Porosi të Profetit Muhamed për İmam Aliun

nga Vullnet Merja | Publikuar në Jan. 22, 2017, 4:21 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit. Falenderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur.

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Allahu i Madhëruar thotë: “E Allahut është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ne i kemi porositur ata që u është shpallur Libri para jush dhe juve: “Frikësojuni Allahut! Nëse mohoni, dijeni se Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu është i Vetëmjaftueshëm dhe i Denjë për çdo lavdërim.” (Sure “Nisa”, ajeti 131.)

Kuptimi i porosisë është që të nxisësh të tjerët në bërjen e të mirave dhe t’i paralajmërosh ata nga e keqja. Në ajetin e lartpërmendur lexojmë se Allahu i Madhëruar na porosit të gjithëve që në këtë jetë të jemi të devotshëm. Sigurisht që porosia e Allahut për devotshmëri është porosia më madhështore dhe themeli i të gjitha të mirave sepse devotshëmria është diga më e fortë në përballjen me furtunat e të keqes. Padyshim që porosia ka ndikim të madh edukativ. Nëpërmjet porosisë së drejtë arrihet udhëzimi, lumturia dhe shpëtimi në të dyja jetët.

Në Kur’anin e shenjtë ka ajete që tregojnë se pofetët e Allahut kanë porositur familjet e tyre dhe popujt e tyre. Prej tyre është ajeti: “Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanë të nënshtruar ndaj Atij!” (Sure “Bekare”, ajeti 132)

Mirëpo, ndër të gjithë të dërguarit, Allahu i Madhëuar e paisi vulën e të dërguarve profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi mbi familjen e tij!) me shumë veçanti. Ndër to ishte edhe bukuria e fjalës dhe ëmbëlsia e saj. Ai përdorte fjalë të pakta e fjali të shkurtra, por shumë domethënëse. Ky është shkaku që porositë e profetit Muhamed edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të shkruhen me germa të arta dhe në shumë gjuhë të botës.

Profeti Muhamed nuk fliste sipas qejfit dhe dëshrës së tij por çdo thëie e tij ishte shpallje e shpallur. Në Kur’an thuhet: Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij. Atë ia ka mësuar atij një (engjëll) shumë i fuqishëm (Xhebraili), mendjelartë, që iu paraqit qartë, në horizontin më të lartë. (Sure “Nexhm”, ajetet 3-7)

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) gjithmonë i porosiste shokët e tij. Prej porosive mjaft domethënëse janë pororsitë e profetit për prijësin e besimtarëve, imam Aliun (paqja qoftë mbi të!). Më poshtë po përmedim disa prej atyre porosive.   

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i ka thënë imam Aliut (paqja qoftë mbi të!):

O Ali. Po të jap disa porosi. Nëse i ruan porositë e mia do të jesh në mirësi.

O Ali: Vërtet, besimtari ka tri shenja: Namazin, Zekatin dhe Agjërimin.

O Ali: I padrejti ka tri shenja: I lajkaton njerëzit me gënjeshtër kur i sheh, i përgojon kur nuk janë të pranishëm dhe gëzohet për fatkeqsinë e tjetrit.

O Ali: Për burrin ka tri shenja: është aktiv kur ndodhet me njerëzit dhe përtac kur është i vetëm dhe don që të lavdërohet në të gjitha çështjet e tij.

O Ali. Lexoje suren Jasin sepse në të ka dhjetë të mira: Nëse e lexon i urituri, ngopet; nëse e lexon i eturi i shuhet etja; nëse e lexon i zhveshuri, Allahu  Madhëruar e vesh atë; nëse e lexon beqari, martohet; nëse e lexon i frikësuari, Allahu e siguron; nëse e lexon i sëmuri, shërohet; nëse e lexon i burgosuri, Allahu e shpëton nga burgu; nëse e lexon udhëtari, Allahu i Madhëruar e ndihmon në udhëtim; nëse i lexohet të vdekurit, atij i lehtësohen momentet e daljes së shpirtit, ndëshkimi dhe dënimi; nëse e lexon i humburi, Allahu e udhëzon; nëse e lexon pronari i diçkaje të humbur, ai e gjen atë.

O Ali. Hipokriti ka tri shenja: kur flet gënjen, kur i besohet diçka, tradhëton dhe kur premton, nuk e zbaton premtimin.

O Ali. Nëse dikush të bën padrejtësi, mos iu anko askujt dhe mos ia thuaj askujt prej njerëzve, sepse nëse ua thua, ti i njeh ata me gjynahun e tij dhe bëhesh i njëjtë me atë (të padrejtin).

O Ali. Ai që ia fal vëllait të tij padrejtësinë e vogël apo të madhe do të ketë shpërblim tek Allahu dhe do të jetë prej të afërmëve të cilët hyjnë të kënaqur në Xhennet.

O Ali. Bereqeti ndodhet në katër cilësi: 1-Mos shiko ato që janë në duart e të tjerve. 2-  Mos u mbështet tek krijesa. 3- Mendo mirë për Allahun.  4-  Mos e mendo të shumtë punën tënde.

O Ali. I ligu ka katër cilësi: Pangopësia e syrit, ashpërsia e zemrës, shpresat e largëta dhe dashuria e madhe për këtë jetë.

O Ali. I kënaquri ka katër cilësi: Nuk gëzohet me pasurinë, nuk ka frikë, nuk interesohet për furnizimin dhe nuk zemërohet për këtë jetë.

O Ali. Idioti ka tri cilësi: Grindet me atë që është më lart se ai, është kryeneç dhe mendjemadh ndaj atij që është më poshtë se ai dhe e grumbullon pasurinë me haram (të ndaluara). 

O Ali. I keqi ka tri shenja: Heziton në kohën e namazit, flet shumë por nuk e përmend Allahun dhe ka dëshirë të pakët ndaj bindjes së Allahut.

O Ali. I lumturi ka tri cilësi: Thënia e vërtetë në brendinë e tij para se t’i kërkohet që ai ta thotë, dëshiron shumë përmendjen e Allahut dhe kujdeset shumë për bindjen ndaj Allahut.

O Ali. Mburracaku ka gjashtë cilësi: Kur falet me njerëzit e zgjat rukunë dhe suxhudin; i shkurton kur është vetëm; është modest ndaj njerëzve; mendjemadh ndaj familjes së tij, thotë fjalë të këqija dhe i përmend shumë të këqijat e njerëzve.

O Ali. Bamirësi ka katër cilësi: E brendshmja e tij është më e mirë se sa e jashtmja e tij, i bën mirë atij që i bën keq, jep në fshehtësi dhe mbulon të këqijat e njerëzve.

O Ali. Nëse dikush të lavdëron në sy thuaj: Falenderoj Alahun i cili më bëri prej atyre që më mendojnë të mirë. O Zot më fal mua atë që nuk e dinë dhe mos më qorto për atë që thonë për mua.”

O Ali. Vërtet, eulijatë (të dashurit) e Allahut të Madhëruar e fitojnë mëshirën e gjerë të Allahut dhe faljen e Tij vetëm me adhurimin e shumtë, me asketizmin, me shpirtmirësinë, me nënvleftësmin e dynjasë dhe me braktisjen e saj.

O Ali. Në portën e Xhenetit është shkruar: Unë jam i ndaluar për çdo koprac, mburracak dhe për atë që sillet keq me prindërit e tij.

O Ali. Kur Allahu i Madhëruar e krijoi Xhennetin, Xhenneti i tha: O Zoti im. Për kë më ke krijuar? Të krijova për çdo bujar të devotshëm. Xheneti tha: Jam i kënaqur për këtë. O Zoti im. Kush e kundërshton egon e vet, unë (Xhenneti) do të jetë vendbanimi i tij dhe kush i bindet egos së vet, zjarri do të jetë vendbanimi i tij.

O Ali. Kur Allahu e krijoi zjarrin, zjarri i tha: O Zoti im.Për kë më ke krijuar? Allahu i Madhruar i tha: Të krijova ty për çdo koprac mendjemadh. Zjarri i tha: E pranoj krijimin.”

O Ali. Nderoje fqinjin tënd, edhe nëse është i pafe.

O Ali. Kush ushqehet me hallall, ai pastron besimin e tij, i zbutet zemra, i lotojnë sytë nga frika ndaj Allahut dhe nuk gjendet pengesë për lutjen e tij.

O Ali. Ai që ushqehet me ushqime të dyshuara, atij i dyshohet feja (besimi) dhe i bën padejtësi zemrës së tij.

O Ali. Nëse prijësi nuk është i drejtë, ai është si reja që s’ka shi. Nëse i pasuri nuk është bujar, ai është si pema pa fruta. Nëse dijetari nuk është i devotshëm, ai është si qiriu që djeg veten e tij për interes të tjerëve. Nëse i varfëri nuk është i durueshëm, ai është si toka pa të mbjella. Njëse i riu nuk është pendues, ai është si pusi pa ujë. Nëse femra nuk ka turp, ajo është si ushqimi që s’ka kripë. O Ali. Nëse prijësi është i drejtë, ai do të ketë shpërlimin e Ismailit. Nëse i pasuri është bujar, ai do të ketë shpërblimin e Ibrahimit. Nëse i varfëri është i durueshëm, ai do të ketë shpërblimin e Ejubit. Nëse femra do të jetë e turpshme, ajo do të ketë shpërblimin e Merjemes. Nëse dijetari është i devotshëm, ai do të ketë shpërblimin e Ja’kubit.

O Ali. Namazi është shtylla e fesë.Vërtet, Allahu dhe melekët bien në salavat për profetin dhe bien në salavat për atë që fal namazin. Dy rekate namaz natën janë më të mira se njëmijë rekate ditën.

O Ali. Namazi i natës është dritë për atë që e fal në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër. Në Ditën e Kijametit namazfalësi i namazit të natës do të tubohet i hipur mbi një deve prej deveve të Xhenetit dhe në të djathtën e tij do të ketë pafajsinë e shpëtimit prej zjarrit dhe sigurinë prej dënimit të Mposhtësit (Allahut).

O Ali. Ai që fal namazin e natës, për çdo rekat do të ketë një pallat, për çdo sexhde hyri. Prej nderimit të falësit të namazit të narës është se Allahu e don atë dhe e bën të dashur tek njerëzit, i jep shëndet dhe ia zgjeron rrizkun.

O Ali. Ai që ecën për të falur namazin me xhemat do t’i shkruhet shpërblimi i një haxhi. Ai që ecën për të falur nafile (namaz vullnetar) do t’i shkruhet shpërblimi i një umreje.

O Ali. Ji dijetar ose nxënës ose dëgjues dhe mos ji i katërt. Imami i tha: Kush është i katërti? Profeti iu përgjigj: Është ai, i cili as nuk di, as nuk meson, as nuk u mëson dhe as nuk e dëgjon dijen.

O Ali. Adhuruesi i paditur është si ai që mat ujin e detit dhe nuk e di tepricën nga mangësia e tij.

O Ali. Kërkoje diturinë qoftë edhe në Kinë sepse s’ka gjë më të dashur tek Allahu se sa dijetari apo nxënësi apo dëgjuesi i dijes.

O Ali. Nderoje mikun që viziton për hir të Allahut sepse ai që e nderon mikun e Allahut atë e nderon Allahu. Kush e urren mikun e Allahut atë e urren Allahu. Nëse miku shkon në një shtëpi me të shkon edhe rrizku u tij. Kur largohet, largohen edhe mëkatet e familjes dhe hidhen në det.

O Ali. Kujdesu për fqinjin edhe sikur të jetë jobesimtar. Ji i dashur dhe zemërbutë me fqinjin. Dije se ai që ka smirë për fqinjin e tij, Allahu ia mbyll atij jetën në të kotë dhe ia merr atij pasurinë. 

O Ali. Mjerë ti dhe smira, sepse smira i djeg të mirat ashtu siç i djeg zjarri drutë.

O Ali. Mjerë ti dhe gënjeshtra sepse ajo është prej moralit të hipokritëve. Mjerë ti dhe thashethemet, sepse Allahu ia ka ndaluar Xhenetin koprracit, atij që merret me thashetheme, mburracakut, atij që sillet keq me prindërit, pirësit të alkoolit, grave të shthurura, atij që kryen marrëdhënie me kafshët, atij që i bën keq fqinjit të vet. Të gjithë këta nuk hyjnë në Xhenet vetëm nëse pendohen dhe kërkojnë falje.

O Ali. Nderoje të moshuarin dhe mëshiroje të voglin. Bëhu për të huajin si vëlla dhe bëhu për jetimin si baba i dhembshëm. Nëse je i tillë, Allahu do të të shkruajë ty për çdo hap njëmijë të mira dhe do të të fshijë njëmijë të këqija dhe do të të japë për çdo të mirë një pallat në Xhenet.

O Ali. Ulu me të varfërit të të lartësohet pozita tek Allahu. O Ali. Ai që nderon të pasurin dhe poshtëron të varfërin në qiej e në tokë quhet armik i Allahut. 

O Ali. Agjëroi ditët e bardha, sepse ato janë si agjërimi i një viti të plotë. Kushdo që agjëron Ramazanin dhe e vazhdon me gjashtë ditë nga Shevali, është njësoj sikur ka agjëruar gjithë kohët.

O Ali. Mbuloji të këqijat e njerëzve që Allahu të t’i mbulojë të këqijat e tua. Ai që ia mbulon të këqijat njerëzve, Allahu do t’i zbresë atij shtatëdhejtë mëshira dhe do t’i hedhë shtatëdhjetë bereqete mbi pasurinë e tij.

O Ali. Thuaje të vërtetën qoftë edhe kundër vetes tënde dhe jep sadeka qoftë edhe një hurmë, sepse sadekaja largon të këqijat.

O Ali. Allahu është i zemëruar ndaj tre personave: Ai që  fle i ngopur dhe e di që fqinji i tij është i uritur. Ai që e rreh shërbyesin (skllavin) e tij pa bërë mëkat dhe ai që e refuzon dhuratën e shokut apo të mikut të tij të cilën nuk ia ka kërkuar.

O Ali. Mos ji kokëfortë dhe mos u shoqëro me kokëfortët. Mos ji koprac dhe mos u shoqëro me kopracët sepse kopracia është një pemë në Xhehenem. Kushdo që kapet pas një dege të saj hyn në zjarr.

O Ali. Kopraci është larg Allahut, larg mëshirës së Tij, larg Xhenetit dhe afër zjarrit.

O Ali. Zemërgjëri është afër Allahut, afër mëshirës së Tij dhe larg dënimit të Tij.

O Ali. Kënaqu me pak nga dynjaja dhe jep kur ke pak sepse Allahu e begaton atë. Ai që vepron kështu Allahu do ta ringjallë me profetët në Ditën e Kijametit.

O Ali. Pakësoje ushqimin të jesh i shëndetshëm. Ki kujdes nga ngopja sepse ajo trashëgon ashpërsi të zemrës.

O Ali. Mos ia thuaj sekretin tënd as njerëzve dhe as grave, sepse ato nuk mbajnë sekrete.
O Ali. Mos i beso shokut derisa ta provosh atë.Top of FormBottom of Form

O Ali. Kur të vijë koha e namazit, përgatitu për atë dhe kujdesu që djalli mos të të punësojë ndaj tij.

O Ali. Mos u shoqëro me pijanecin e alkolit sepse ai është i mallkuar ai që e shet atë. As mos u shoqëro me atë që mban alkol sepse ai në qiell quhet armik i Allahut. I tillë është edhe ai që ushqyesi me kamatë.

O Ali. Mos e mallko myslimanin dhe as kafshën sepse mallkimi të kthehet ty.

O Ali. Gjumi i tepërt sjell varfëri dhe trashëgon pendim.

O Ali. Kush gëzohet me ëmbëlsinë e mëkatit, do të qajë kur të provojë hidhësinë e dënimit.

O Ali. Kush gëzohet me padrejtësnë që i bën fqinjit të tij, do të qajë për ngushtinë e varrit.

O Ali. Kush gëzohet me ëmbëlsinë e dynjasë, do të qajë kur t’i jepet libri (i veprave) nga e majta e tij.

O Ali. Xhihadi më i madh është ai se kur njeriu zgjohet nuk mendon t’i bëjë padrejtësi askujt.

O Ali. Allahu ia ka ndaluar Xhennetit çdo imorali, atij që flet fjalë të këqija e të ndyta dhe çdo njeriu që nuk interesohet për ato që ai thotë e as për ato që atij i thonë.

O Ali. Mos mos bëj shumë shaka  sepse të ikën madhështia. Mos gënje sepse të ikën drita (nuri) jote. Bëj kujdes nga mërzia dhe nga dembelizmi sepse kur mërzitesh nuk duron ndaj të vërtetës dhe kur dembelosesh nuk e vepron të vërtetën.

O Ali. Ai njeri nga gjuha e të cilit njerëzit kanë frikë, ai është prej banorëve të zjarrit.

O Ali. Pirësi i alkolit është si adhuruesi i idhujve.

O Ali. Njeri i keq është ai që njerëzit i bëjnë mirë atij për t’u ruajtur nga e keqja e tij.

O Ali. Njeriu më i keq është ai që shet Ahiretin e tij për dynjanë e tij. Më i keq se ky, është ai që shet Ahiretin e tij për dynjanë e një tjetri.

Sa shumë kemi nevojë për këto porosi! Sidomos në këtë kohë në të cilën njerëzit janë të zhytur në botën e materializmit dhe e kanë harruar botën shpirtërore!

Sigurisht, këto porosi të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mi famijen e tij!) janë të vlefshme për çdo kohë dhe për çdo vend.

Në Kur’anin e shenjtë lexojmë: “…Pra, jepu lajme të gëzueshme robëve të Mi, të cilët, pasi i dëgjojnë fjalët (që u thuhen), ndjekin atë që është më e mira prej tyre. Këta janë ata që Allahu i ka udhëzuar në rrugë të drejtë; këta janë mendarët.” (Sure “Zumer”, ajetet 17-18)

Padyshim që fjala më e mrë dhe porosia më e përkryer janë ato të Allahut, të profetëve në përgjithësi dhe të profetit Muhamed në veçanti si dhe ato të eulijave (të dashurve) të Allahut. Allahu i Madhëruar na bëftë prej atyre që i dëgjojnë thëniet dhe porositë dobiprurëse dhe i zbatojnë ato në jetën e tyre.  



Burimi : Media e Lire

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI