur Abdullah ibn Sebe.
MENDIMI I PROF. DR. TAHA HUSEJN
Studiuesi dhe letrari prof. dr. TaHa Husejn, konsiderohet i pari që ka dyshuar për personalitetin e Abdullah ibn Sebe, si dhe për rolin e rremë që i është mveshur atij në histori. Në vëllimin e parë të librit të tij “El Fitnetul Kubrà”, profesori fillon të hedhë pluhurin e dyshimit rreth Abdullah Ibn Sebe-s. Më pas, në vëllimin e dytë, ai i rikthehet edhe një herë kësaj figure dhe e mohon ekzistencën e tij. Ai thotë: “Disa janë shprehur se Abdullah Ibn Sebe e përsosi mashtrimin e tij, ka lëvizur shumë nëpër territoret islame, ku organizoi grupe të fshehta, me qëllim që të fshihte mashtrimin dhe se këto grupe bashkëpunonin për të përhapur ngatërresa. Këto grupe të fshehta, të themeluara prej tij, e vazhduan përhapjen e ngatërresave, derisa arritën të ngrenë njerëzit kundër halifes. Rezultati i kësaj ngritjeje qe rrethimi i halifes e më në fund edhe vrasja e prijësit të myslimanëve. Të gjithë ata, që me fanatizmin e tyre zmadhojnë punën e Abdullah Ibn Sebe-s në librat e tyre, e dinë mirë se kanë vepruar shumë ashpër kundër vetes dhe kundër historisë.
Dhe: "Ata që mashtrojnë dhe thonë se Abdullah Ibn Sebe është takuar me Ebu Dherrin dhe se i ka dhënë mësime atij, në radhë të parë, bëjnë padrejtësi ndaj vetes dhe pastaj ndaj Ebu Dherrit."
Dhe: “Gjithashtu, mendja anon më shumë kah fakti se armiqtë e shi’ave, gjatë kohës së sundimit të dinastisë emevite dhe dinastisë abasite, kanë thënë gjëra të zmadhuara për Abdullah ibn Seben, me qëllim që, nga njëra anë, të ngjallnin dyshime në disa punë që ai i atribuonte Uthmanit e qeveritarëve të tij të krahinave dhe, nga ana tjetër, të ishin të ashpër ndaj Aliut e ndaj atyre që shprehnin simpati për Aliun. Në këtë fushatë shpifjesh ata, për disa punë të shi’ave, thoshin se shi’at i kanë marrë prej një jehudiu, i cili pranoi Islamin, me qëllim që të dëmtonte myslimanët. Janë të shumta e të lemerishme ato që janë thënë prej armiqve kundër Shi’ave e kundër Shi’izmit..."
Dhe: "...Por, si ka mundësi të thuhet që një person i tillë të jetë në gjendje të trazojë fenë e myslimanëve, politikën, mendjet dhe shtetin e tyre dhe se, më pas, këtij njeriu t’i jepej suksesi për punët që ai kishte qëllim?! Apo të thuhet se ai nxiti myslimanët të ngrihen kundër halifes së tyre, derisa e vranë atë, pastaj arriti të përçajë myslimanët dhe, se para këtyre punëve, ai kishte krijuar ndjekës besnikë e grupe. Të gjitha këto janë punë që as mendja nuk i pranon e as nuk i qëndrojnë dot kritikës, prandaj historia nuk duhet të shkruhet mbi të tilla dëshmi... Në të vërtetë, ai është një person i stisur, të cilin armiqtë e shi’ave e ruajtën që ta përdorin vetëm kundër shi’ave.” (“El Fitnetul-kubrà”, vëll. 1, 131-137, Botimi i tetë, Shtëpia botuese “Dàrul-meàrif”, Egjipt.)
MENDIMI I PROFESOR HAMID DAUD EL HANEFIJ
Profesor El Hanefij thotë: “Kaluan trembëdhjetë shekuj prej historisë së Islamit dhe gjatë kësaj kohe dijetarët “më të paanshëm e më të drejtët” vazhdojnë të nxjerrin dispozita islame për shi’at, të mbushura me ndjenjat e me dëshirat e tyre. Është e qartë se kjo rrugë shterpë u bë shkak që të hapet kjo gropë e madhe ndërmjet grupeve islame. Veç kësaj, për shkak të këtyre dispozitave pa asnjë vlerë, bota islame humbi shumë prej diturive të dijetarëve të mëdhenj të këtyre grupeve. Gjithashtu, bota islame humbi shumë edhe prej mendimeve të tyre të rralla dhe talenteve të tyre..."
Gjithashtu thotë: "Humbja që pësoi dituria ishte shumë më e madhe se humbja që pësuan shi’at dhe Shi’izmi, për shkak të punëve të kota që kanë hedhur mbi shi’at personat që i kanë urryer ata. Natyrisht që shi’at s’mbajnë asnjë përgjegjësi për punët që ata i akuzojnë. Sikur këta “dijetarë të paanshëm” të kishin ngritur veten mbi fanatizmin kur kanë shkruar për shi’at, ose kur kanë marrë prej shi’ave dhe të kishin ndjekur një rrugë studimi shkencor të shëndoshë, rrugë që i jep përparësi gjykimit të mendjes mbi gjykimin e zemrës, patjetër që do të kishin dhënë mendime që qëndrojnë mbi dëshirat dhe te ne do të kishte ardhur shumë dituri për shi’at dhe do të kishim përfituar shumë prej trashëgimisë së këtij medh’hebi..."
Dhe: "Studiuesi i paanshëm, në fushën e të vërtetave shkencore, merr prej shi’ave aq sa merr edhe prej medh’hebeve të tjera islame. Nëse me të vërtetë është i paanshëm, ai patjetër duhet të studiojë edhe fik’hun e shi’ave, kur studion fik’hun e katër medh’hebeve të Ehli Sunetit, pa harruar se Imam Xhafer Sadiku, i vdekur në vitin 148 Hixhreti, ngriti flamurin e fik’hut shi’it dhe, pa harruar, se Imam Xhafer Sadiku ka qenë mësuesi i dy imamëve prej medh’hebeve të Ehli Sunetit, Imamit Ebu Hanijfeh Nu'man ibn Thabit, vdekur në vitin 150 të Hixhretit dhe Imamit Ebu Abdullah Malik ibn Enes, vdekur në vitin 179 Hixhreti..."
Dhe: “Imami Ebu Hanijfeh, duke pohuar meritën e mësuesit të mëparshëm, ka thënë: “Sikur të mos ishin dy vjetët, Numani do të ishte shkatërruar.” Me numrin dy ai të thekson dy vjetët gjatë të cilëve mori dituri prej Xhafer ibn Muhamedit.”
Dhe: “Kurse Imam Malik ibn Enesi ka thënë: “Nuk kam parë më të ditur në çështjet e fik’hut se Xhafer ibn Muhamedin.”
Dhe: “Katastrofa qe më e madhe atëherë kur disa nxjerrësh hadithesh, që i atribuojnë vetes cilësinë e diturisë dhe vetëvishen me rrobën e dijetarit, sikur të ishin treguar të thjeshtë dhe të kishin pastruar veten nga vesi i ngritjes së vetes më lart nga sa ishin në të vërtetë, kurrë nuk do të kishin shpallur revoltën kundër grupeve islame dhe, në mënyrë të veçantë, kundër grupit të shi’ave. Është pikërisht kjo kategori prej mbledhësve të hadithit, të cilët, me ato që shkruan nëpër librat e tyre, i prenë rrugët studimit shkencor dhe mbyllën për veten e tyre portat e diturisë...”
MENDIMI I DR. ABDUL AZIJZ EL HILALIJ
Doktori i nderuar, në librin e tij “Abdullah ibn Sebe” thotë: “Padyshim që Ibn Sebe është person imagjinar, ai nuk ka ekzistuar. Nëse gjendet ndonjë person me këtë emër, me siguri që nuk e ka pasur rolin që i kanë atribuuar atij Sejfi dhe autorët që kanë shkruar për grupet islame, as nga ana politike e as nga ana e doktrinës.” (“Abdullah ibn Sebe”, f. 71.)
MENDIMI I PROF. AHMED AB’BAS SALIH
Profesor Ahmed Ab’bas Salih thotë: “Për Abdullah ibn Sebes thuhet se ai ishte një jehudi që kishte pranuar Islamin. Këtë person librat e historisë e përshkruajnë si shejtan, që qëndronte prapa ngatërresës në të cilën u vra Uthmani, madje ishte shejtani që qëndronte prapa të gjitha ngjarjeve. Ndaj këtij personi autorët e librave mbajnë qëndrime të kundërta. Ka autorë që e mohojnë ekzistencën e tij, autorë të tjerë e konsiderojnë atë shkakun e të gjitha ngjarjeve të rënda që ndodhën, madje e konsiderojnë themelin e çdo devijimi që hyri në Islam, përfshirë edhe daljen e medh’hebeve të çuditshme..."
Dhe: "...S’ka dyshim që Abdullah ibn Sebe është person mitik. Ku është ai ndaj të gjitha ngjarjeve? Ku është ai ndaj luftërave të ndryshme që janë bërë në këtë botë të madhe? Sa mundësi ka një person i vetëm, sado e madhe të jetë vlera e tij që të ketë rol në këto rryma që përleshen njëra me tjetrën me egërsi?..."
Dhe: "...Padyshim që është shumë naiv mendimi që synon të krijojë një person mitik dhe pastaj t’i japë këtij personi çdo lloj roli në ngjarjet që kanë ndodhur, por akoma më naiv është ai që mendon se ky burrë kishte një lloj ndikimi edhe mbi sahabët e mëdhenj, ndër të cilët mbi vetë Ebu Dherr El Gif’fariji, i cili nuk pranoi as diskutimin e përcjellësit të njohur të haditheve, Ebu Hurejre dhe jo më të pranonte fjalët e një personi, të quajtur Abdullh ibn Sebe, të cilin, sipas transmetimeve Ebu Dherri e goditi dhe madje i shkaktoi edhe një të çarë, duke i thënë me përçmim: “Ti do të na e mësosh fenë tonë, o biri i çifutes?!..”
Nuk ka asnjë dyshim se tregimet që janë thurur rreth Abdullah ibn Sebes, të gjitha janë fjalë të vëna prej të mëvonshmëve, për faktin e thjeshtë se në burimet e vjetra s’ka asnjë argument që vërteton se ai person ka ekzistuar, duke shtuar edhe sa mendjelehtësi është të mendohet se ai ka ekzistuar me të vërtetë." (“Eljemijnu ueljesàru fil-Islàm”, f. 95.)
MENDIMI I IBN EBUL HADIJD
Ibn Ebul Hadijd ka thënë: “Ibn Sebe është i pari që ka shprehur ekzagjerime në kohën e Aliut dhe ka thënë: “I pari që ka folur hapur për ekzagjerime në kohën e tij është Abdullah ibn Sebe, i cili është ngritur më këmbë kur ai po këndonte hytben dhe i ka thënë: “Ti, ti!” Këtë fjalë e ka përsëritur. Aliu i tha: “Ore, i mjeri ti! Kush jam unë?” Ai i tha: “Ti je Allahu.” Ai (Aliu) urdhëroi që ai të dënohet. Bashkë me të u dënuan edhe ata që mendonin si ai.” (“Sherhu Nehxhul-Belàgah”, vëllimi 5, faqe 5. kreu. 58.)
Të dashur lexues!
Cilido që studion faktet me të cilat është e rrethuar historia e Abdullah Ibn Sebe-s, nuk gjen asgjë që të bindet për të vërtetën se ai person ka ekzistuar dhe se ai ka qenë aktiv e ndikues.
Studiuesi i drejtë dhe i paanshëm ka plotësisht të drejtë të pyesë për Ibn Sebe-n: Prej nga i erdhi atij kjo fuqi? Si mundi ai të fillojë lëvizjen e tij, kur ishte nën vëzhgimin e njerëzve të Uthmanit, të qeveritarëve e të guvernatorëve të Uthmanit? Si mundi ai të ketë aq fuqi, sa të mbizotërojë mbi shoqërinë islame? Si kishte mundësi të lëvizë e të qarkullojë në të gjitha trevat e botës islame për të përhapur thirrjen e tij, pa e bërë të heshtë shpata e emevitëve, ose që atë ta kapte ndonjë prej guvernatorëve të Uthmanit, ose, më e pakta, ta internonin, ta largonin, ose edhe ta arrestonin?
Ne e dimë mirë se përkrahës të Aliut ishin vetëm sahabët më të afërm të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të e mbi familjen e tij!). Atëherë, nëse me të vërtetë Abdullah Ibn Sebe ka ekzistuar, duhej që ndjekësit e tij të ishin prej Ehli Sunetit.
Meqenëse Abdullah Ibn Sebe kishte kaq shumë talente dhe kaq shumë kapacitet politik, ku janë jahudinjtë që nuk flasin për të? Përse emri i tij nuk përmendet në historinë e tyre? Çfarë u bë me ndjekësit e tij dhe si qe përfundimi i tyre? Këto dhe pyetje të tjera nuk e lënë studiuesin e e drejtë dhe mendjendritur të mos i shtrojë dhe të kërkojë përgjigje të qarta.
Është detyrë e dijetarëve islam që të nxjerrin në pah të vërtetat, sepse llogaria do të jetë e vështirë për ata që i fshehin të vërtetat. Është detyrë e dijetarëve islam që të heqin dorë nga akuzat e pabaza. Ata duhet t’i përmbahen ajetit të Kur'anit: "O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëritjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë." (Sure "Huxhurat", ajeti 13). Devotshëmria ka kuptimin e të ruajturit nga të këqiajt dhe jo të përhapjes së të këqijave.
Gjithashtu Allahu i Madhëruar thotë në Kur'an: "Dhe mos anoni nga ata që bëjnë të këqija, përndryshe do t’ju përcëllojë Zjarri. Ju nuk do të keni mbrojtës tjetër përveç Allahut dhe nuk do të ndihmoheni." (Sure "Hud", ajeti 113)
Feja e pastër islame na urdhëron që të bazohemi te logjika e shëndoshë dhe jo te fantazitë dhe iluzionet. Të ndjekim personalitet e njohura islame dhe jo ata të paqenë e të shpikur.
Allahu na bëftë prej të devotshmëve dhe prej atyre që e kundërshtojnë padrejtësinë!
Burimi : Media e Lire