Xhamia e Emin Pashës

nga Faik Miftari | Publikuar në Nën. 6, 2016, 10:44 a.m.

Është xhamia relativisht e re, daton nga shekulli XIX-të, është ndërtuar në vitin 1831 nga ana e Mehmed Emin Pashës, mbi derën hyrëse qëndron mbishkrimi në të cilin shkruan:”sahibul-hajrat ve’l-hasenat Perzerini Tahirpasha-zade Mehmed Emin Pasha” që do të thotë:” ky hajrat është ngrit nga Prizrenasi Mehmed Emin Pasha i Tahir Pashës”[i] .

Sipas rëndësisë , është xhamia e tretë e Prizrenit pas xhamisë së Gazi Mehmed Pashës dhe Sinan Pashës. Veçoria e saj kryesore është se përveç kubes(kupolës) kryesore i ka edhe tri kube(kupola) të vogla dhe është kopje në miniaturë e xhamisë së Sinan Pashës. Ka të njëjtin  stil dhe projekt të ndërtimit si xhamia e Sinan Pashës. Çmohet edhe për nga bukuritë e brendshme të dekorimeve dhe shkrimeve orientale dhe pamjeve të natyrës së vdekur.

Kronisti Mehmet Tahir efendiu gjerësisht ka shkruar për Emin Pashën, për të cilin përveç tjerash ka cek:”Ai(Mahmut pasha) kishte një vëlla që i thoshin Emin pasha, pastë dobi e mirësi përgjithmon! Kishte tubuar më të mirin kapital dhe kishte blerë shtëpi në zemër të lagjes sonë. Ai ka ndërtuar një xhami që i shëmbëllen Sinan pashës”[ii].

Përveç xhamisë Emin pasha në oborrin e xhamisë ka ndërtuar edhe medresenë e cila ka qenë aktive dhe funksionale me procesin arsimor-fetar gjer në Luftën e dytë botërore, në Mamushë ka ndërtuar një çeshme(krua) në vitin 1816. Me vëllaun e vet Mahmut pasha së bashku kanë bërë edhe restaurimin e hamamit të Gazi Mehmet pashës dhe xhamisë së haxhi Kasëmit[iii].

Emin pasha ndërroi jetë në vitin hixhri 1259, gregorian 1843 gjersa ishte në pozitën sanxhakbeut të Prizrenit, u varros në oborrin e xhamisë, mbishkrimi i nishanit të varrit të tij është diç i jashtëzakonshëm.

Nishani i varrit të tij është i ndërtuar nga mermeri i llojit të vet që është sjell në atë kohë nga Shkupi, dhe i cili për shkak të vlerave skulpturale dhe mbishkrimit me shkronja arabe në gjuhën osmane është vlerësuar si përmendore  kulturore me rëndësi të posaqshme[iv].

Gjatë vitit të kaluar kanë përfunduar  punimet e përgjithshme në restaurimin komplet të xhamisë së Emin Pashës të projektuar dhe financuar nga Agjencioni shtetëror turk TIKA, me ç’rast përveç restaurimit komplet të xhamisë, është  rregulluar edhe oborri i gjerë i saj, gjë që tani krahas xhamisë së Sinan Pashës dhe Gazi Mehmed Pashës, së bashku me xhaminë e Emin Pashës paraqesin 3 margaritar më të çmuar të trashëgimisë së pasur materiale të periudhës osmane-islame në qytetin tonë të bukur të Prizrenit.


[i]  Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996,fq.45

[ii]  Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës  në  Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.108

[iii] Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.41

[iv] Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq. 41