Profeti i pashkolluar i cili mësoi dhe edukoi popuj

nga Vullnet Merja | Publikuar në Jan. 13, 2017, 1:34 a.m.

Allahu i Madhëruar thotë në Kur'anin e shenjtë: Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët. (Sure "Teube" ajeti 128)

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) përfaqëson modelin e përsosur të humanizmit. Në personalitetin e tij ndodheshin të gjitha virtytet dhe vlerat e larta njerëzore. Ai ishte i ditur, bujar, inteligjent, i përkryer, model i urtësisë, respektit e madhështisë. I guximshëm, i devotshëm dhe mëshirë për mbarë krijesat. Ai ishte i pamëkatë dhe ishte në piedestalin më të lartë të moralit. Kur'ani i shenjtë thotë: "se ti je me virtyte madhore" (Sure "Kalem", ajeti 4). Në veprat e tij nuk dukej asnjë mangësi e as në sjelljet e tij kundërshti.

Ai ishte zemërgjerë ndaj vështirësive dhe problemeve. Sakrifikoi ashtu si duhet në rrugën e Allahut të Madhëruar. Ishte i palëkundshëm në luftën përballë fuqive injorante, idhujtare e pagane për të përhapur drejtësinë, lirinë, mëshirën dhe dashurinë.

Për këtë Allahu e bëri shembullin më të mirë për mbarë njerëzit, siç thotë në Kur'anin e shenjtë: Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun." (Sure "Ahzab", ajeti 21) Sipas këtij ajeti të bekuar është detyrë e të gjithë njerëzve që ta ndjekin dhe të zbatojnë porositë e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Vërtet, ne, ummeti islam, jemi bashkësi e lartë, sepse të gjitha çështjet e jetës tonë i marrim nga libri madhështor, Fjala e fundit e Allahut në Tokë, Kur’ani i shenjtë dhe nga njeriu i përkryer, i cili është në piedestalin më të lartë të moralit, vula e profetëve, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!), të cilin Allahu e dërgoi mëshirë për mbarë botët dhe ai ëshë vula e profecisë. Allahu në Kur’an thotë: Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (Sure “Enbija”, ajeti 107).

Kjo mëshirë për mbarë botët, u zgjodh nga Allahu i Madhëruar në mesin shoqërisë së pashkolluar, të cilët edhe ata e njihnin si njeri të drejtë e besnik.

Edhe profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ishte i pashkolluar. Porse i pashkolluar do të thotë se është i pastër me natyrën që ka krijuar Allahu dhe nuk ka mësuar në shkollë e as nga njerëzit e tjerë. As nuk është i ndikuar nga civilizimet e kombeve të tjera, siç mund të thonë disa se ajo që ka sjellë është prej qytetërimit ku ai jetonte. Ndërkohë që shoqëria ku lindi profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ishte shoqëria më errët, më e humbur. Ajo është quajtur shoqëria e injorancës. Profeti Muhamed nuk ka mësuar as nga lindorët as nga perëndimorët. Për këtë Allahu në Kur’anin e shenjtë, në suren “Ankebutë”, ajetet 48-49 thotë: “Para këtij, ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, ndjekësit e së pavërtetës do të dyshonin. Përkundrazi! Ai (Kurani) është shpallje e qartë në zemrat e atyre, të cilëve u është dhënë dija. Shpalljet Tona i mohojnë vetëm keqbërësit.” Pra, ti o Muhamed nuk dije as shkrim e as këndim para zbritjes së Kur’anit sepse ishe i pashkolluar. Por kjo nuk do të thotë se profeti Muhamed ishte i paditur.

Nëse do të dinte shkrim e këndim, jobesimtarët do të dyshonin rreth Kur’anit e do të thonin se këtë e ka përzgjedhur nga librat e mëparshëm dhe thotë se është nga Allahu. Mirëpo, të qënit e tij i pashkolluar është mrekulli. Ai solli Librin sfidues, i cili përmban lajmet e të shkuarve dhe të ardhmëve.

Vërtet, Kur’ani është mrekulli e përjetshme për profetin Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai është argumenti më i madh dhe më i fuqishëm që vërteton profetësinë e profetit Muhamed. Përveç Kur'anit të shenjtë, profeti Muhamed ka patur edhe mrekulli të tjera, të cilat i kanë parë dhe i kanë dëshmuar bashkëkohësit e tij. Të gjitha këto mrekulli, tregojnë qartë pozitën e lartë të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Është detyrë e të gjithë njerëzve që ta duan, ta respektojnë dhe ta pasojnë profetin Muhamed, të cilin Allahu e ka dërguar mëshirë për mbarë botët.

Profeti Muhamed ishte, është dhe do të mbetet mësuesi më i mirë për të gjithë njerëzit. Me anë të Fjalës së Allahut, Kur'anit të shenjtë, ai arriti që ta ndryshojë rrënjësisht shoqërinë e asaj kohe. Ai u bë i dashur për njerëzit sepse ftonte në drejtësi, në dashuri, në vëllazëri, në paqe, në siguri, në solidaritet dhe në dhembshuri.

Misionin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e sqaron Kur'ani i shenjtë ku thotë: "Është Ai që u solli të analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë." (Sure "Xhumua", ajeti 2)

Dhe: "Allahu u ka dhënë besimtarëve dhuratë të madhe, kur u solli një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili ua lexon shpalljet e Tij, i pastron nga gjynahet dhe u mëson Librin (Kuranin) e urtësinë (diturinë e thellë fetare), edhe pse më parë, me të vërtetë, ata ishin në rrugë krejt të gabuar." (Sure "Ali Imran", ajeti 164.)

Në këto dy ajete, Allahu i Madhëruar sqaron se misioni i profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), dhe i të gjithë profetëve, ka qenë udhëzimi i njerëzve në rrugën e drejtë. Mirëpo udhëzimi nuk mund të arrihet pa pastrim, edukim dhe mësim.

Interesante në këto dy ajete është se në fillim përmendet pastrimi e më pas mësimi. Kjo do të thotë se feja e pastër islame i kushton vëmendje të madhe anës shpirtërore të njeriut. Ajo kërkon një njeriu të jetë si qelibari brenda tij. Feja islame, me anë të Kur'anit dhe profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është e vetmja që siguron lumturinë e vërtët të njeriut në të dy botët. Dija dhe morali janë dy krahët më të fortë që e bejnë njeriun të udhëtojë drejt lumturisë.

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) porosit për dijen dhe kërkimin e saj. Në një hadith ai ka thënë: "Kërkimi i diturisë është detyrë e çdo muslimani dhe muslimaneje." Gjithashtu, ka thënë: "Kërkojeni diturinë prej djepit deri në varr." Këto porosi profeti ynë i dashur i jepte që shoqëria islame të edukohej dhe të ishte shembull për shoqëritë e tjera në edukim e moral. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: "Unë jam dërguar që të përsos moralet e larta."

Përsa kohë që qëndroi në Mekën e Bekuar, profeti Muhamed kurrë nuk hoqi dorë nga misioni i tij fisnik, edhe pse e lëndonin e shanin e ofendonin dhe e torturonin atë së bashku me besimtarët që i besuan mesazhit të tij. Ai i duroi të gjitha keqbërjet, intrigat dhe padrejtësitë. Ai kurrë nuk u lodh dhe kurrë nuk u gjunjëzua. Përkundrazi, ishin jobesimtarët ata që u lodhën e u trishtuan sepse fjalët e profetit ishin të vërteta të padiskutueshme. Aq shumë që u lodhën e u stresuan jobesimtarët nga prania e profetit dhe nga mesazhi i tij paqësor, saqë vendosën ta ekzekutonin.

Por ishte urtësia e Allahut dhe fuqia e Tij që misioni të vazhdojë në Medinen e Ndritur.

Pas mbërritjes në Medine Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) filloi të bëjë organizimin për ndërtimin e një shoqërie të fortë islame bazuar në pastërti dhe dije.

 

Ndërtimi i xhamisë

 

Xhamia ishte qendra e parë që ndërtoi  profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kur mbërriti në Medine. Ajo xhami ishte qendra e adhurimit, mësimit, edukimit, e udhëheqjes dhe e drejtimit. Udhëheqësia e profetit Muhamed nuk kishte vend të posaçëm siç kanë sot udhëheqësit e shteteve nëpër botë, të cilët kanë pallatet e tyre presideënciale, apo vilat apo sarajet e ndryshme. Vendudhëheqja e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ishte xhamia. Profeti punoi vetë në ndërtimin e xhamisë krah për krah myslimanëve. Pas ndërtimit të xhamisë, u ndërtuan dhomat e tij ngjitur me xhaminë. 

 

Vëllazërimi

 

Për të ndërtuar një shoqëri të pastër dhe solide, profteti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) bëri vëllazërimin mes emigruesve (muhaxhirëve) dhe përkrahësve vendas (ensarëve). Ky veprim  qartëson më së miri se feja e pastër islame është fe e paqes, dashurisë vëllazërisë dhe e solidaritetit. Allahu i Madhëruar në Kur'anin e shenjtë thotë: "Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni." (Sure "Huxhurat", ajeti 10)

Me vëllazërimin mes besimtarëve, në Gadishullin arabik u formua një shoqëri e re, larg dhunë e shtypjes. U formua një shoqëri, e cila sundohej nga harmonia, uniteti dhe respekti mes besimtarëve muslimanë. Ky vëllazërim shkatërroi ndasinë shtresore në fise e në ekonomi duke vendosur si parim barazinë dhe drejtësinë shoqërore.  Kështu që në Medine u formua ajo shoqëri për të cilën Kur'ani i shenjtë thotë: Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 110)

Vëllazërimi u krye pas pesë apo tetë muajve të mbërritjes së profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai u tha muslimanëve: "Vëllazërohuni për hir të Allahut, dy e nga dy vëllezër." Pasi i vëllazëroi të gjithë muslimanët, mbeti imam Aliu (paqja qoftë mbi të!). Profeti Muhamed i tha atij: "Unë të lashë ty për veten time. Ti je vëllai im dhe unë jam vëllai jot.. Nëse dikush të përmend ty, i thuaj: Unë jam rob i Allahut dhe vëllai i të dërguarit të Tij. Ai që e thotë këtë pas teje, është gënjeshtar. Betohem në Atë që më dërgoi më të vërtetën se unë të kam zgjedhur ty për veten time. dhe ti je për mua në atë pozitë siç ishte Haruni për Musain, me përjashtim se nuk ka të dërguar pas meje. Ti je vëllai im dhe trashëgimtari im." Pastaj mori dorën e tij (Aliut) dhe tha: "Ky është vëllai im." Kështu që profeti bëri vëllazërim mes tij dhe imam Aliut (paqja qoftë mbi të!).

Të gjitha thëniet dhe veprat e profetit Muhamed janë mësim dhe edukim për mbarë njerëzimin, sepse ai nuk fliste nga vetja e tij, por thëniet e tij ishin shpallje e shpallur. Këtë e dëshmon edhe Kur'ani i shenjtë, i cili thotë: Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij. Atë ia ka mësuar atij një (engjëll) shumë i fuqishëm (Xhebraili). (Sure "Nexhm", ajetet 3-5).

Profeti Muhamed u mëson të gjithë njerëzve se te Allahu i Madhëruar nuk ka dallim mes të bardhit dhe të ziut, arabit dhe jo arabit. Ai thotë se dallimi i vetëm është devotshmëria. Këtë e dëshmon edhe Kur'ani i shenjtë, i cili thotë: "...Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që është më i devotshëm..." (Sure "Huxhurat", ajeti 13.)

Për njëzet e tre vjet me radhë Profeti Muhaned (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) sakrifikoi në rrugën e edukimit dhe të mësimit. Gjithmonë këshillonte për vepra të mira. Falë mësimeve dhe porosive të profetit Muhamed Islami u përhap dhe po përhapet në mbarë rruzullin tokësor. Dita ditës profeti ynë i dashur pushton zemrat e milarda njerëzve, qofshin muslimanë apo jomuslimanë.

Të qënit e profetit Muhamed mësues dhe edukues për mbarë njerëzimin e dëshmon edhe Hytbja e Lamtumirës, në të cilën ai u drejtohet të gjithë njerëzve.

Ja disa prej paragrafeve të Hytbes së Lamtumirës të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë:

“... O njerëz, frikësojuni Zotit dhe respektojeni Atë, bëhuni të njerëzishëm dhe të drejtë ndaj të tjerëve! ... Vërtet, gjaku, nderi dhe pasuria janë të shenjta për ju, derisa të takoheni me Krijuesin tuaj, ashtu siç është e shenjtë kjo ditë në këtë muaj dhe në këtë vend. Ruajuni, respektoni dhe nderoni vlerën e personalitetit! Njeriu është vepër madhështore e All’llahut. Mjerë ai që e përçmon nderin dhe dinjitetin e veprës së Tij!

O njerëz, ju sigurisht do të ktheheni tek All’llahu i Madhëruar dhe Ai do t’ju thërrasë të përgjigjeni për veprat dhe punën tuaj.

O njerëz, dijeni se ka përfunduar koha e padijes dhe e traditave të këqija, të cilat i kane sjellë aq fatkeqësi gjinisë njerëzore. Unë ju kam treguar rrugën e shpëtimit, drejt së cilës duhet ecur. Sendet që ju janë dhënë amanet ruajini si të ishin tuajat dhe kthejuani ato besnikërisht dhe me kohë atij që i përkasin. Gjakmarrja është e ndaluar... 

... Respektojeni farefisninë. Përmbushni besnikërisht detyrat dhe detyrimet ndaj burrit dhe gruas, si dhe ndaj prindërve dhe fëmijëve! Ruhuni nga imoraliteti, tradhëtia bashkëshortore dhe xhelozia. Imoraliteti dhe tradhtia bashkëshortore janë gjynahe të rënda, ndërsa xhelozia sjell përçarje në martesë. Martohuni me ato të cilat i doni, e kur Zoti, me vullnetin e Vet do t’ju bashkojë, atëherë respektojeni dhe duajeni njëri-tjetrin dhe jetoni në dashuri e harmoni! O bashkëshortë, silluni ndaj grave tuaja me shumë mirësi dhe dashuri!

O njerëz, largohuni ngatërresave dhe përgojimit! Le të jenë të mallkuar në të dyja botët ata që u bëjnë shpifje grave të ndershme! ...Gratë tuaja janë dorëzuar në besë të Zotit; pra respektojeni këtë amanet të Zotit... 

O njerëz, dijeni dhe mos harroni se të gjithë myslimanët janë vëllezër. Ju jeni plotësisht të barabartë në të drejta dhe në detyra. Arabi ndaj joarabit nuk ka kurrfarë përparësie e kjo vlen edhe për të ziun ndaj të bardhit, përveçse në devotshmëri. Të gjithë ju jeni pasardhësit e Ademit e Ademi është krijuar nga dheu.

O njerëz, kujdesuni për njëri-tjetrin, duajeni dhe ndihmojeni njëri-tjetrin! Mos guxoni ta fyeni apo ta grabitni njëri-tjetrin. Këto janë gjynahe të rënda. Merrni vetëm atë që ju jepet me dëshirë! Respektojeni pacënueshmërinë e pasurive tuaja, derisa të jeni në frymën e Ligjeve të Zotit... Kurrë mos e shkelni të drejtën dhe nderin e tjetrit! Mos i bëni dhunë vetes! Mos harroni se mëshira është një ndër themelet e Islamit!

O njerëz, dëgjoni se ç’po ju them dhe mbajeni mend mirë! Po ju lë Librin e Zotit, Kur’anin, të cilit nëse i përmbaheni, gjithnjë do t’ju ruajë që të mos e humbni rrugën e drejtësisë dhe të së vërtetës. Kur’ani është libër i qartë dhe i shenjtë, vepër e vërtetë e All’llahut dhe fjala e Tij, në vërtetësinë e të cilit nuk ka asnjë dyshim. Para vetes e keni tërë jetën time, të gjitha fjalët dhe veprat e mia, gjithçka që kam folur dhe punuar. Jam përpjekur të jenë në përputhje të plotë me urdhrat e All’llahut, vërtet nuk do të gaboni, nëse i përmbaheni Kur’anit (Librit të Zotit) dhe familjes time.

O njerëz, pas meje nuk do të vijë më i Dërguar tjetër nga Zoti dhe pas jush populli nuk do të ketë më Pejgamber! Pra, bëni ibadet dhe adhuroni Zotin; agjëroni muajin e Ramazanit; jepni zekatin me zemër të plotë dhe të kënaqur dhe kryejeni haxhin. Kështu, do të hyni në Xhennetin e Zotit të Madhëruar!

O njerëz, thoni gjithnjë të vërtetën e pastër! Asnjëherë të mos ju largojë urrejtja nga rruga e drejtë. Drejtësia është motra e devotshmërisë. Frikësojuni All’llahut se Ai i sheh mirë veprimet tuaja!

O njerëz, e dëgjuat porosinë time. Atëherë, futeni atë në zemrën tuaj dhe në jetën tuaj! Të gjithë ata që i dëgjuan fjalët e mia, le t’ua përcjellin atyre që nuk i kanë dëgjuar se ndodh që ata i kuptojnë më mirë.

O Zoti im, a e përmbusha detyrën dhe misionin e besuar?” Mbi njëqind mijë haxhinj folën njëzëri: O i Dërguari i Zotit, ti e përmbushe misionin tënd besnikërisht dhe na e komunikove atë që të urdhëroi Zoti... Atëherë, profeti Muhammed (Paqja dhe bekimet e All’llahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) tha: “O Zot, dëshmo! O Zot, dëshmo! O Zot, dëshmo!” Atë ditë iu shpall ajeti nga Zoti i Lartësuar: «Sot kam përsosur fenë tuaj, plotësova dhuntinë time për ju dhe jam i kënaqur që Islami të jetë feja juaj.» (Sure El-Maide, ajeti 3)

Sa të mrekullueshme këto porosi! Vërtet, ato janë shkolla më e mirë e edukimit dhe e mësimit për mbarë njerëzit pa dallim kombi, gjuhe, rrace e feje. Duke lexuar porositë e kësaj hytbeje madhështore, themi me plot bindje se Profetit Muhamed është mësuesi dhe edukuesi i mbarë popujve, edhe pse shumica e tyre nuk e shfaqin. Fjalët e kësaj Hytbeje të begatë janë receta më e përkryer për mbarëvajtjen e jetës së njeriut në të gjitha aspektet e jetës së tij.

Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka qenë vetë Kur’ani, sepse i gjithë Kur’ani ishte kristalizuar në vetë qenien e tij. Kur ecte, e kur fliste, e ndriçonte çdo gjë me dritën e Kur’anit.

Bernard Show në librin e tij për Muhamedin thotë: “ Gjithmonë e kam vlerësuar shumë besimin e Muhamedit, thjesht për forcën  e tij të jashtëzakonshme. Mendimi im është se Islami është besimi i vetëm i aftë për të drejtuar në mënyrë të suksesshme ndryshimet e shumta në jetë. Jam i bindur se nëse një person i njëjtë do të ishte përballur me problemet e sotme, ai do t’i kishte zgjidhur ato me sukses, duke i sjellur njerëzimit paqe dhe lumturinë e nevojshme. Parashikoj që besimi i Muhamedit do të pranohet në Europën e së nesërmes, siç ka filluar të pranohet në Europën e sotshme. [“The Genuine Islam” Singapore, Vol. 1, Nr. 8, 1936]

O Zoti ynë! Na mundëso të jemi në gjurmët e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allhut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në këtë jetë dhe na dhuro shefatin e tij në Jetën Tjetër!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI