Uniteti islam në mendimin e İmam Khomeinit

nga Vullnet Merja | Publikuar në Jan. 17, 2017, 10:18 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit. Falenderimet I takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur.

Es Selamu alejkum ue rahmetullahi ue berakatuhu!

Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi ju!

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Të gjithë mbahuni të lidhur fort me Allahun, përmes Kuranit dhe mos u përçani! Kujtoni dhuntitë e Allahut për ju. Kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja, në sajë të dhuntisë së Tij, u bëtë vëllezër. Kur ju ishit buzë greminës së zjarrit, Ai ju shpëtoi. Kështu jua shpjegon Allahu i Madhëruar shpalljet e Veta, që ju të drejtoheni në udhën e drejtë.”  (Sure “Ali Imran”, ajeti 103)

Udhëzimet e përmendura në këtë ajet të Kur’anit janë të prera dhe flasin qartë për domosdoshmërinë e unitetit ndërmjet muslimanëve. Ajeti i drejtohet muslimanëve që të kapen fort pas litarit të Allahut, pas Kuranit, pas fesë së pastër islame.

Prej detyra të muslimanëve, suni dhe shia, është uniteti, bashkimi, vëllazëria, solidariteti dhe bashkëpunimi mes tyre me devotshëmri e harmoni. Të  gjitha këto janë edhe porosi të Kur’anit dhe të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Të gjithë muslimanët i bashkon besimi në Allahun e Vetëm e të Pashoq, besimi në profecinë e profetit Muhamed, vula e profetëve, besimi në Kur’anin e shenjtë, Libri i fundit i ardhur nga Allahu i Madhëruar. Ata i bashkojnë adhurimet si namazi, agjërimi, haxhi, zeqati, etj. Me një fjalë, ata i bashkon feja e pastër islame, e cia është fe mbarëbotërore, me të cilën Allahu i Plotfuqishëm përbylli fetë e Tij.

Uniteti islam është kështjella e fortifikuar për të cilën ka folur vazhdimisht Allahu i Madhëruar në Kuranin e shenjtë. Uniteti është vëllazëria që duhet të ekzistojë ndërmjet muslimanëve. Uniteti është themeli i vëllazërisë mes muslimanëve, të cilin i Dërguari i Allahut e bëri në Medinën e Shndritshme, që ishte vëllazërimi ndërmjet Ensarëve (përkrahësve medinas) dhe Muhaxhirëve (emigruesve nga Meka). Ky ka qenë orientimi strategjik i Profetit tonë të dashur (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), që prej ditës së parë që emigroi në Medine.

Libri i Allahut, Kur’ani i shenjtë, përmban shumë ajete që sqarojnë rëndësinë e madhe të unitetit mes muslimanëve. Fjala e Allahut i urdhëron muslimanët që t’i lënë mënjanë konfliktet, urrjejtjet dhe përçarjen. Ndër ato ajete përmendim:

Allahu i Madhëruar thotë :

“Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe mos u grindni ndërmjet jush, sepse do të humbni guximin dhe do t’ju lërë fuqia. Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.” (Sure “Enfal”, ajeti 46.)

“Vërtet,  besimtarët janë vëllezër me njëri-tjetrin, prandaj është detyra  juaj që t’i pajtoni ata. Kijeni frikë Allahun, nëse e shpresoni vërtet Mëshirën e Tij.” (Sure “Huxhurat”, ajeti 10.)

“Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, për në fenë e pastër islame, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 104.)

“Mos u bëni si ata, të cilët, pasi u erdhën provat e qarta, u përçanë dhe u grindën. Për këta do të ketë dënim të madh.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 105.)

“Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Te Allahu është puna e tyre. Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar” (Sure “En’am”, ajeti 159)

“Vërtet, kjo bashkësia juaj është një e vetme, ndërsa Unë jam Zoti juaj, prandaj frikësohuni prej Meje”  (Sure “Mu’minun”, ajeti 52.)

Uniteti islam është një prej shtyllave më të rëndësishme të fesë islame. Të shumtë janë dijetarët e nderuar, suni dhe shiia, të cilët ftonin në unitet e vëllazëri. Prej atyre ka qenë edhe Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!), i cili i ka kushtuar një vëmendje dhe rëndësi të veçantë unitetit mes muslimanëve.

Imam Khomeini ka thënë: “Allahu i Madhëruar na ka begatuar me mirësinë e madhe të Islamit. Kjo fe madhështore na përfshin të gjithëve me të gjithë diversitetin, me kundërshtitë, apo mosdakordësitë që mund të kemi për çështje të caktuara. Është kjo fe madhështore dhe gjithëpërfshirëse ajo që e ka mundësinë të na mbështjellë të gjithëve ne, edhe pse jemi të ndarë dhe të përçarë me njëri- tetrin për arsye të identitetve tona të ndryshme fisnore, racore, kombëtare, gjeografike dhe kulturore. Ditën që Allahu i Madhëruar na udhëzoi dhe na bëri pjesë të fesë së Tij, ditën që Ai na bëri pjesë të udhëzimit me të cilin erdhi profeti Muhamed Mustafa, (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), Ai na ka nxjerrë automatikisht prej skutave të errëta të dasive dhe kundërshtive false, për tek mëshira, paqja dhe mirësia e Islamit. Kjo është njëra prej mirësive më të mëdha me të cilat na ka begatuar Allahu i Madhëruar.”

Imam Khomeini, (Zoti qoftë i kënaqur me të!), ka qenë i vetëdijshëm për rrezikun që u kanosej muslimanëve. Pjesa më e madhe e ligjëratave, e fjalimeve dhe e referateve të tij janë të mbushura me këshilla, ftesa dhe thirrje drejtuar muslimanëve për unitet. Ai nuk i ka kursyer energjitë e tij për t’u shpjeguar muslimanëve rrezikun që u kanoset, në rast se përçahen dhe kanë kundërshti ndërmjet njëri-tjetrin. Ai ka qenë promovuesi dhe mbështetësi kryesor i ushtrimit në praktikë të unitetit islam duke e lënë atë trashëgimi edhe për brezat e ardhshëm.

Imam Khomeini, (Zoti qoftë i kënaqur me të!), bazuar në ajetet e Kur’anit dhe në sunetin e profetit Muhamed,  ka hedhur dritë dhe i ka dhënë rëndësi të veçantë unitetit islam.

Lidhur me këtë aspekt, ai ka thënë:

“Kur’ani e ka trajtuar si aktin më të rëndësishëm të besëlidhjes marrëdhënien e besimtarëve ndërmjet tyre. Shpresa ime e madhe është që të jemi bashkë dhe të jemi një, sepse të gjithë muslimanët janë vëllezër, pavarësisht nëse janë shiitë apo sunitë... Duhet të jemi të bashkuar, sepse Kur’ani Famëlartë na konsideron vëllezër të njeri-tjetrit. Ai e ka përcaktuar qartë dhe në mënyrë të prerë kornizën e aktit të vëllazërisë së nënshkruar ndërmjet besimtarëve që prej ditës kur pranojnë islamin si fe. Kështu, pra, një musliman që gjëndet në një cep të botës dhe një besimtar musliman që gjëndet në cepin tjetër të saj, janë vëllezër me njëri-tjetrin, edhe pse ata janë shum larg njëri-tjetrit. Për asnjë arsye nuk duhet të ndahen me njëri-tjetri. Ata duhet të mbeten vëllezër, sido që të vijnë rrethanat e jetës. Ky është një udhëzim i qartë dhe i prerë i Islamit. Muslimanët, kudo qofshin nëpër botë duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të kuptojnë se interesi i tyre i përbashkët është ai i Islamit... Çdo sulm që ushtrohet ndaj një shteti musliman duhet të konsiderohet si sulm ndaj të gjithë muslimanëve.. Shpreh dëshirën time të madhe që të gjitha vendet islame të zotërojnë fatet e tyre, të triumfojnë ndaj planeve djallëzore të Fuqive të Mëdha si dhe të munden që të venë në jetë të gjitha dispozitat islame.”

Imami i nderuar, (Zoti qoftë i kënaqur me të!), ka paralajmëruar vazhdimisht për  rrezikun e madh të përçarjes dhe të konflikteve ndërmjet muslimanëve. Për këtë ai ka thënë:

“Është detyrë madhore e të gjithë muslimanëve sot që të bashkohen me njëri-tjetrin. Është detyrë e tyre që të mos konfiktohen ndërmjet njëri-tjetrit për shkak të dispozitave të fesë, sepse Islami e ka ndaluar rreptësisht konfliktin dhe përçarjen. Është e ndaluar rreptësisht përçarja dhe konflikti ndërmjet muslimanëve, cilado qoftë arsyeja. Kjo theksohet në tekstet e Kur’anit Famëlartë dhe në hadithe të ndryshme. Të gjithë duhet të binden se konfliktet dhe përçarja ndërmjet muslimanëve është dobësim, dëshpërim dhe humbje për të gjithë ata, qoftë ky konflikt në nivel individual, qoftë në nivel shtetëror. Këto janë udhëzimet dhe urdhërat e prera të Allahut, të cilat nuk duhen nënvlerësuar në asnjë mënyrë. Të gjithë ata që pretendojnë islamin, që përpiqen të përçajnë muslimanët dhe të mbjellin ndërmjet tyre konflikte, nuk janë pasues të Islamit të vërtetë, nuk janë të lidhur shpirtërisht me Qabenë. Islami nuk ka zënë vend akoma në zemrat e tyre. Besimtarë dhe muslimanë të vërtetë janë ata që u dorëzohen plotësisht urdhëresave të islamit dhe dispozitave të tij. Besimtarë të vërtetë janë ata që i nënshtrohen frymës së teksteve kuranore, e cila i konsideron të gjithë besimtarët vëllezër të njëri-tjetrit. Është detyrë e të gjithë muslimanëve që të venë në jetë të gjitha derivatet që rrjedhin prej termit “vëllazëri”. Nuk ka dyshim se vëllazëri e plotë dhe e sinqertë do të thotë që të gjithë besimtarët të ndjejnë dhimbje për dhimbjet e njëri-tjetrit dhe të gëzohen për gëzimet e njëri-tjetrit.”

Vazhdimisht imam Khomeini i ka ftuar muslimanët që të bëjnë kujdes dhe të eleminojnë çdo lloj përçarje ndërmjet anëtarëve të një umeti të vetëm. Sa elokuente është kjo shprehje e Imamit të nderuar, i cili ka thënë: “Çdo fjalë dhe çdo shprehje që mund të bëhet shkak për përçarjen e  muslimanëve është e dalë prej gjuhës së një shejtani.”

Gjithashtu, transmetohet prej imam Khomeinit se ka thënë: “Nuk ka dyshim se përçarja e muslimanëve është prej punëve të shejtanit, ndërsa bashkimi dhe unitetit i tyre është prej punëve të Rrahmanit, Mëshiruesit”

Në një thënie tjetër imami i nderuar ka thënë: “Të shtrenjtët e mi! Ju ftoj ta evitoni konfliktin dhe përçarjen ndërmjet jush, sepse ajo është prej nxitjeve të Iblisit të mallkuar.  Edhe nëse ndodh që të kemi kundërshti apo mospajtim në mes tonë, është e nevojshme që të ulemi dhe të dialogojmë në mënyrë konstruktive dhe të qetë. Kjo është mënyra më e përshtatshme për të zgjidhur konfliktet mes nesh. Në rast të kundërt, nëse konfliktohemi më njëri-tjetrin, duke u sharë dhe duke u akuzuar për heretizëm, njerëzit do të hyjnë në trishtim të thellë dhe kanë për të na braktisur pa më të voglin dyshim.”

Njëkohësisht, Imam Khomeini konstaton me dhimbje se fatkeqsia dhe problematika më e madhe e muslimanëve është largimi i tyre prej mësimeve dhe udhëzimeve të Kur’anit Famëlartë. Lidhur me këtë problematikë ai, (Zoti qoftë i kënaqur me të!), shprehet kështu: “Problemi më i madh i muslimanëve është se ata i kanë braktisur udhëzimet e Kuranit Famëlartë dhe janë rreshtuar e rreshtuar nën hijen e të tjerëve.”

Ai, gjithashtu, thotë: “Është shumë e rëndësishme që muslimanët të veprojnë sipas udhëzimeve të Kur’anit dhe sipas traditës së Profetit të nderuar, (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Ata duhet të mos heqin kurrë dorë prej Kur’anit Famëlartë, sepse aty flitet edhe për çështjet më të rëndësishme të dynjasë së tyre dhe të Ahiretit. Tek udhëzimet e tij përfshihen të gjitha këshillat e nevojshme të lidhura me përsosmërinë e njeriut, edukimin dhe vlerën e tij.” (“El-Kelimatul Kisar”, vëll 1.)

Po ashtu, imam Khomeini ka thënë: “Fatkeqësia më e madhe që i ka goditur muslimanët konsiston në faktin se Libri i Shenjtë i Allahut, Kura’ni Famëlartë, konsiderohet pa asnjë lloj vlere për muslimanët. Ai shërben vetëm për ceremonitë e tyre mortore dhe ka vlerë vetëm në varreza.

Imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të!) gjithmonë porosiste se Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) është simboli i unitetit të muslimanëve.

Për këtë ai ka thënë: Personaliteti dhe figura e të Dërguarit të Allahut, (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), janë sinteza e e bashkimit dhe unifikimit për të gjithë muslimanët e botës, cilado qoftë përkatësia e tyre racore, apo kombëtare. Ai është Profeti i të gjithë umeti.”

Gjithashtu, imam Khomeini (Zoti qoftë i kënaqur me të), thotë: “Ndër qëllimet madhore të Profetit të nderuar (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!), kanë qënë  bashkimi i muslimanëve dhe i qëndrimeve të tyre, pavarësisht përkatësisve të tyre dhe  përhapja e adhurimit të Allahut të Vetëm në të gjithë vendet e botës.”

Imam Khomeini, (Zoti qoftë i kënaqur me të!), ka shpenzuar energji të mëdha gjatë gjithë jetës së tij të bekuar në ndihmë dhe në funksion të bashkimit të muslimanëve dhe të unifikimit të vendimeve dhe qëndrime të tyre.

Ai është imami që ka nxjerrë fjalën “unitet” prej pluhurave të historisë dhe e ka integruar në fjalorin modern të komunikimit ndërmjet muslimanëve. Ai është njeriu që ka investuar gjithë jetën e tij për të bërë këtë fjalë të madhe dhe kuptimplotë, e cila është bërë pjesë e pandarë në tryezat e  diskutimeve të dijetarëve dhe intelektualëve muslimanë të kohëve moderne. Kjo fjalë kishte munguar në fjalorin e muslimanëve për shekuj me radhë. Ai është Imami i nderuar që e bëri këtë fjalë pjesë të pandarë të përditmërisë së muslimanëve të thjeshtë. Ai i ka përdorur të gjitha mënyrat e mundshme dhe të gjitha format që ka patur në dispozicion për t’i njoftuar muslimanët dhe për t’u treguar atyre se uniteti dhe bashkimi është e vetmja mënyrë dhe e vetmja rrugë që ata kanë për t’u shkëputur njëhërë e përgjithmonë prej ditëve të zeza, prej zullumit, prej padrejtësisë e tiranisë. Uniteti është e vetmja formulë që mund t’i shpëtojë ata prej fatkeqsive të mëdha që ua kanë kurdisur atyre armiqtë e islamit gjatë historisë.

Është detyrë e të gjithë muslimanëve që asnjëherë të mos heqin dorë prej udhëzimeve të Kur’anit. Ai na bën thirrje natë e ditë, që të mblidhemi, të bashkohemi fort pas njëri-tjetrit, sepse kjo është e vetmja mënyrë për t’i shpëtuar shtypjes, poshtërimit dhe nënshtrimit nga të huajt. Kjo është e vetmja mënyrë  për të fituar mundësitë për të reaguar.

Është detyrë madhore e muslimanëve që të mos shpërdorojnë asnjë mundësi, asnjë rast, cilido qoftë ai, për të bashkuar fjalën e tyre dhe për të unifikuar qëndrimet me njëri-tjetrin.



Burimi : Media e Lire

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI