Përse është braktisur hadithi i anijes (hadithu sefineh)?

nga Vullnet Merja | Publikuar në Jan. 30, 2017, 4:31 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit Mëshirplotit!

Falenderimet më të sinqerta i takojnë Allahut të Madhëruar, i Cili na ka begatuar me fenë e fundit qiellore, Islamin. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi atë që e solli mëshirë për mbarë botët, Profetin Muhamed, mbi të gjithë të dërguarit e Allahut, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij të zgjedhur dhe mbi të gjithë besimtarët dhe besimtaret që e ndjekin rrugën e Tij me devotshmri deri në ditën e fundit të kësaj jete.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “…Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj…” (Sure “Hashr”, ajeti 7)

Së pari: Nga ky ajet i Kur’anit na sqarohet se Allahu e ka bërë detyrë bindjen ndaj profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) pa asnjë kusht. 

Së dyti: Na urdhëron që çdo gjë që na jep i dërguari i Allahut ne duhet ta marrim dhe të ndalojmë nga çdo gjë që ai na urdhëron të ndalojmë.

Së treti: Nga ky ajet nënkuptohet se është detyrë ruajtja dhe mësimi përmendësh i sunnetit të profetit Muhamed njësoj siç mësohet edhe Kur’ani i shenjtë.

Sigurisht, ne e dimë se Kur’ani nuk ka nevojë për verifikim të përcjellësit dhe as të tekstit, sepse ai është Fjala e Allahut dhe Ai e ka zbritur atë. Në shkencën e “Usulul fikh” (Parimet e Jurisprudencës Kur’ani është argument i prerë dhe i padiskutueshëm (huxhxhetun kat’ijetun). Kurse sunneti i profetit Muhamed ka nevojë për verifikime dhe studime të transmetuesve dhe të teksteve të haditheve. Për këtë shohim se hadithet e profetit klasifikohen në disa kategori si: Sahih, hasan, daijf, mursel, muteuatir, Ehad, etj.

Të shumtë janë librat që përmbajnë hadithet e profetit Muhamed tek muslimanët, shiitët dhe sunitët. Në ato gjenden hadithe të ndryshme që flasin për çështje të ndryshme që kanë lidhje me jetën individuale, familjare dhe shoqërore të muslimanëve. Në ato hadithe profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka sqaruar edhe pozitën e Familjes së tij të pastër (Ehli Bejti paqja qoftë mbi ta!). Edhe pse lexojmë shumë hadithe të profetit Muhamed rreth Ehli Bejtit, përsëri shohim se, fatkeqësisht, muslimanët nuk ia japin të drejtën atyre ashtu siç e meritojnë.

Shumica e tyre mjaftohen vetëm me thënien ne e duam Ehli Bejtin dhe e respektojmë. Mirëpo, kur lexojmë hadithet e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), shohim se ai nuk ka urdhëruar vetëm për dashurinë për Ehli Bejtin, por ai ka urdhëruar edhe për t’i pasuar dhe për t’i ndjekur ata.

Duke lexuar hadithet e shumta të ardhura nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) për Ehli Bejtin (paqja qoftë mbi ta!) dhe duke analizuar gjendjen e muslimanëve sot karshi Ehli Bjetit, lind pyetja: Vallë, a i jepet e drejta ashtu siç duhet Ehli Bejtit? Përse nuk nxirren në pah hadithe e shumta e të sakta që flasin për Ehli Bejtin?

Fatkeqësisht, sa herë që dikush flet apo shkruan për Ehli Bejtin, menjëherë etikohet si shiit apo rafidij apo akuzohet, shahet dhe ofendohet me fjalët më të ndyta e më të poshtra! Vallë përse ndodh kjo? A nuk jemi të gjithë pjestarë të ummetit të Muhamedit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famijen e tij!)? A nuk janë prej sunneti të profetit Muhamed hadithet që ka thënë për Ehli Bejtin e tij? Mos vallë, larg qoftë, ne jemi bërë këto ditë vërtetues të thënies së Allahut të Madhëruar në suren “Bekare”, ajeti 85: “…Mos vallë, një pjesë të Librit (Teuratit) e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?!...” e cila zbriti për jahudinjtë?

Nuk kemi për qëllim të paragjykojmë e as të marrim vendim për askënd sepse është Allahu, Ai, i cili do të na llogarisë për gjithçka. Nuk është detyra jonë që të vendosim se kush është prej banorëve të Xhennetit dhe kush prej banorëve të Xhehenemit. Askush nuk e ka kopetencën e gjykimit të njerëzve. Ajo i takon vetëm Allahut. Detyra jonë është të zbatojmë urdhrat e Tij dhe porositë e vulës së profetëve, profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) pa bërë asnjë dallim.

Të shumtë janë hadithet e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që flasin për pozitën e lartë të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!). Prej atyre haditheve është edhe Hadithi i Anijes (Hadithu Sefineh). Këtë hadith e kanë transmetuar shumë sahabë (shokë) të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ky hadith nxjerr në pah autoritetin e lartë të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!) dhe pozitën e tyre të lartë te Allahu i Madhëruar dhe te profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Në këtë hadith, profeti e shembëllon Ehli Bejtin e tij e anijen e Nuhut (paqja qoftë mbi të!). Në këtë artikull do të përmend emrat e disa prej atyre transmetuesve të njohur në mesin e Ehli Sunetit së bashku me tekstin e hadithit të transmetuar nga ata dhe burimin se ku gjendet hadithi.

1- Muhibudijn Et Tabarij ka përcjellë me zinxhir transmetimi nga Aliu se ka thënë: Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të! ka thënë: “Ehli Bejti im janë të njëjtë si anija e Nuhut. Ai që hipën në të shpëton, kush kapet pas saj fiton dhe kush nuk hipën në të futet në Zjarr.” (“Dhekhairul Ukba”, Faqja 20. E ka transmetuar edhe El Hadramij në librin “Uesiletul Meali”, faqja 120.)

2- Transmeton Mir Sejjid Ali El Hamedanij me zinxhir transmetimi nga Aliu se profeti ka thënë: “Ehli Bejti im është si anija e Nuhut. Kush kapet pas saj, ka shpëtuar dhe kush e kundërshton atë do të hyj në zjarr.” (“Jenabiul Meudeh”, faqja 245.)

3- Sujuti transmeton nga Ali ibn Ebi Talibi se ka thënë: “Ne Ehli Bejti në këtë ummet jemi si anija e Nuhut dhe si porta “El Hitatu” (porta më e vjetër e Xhamisë Aksa) për bijtë e izraelit.” (“Durerul Menthur”, vëll. 1, faqe 71, fundi i ajetit 58 i sures Bekare.)

4- Transmeton ibn Abasi nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet Allahut qofshin mbi të!) se ka thënë: “Shembulli i Ehli Bejtit tim tek ju është si shembulli i anijes së Nuhut. Ai që hipën në të shpëton dhe ai që zmbrapset prej saj mbytet.” (El Menakib, faqe 132 numër 173. Këtë hadith e ka transmetuar Es Sekhauij në “Istixhlab irtikaul guref”, faqe 81 dorëshkrim. El Hadramij në “El Uesiletul Mealij”, faqe 120.)

5- Transmeton Muhibudijn Et Tabarij se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “O Ali. Shembulli yt dhe i imamëve nga fëmijtë e tu pas meje është si shembulli i anijes së Nuhut. Ai që hipën në të shpëton dhe ai që zmbrapset prej saj mbytet.” (“Feraidu Simtejn”, vëllimi 2, faqe 244, hadithi numër 517. Këtë hadith e transmeton El Kunduzij el Hanefij në librin “Jenabiul Meudeh” faqe 28.)

6- El Hejthemij ka transmetuar nga Ebu Said El Khuderi, i cili ka thënë: Kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) se ka thënë: “Shembulli i Ehli Bejtit tim tek ju është si shembulli i anijes së Nuhut. Ai që hipën në të shpëton dhe ai që zmbrapset prej saj mbytet. Sigurisht, “Shembulli i Ehli Bejtit tim tek ju është si shembulli i portës “El Hitatu” për bijtë e izraelit. Kush hyn në të falet (i falen gjynahet).” (“Mexhmau Zeuaid”, vëllimi 9, faqe 168. Këtë hadith e ka transmetuar Es Sekhauij në “Istixhlab Irtikaul guref”, faqe 81 dorëshkrim; El Hameuejni në libri “Feraidu Simtejn”, vëllimi 2, faqe 242 hadithi numër 516; Kunduzij el Hanefij në librin “Jenabiul Meudeh” faqe 28.); El Kenxhij në lbrin “Kifajetu Talib”, faqe 378; El Hadramij në “El Uesiletul Mealij”, faqe 121.)

7- El Khatijb me zinxhir transmetimi nga Enes ibn Malik ka përcjellë se ky (Enes ibn Malik) ka transmetuar se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Shembulli i Ehli Bejtit tim tek ju është si shembulli i anijes së Nuhut. Ai që hipën në të shpëton dhe ai që zmbrapset prej saj mbytet.” (“Tarikhu Bagdad”, vëllimi 12, faqe 91.)

8- Ibn Megazelij ka përcjellë me zinxhir transmetimi nga Ejas ibn Selemetu ibn Ekua, nga babai i tij se ka thënë: Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Shembulli i Ehli Bejtit tim tek ju është si shembulli i anijes së Nuhut. Ai që hipën në të shpëton.” (“El Menakib”, faqe 132 hadithi numër 174; Kunduzij el Hanefij në librin “Jenabiul Meudeh” faqe 28.)

9- Abdullah ibn Zubejr ka transmetuar se pofeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Shembulli i Ehli Bejtit tim tek ju është si shembulli i anijes së Nuhut. Ai që hipën në të shpëton dhe ai që e braktis atë mbytet.” (“Mexhmau Zeuaid”, vëllimi 9, faqe 168. Këtë hadith e ka transmetuar Es Sekhauij në “Istixhlab irtikaul guref”, faqe 81; El Hadramij në “El Uesiletul Mealij”, faqe 121.)

10- El Hameujni përcjell me zinxhr transmetimi nga Muhamed ibn Idris Esh Shafiij, i cili ka thënë se na ka përcjell El Mufadal ibn Salih nga Ebi is’hak Es Sebiji dhe ky nga Hanesh ibn El Mu’temer El Kenanij i cili ka thënë: Kam dëgjuar Ebu Dherr El Gifarin, i cili po qëndronte në portën e Qabesë, të thoshte: “O ju njerëz. Ai që më njeh mua, unë jam ai që më njihni. Ai që nuk më njeh mua, unë jam Ebu Dherri. Unë e kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të thotë: Sigurisht, Shembulli i Ehli Bejtit tim tek ju është si shembulli i anijes së Nuhut. Ai që hyn në të shpëton dhe ai që zmbrapset prej saj mbytet.” (“Feraidu Simtejn”, vëllimi 2, faqe 246, hadithi numër 516. Këtë hadith e transmeton El Bedkhashij në librin “Nuzlul Ebrar”, faqe 6 me një ndryshim; El Hakim En Nijsaburij në librin “El Mustedrek ala es Sahihejn”, vëllimi 2, faqe 344 hadithi numër 150. Kunduzij el Hanefij në librin “Jenabiul Meudeh” faqe 27 me një ndryshim.)

11- El Hejthemij ka transmetuar se profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ehli Bejti im është si anija e Nuhut. Kush kapet pas saj, ka shpëtuar dhe kush e kundërshton atë do të hyj në zjarr. Kush na lufton ne në fundin e zamanit është si ai që lufton përkrah dexhalit.”  (“Mexhmau Zeuaid”, vëllimi 9, faqe 168; Këtë hadith, po ashtu e transmeton Ibn El Megazelij në “El Menakib”, faqe 134 hadithi numër 177; Edh Dhehebij në “Mijzanul I’tidal”, vëllimi 1, faqe 482, hadithi numër 1826. (Ai e ka përcjellë edhe me frazë tjetër: Kush i lufton ata është sikur lufton përkrah me dexhalin); El Asimij në “Zejnul Feta fi uexhhu shibhin mea Nuh”, faqe 373; El Bedkheshij në “Miftahul Nexha’”, faqe 15.)

12- Ibn Haxhr El Hejthemij ka thënë: Ky hadith ka ardhur me rrugë të ndryshme, të cilat forcojnë njëra-tjetrën: “Shembulli i Ehli Bejtit tim tek ju është si shembulli i anijes së Nuhut. Ai që hipën në të shpëton.” Në një transmetim të Muslimit thuhet: “dhe ai që zmbrapset prej saj mbytet.”  Në një transmetim tjetër thuhet shkatërrohet. Kurse thënia: Shembulli i Ehli Bejtit tek ju është si shembulli i portës El Hittatu për bijtë e izraelit, kush hyn në të atij i falen. Në një transmetim tjetër thuhet: atij i flen gjynahet, sepse Allahu e ka bërë hyrjen në atë portë (që është porta e Erijha apo e Bejtul Makdis) me modesti dhe duke kërkuar falje, e ka bërë shkak për faljen. Për këtë ummet, profeti e ka bërë dashurinë për Ehli Bejtin shkak të saj (faljes).”  (“Sauaikul Muhrikah”, faqe 91.)

13- El Menauij ka thënë: “Shembulli i Ehli Bejtit tim”, Fatimeja, Aliu, djemtë e tyre dhe fëmijtë e tyre, të drejtët dhe mbrojtësit e fesë, (te ju është si shembulli i anijes së Nuhut kush hipën në të shpëton dhe kush zmbrapset prej saj shkatërrohet”. Ngjashmëria e përbashkët është se ata që hipën në anijen e Nuhut janë të shpëtuar. Gjithashtu, Muhamed Mustafa (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i ka konstatuar ummetit të tij se shpëtimi i tyre është te kapja pas Ehli bejtit dhe pasimi i tyre. Kapja pas dashurisë së tyre, pas litarit të tyre dhe madhështisë së tyre është falenderim për mirësinë e Atij që i ka nderuar ata. Ai që ecën në udhëzimin e tyre është i shpëtuar nga errësirat dhe e ka kryer falenderimin e mirësisë. Ai që e kundërshton këtë mirësi do të mbytet në detin e mosmirënjohjes, në rrymën e padrejtësisë dhe do ta meritojë zjarrin. Urrejtja ndaj tyre të çon në zjarr siç ka ardhur në disa lajme. Sigurisht ata (Ehli Bejti) janë bijtë e imamëve udhëzues dhe pishtarë ndriçues, të cilët Allahu i ka bërë argument për robtë e Tij. Ata janë degët e pemës së bekuar dhe të zgjedhurit, të cilëve Allahu ua ka larguar papastërtitë dhe i ka pastruar plotësisht. Ai e ka bërë detyrë dashurinë për ata në shumë ajete të Kur’anit. Ata janë lidhja më e fortë dhe miniera e devotshmërisë. (“Fajdul Kadijr”, vëllimi 2, faqe 519.)

14- El Hameujni ka thënë: El Uahidij (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Shiko se si i ftoi njerëzit që të kapen pas vilajetit të tyre dhe rrugëtimit nën flamurin e tyre duke i shëmbëllyer ata me anijen e Nuhut (paqja qoftë mbi të!). Ai (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) e ka bërë Ehli Bejtin e tij shkak të largimit të frikës në Jetën Tjetër (Ahiret). Ajo ditë është e mbushur me frikë e tmerr prej zjarrit, i cili është si deti i tërbuar që përpin udhëtarët që udhëtojnë në të. Ehli Bejti i profetit janë shkaku i shpëtimit nga frika dhe tmerri i asaj dite. Ata janë shpëtimi prej mbytjes. Ashtu si nuk mund të kalohet deti me dallgë veçse me anije, po ashtu nuk ka shpëtim nga zjarri i Xhehenemit veçse me vilajetin e Ehli Bejtit. Vendbanimin e lumturisë dhe të begatisë e arrin vetëm ai që është nën vilajetin dhe pasimin e Ehli Bejtit të profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), i do me sinqeritet ata dhe vilajetin ndaj tyre e vërteton në besimin e tij. Ata të cilët e kundërshtojnë atë anije dhe nuk hipin në të, kanë anuar nga e keqja e madhe. Ata dalin nga kjo dynja dhe shkojnë të prangosur në Xhehenem. Ashtu siç i ka shembëllyer me anijen e Nuhut, profeti i ka shoqëruar edhe me Librin e Allahut të Madhëruar…” (“Feraidu Simtejn”, vëllimi 2, faqe 249 hadithi 519.)

Më poshtë po përmendim vetëm burimet në të cilët gjendet Hadithi i Anijes, të cilin e kanë transmetuar dijetarë dhe hafiza të Ehli Sunetit:

1- Xhelaludijn Sujuti në tefsirin e tij “Ed Durul Menthur”, vëllimi 3, faqe 334; El Xhamiu Sagijr, i shpjeguar nga El Menauij, vëllimi 2, faqe 915 hadithi 2442; Khasaisul Kubra.

2- Ebu El Mu’ejed el Muafak ibn Ahmed El Mekkij në “Maktelul Husein, vëllimi 1, faqe 104.

3- Esh Shejkh Muhamed Sadrul Alem në “Mearixhul Ulaa fi Menakibul Murteda”, faqe 146.

4- Jusuf ibn Kaugelij Sibt ibn El Xhezij në librin “Tedhkiretul Khaauas” faqe 323.

5- Xhemaludijn Ez Zerendij El Hanefij në librin “Nudhum Durer Es Simtejn”, faqe 235

6- Ali ibn Muhamed Es Sabbag El Malikij në librin “El Fusulul Muhimeh”, faqe 26.

7- Es Sejid Ahmed Zejni i njohur me emrin Dahlan në librin “El Fet’hul Mubijn fi Fadail Khulefai Rrashidijn ue Ehli Bejti Et Tahirijn” në Hamish Esijretu Nebeuijeh, vëllimi 2, faqe 282.

8- Mbreti i dijetarëve, Shehabudijn Ed Deulet Abadij në librin “Hidajetu Es Suada”, faqe 723.

9- Muhamed Es Sabban në librin “Is’afu Rragibijn”, faqe 101.

10- Esh Shejkh Abdu Rrauf El Menauij El Masrij në librin “Kunuzul Hakaik”, nga i cili e ka përcjellë El Kanduzij në librin “Jenabiul Meuedeh”, kreu i 56 faqja 181.

11- Mexhdudijn ibn El Ethijr në “En Nihajetu” dhe El Ether, vëllimi 2, f. 298.

12- Muhamed Murteda Ez Zubejdij në “Taxhul Arus”, vëllimi 2, faqe 259

Vërtet, dashuria për Ehli Bejtin, besnikëria ndaj tyre dhe pasimi i tyre është një element nga elementet bazë të bindjes ideologjike. Është prej përbërësve të besimit dhe prej bazavetë mesazhit brilant të pofetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!).

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familje e tij!) ka thënë: “Ne jemi Ehli Bejti dhe nuk matet askush me ne.”
(El-Firdeus i Dejlemijut, 4: 283/6838. Dhekhairu’l-‘Ukba, 17. Kenzu’l-‘Ummal, 6: 218. Kunuzu’l-Hakaik i Abdu’r-Rauf El-Munauij, 153, Daru’l-Kutubi’l-Ilmijje, Bejrut. Feraidu’s-Simtejn, 1: 45.)

Allahu na bëftë prej zbatuesve të Fjalës së Tij që thotë: “Thuaj: ‘Nuk ju kërkoj për këtë kurrfarë shpërblimi, përveç se dashurisë ndajtë afërmve.(Sure “Shura”, ajeti 23)

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI