Të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja

nga Vullnet Merja | Publikuar në Dhj. 31, 2016, 7:10 p.m.

Allahu i Madhëruar thotë: Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 110)

Detyra e urdhërimit në të mirë dhe e ndalimit nga e keqja bazohet te besimi në Allahun. Qëllimi i kësaj detyre është mbrojta e shoqërisë njerëzore në përgjithësi dhe asaj islame në veçanti nga devijimet etiko-morale, të cilat cënojnë dinjitetin e njeriut dhe shkatërrojnë mbarë shoqërinë. Po ashtu, qëllimi i kësaj detyre është mbrojtja e familjes, e cila është bërthama e shoqërisë.

Të shumta janë devijimet dhe veprat e këqija në shoqërinë tonë. Pa dyshim se veprat e këqija kanë ndikim të madh e të rrezikshëm në shmangien e njerëzve nga feja, morali dhe vlerat e larta njerëzore. Veprat e këqija çojnë në degradimin e shoqërisë dhe në shkatërrimin e saj.

Në Kur’anin e shenjtë lexojmë: “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë e punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim).” (Sure “Ankebut”, ajeti 41.)

Në këtë ajet qartësohet se degjenerimi, degradimi dhe shkatërrimi në tokë janë përhapur përshkak të punëve të këqija të njerëzve. Pra, njerëzit janë shkaktarët e kësaj gjendje të mjerueshme në të cilën ka mbërritur shoqëria njerëzore. Njerëzit janë ata që përhapin kurvërinë (prostuticionin), alkolin, bixhozin, kamatën, etj.

Allahu është e mira absolute dhe Ai kurrë nuk ia do të keqen njerëzve. Këtë e dëshmon edhe Kur’ani i shenjtë, i cili thotë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin.” (Sure “Nahl”, ajeti 90).

Për ta ruajtur njerëzinë nga rënia në humnerën e humbjes e të devijimit, Allahu ka zbritur libra dhe ka dërguar profetë. Të gjithë profetët kanë patur një qëllim të përbashkët:  udhëzimi i njerëzve në rrugën e drejtë e të pastër larg çdo papastërtie. Allahu i Madhëruar thotë: “Është Ai që u solli të analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.” (Sure “Xhumua”, ajeti 2).

Me qëllim që njerëzit të qëndrojnë sa më larg të këqijave, të ndytave dhe gjynaheve, Allahu i Madhëruar ka caktuar adhurimet, qëllimi i të cilave është ta ruajnë njeriun nga devijimi dhe nga rënia në humnerën e të këqijave. Adhurimet janë diga mbrojtëse dhe imuniteti më i fuqishëm për mbrojtjen e njeriut. Sigurisht, Allahu i Madhëruar nuk ka nevojë për adhurimet tona, sepse Ai është i Vetmjaftueshmi, i Plotfuqishmi, Furizuesi. Jemi ne që kemi nevojë për adhurimet.

Adhurimi i Allahut është qëllimi i krijimit të njeriut. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. Unë nuk kërkoj prej tyre risk, as nuk dëshiroj që të Më ushqejnë. Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotpushtetshmi. (Sure “Dharijat”, ajetet 56-58)

Adhurimet në Islam nuk janë thjesht rite kohore e as lëvizje, ulje dhe ngritje. Ato janë shkolla më e mirë edukative. Ato janë ushqimi më i përkryer i shpirtit.

Urdhërimi në të mira dhe ndalimi nga të këqijat janë prej detyrave të domosdoshme në fenë e pastër islame. Nëse do të zbatoheshin ashtu siç duhet këto dy detyra, nuk do të shikonim këtë re të zezë e cila ka mbuluar mbarë shoqërinë njerëzore, pa përjashtim. Urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja është detyrë e të gjithë myslimanëve, qofshin dijetarë, mendimtarë, meshkuj e femra.

Transmetohet nga profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Ummeti im do të vazhdojë të jetë në mirësi përderisa ata urdhërjnë në të mirë dhe ndalojnë nga e keqja, bashkëpunojnë me mirësi dhe devotshmëri. Nëse nuk veprojnë kështu, prej tyre do të largohen bereqetet dhe do të jenë sundues të njëri-tjetrit. Për ata nuk do të gjendet përkrahës as në tokë e as në qiell.” (Uesailu Shiah, vëll. 16, f. 123.)

Në një hadith tjetër Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Si do t’ia bëni nëse devijojnë gratë tuaja e shthuren të rinjtë tuaj dhe ju nuk urdhëroni në të mira dhe nuk ndaloni nga e keqja?” Atij i thanë: A do të ndodhë një gjë e tillë o i Dërguari i Allahut?! Ai u përgjigj: “Po. Do të jetë edhe më keq se kjo. Si do t’ia bëni nëse urdhëroni në të këqija dhe ndaloni nga e mira? Atij i thanë: O i dërguari i Allahut. A do të ndodhë kjo?! Ai tha: “Po. Do të jetë edhe më keq se kjo. Si do t’ia bëni ju nëse do e shihni të mirën si të keqe dhe të keqen si të mirë?”

Si ta zbatojmë detyrën e të urdhëruarit në të mirë dhe të ndalimit nga e keqja?

Duhet që kjo detyrë të kryhet në mënyrë të butë, të qetë dhe larg çdo nervozizmi, apo dhune a imponimi. Allahu i Madhëruar na mëson se si të ftojmë të tjerët në rrugën e drejtë e të vërtetë, e cila është rruga e Allahut të Plotfuqishëm. Në Kur’anin e shenjtë thuhet: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij, e di më së miri ata, që janë në rrugë të drejtë.” (Sure “Nahl”, ajeti 125)

Në një ajet tjetër, Allahu i drejtohet profetit Musa (paqja qoftë mbi të!) dhe i thotë: “Shkoni te Faraoni! Ai, me të vërtetë, i ka shkelur të gjithë kufijtë! Flitini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!” (Sure “Ta Ha”, ajetet 43-44).

Sa i mrekullueshëm ky ajet! Allahu i Madhëruar i thotë profetit Musa dhe vëllait të tij Harunit (paqja qoftë mbi ta!) që me Faraonin të përdorin butësinë në bisedë dhe jo ashpërsinë.

Fjala e butë dhe e mirë është ajo që ndryshon zemrën dhe jo ashpërsia apo dhuna e imponimi. Tregimet e profetëve (paqja qoftë mbi ta!) janë shembulli më mirë në misionin e thirrjes së njerëzve në rrugën e Allahut, e cila është rruga e paqes, e dashurisë, e vëllazërisë, e lumturisë dhe e shpëtimit sin ë këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “dhe bëhu i butë me besimtarët që të pasojnë ty!” (Sure “Shuara”, ajeti 215.)

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) triumfoi përshkak se ai fliste fjalë të buta. Për këtë Allahu i Madhëruar thotë: Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje…” (Sure “Ali Imran”, ajeti 159.)

Ky ajet dëshmon qartë se fjala e butë ka qenë arma më e fuqishme e trumfit të Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Me fjalët e tij të buta ai arriti të bëjë një ndryshim madhështor në shoqërinë që e kishte mbuluar padrejtësia, injoranca, fanatizmi dhe errësira. Ai kurrë nuk shante e as nuk ofendonte edhe pse e shanin dhe e ofendonin. Të keqen i përgjigjej me të mirë.

Mirëpo sot, fatkeqësisht, ka njerëz, të cilët pretendojnë se janë prej pasuesve të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe me pretendimin se po urdhërojnë në të mirë dhe po ndalojnë nga e keqja, ata përdorin fjalët më banale e më ofenduese ndaj të tjerëve. Ndërkohë që as Allahu e as profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk e pëlqejnë këtë veprim. Feja islame është fe e pastërtisë, qoftë në thënie apo në veprime. Islami i dënon me forcë fjalët banale dhe ofenduese. Kur’ani i shenjtë thotë: “Mjerë për çdo përqeshës – shpifës.” (Sure “Humeze”, ajeti 1.)

Duhet që urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja të jenë të bazuar në Kur’anin e shenjtë, në synetin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe në jetëshkrimin e të dashurve të Allahut. Ata njerëz të cilët duan ta kryejnë këtë detyrë të vyer, duhet të jenë të pajisur me dije nga Kur’ani i shenjtë dhe nga jeta e vulës së profetëve, Drita e Pashuar, profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Të gjithë ata persona të cilët kanë marrë përsipër të urdhërojnë në të mira dhe të ndalojnë nga të këqijat duhet të jenë zemërgjerë, të devotshëm e të urtë në këtë mision të begatë e fisnik. Ata duhet të dialogojnë me të gjithë njerëzit, me ata që kanë mendime të përbashkëta dhe me ata që kanë mendime të ndryshme. Dialogu i tyre duhet të jetë në përputhje me thënien e Allahut të Madhëruar, i cili thotë: O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja. Nëse nuk pajtoheni në ndonjë gjë, drejtojuni Allahut dhe të Dërguarit, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Kiametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” (Sure “Nisa”, ajeti 59) Pra, ky ajet i begatë sqaron se si duhet të dialogojmë me njëri- tjerin për çështje që nuk pajtohemi.

Gjatë të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja duhet që çështjet të sqarohen me metodë të arsyeshme dhe me argumente bindëse.

Në historinë islame përmendet se një ditë imam Hasani dhe imam Hyseini (paqja qoftë mbi ta!) panë një të moshuar i cili po merrte abdes në mënyrë të gabuar. Ata iu afruan të moshuarit dhe nuk i thanë se abdesi yt nuk është i rregullt. Ata iu drejtuan të moshuarit me plot edukatë dhe etikë të lartë duke i thënë: O Xhaxha, ne po bëjmë fjalë se  cili nga ne e merr më mirë abdesin. A ka mundësi që të jesh gjykatës mes nesh? I moshuari u tha: Patjetër. Ata të dy filluan të merrnin abdes dhe i moshuari po i shikonte. Kur mbaruan i thanë të moshuarit: O Xhaxha, cili nga ne e mori më mirë abdesin? I moshuari u tha: Që të dy e morët mirë abdesin. Jam unë ai që nuk e kam marrë ashtu si duhet abdesin.

Të tilla metoda duhet të ndiqen e të zbatohen në kryerjen e detyrës së të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja.

Të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja duhet të fillojë tek vetvetja, te familja, te fisi e farefisi dhe më pas të përfshijë të gjithë shoqërinë. Në Kur’ain e shenjtë lexojmë: “Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm.” (Sure “Shuara”, ajeti 214.)

Kur zbatohet urdhëri në të mirë, forcohen besimtarët dhe rradhët e tyre. Kur zbatohet ndalimi nga e keqja, u thyhet hunda hipokritëve dhe atyre që duan të bëjnë përçarje dhe shkatërrim në tokë. Ndërsa, kur urdhërohet për të këqija, siç po ndodh në kohët e sotme nëpërmjet medjave dhe internetit, forcohen hipokritët dhe përçarësit. Kur ndalohet e keqja, dobësohen besimtarët dhe rradhët e tyre. 

Kur zbatohet detyra e urdhërimit  në të mira dhe e ndalimit në të këqija fitohet kënaqësia e Allahut, vërtetohet dashuria ndaj Allahut dhe ndaj legjislacionit të Tij. Kur kryhen këto detyra, përhapen rregullat e fesë së pastër në tokë, kryhen detyrat e caktuara nga Allahu dhe mbrohet individi, familja dhe shoqëria nga devijimi, shkatërrimi dhe dënimi si në këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër. Kur zbatohen këto dy detyra, pasqyrohet besimi i vërtetë.

Urdhëri në të mirë dhe ndalimi nga e keqja në Kur’anin e shenjtë

Kur’ani i shenjtë përmban disa ajete të cilat flasin për detyrën e urdhërimit në të mirë dhe të ndalimit nga e keqja. Ndër ato ajete përmendim:

1- “Le të dalë prej jush një grup që të thërrasë për në mirësi, të urdhërojë për vepra të mira e të ndalojë prej veprave të shëmtuara! Këta njerëz do të jenë të shpëtuarit.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 104.)

2- Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin: (sepse) ju urdhëroni që të bëhen vepra të mira, i ndaloni të këqijat dhe besoni Allahun…” (Sure “Ali Imran”, ajeti 110)

3- Ata besojnë Allahun dhe Ditën e Kiametit, e urdhërojnë të mirën, e ndalojnë të keqen dhe nxitojnë për të bërë punë të mira. Këta janë ndër të drejtët. (Sure “Ali Imran”, ajeti 114)

4- “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (Sure “Teube”, ajeti 71.)

5- Në të vërtetë, Allahu ka blerë nga besimtarët jetën dhe pasurinë e tyre, në këmbim të Xhenetit. Ata luftojnë në rrugën e Allahut, vrasin dhe vriten. (Ky është) premtimi i Tij i vërtetë në Teurat, Ungjill dhe Kuran. E kush i përmbahet besëlidhjes më fort se Allahu? Prandaj, gëzojuni kësaj shitjeje! Kjo është fitorja madhështore. (Këta janë) ata që pendohen, e adhurojnë Allahun, e falënderojnë Atë, agjërojnë, përkulen (në namaz), bien në sexhde (gjatë namazit), urdhërojnë vepra të mira, pengojnë të këqijat

dhe u përmbahen kufijve të caktuar nga Allahu. Jepu lajmin e mirë besimtarëve!” (Sure “Teube”, ajetet 111-112)

6- “(Allahu i ndihmon edhe) ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zeqatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.” (Sure “Haxh” , ajeti 41.)

7- O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, ndaloje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve.” (Sure “Lukman”, ajeti 17.)

Në mbyllje të këtij artikulli dua të përmend një këshillë mjaft të vyer të Kur’anit të shenjtë. Edhe pse Allahu u drejtohet besimtarëve në këtë ajet të begatë, mirëpo kjo këshillë është e vlefshme për të gjithë njerëzit pa përjashtim, sepse Allahu është Krijuesi i të gjithë njerëzve, për këtë është detyrë e të gjithë njerëzve të njihen me këshillat e Krijuesit të tyre dhe t’i zbatojnë ato në jetën e përditshme. Sigurisht, këshillat dhe porositë e Allahut të Madhëruar, Krijuesit të Plotfuqishëm janë receta më e mirë për shërimin e sëmundjeve të ndryshme shpirtërore. Ato janë garantuese për një jetesë të lumtur e të begatë si në këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër. Allahu i Madhëruar thotë: “O ju, që keni besuar! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.” (Sure “Tahrim”, ajeti 6.) Shpëtimi arrihet duke zbatuar të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja.

Allahu na i ndriçoftë zemrat me dritën e Kur’anit!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI