Dhjetë hadithe të sakta që flasin për virtytet e Ehli Bejtit marrë nga librat e njohur të haditheve të Ehli Sunetit

nga Vullnet Merja | Publikuar në Jan. 7, 2017, 6:47 p.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Falenderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi profetin Muhamed, mbi familjen e tij të pastër dhe mbi shokët e tij të zgjedhur.

Paqja e Allahut qoftë mbi ju!

Ne jemi krenarë që Allahu na ka bërë prej ummetit të njeriut më të mirë e më të lartë, me të cilin Ai e ka përmbyllur misioin e profecisë dhe pas tij nuk vjen më profet. Ai është drita e pashuar, mësuesi i mbarë njerëzisë, ndriçuesi i mendjeve të tyre, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Jemi krenarë që kemi për libër, vulën e librave qiellor, i cili udhëzon në atë që është më e mira dhe më e drejta. E ky është Kur’ani i shenjtë.

Është detyrë e çdo muslimani dhe muslimaneje që të zbatojë porositë e Kur’anit, që është Fjala e Allahut të Madhëruar dhe sunetin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Askujt nuk i takon të bëjë zgjedhje kur urdhëron Allahu dhe i Dërguari i Tij për një çështje. Këtë e dëshmon edhe Kur’ani i shenjtë, i cili thotë: “Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje të vërtetë që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në atë çështje të tyren. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur.” (Sure “Ahzab”, ajeti 36.)

Prej çështjeve për të cilat urdhëron Kur’ani dhe profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është ajo rreth Ehli Bejtit (Familjes së Profetit) - paqja qoftë mbi ta!

Në këtë artikull do të përmendim dhjetë hadithe që flasin për dashurinë e Ehli Bejtit dhe për ndjekjen e rrugës së tyre.

1- Transmetohet nga Xhabir ibn Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me ata të dy!) se ka thënë: E kam parë të Dërguarin e Allahut në haxhin e tij në ditën e Arafatit mbi devenë e tij “el kasua” (racë deveje) dhe po ligjëronte. Unë e dëgjova atë të thotë: “O ju njerëz. Unë po lë në mesin tuaj që nëse kapeni pas tyre kurrë nuk do të humbisni: Librin e Allahut dhe pasardhësit e mi, Ehli Bejtin tim.”

Këtë hadith e transmeton: Tirmidhij (hadithi 3786) në “Sunenin” e tij në kreun: Virtytet e Ehli Bejtit të profetit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Hadithin e ka saktësuar Albani në “Es Sisliletul Ehadijth Es Sahihah” (hadithi 1761) duke i përmendur këtij hadithi dëshmi të shumta. Ky hadith është transmetuar nga Ali ibn Ebi Talib, Zejd ibn Erkam, Ebi Said El Khuderij, Ebi Hurejreh, Amru ibn Auf dhe ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!)

Në sqarimin e këtij hadithi dijetarët kanë thënë: Kuptimi i kapjes pas Kur’anit është që të zbatohen urdhërat e tij në veprim e në ndalim. Kapja pas pasardhësve (Ehli Bejtit) do të thotë t’i duash ata, të ruash shenjtërinë e tyre, të veprosh sipas transmetimeve të tyre, të mbështetesh në thëniet e tyre dhe të udhëzohesh me udhëzimin dhe jetëshkrimin e tyre.

2-  Transmetohet nga Zejd ibn Erkam (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: Një ditë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) na mbajti një ligjëratë në vendin që quhet Khum, mes Mekës dhe Medines. Ai falenderoi Allahun dhe e lavdëroi Atë. Ai porositi dhe këshilloi. Pastaj tha: “Vërtet, o ju njerëz. Unë jam njeri dhe do të më vijë i dërguari i Zotit tim (meleku i vdekjes) dhe unë do t’i përgjigjem. Unë po ju lë juve dy gjëra të rënda: E para e tyre është Libri i Allahut, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, prandaj zbatojeni Librin e Allahut dhe kapuni pas tij. Ai nxiti e inkurajoi për Librin e Allahut dhe përmendi shpërblimin e zbatimit të tij. Pastaj tha: Dhe Ehi Bejtin tim. Ju përmed juve Allahun në Ehli Bejtin tim. Ju përmed juve Allahun në Ehli Bejtin tim. Ju përmed juve Allahun në Ehli Bejtin tim.”

Transmeton Muslimi në “Sahihun” e tij (hadithi 2408). Ky hadith tregon qartë se kapja pas pasardhësve të Profetit (Ehli Bejtit të tij) ka kuptimin e dashurisë së tyre, njohjes së të drejtës së tyre dhe mosbërja padrejtësi atyre. Këtu, profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka porositur ymmetin e tij që të kapen pas Kur’anit. Ai u përmend atyre të drejtën e Ehli Bejtit të tij dhe e përsërit tri herë si përforcim. 

3-  Transetohet nga Ebi Tufejl (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i grumbulloi njerëzit në Er Rehbetu pastaj u tha atyre: I betohem në Allah çdo njeriu mysliman që e dëgjoi nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) atë që dëgjoi në ditën e Gadijr Khum-it kur u ngrit në mesin e të pranishmëve, dhe njerëzit e shumtë e panë, e ai e mori dorën e tij (Aliut) dhe u tha njerëzve: “A e dini se unë jam më parësor te besimtarët se vetë vetat e tyre?” Ata thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Ai u tha: “Për atë që unë jam udhëheqësi i tij edhe Aliu është udhëheqësi i tij. O Zot. Duaje atë që e do atë (Aliun) dhe bëhu armik i atij që bëhet armik i tij (Aliut)”

Këtë hadith e transmeton Imam Ahmedi në Musnedin e tij, hadithi 19302; Nisai në Es Sunenul Kubra, (hadithi 8424); Ibn Habban në Sahihun e tij, hadithi 6931; ky është hadith i saktë i transmetuar nga dhjetë sahabë që janë: Ali ibn bi Talib, Sa’d ibn Ebi Uekas, Ebi Ejub El Ensarij, Zejd ibn Erkam, El Bera’e ibn Azib, Burejdetu ibn El Hasijb, ibn Abas, Enes ibn Malik, Ebi Saijd El Khuderij dhe Ebi Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Këto transmetimi i ka grumbulluar hadithologu Albani në Silsiletul Ehadijth Es Sahijha (hadithi 1750)

4- Transmetohet nga prijësi i besimtarëve, Ali ibn Ebi Talib (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: “Betohem në atë që çan farën dhe krijoi erën se ai është premtim i profetit të pashkolluar për mua se me siguri, mua nuk do të më dojë veçse besimtari dhe nuk do të më urrejë veçse munafiku.”

E transmeton Muslimi në fillim të Sahihut të tij në kreun El Ijman, (hadithi 78); Et Tirmidhij (hadithi 3736); Nisaij, (hadithi 5018); Ibn Maxhah, në fillim të  Sunenit të tij (hadithi 114); Imam Ahmed ibn Hanbel në Musnedin e tij (hadithi 642); po ashtu e transmeton Ahmedi në librin e tij Fadailu Sahabeh në 948 dhe 961; Ibn Haban në Sahihun e tij (hadithi 6924) në kreun: përmendja e lajmit se dashuria për Ali ibn Ebi Talib (r.a.) është prej besimit; e ka transmetuar El Bezar (hadithi 560); Ebu Ja’la (hadithi 291) e të tjerë.

Dijetarët  kanë thënë: Aliun nuk e urren për fenë e tij veçse munafiku. Po ashtu, nuk i urrejnë përkrahësit e fesë së tyre veçse munafikët.

5- Transmetohet nga Umu Selemeh se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) t’i thotë Aliut: “Ty nuk të urren besimtari dhe nuk të do munafiku.”

E transmeton Ahmedi në Musnedin e tij (hadithi 26507), po ashtu në Fadailu Sahabe (hadithi 1059); Et Tirmidhij (hadithi 3717) në kreun Menakib Ali ibn Ebi Talib (ra); Ebu Ja’la në Musnedin e tij (hadithi 6904). E ka saktësuar El arnaut dhe Albani në Silsiletu Es Sahijhah (hadithi 1299)

6- Transmetohet nga Ebi Said el Khuderij (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë!):  “Betohem në Atë që shpirti im është në dorën e Tij se kush na urren neve – Ehlu Bejtin- Allahu do ta fusë në zjarr.”

E transmeton Ibn Haban në Sahihun e tij (hadithi 6978) në kreun: Zjarri i përjetë për urryesin e Ehli Bejtit të Mustafasë (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Arnauti e ka qujtur këtë hadidh hasan. E ka saktësuar Albani në Es Silsiletu Es Sahihah (hadithi 2488)

7- Transmetohet nga nëna e besimtarëve, vajza e Ebu Bekr Sidijk (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i ka thënë Fatimesë: “O Fatime. A nuk dëshiron të jesh zonja e grave të besimtarëve dhe të jesh zonja e grave të gjithë ummetit?”

Këtë hadith e transmeton Buhariu (hadithi 6285), Muslimi (hadithi 2450), Ahmed ibn Hanbel (hadithi 26413), Ibn Maxhah (hadithi 1621); Nisai në Es Sunenul Kubra (hadithi 8310); Et Tabaranij në El Mu’xhemul Kebijr (hadithi 1032); El Hakimu në El Mustedrek (hadithi 4740) e të tjerë. 

8- Transmetohet nga ibn Shehab Ez Zuhrij, nga Uruetu, i cili ka thënë: Aisheja i ka thënë Fatimesë (Allahu qoftë e kënaqur me të!), vajzës së të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!): “A të të përgëzoj?! Unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut të thotë: “Zonjat e banorëve të Xhenetit janë katër: Merjemja e bija e Imranit, Fatimeja e bija e Muhamedit, Khadixhetu e bija e Khuvejlid dhe Asija.”

Këtë e transmeton El Hakimu në El Mustedrek ala Sahihejn (hadithi 4853) dhe e ka saktësuar Edh Dhehebij sipas kushtit të Buhariut dhe  Muslimit. E ka saktësuar edhe Albani në Sahihul Xhamiu Sagijr (hadithi 3678).

9- Transmetohet nga Ebi Said El Khuderij se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Hasani dhe Huseini janë zotërinjtë e të rinjve të banorëve të Xhennetit.”

Këtë e transmeton Ahmedi në Musnedin e tij (hadithi 10999); Tirmidhij në Sunenin e tij (hadithi 3768) në kreun Menakib Ebi Muhamed, Hasan ibn Ali ibn Ebi Talib dhe Husein ibn Ali ibn Ebi Talib Allahu qoftë i kënaqur me ata. Tirmidhiu e ka quajtur të saktë. Edhe Arnauti edhe Albani e kanë quajtur të saktë. Albani ka thënë në Silsietul Ehadith Es Sahihah, 2/423: këtë hadith e ka përcjellë Ebi Said El Khuderij, Hudhejfeh ibn El Jeman, Ali ibn Ebi Talib, Umer ibn Khatab, Abdullah ibn Mes’ud, Abdullah ibn Umer, El Berae ibn Azib, Ebi Hurejrah, Xhabir ibn Abdullah dhe Kur’retu ibn Ijas. Më pas në vëllimin 2, faqe 431 Albani ka thënë: Ky hadith padyshim që është i saktë, madje është muteatir, siç e përcjell atë El Menauij.  

10- Transmetohet nga Ebi Hurejra se ka thënë: Një ditë i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) po vinte tek ne dhe me të ishte Hasani dhe Huseini. Një herë mbante në qafë njërin e herë tjerin. Herë puthte njërin e herë tjetrin derisa mbërriti tek ne. Një burrë i tha: “O i Dërguari i Allahut, vërtet, ti i do ata të dy.” Profeti tha: “Ai që i do këta të dy më do mua dhe kush i urren këta të dy më ka urryer mua.”

Këtë e transmeton Ahmedi në Musnedin e tij (hadithi 9673); El Hakimu në El Mustedrek (hadithi 4777) në kreun Virtytet e Hasanit dhe Huseinit, dy djemtë e vajzës së profetit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe e ka saktësuar El Hakimu dhe Edh Dhehebij është i një mendimi me të. E ka saktësuar Albani në Silsiletul Ehadijth Es Sahiha (hadithi 2895)

Imam Ebu Bekr Muhamed ibn Husein El Axhurij – Allahu e mëshiroftë- përmend në librin e tij “Esh Sheriatu” shumë kapituj për virtytet e Ehli Bejtit dhe ka transmetuar shumë hadithe rreth vityteve të tyre. Në vëllimin 5, faqe 2200, kreu Xhamiul Fadail Ehlil Bejt (radiallahu anhum) Muhamed ibn Husein (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Kam përmendur shumë prej virtyteve të prijësit të besimtarëve, Ali ibn Ebi Talib, Fatimesë, Hasanit dhe Huseinit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Ata kanë vityte madhështore. Unë po i përmend në formë të përmbedhur vitytet e Ehli Bejtit të cilët i përmend Allahu i Madhëruar e i Lartësuar në Librin e Tij, i Cili e urdhëroi të Dërguarin e Tij që të bëjë Mubahele me ata. Allahu i Madhëruar thotë: Atyre që të kundërshtojnë ty për çështjen e Isait, pasi të ka ardhur njohuria, thuaju: “Ejani t’i thërrasim bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, veten tonë dhe ju vetë, pastaj, të lutemi që mallkimi i Allahut t’i godasë gënjeshtarët.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 61.) Ata janë: Aliu, Fatimja, Hasani dhe Huseini.   

Allahu i Madhëruar thotë në Librin e Tij: “…O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.”(Surja “El Ahzab”, ajeti 33). Familja këtu janë ata të cilët profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) i mbuloi me mantelin e tij: “…O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë dhe t’ju pastrojë plotësisht.” Ata ishin Aliu, Fatimeja, Hasani dhe Huseini (radiallahu anhum).

Libri “Esh Sheriatu” i El Axhurij, i cili ka vdekur në vitin 360 të hixhrit, është prej librave të njohur të besimit tek Ehli Suneti dhe Xhema’ah.

Cilido që lexon Buhariun do të habitet nga sasia e madhe e haditheve që flasin për virtytet e Ehli Bejtit. Në librin Fadailu As’habu Nebij, kreu “Virtytet e Ali ibn Ebi Talib El kureshij El Hashimij Ebi Hasan (radiallahu anhu) ka transmetuar shtatë hadithe nga hadithi 3701 deri te hadithi 3707 .

Në Sahihu Muslim, në kreun virtytet e sahabëve, Muslimi transmeton gjashtë hadithe për virtytet e imam Ali ibn Ebi Talib (hadithi 2404-2409), tre hadithe rreth virtyteve të Hasanit dhe Huseinit (hadithi 2421-2423) dhe dy hadithe rreth virtyteve të Fatimesë (hadithi 2449-2450).

Përderisa gjendet një sasi e madhe hadithesh që flasin për virtytet e Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!), përse Ehli Bejti nuk rrespektohet ashtu siç i takon? Përse nuk pasohet rruga e tyre (Ehli Bejtit) nga të gjithë muslimanët?

Ehli Bejti i profetit Muhamed nuk janë pronë e posaçme e një grupi apo medhhebi të caktuar prej medhehebeve islame. Ehli Bejti (paqja qoftë mbi ta!) i përkasin të gjithë muslimanëve. Të duash Ehli Bejtin, do të thotë të zbatosh sunetin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e e Allahut qofshin mbi të!), sepse ai vetë i ka dashur ata. Të ndjekësh rrugën e Ehli Bejtit do të thotë të ndjekësh rrugë e profetit Muhamed. Shkolla e Ehli Bejtit është shkolla e Profetit, e cila bazohet në Librin epokëbërës, Kur’anin e shenjtë.

Ndjekësit e rrugës së Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!), para se të jenë shiitë (ndjekës, pasuses), ata janë sunitë, sepse me dashurinë daj Ehli Bejtit dhe me ndjekjen e rrugës së tyre, ata zbatojnë sunetin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).  Nuk mjafton vetëm të thuhet se ne e duam Ehli Bejtin dhe në të njëjtën kohë nuk veprohet ashtu siç vepruan ata. Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Jini ftues në rrugën tokën jo vetëm me gjuhët tuaja.” Pra, veprat tona, sjelljet tona dhe morali yë të jenë në përputhje me veprat, sjelljet dhe moralin e Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!).

Allahu na mundësoftë ta njohim Ehli Bejtin e profetit Muhamed dhe të jemi prej ndjekësve të tyre në këtë jetë! Allahu na bashkoftë me profetin dhe me Ehli Bejtin e tij në Jetën Tjetër!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI