Xhamia e Mahmud Pashës (Hoçamahallës)

nga Faik Miftari | Publikuar në Dhj. 4, 2016, 4:24 a.m.

Është ndërtuar në vitin 1833 nga Mahmut pashë Rotlla mytesarifi i sanxhakut të Prizrenit nga viti 1809-1836, ka qenë njeri që ka ndërtuar shumë objekte në Prizren dhe ka lënë vakëfe (fondacione) të shumta.

Mbishkrimi i xhamisë së Mahmut pashës në lagjen e Hoçamahallës ekziston edhe sot e kësaj dite, në të cilin shkruan: ”Sahibül-hayrat ve’l hasenat hala Pürzerın Sancağı mutasarrıfı Mahmut Paşa bin Tahir Paşa Sene tis’a ve erba’ın ve ma’tın ve elf” e që në gjuhën shqipe do të thotë:”ky hajrat është ngritur nga mytesarifi (valiu) i sanxhakut të Prizrenit në vitin 1249 hixhri ”[1].

Kronisti Mehmet Tahir efendiu ka shkruar hollësisht për Mahmut pashë Rotllën, në të cilin për ndërtimin e xhamisë së tij në Hoçamahallë cek: “Ka themeluar po ashtu në Hoçamahallë në mes të saj një xhami, të falen besimtarët tanë”[2].

Mahmut pashë Rotlla përveq kësaj xhamie ka rindërtuar edhe xhaminë në Kala, xhaminë  e Sarajit në Bylbyldere, në Mamushë dhe në Rahovec ka ngritur nga një sahat kullë, si edhe në Kalanë e Prizrenit  ka ngritur një sahat kullë. Përveç që ishte mytesarifi i sanxhakut të Prizrenit në periudhën 1809-1836, një kohë ka shërbyer edhe si vali(guvernator) i Nishit dhe i Sofjes[3].

Pas luftës së fundit në Kosovë në vitin 1998-1999, gjegjësisht në fillim të shekullit XXI-të, xhamia e Mahmut pashës në Hoçamahallë është rrënuar në tërësi, pasi që me kohë dhe për shkak të materialit të dobët ndërtimor kishte filluar të prishej, dhe në vend të saj tani është ndërtuar godina e re e xhamisë e cila ka një pamje të bukur me të gjitha objektet e saj përcjellëse. Kjo xhami është ndërtuar në saje të ndihmave të shumta të xhematit dhe besimtarëve mysliman të Prizrenit .


[1] Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.116

[2] Nehat Krasniqi:”Kronika (Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës  në  Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.108

[3] Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.114