Porosi nga Imam Khomeini

nga Vullnet Merja | Publikuar në Dhj. 24, 2016, 2:25 a.m.

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirplotit

Të gjithë e dimë që njeriu është krijesë shoqërore. Ai ndikohet nga mjedisi ku jeton, qoftë pozitivisht apo negativisht. Porositë e mira përbëjnë një faktor të rëndësishëm në jetën e njeriut. Ato e ndihmojnë njeriun që të jetë sa më i fortë përballë furtunave të ndryshme të jetës. Porositë ndikojnë shumë në shpëtimin e njeriut nga zjarri. Porositë ndikojnë më shumë kur ato e kanë burimin nga Krijuesi i Plotfuqishëm, nga profeti i mëshirës, profeti Muhamed (paqja dhe bekiet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), nga të dashurit (eulijatë) e Allahut dhe nga dijetarët e devotshëm e të përkushtuar në rrugën e Allahut të Madhëruar.

Të shumta janë porositë, të cilat zhdukin padrejtësinë, devijimin e degjenerimin. Të shumta janë porositë të cilat arrijnë të shpëtojnë një brez të tërë nga humbja dhe largojnë risitë negative që ndodhen në shoqërinë njerëzore.

Të tilla janë edhe porositë e dijetarëve të mëdhenj Islam,sepse burimi i porosive të tyre është Fjala e Allahut, Kur’ani i shenjtë dhe sunneti i pastër i Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Më poshtë po përcjellim disa porosi nga eruditi, komentuesi, edukuesi dhe juristi Es Sejjid Ruhull’llahi el Musauij el Khomeini (Allahu e mëshiroftë!)    

1-Të dashur vëllezër e motra: Ecni drejt të vërtetës

Vendosni të ecni në rrugën e Allahut. Bëjeni të jashtmen tuaj njerëzore. Zbatoni rregullat e sheriatit dhe kërkojini Allahut të Madhëruar t’ju ndihmojë në arritjen e qëllimeve tuaja . Kërkoni ndihmën e Allahut që për hir të profetit Muhamed  dhe familjes së tij të pastër e të dlirë t’ju mbarësojë në këtë rrugë. Të shumta janë rrugët e devijimit në këtë jetë. Është e mundur që për një moment njeriu të rrëshqasë në humnerën shkatërruese. Prandaj, lutjuni Allahu t’ju mbrojë nga devijimi prej rrugës së drejtë dhe t’ju dhurojë mirësinë e ndjekjes së mësimeve të Tij dobiprurëse për të dyja botët.

2-Të dashur vëllezër e motra: Largohuni prej të ndaluarave

Përpiquni që të fitoni vendosmërinë dhe vullnetin. Nëse do të largoheni nga kjo jetë pa realizuar vendosmërinë tuaj për t’u larguar prej të ndaluarave, jeni  sipërfaqësor dhe jo thelbësor. Në ditën e tubimit nuk do të dilni në formën e njeriut sepse, në atë ditë do të shfaqet e brendshmja dhe të fshehtat. Me kryerjen e mëkateve, dalëngadalë njeriu e humbet vendosmërinë e cila mund të konsiderohet si xhevahir i njeriut.

3-Të dashur vëllezër e motra: Luftoni me vetveten

Jini përmendës të madhështisë së Allahut dhe të mirësve të Tij. Gjithmonë mendoni se ndodheni në prani të Tij dhe se Ai është Dëshmuesi juaj për çdo gjë që veproni. Prandaj, duhet te jeni  të bindur ndaj Allahut. Mos i lini ushtarët e djallit të triumfojnë në luftën me veteveten. Forconi ushtrinë e Allahut që gjendet në vetat tuaja, që Allahu t’ju mbarësojë të triumfoni ndaj djallit dhe ushtarëve të tij. Dijeni se lufta me veteveten është e vazhdueshme deri në fund të kësaj jete. Kurrë mos i punësoni vetat tuaja me shpresa të kota. Por shpresa juaj të jetë vetëm te Allahu. Kërkojini Atij që t’ju forcojë në këtë betejë sepse Ai është Përkrahësi dhe Ndihmuesi i vërtetë.

4-Të dashur vëllezër e motra: Kërkojini ndihmë Allahut të Madhëruar

Mendoni dhe kërkojeni ilaçin shërues. Gjeni rrugën dhe mjetin e shpëtimit tuaj. Mështetuni në Allahun e Plotfuqishëm. Kërkojini Atij në netët e errëta që t’ju bëjë mëshirues e të dashur. Lutjuni Atij që t’ua largojë djallin dhe të jeni të lumtur në të dyja jetët. Mbështetuni në Allahun dhe Atij kërkojini ndihmë. Në Kur’an thuhet: Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë. (Sure “Tallak”, ajeti 3)

Nëse i mbështeteni Allahut, do të fitoni Xhennetin e premtuar nga Ai.

5-Të dashur vëllezër e motra: Jini seriozë dhe aktivë

Hapini veshët dhe sytë e zemrave tuaja që të jeni njerëz të vërtetë. Dilni nga bota e iluzionit dhe e fasadës njerëzore dhe hyni në botën e bërthamës e të xhevahirit. Përpiquni sa më shumë në jetën tuaj. Merrini çështjet me seriozitet dhe kurrë mos neglizhoni në kryerjen e veprave të mira qofshin edhe të pakta apo të vogla në pikëpamjen tuaj. Mos prisni që gjërat t’ua sjellin të tjerët. Gjejini ju ato se ku ndodhen. Kurrë mos u plogështoni. Jini përpjekës sepse Allahu do t’ju udhëzojë me dëshirën e Tij. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: Ata që luftojnë (përpiqen, sakrifikojnë) për çështjen Tonë, sigurisht, Ne do t’i udhëzojmë drejt udhëve Tona. Vërtet, Allahu është me punëmirët!) (Sure “Ankebut”, ajeti 69.)

6-Të dashur vëllezër dhe motra: Jini gjithmonë fitimtarë ndaj djallit të mallkuar

Mbështetuni në Allahun e Plotfuqishëm në çdo moment. Atij dhe vetëm Atij kërkojini ndihmë. Lutjuni Allahut me çiltërsi dhe me bindje duke thënë: “O Zot. Vërtet, djalli është armik i madh. Ka qenë armik i përbindur i të dërguarve dhe të dashurve të Tu. O Zot. Më ndihmo që të të adhuroj vetëm Ty. Unë jam rob i dobët dhe i sprovuar me iluzione të kota dhe me fantazira të pabaza. Më ndihmo që të triumfoj ndaj këtij armiku të fortë. O Zot. Më ndihmo në duelin me djallin i cili kërcënon lumturinë time dhe personalitetin tim. Më ndihmo ta shporr atë dhe ushtarët e tij…”

7-Të dashur vëllezër dhe motra: Shfrytëzojeni kohën

Zgjohuni nga gjumi dhe nga pavëmendshmëria juaj. Shtrëngojini rripat e misioneve tuaj në këtë jetë. Shfrytëzojeni kohën sa të keni mundësi në jetën tuaj. Shfrytëzojeni atë për aq sa keni fuqi. Shfrytëzojeni rininë tuaj në atë që janë të dobishme dhe në të mirë të vetes tuaj, familjes tuaj dhe shoqërisë tuaj. Jini të vëmendshëm që të mos ju sundojnë moralet e këqija dhe veset e ulëta. Nëse jeni të mbërthyer nga moralet dhe veset e këqija kërkoni ilaçin shërues për zhdukjen e atyre moraleve dhe veseve poshtëruese. Gjeni ilaçin e duhur që shuan ndikimin e epsheve e të devijimit. S’ka dyshim se ilaçi më i mirë është Fjala e Allahut, Kur’ani i shenjtë, tradita profetike dhe porositë e familjes së tij të pastër e të dlirë. “O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët.” (Sure “Junus”, ajeti 57).

8-Të dashur vëllezër dhe motra: Pastrojini zemrat

Largojeni nga vetja juaj përgjumësinë dhe dehjen. Peshojini veprat tuaja me peshoren e logjikës para se të peshohen në Botën. Llogaritini vetat tuaja para se t’ju bëhet llogaria. Pastrojeni pasqyrën e zemrës nga ndryshku i të këqijave dhe padrejtësive. Mos e lini dritën e zemrës të shndërrohet në errësirë. Kujtojeni gjithmonë ajetin: “…natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit…” dhe mos e harroni. Mos e shpërdoroni këtë amanet të shenjtë që iu ka dhënë Allahu. Pastrojeni zemrën tuaj me qëllim që të depërtojë drita e Allahut të Madhëruar. Pastrojini zemrat tuaja me qëllim që ato të vëlojnë nga dashuria dhe malli për Allahun e Vetëm e të Pashoq. Pastrojini zemrat tuaja me qëllim që ta ndieni kënaqësinë e thirrjes dhe të lutjes që i bëni Allahut. Pastrojini zemrat tuaja me qëllim që të dalloni kënaqësitë e vërteta shpirtërore e hyjnore nga ato shtazore. Pastrojini zemrat tuaja sepse asgjë nuk do t’ju bëjë dobi para Allahut veçse shkuarja te Ai me zemër të pastër e të shëndoshë. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët,  përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Sure “Shuara”, ajetet 87-88)

9-Të dashur vëllezër dhe motra: Kini kujdes ndaj Allahut.

 Dijeni mirë se Allahu ju ka krijuar për Atë, siç thuhet në një hadith kudsij: “O biri i Ademit, i kam krijuar krijesat për ty dhe të kam krijuar ty për Mua.” Kjo nuk ka kuptimin se Ai ka nevojë për ju. Kurrë. Ai është i Vetmjaftueshëm. Prandaj, vendoseni Allahun në zemrat tuaja sepse si ti ashtu edhe zemra jote jeni prej argumenteve dhe shenjave të Allahut. Jo vetëm kaq, jeni të shenjtë te Allahu. Kurrë mos i cënoni shenjtëritë e Tij. Kurrë mos lejoni duart e papastra të njollosin shenjtëritë e Tij. Kini kujdes ndaj Allahut përndryshe Ai do t’ju çjerrë maskën në këtë botë dhe nuk do të arrini ta ndreqni veten tuaj sado që të përpiqeni. Prandaj, duhet të jeni  të kujdesshëm ndaj Allahut. Mos i çoni vetat tuaja në shkatërrim me duart tuaja. Vërtet, Allahu është i Gjthmëshirshëm por është edhe Ndëshkues.

10-Të dashur vëllezër dhe motra: Largohuni nga shtirja

Kontrollojeni veten tuaj në çdo vepër. Kryeni vepra të mira e të ndershme dhe urdhëroni në to. Nëse bëni vepra të mira, mos ia thoni askujt. Nëse faleni natën apo u jepni nevojtarëve fshehurazi, nuk është nevoja të flisni se çfarë keni bërë. Përderisa Allahu e di se çfarë veproni, nuk është e thënë që të lajmëroni njerëzit për ato që keni bërë. Sepse, mos e thëntë Allahu, mund të goditeni me mburrjen. Falenderojeni Alllahun i cili i’u ka dhuruar këtë shpirtbardhësi dhe këtë zemër të pastër. Jini të kujdesshëm ndaj pëshpëritjes së unit tuaj, i cili mund t’ju mashtrojë dhe që të bëheni mburracakë. Para se të bëni një punë mendoni mire, nëse është për Allahun bëjeni, nëse nuk është për Allahun, më mirë mos e bëni.

11-Të dashur vëllezër dhe motra: Njiheni fuqinë e vërtetë

Mendohuni për të gjetur rrugën e shpëtimit. Dijeni se pozita te njerëzit është iluzion i pabazë. Ajo nuk përbën asgjë. Zemrat e njerëzve që kërkojnë pozitë në mesin e njerëzve, janë të humbura e të dobëta. Ato zemra nuk kanë fuqi për asgjë. Këta lloj njerëzish janë të pafuqishëm e të dobët. Fuqia e vërtetë është ajo e Allahut të Madhëruar. Ai është Vepruesi i Plotfuqishëm dhe Krijuesi i gjithçkaje. Sikur të gjithë njerëzit të bashkoheshin për të krijuar krijesën më të vogël, kurrë nuk do ta bëjnë. Sa bukur e thotë Kur’ani këtë gjë në një ajet ku thotë: “O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: “Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i përgjërohen (idhulli).” (Sure “Haxh”, ajeti 73.)

12-Të dashur vëllezër dhe motra: Kujdesuni nga adhurimi i vetvetes

Mos jini prej të pavëmendshmëve ndaj njohjes së Allahut, Krijuesit të gjithësisë. Mos jini prej atyre që nuk kuptojnë vetëm dëshirat e egos e të epsheve. Zbatoni ato që ka sjellë Krijuesi dhe largohuni prej atyre që ai ka urdhëruar që të largoheni. Sa herë që të veproni diçka mendohuni e thoni: vallë, këtë punë po e bëj që të arrij  qejfet dhe kënaqësinë e kësaj jete apo për të fituar kënaqësinë e Krijuesit? Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni asgjë Atij në adhurim. Kurrë mos jeni të vetkënaqshëm me ato që veproni. Dijeni se Allahu ju shikon e ju dëgjon. A nuk turpëroheni kur bëni ndonjë punë të keqe?!Adhurimi është ai që e afron më shumë njeriun me Krijuesin. Mos e kryeni adhurimin për t’u vetkënaqur e për t’u dukur.  Jini të kujdesshëm ndaj kurtheve dhe intrigave të djallit e të egos. Dijeni se djalli nuk dëshiron kurrë që të bëni një vepër me sinqeritet e me pastërti. Ai përpiqet që t’ju largojë nga e vërteta dhe nga rruga e Allahut. Mos u bëni prej pasuesve të djallit sepse do të dënoheni rëndë si në këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër sepse Allahu ju ka lajmëruar në Kur’an që djalli është armiku më i përbetuar i juaji. Ai ju shpie në rrugën e poshtërimit e të degjenerimit. Në rrugën e vuatjes e të mjerimit. Në rrugën e dhimbjes e të lëndimit shpirtëror. Hiqni dorë nga vetpëlqimi dhe mendjemadhësia sepse këto janë prej veprave të djallit. Gjithmonë mendoni, a jeni në rrugën e Allahut apo në rrugën e shejtanit?!

13-Të dashur vëllezër dhe motra: Njiheni të dashurin e vërtetë

Mos u bëni prej atyre që Allahu është i zemëruar. Mos e shitni dashurinë e Allahut për hir të iluzioneve dhe fantazirave të kota. Mos i mashtroni njerëzit me dashuri falco vetëm për të realizuar qëllimet dhe synimet tuaja. Kujtojini mirësitë e të pafundme të Allahut që ju mbulojnë në çdo çast të jetës suaj. Mos e zëvendësoni dashurinë e Krijuesit me dashurinë e krijesës. Mos mendoni të përfitoni tjetër gjë nga dashuria për Krijuesin përveçse pendimin dhe kthimin tek Ai. Njiheni mirë të dashurin e vërtetë në këtë jetë sepse më pas nuk do t’ju bëjë dobi asnjë lloj njohjeje. Jini prej atyre që Allahu thotë në Kur’an: “…Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun…”

14-Të dashur vëllezër dhe motra: Pastrojini shpirtërat

Kjo arrihet duke përmendur Allahun e Madhëruar. Mundohuni që punët dhe veprat tuaja të jenë vetëm për Allahun. Nëse janë të tilla do të shihni ndihmën e Allahut në çdo hap të jetës tuaj. Nëse punoni për Allahun, do t’ju shpërblejë si në këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër. Si përfundim do të jeni të dashur te Allahu. Duke punuar çdo gjë për Allahun, shpirtërat tuaj do të jenë të pastër dhe Ai do t’ua lartësojë pozitën në të dyja jetët. Mundohuni sa më shumë që të pajiseni me shpirtin e përpjekjes e të sakrificës me qëllim që nëpërmjet përpjekjes dhe sakrificës të largoni papastërtitë e shpirtit dhe të jeni prej banorëve të Xhennetit.

15-Të dashur vëllezër dhe motra: Jini modestë

Ta dini se nëse jeni të thjeshtë njerëzit do t’ju respektojnë dhe t’ju konsiderojnë të mëdhenj. Nëse bëheni mendjemëdhenj ndaj njerëzve, nuk do të fitoni respektin e tyre. Nëse bëheni  mendjemëdhenj ndaj njerëzve do të jeni të poshtër dhe nuk do të keni pozitë në mesin e tyre. Hapini zemrat e njerëzve me modestinë. Nëse afroni zemrat e të tjerëve do të duken ndikimet e tyre. Nëse i largoni zemrat e njerëzve ndikimet e tyre do të jenë në kundërshtim me dëshirat tuaja. Prandaj, duhet të ndiqni rrugën që ju çon në respektin e njerëve. Nëse nuk e dini këtë rrugë, lexoni porositë e Lukmanit të urtë për djalin e tij që përmenden në Kur’anin e shenjtë: O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve! Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët! Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”! (Sure “Lukman”, ajetet 17-19.) Dijeni se nga modestia dhe thjeshtësia lind dija dhe njohja. Nga mendjemadhësia lind padituria dhe mosnjohja. Hiqeni nga vetja juaj të keqen e paditurisë. Pajisuni me virtytet e të dërguarve dhe mënjanoni cilësitë e djallit. Mos u bëni mendjemëdhenj ndaj Allahut sepse do të poshtëroheni në këtë jetë dhe do të dënoheni në Jetën Tjetër. Nëse doni të ndreqni vetat tuaja bëjeni me vepra dhe jo me fjalë. Rruga e vetme për të mposhtur egon dhe djallin është rruga e Allahut. Kurrë mos devijoni nga kjo rrugë shpëtuese e lumturuese.

16-Të dashur vëllezër dhe motra: Mos u kapni pas kësaj jete

Duhet të njiheni me dëmet e të dhënit pas kësaj jete. Ato dëme e çojnë njeriun në shkatërrim dhe e zhveshin nga besimi. Prandaj, mos u bëni prej mallëngjuesve të kësaj jete sepse do të jeni prej të humburve në të dyja jetët. Jini vërtetues të thënies së profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë: “Puno në këtë jetë sikur do të jetosh përgjithmonë. Dhe mendo për Jetën Tjetër  sikur do të vdesësh nesër.” Dijeni se mirësite e kësaj bote janë të mbushura me dhimbje dhe janë të paqëndrueshme. Allahu i Madhëruar thotë: “Çdo gjë që ju është dhënë juve, ajo është kënaqësi e kësaj jete dhe stoli e saj, ndërsa ajo që është tek Allahu, është më e mirë dhe më e përhershme. Vallë, a nuk e kuptoni?!” (Sure “Kasas”, ajeti 60).

17-Të dashur vëllezër dhe motra: Largohuni nga hipokrizia

Ta dini se prej shenjave të hipokrizisë janë dygjuhësia dhe dyfytyrësia. Ka mundësi që në këtë botë të jeni të sprovur me këtë shenjë përshkak se prerdet e paditurisë, të mendjemadhësisë errësuese, të dhënit pas kësaj jete kanë mbuluar mendjen dhe zemrat tuaja. Dijeni se hipokrizia është sëmundje e rrezikshme e cila e shkatërron mbartësin e saj. Për t’u njohur më shumë me këtë sëmundje dhe me fundin e dhembshëm të hipokritëve lexoni dhe logjikoni ajetet e Kur’anit që flasin për këtë sëmundje.

18-Të dashur vëllezër dhe motra: Jini të sinqertë

Nëse besoni në monoteizëm, atëherë zemrat tuaja nuk adhurojnë tjetërkënd përveç Allahut. Besimtarët e vërtetë e të sinqertë i luten vetëm Allahut. Duhet që e jashtmja juaj dhe e brendshmja juaj të jetë një e përbashkët. Te zemrat e të sinqertëve kurrë nuk i nënshtrohen ose I pasojnë  pasuesve të dynjasë. Punoni me sinqeritet sepse Allahu nuk sheh fizionomine tuaj. Ai sheh zemrat tuaja. Ai është i Githëditur për qëllimet tuaja. Mundohuni të jeni të sinqertë me Allahun, me veten dhe me njerëzit e tjerë që ju rrethojnë. Nëse jeni të sinqertë, jini asketë ndaj kënaqësive të kësaj jete. Asnjëherë mos u gëzoni kur njerëzit ju lavdërojnë. Kurrë mos jetë asketizmi juaj në këtë dynja për këtë dynja. Sinqeriteti është virtyt i të dërguarve. Ata triumfuan përshkak të sinqeritetit të tyre ndaj Allahut. Profeti ynë i dashur, Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka qenë në majat e sinqeritetit. Vallë, a e pasoni ashtu siç duhet atë?!

19-Të dashur vëllezër dhe motra: Pastroni nijetet tuaja

S’ka dyshim se shpëtimtari kryesor dhe burimi i mirësive është pastrimi i nijetit. Në një hadith lexojmë: “Kushdo që punon me sinqeritet për hir të Allahut dyzet ditë, atij do t’i rrjedhë urtësia në zemrën dhe në gjuhën e tij.” Këto janë dobitë dhe ndiket e sinqeritetit për dyzet ditë. Kur ti përpiqesh dyzet vjet apo më shumë në rrugën e grumbullimit të termave dhe njohurive shkencore dhe e konsideron veten tënde shenjë prej shenjave të Allahut, mirëpo nuk sheh ndikim të urtësisë në zemrën tënde dhe as shijen e saj në gjuhën tënde. Atëherë, dije se studimet e tua dhe mundimet e tua nuk kanë qenë të shoqëruara me sinqeritetin. Ato ti u përpoqe për djallin dhe për dëshirat vetjake. Kur pe që këto shkenca nuk dhanë rezultat, atëherë, qoftë edhe për provë, drejtohu kah sinqeritetit të nijetit dhe në pastrimin e zemrës nga papastëritë dhe dytësitë. Nëse ndien ndikim, përpiqu më shumë të vazhdosh në këtë rrugë. Nëse pastërtia është prej provës, ai nijet është në kundërshtim me sinqeritetin por ka mundësi që të të dhurojë pak nga drita e saj. 

20-Të dashur vëllezër dhe motra: Mos ju mashtroni djallit

Kurrë të mos ju mashtrojë djalli dhe kurrë të mos ju mashtrojnë tekat e nefsit. Dihet se njeriu është i sprovuar me epshin dhe dashurinë për këtë jetë, me pushtetin dhe me pasurinë. Ai anon kah çdo gjëje që përputhet dhe mbështet dëshirat e tij dhe iluzionet e tij djallëzore pa bërë asnjë verifikim apo hulumtim për ato që vepron dhe pason. Ky i mjerë kujton se vetëm pretendimi që unë e dua Allahun, profetin dhe Ehli Bejtin e tij e mbron atë nga kryerja e harameve dhe mjafton kjo dashuri që ai të mos kryejë detyrat e ngarkuara nga Allahu i Madhëruar.

21-Të dashur vëllezër dhe motra: Rrugëtimi drejt Allahut

Dijeni se udhëtimi juaj dhe shpërngulja nga shtëpia e errët e egos për tek Qabja e vërtetë, është udhëim shpirtëror dhe marshim gnostik. Ky udhëtim fillon nga egoja dhe vetëpëlqimi. Stacionet e këtij udhëtimi janë në horizonte, në veta të cilat quhen edhe pengesa të dritës së vërtetë. Duhet që çdo udhëtar në rrugën e Allahut t’i largojë këto pengesa me qëllim që drita të jetë e pranishme në zemrën e tij gjatë gjithë jetës në këtë botë. Dijeni se drita vjen nga pasimi I porosive të Allahut dhe errësirat nga ndjekja e egos, pasionit dhe dëshirave.

22-Të dashur vëllezër dhe motra: Harmonia midis jush

Njeriu keqbërës dhe fatkeq nuk e ka kuptuar se shejtani e ka çororditur atë. Këtij I duhet frikësuar fundi I moshës së tij nga zhveshja prej dashurisë së thatë e cila nuk ka dobi. Ky do të tubohet në Ditë e Kijametit duarbosh dhe në rreshtin e armiqve të Ehli Bejtit (paqja qoftë mbi ta!). Vërtet, predenimi i dashurisë pa argument nuk pranohet.  Ky njeri nuk mund të jetë shoku yt ndërkohë që ai vepron atë që është në kundërshtim me dëshirën dhe qëllimet e tua. Pema e dashurisë prodhon tek njeriu I dashur për punën sipas shkallës së dashurisë. Nëse kjo pemë nuk mbart fryta, duhet të dihet se ajo nuk ka qenë dashuri e vërtetë, por është dashuri iluminare. 

23-Të dashur vëllezër dhe motra: Morali juaj

Nëse dëshironi studimin e lajmeve dhe haditheve, atëherë kthehuni te librat e nderuar të haditheve veçanërisht, Usulul Kafij me qëllim që të njihesh me përkujdesin e madh të të pamëkatshmëve (paqja qoftë mbi të!) ndaj moralit të lartë dhe parimeve të pëlqyera. Nëse jeni prej taikineve për sqarime shkencore dhe të fjalëve të dijetarëve, atëherë kthehuni te librat e moralit me qëllim që të kuptoni ndikimet dhe rezultatet e moraleve të mira. Nëse e gjen veten tuaj mospasues të moraleve të mira apo nuk e shihni të domosdoshme largmin nga moralet e këqja, atëherë përpiqu që të shërosh paditurinë tënde, e cila është kreu I sëmundjeve.

24- Të dashur vëllezër dhe motra: Mos jini të pakujdesshëm

Kini kujdes. Allahu ju ndihmoftë në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër. Mos jini të pakujdesshëm në çështjet tuaja, veçanërsht ndaj pesë kohëve të namazit. Mos e lini veten tuaj që t’ju mbulojë vaktësia dhe neglizhenca ndaj namazit. Allahu e di se të dërguarit, eulijatët dhe imamët udhëzues (paqja qoftë mbi ta!) i nxisnin njerëzit për namazet dhe i paralajmëronin ata nga mosinteresimi ndaj tyre. Këtë e bënin përshkak të dashurisë dhe dhembshurisë që kishin për njerëzit. Atyre nuk u sjell dobi besimi ynë dhe as punët tona.

25- Të dashur vëllezër dhe motra: Besimi i vërtetë

Duhet patjetër ndreqja e vetave dhe kultivimi i besimit në Allahun me qëllim që të ndreqen çështjet. Të gjithë fatkeqësitë tona burojnë nga besimi i dobët dhe bindja iluminare. Besimi i vërtetë është ai që i shkatërron perdet e errëta dhe mbush qenien e njeriut përplot me dritë dhe me pastërti.

26- Të dashur vëllezër dhe motra: Besimi në të padukshmen

 A e dini shkakun e vaktësisë sonë në çështjet e fetare? Kjo përshkak të mosbesimit në të padukshmen (gajbin) dhe se bazat e besimit tonë janë të dobëta dhe besimi ynë në premtimet e Allahut dhe të të dërguarve të Tij janë të luhatshme. Për pasojë, të gjitha çështjet fetare dhe legjislacioni I Allahut tek ne janë të parëndësishme e të dobëta. Kjo dobësi pak nga pak çon në pavëmendshmëri. Atëherë vjen një kohë që kjo pavëmendshmëri ose sundon mbi ne dhe na nxjerr tërësisht nga feja jonë, ose çon në pavëmendshmëri në kohën e daljes së shpirtit dhe në momentet e vështira nga jeta e njeriut.

27- Të dashur vëllezër dhe motra: I Dashuri i vërtetë:

Mos e vendosni veten tuaj përballë zemërimit të Allahut për hir të iluzioneve të kota dhe dashurisë së thjeshtë për krijesën e dobët dhe për të tërhequr zemrat e njerëzve tek ju. Kurrë mos e shisni dashurinë e Allahut, as mirësitë e Tij të panumërta e as përkujdesjen e madhe hyjnore me një dashuri të thjeshtë që gjendet te krijesat, e cila nuk është e qëndrueshme dhe jofrytdhënëse. Kjo dashuri për krijesat sjell veçse pendim dhe fatkeqësi kur ju e kufizoni veten tuaj vetëm me këtë dynja dhe fitmiet e saj. Por kur të shkëputesh nga kjo jetë as pendimi nuk do të t’ju sjellë dobi. Dashuri e vërtetë është dashuria për Krijuesin e gjithësisë.

28- Të dashur vëllezër dhe motra: Në adhurim:

Gjithmonë jeni në praninë e Allahut të Madhëruar dhe të melekëve të Tij të afërt. Kini kujdes. Mos I kryeni adhurimet në kundërshtim me kënaqësinë e Allahut.As për hir të nefsit urdhërues në të keq dhe as për djalin e mallkuar.  Dijeni se adhurimi është miraxhi I afrimit te Allahu Fuqiplotë. Nëse nuk keni turp dhe gënjeni në prani të Allahut dhe të melekëve të afërt, apo shpifni apo bëheni mendjemëdhenj, atëherë nuk do të keni turp për asgjë! Ku dallon adhurimi juaj nga mëkatet e mëkatarëve, veçanërisht mburrja?! Mburrja është shirk (politeizëm). E shëmtuara e saj e ka burimin se ju nuk e keni kryer adhurimin për hir të Allahut.

29- Të dashur vëllezër dhe motra:Intrigat e djallit

Jini të kujdesshëm ndaj intrigave të nefsit dhe djallit. Dijeni se ai nuk ju lë juve që të bëni një punë me sinqeritet. Madje edhe punët që bëni pa sinqeritet përsëri  Allahu për hir të mëshirës së Tij i pranon ato, djalli nuk ju lë që të arrinin qëllimin e duhur nëpërmjet tyre. Ai vepron diçka që të gjitha punët tuaja të shkojnë kot. Prej atyre ai ju nxit në vetpëlqim. Në këtë mënyrë ju nuk arrini në Xhennet por do të rrini përgjithmonë në dënim dhe në zjarrin e zemërimit. Ju hamendësoni se me këto vepra të pavlera  të përziera me mburrje dhe për të fituar emër dhe dëgjim të mirë në mesin e njerëzve, e meritoni shpërblimin e Allahut dhe se jeni bërë prej të dashurve të Tij!

30- Të dashur vëllezër dhe motra:  Falja e të tjerëve

Përsosmëria më e madhe njerëzore është që njeriu të falë atë që i bën keq atij. Të falurit është prej atributeve të larta të Allahut të Madhëruar. Pajisja me këtë virtyt është prej parimeve të larta morale dhe humane. Allahu i Madhëruar na thotë në Kur’anin e shenjtë: “Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.” (Sure “Fusilet”, ajeti 34.)

31- Të dashur vëllezër dhe motra:  Ruhuni nga gjumi i pavëmendshmërisë

Mjerë për ne të pavëmendëshmit që nuk zgjohemi nga gjumi i pavëmendshëmrisë deri në fund të jetës tonë dhe qëndrojmë të zhytur në dehësinë e dynjasë. Çdo ditë na shtohet edhe më shumë dehja dhe pavëmendshmëria. Nuk kuptojmë asgjë përveç gjendjes kafshërore nga të ngrënit dhe të pirët dhe shumimin. Çdo gjë tjetër që të bëjmë, qoftë edhe prej adhurimeve, atë e bëjmë për të ngopur barkun dhe epshin. A thua se namazi i mikut të Allahut ka qenë si namazi ynë? Miku nuk kërkoi asgjë, madje as nga Xhebraili. Kurse ne i kërkojmë nevojat tona djallit duke hamendësuar se ai do të na i përmbush nevojat.

32- Ngurtësia e zemrës

O njeri zemërgurë. Mendo për atë që e ashpërsoi zemrën tënde dhe e bëri më të ashpër se guri, e cila nuk e pranon as Kur’anin e Allahut që e zbriti për shpëtimin tënd dhe ti e bëre zemrën tënde të mbrapësht. O ti zemërgurë. Lexoje këtë ajet të bekuar dhe mendohu thellë në përmbajtjen e tij: “Ne kemi paracaktuar për Xhehenemin shumë xhinde dhe njerëz, sepse ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin dhe kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit.” (Sure “A’raf”, ajeti 179.)

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI