Ebul Fadl Abasi, simbol i besnikërisë dhe i trimërisë

nga Vullnet Merja | Publikuar në Tet. 11, 2016, 4:21 a.m.

Ebu Fadl Abas është i biri i prijësit të besimtarëve imam Aliut (paqja qoftë mbi të!). Sipas disa studiuesve, Ebu Fadl Abasi ka lindur me 4 Shaban në vitin 26 të Hixhrit.

Është i njohur me pseudonimin Ebu Fadl përshak të moraleve të larta që posedonte. Gjithashtu, thuhet se është quajtur me këtë epitet sepse ai ka patur një djalë që quhej Fadl dhe për këtë atij i thuhej Ebul Fadl (babai i Fadlit).

Ai është vëllai i imam Huseinit (paqja qoftë mbi të!) dhe mbartësi i flamurit në Kerbela. Nëna e tij ka qenë Fatimeja e bija e Huzamit e njohur me emrin Ummul Benin. Ebu Fadl Abas është një personalitet i madh tek myslimanët.  Në mesin e besimtarëve shqiptarë, veçanërisht tek bektashinjtë, ai njihet me emrin Abaz Aliu.

PREJ LLAGABEVE (NOFKAVE) TË TIJ

1- Kamer beni Hashim (Hëna e fisit hashimit).

2- Ujëdhënësi i të eturve.

3- Robi punëmirë (el abdu salih)

4- Mbartësi i flamurit të imam Huseinit.

5- Komandanti sepse ai ishte komandanti i ushtrisë së imam Huseinit në Qerbela.

6- Porta e përmbushjes së dëshirave. Cilido që i drejtohet Zotit që për hir të Ebu Fadl Abasit t’ia plotësojë dëshirat, atij do t’i plotësohen me lejen e Zotit.

CILËSITË E TIJ

1- Besimi i fortë te Allahu.

2- Krenaria e lartë. Ai nuk pranoi të jetonte i poshtëruar nën sundimin e pushtetit të devijuar emevit.

3- Durimi. Ai ishte durimtar i madh përballë vështirësive. Nuk trembej dhe nuk gjunjëzohej para vëshhtirësive dhe problemeve sado të mëdhaja të ishin.

4- Besnikëria. Kjo u vu re më shumë në betejën e Qerbelasë ku Ebu Fadl Abasi i qëndroi besnik vëllait të tij imam Huseinit (paqja qoftë mbi të!) deri në vdekje.

5- Vullneti i fortë.

6- Butësia dhe mëshira. Këto dy cilësi u panë më së shumti në tokën e Qerbelasë në kohën që ushtria e Jezidit nuk lejoi që imam Huseini, dhe ata që ishin me atë, të pinin ujë nga lumi Eufurat. Kur pa gjendjen e fëmijë të cilët kërkonin ujë, Ebul Fadl Abasi e shkatarroi bllokadën e ushtrisë së Jezidit për t’i sjellë ujë fëmijëve dhe të eturve.

PËR EBU FADL ABASIN, KANË THËNË:

Imam Sexhadi, i biri i imam Huseinit, (paqja qoftë mbi ta!) ka thënë: “Zoti e mëshiroftë xhaxhain tim Abasin. Ai luftoi dhe fitoi. Ai e bëri kurban veten e vet për vëllanë e tij derisa ia prenë të dyja duart. Allahu i Madhëruar ia ka zëvendësuar atij dy duart me dy krahë me anë të të cilave ai fluturon në Xhenet, nësoj  si Xhaferi i biri i Ebu Talibit. Abazi ka një pozitë të lartë te Allahu i Madhëruar për të cilën e kanë zili të gjithë dëshmorët.”

Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Xhaxhai ynë Abasi ka qenë shumë largpamës, besimtar i patundur. Ai lutoi me vëllanë e tij, Abu Abdilahin (imam Huseinin) në mënyrën më të mirë dhe ra dëshmor.”

Peter Chelkovski, islamologu i njohur amerikan shkruan: "Etja e fëmijëve nëpër tenda dhe kur ata i drejtohen Abasit për t'i kërkuar ujë, është një histori e dhimbshme e cila ndikoi shumë tek unë."

 Ky studiues amerikan duke shprehur ndjenjat e tij të pastra, shpreh admirimin e veçantë për shokun më besnik të Imam Husejnit, Ebu Fadl Abasin (Abas Aliun) dhe thotë: "Unë jam thellësisht i mahnitur nga personaliteti i Ebu Fadl Abasit. Kam shkruajtur dhe botuar shumë artikuj në lidhje me të dhe kam mbledhur shumë fakte në lidhje me ceremonitë që organizohen në përkujtim të tij."

Ndoshta dikush prej jush mund të  pyesë : Përse Chelkovski është mahnitur shumë nga personaliteti i hazreti  Abasit i biri i Aliut (paqja qoftë mbi të!)? Përse Chelkovski zgjedh këtë të ri të fuqishëm, i cili me trimërinë dhe guximin e tij ngjall tmerr tek armiqtë?

Përgjigjen na e jep vetë prof. Chelkovski, i cili thotë: "Abasi ishte luftëtar, liridashës dhe trim i pashoq, i cili mbrojti Husejnin (paqja qoftë mbi të!) dhe familjen e tij. Abasi është një person të cilin ju e quani hero. Abasi është hero i vërtetë. Ai e mbrojti Husejnin dhe familjen e tij deri në çastin e fundit. Ai kur shkoi të sjellë ujë për fëmijët, ia prenë duart, por ai e mbajti shtamën e ujit me dhëmbë dhe kur armiqtë e panë rezistencën e tij të paepur, vendosën ta vrasin."

Abu Ferexh El Asfehani, dijetar i madh i shekullit të katërt të hixhrit, në lidhje me tiparet e Ebu Fadl Abasit (paqja qoftë mbi të!) në librin me titull "Mukatilu et Talibijn", shkruan: "Abasi i biri i Aliut ishte një burrë i pashëm dhe i fuqishëm. Kur hipte mbi kalë, këmbët i arrinin gjer në tokë. Për shkak të bukurisë së tij e thërrisnin "Hëna e fisit beni Hashem" (Kamer beni Hashim). Ai ishte mbajtësi i flamurit të ushtrisë së Husejnit në ngjarjen e Qerbelasë. Emrin ia kishte zgjedhur imam Aliu (paqja qoftë mbi të!).”

 Historia thotë se Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) i kushtonte një rëndësi tepër të veçantë edukimit të fëmijëve të tij. Imam Aliu i kushtoi një rëndësi të veçantë edukimit të Ebul Fadl Abasit që në fëmijëri. Përveç edukimit shpirtëror, ai e kaliste atë nëpërmjet punëve në bujqësi dhe në luftra të ndryshme. Me këtë veprim, imam Aliu arriti të formojë e të edukojë një njeri me shpirt e trup të fuqishëm dhe me vlera të larta morale.

Ai u vra pabesisht në Kerbela, përbri lumit Eufrat në përpjekje për t’i çuar ujë fëmjëve dhe të eturve në çadrat e imam Huseinit (paqja qoftë mbi të!). Cilido njeriu, që aspiron për liri dhe drejtësi, e lexon historinë e vrasjes së tij, do të preket thellësisht zemër.

HISTORIA E MARTIRIZIMIT TË EBU FADL ABASIT

Ai (Abasi) iu drejtua Hysejnit dhe i tha: “Vëllai im, a më jep leje?”

Hysejnit i lotuan sytë e mjekra e tij u lag prej lotëve dhe tha: “Vëllai im, ti je mbrojtësi i vendqëndrimit tim. Nëse vritesh, ne do të shpërndahemi, ndërtesat tona do të shkojnë drejt shkatërrimit.”

Abasi tha: “Shpirti i vëllait tënd është kurban për ty, gjoksi m’u ngushtua prej jetës së kësaj bote dhe dua të hakmerrem prej atyre munafikëve.”

Hysejni i tha: “Kërko ujë për ato fëmijë.”

Abasi doli në mesin e mejdanit dhe thërriti: “O Umer i biri i Sa’dit, ky është Hysejni, i biri i vajzës së Profetit të Allahut, i cili ju thotë se ju i vratë shokët e tij, vëllezërit e tij, djemtë e xhaxhallarëve të tij dhe ka mbetur i vetëm me fëmijët e tij dhe familjen e tij dhe ata janë të etur. Etja i ka djegur zemrat e tyre, prandaj jepuni atyre ujë, sepse fëmijët dhe familja e tij po vdesin prej etjes…”

Kur banorët e Kufes i dëgjuan fjalët e Ebu Fadlit, disa prej tyre heshtën, disa u ulën dhe filluan të qanin. Në atë kohë, doli Shimri, së bashku me Shebeth ibn Rabiu (Allahu i mallkoftë ata të dy!) dhe thanë: “O i biri i Ebi Turabit (Aliu), i thuaj vëllait tënd se nëse e gjithë toka do të jetë ujë dhe ai të jetë nën duart tona, ne nuk do t’i japim atij asnjë pikë ujë, derisa të japë betimin për Jezidin.”

Abasi buzëqeshi dhe u kthye tek Hysejni duke e lajmëruar për atë që ai popull i tha atij.

Hysejnit i rrodhën sytë lot dhe Abasi dëgjoi fëmijët që thërritnin: “etja… etja…” Ai i hipi kalit dhe mori shtizën e tij së bashku me kirben (mbajtëse uji prej lëkure).

Umer ibn Sa’di vendosi shumë burra ruajtës të ujit dhe nuk lejonin asnjë nga shokët e Hysejnit të pinin prej tij.

Abasi i sulmoi ata. I shpërndau dhe thoshte: “Nuk i frikësohem vdekjes, nëse vdekja është lartësim, derisa të varrosem. Unë jam Abasi që nuk i frikësohet sherrit të ditës së takimit.”

Ai mbërriti tek uji dhe kur deshi të pinte prej tij, iu kujtua etja e Hysejnit dhe e Ehli Bejtit të tij. Abasi e hodhi ujin që kishte në dorë dhe tha: “O vetja ime, mbas Hysejnit do të jesh e shkatërruar dhe mbas tij, as nuk do jesh. Ky është Hysejni i dashur dhe ti do të pish ujë të ftohtë. Kjo nuk është prej veprës së fesë sime dhe as vepër e të vërtetit dhe besnikut.”

Ai e mbushi kirbeten me ujë dhe e vari në qafë. Pastaj u drejtua nga çadrat. Armiqtë ia prenë rrugën dhe e rrethuan nga të gjitha anët. Ata filluan të gjuanin me shigjeta, derisa mburoja e tij u bë si lëkura e iriqit prej shigjetave të shumta.

Zejd ibn Varka’u ishte i fshehur pas pemës së hurmës.Atë e ndihmoi Hakim ibn Tufejl, i cili e goditi në dorën e djathtë dhe ia preu. Abasi e kapi shpatën me dorën e majtë duke thënë: “Pafsha Allahun, nëse e pritni të djathtën, unë gjithmonë do të mbroj fenë time. Po ashtu, do të mbroj imamin e vërtetë, djalin e Profetit të pastër dhe besnikun.”

Ai luftoi derisa u lodh. Ata ia prenë dorën e majtë dhe ai filloi të thërriste: “O shpirti im, mos iu frikëso të pafeve dhe lajmërohu për mëshirën e të Plotfuqishmit. Ata prej inatit të tyre, ma prenë të majtën time. O Zot, shpërbleji ata me zjarrin më të ashpër.” Një shigjetë goditi kirbeten dhe uji ra përdhe. Abazi qëndroi i hutuar. Për të nuk kishte duar që të luftonte dhe as ujë që të kthehej tek çadrat. Një ushtar i armiqve e goditi me hekur mbi kokë dhe Abasi u rrëzua nga kali duke thirrur: «O vëllai im! O Hysejn, shpëto vëllanë tënd…”

Hysejni shkoi tek ai si shqiponjë dhe e pa me duar të këputura, ballë të çarë, sy të shpuara me shigjeta. Ai qëndroi mbi të i përkulur, u ul pranë kokës së Abasit dhe sytë i lotonin.

Në ato momente, Abasi dha jetë dhe Hysejni tha: “O vëllai im, tani m’u thye shpina ime, m’u pakësuan fuqitë dhe armiqtë u gëzuan.”

Pastaj u ngrit dhe u kthye tek çadrat. Atë e priti vajza e tij, Sukejna dhe i tha: “O baba, a ke dijeni për xhaxhain tim, Abasin?” Hysejni filloi të qante dhe tha: “O bija ime, xhaxhai yt u vra.” (Faxhiatu Taff)

Paqja qoftë mbi ty o besimtarë i sinqertë!

Allahu na mundësoftë të jemi në rrugën e Tij në këtë jetë dhe na bashkoftë me të dashurit e Tij në Jetën Tjetër!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI