Çdo ditë është ashura dhe çdo tokë është Kerbela

nga Vullnet Merja | Publikuar në Tet. 6, 2016, 2:01 a.m.

Jeta e personaliteteve  të larta islame janë frymëzim për çdo mysliman në veçanti po ashtu edhe për mbarë njerëzit. Të shumtë janë personalitet e larta që i ka përmendur, i përmend dhe do t’i përmendë historia islame. Ata kurrë nuk do të harrohen, sepse qëllimi i tyre ishte udhëzimi i njerëzve në rrugën e drejtë. Një ndër ata është e imam Huseini (paqja qoftë mbi të!).

 Imam Husejni (paqja qoftë mbi të!), para revolucionit të tij i ka thënë Muhamed ibn Aliut, i njohur si Ibnu’l Hanefijeh: “Unë nuk kam dalë as si mosmirënjohës, as si arrogant, as si shkatërrues dhe as për të bërë padrejtësi. Unë kam dalë për të kërkuar reformim në ummetin e gjyshit tim (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), për të urdhëruar në të mira dhe për të ndaluar nga të këqijat.” (Biharu’l-Enuar, vëllimi 44, f. 330.)

Me këtë thënie madhështore dhe kuptimplote, Prijësi i Dëshmorëve, Imam Husejni (paqja qoftë mbi të!) sqaron qëllimin e revolucionit të tij: të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja.

S’ka dyshim se ndodhia e Ashurasë, është lëvizja e dijes kundër padijes, e drejtësisë kundër padrejtësisë, e udhëzimit kundër devijimit dhe e të vërtetës kundër të pavërtetës.

Megjithëse janë shkruar e përkthyer me mijëra literatura, thuajse në të gjitha gjuhët e botës, përsëri ka shumë e shumë gjëra të pazbuluara për këtë lëvizje të lirisë. Mendimtarët dhe dijetarët duhet të punojnë akoma më shumë rreth kësaj ndodhie madhështore.

Nëse do të studohen të gjitha dimensionet e saj, të cilat i gjejmë të mishëruara tek personaliteti i Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të), pa dyshim që Ashuraja do të kuptohet më shumë.

Ashuraja nuk është festë, sepse edhe vetë Profeti është hidhëruar. Në historinë islame dhe në hadithet e transmetuara thuhet se profeti Muhamed e ka lajmëruar vrasjen e Imam Husejnit në tokën e Kerbelasë.

 

Ndër ato thënie të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) përmendim:

El-Hakim En-Nijsaburij me sened nga Ummu Fadl bintu’l Harith, bashkëshortja e Abbas ibn Abdul Muttalibit, e cila ka shkuar tek i Dërguari i Allahut dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, unë kam parë një ëndërr të keqe mbrëmë. Ai i tha: “Si ishte?” Ajo i tha: “Ishte e tmerrshme.” Ai i tha: “Si ishte?” Ajo i tha: “Unë pashë sikur një pjesë e trupit tënd u pre dhe ra në prehërin tim.” I Dërguari i Allahut i tha: “Ke parë diçka të mirë. Fatimeja do të lindë, inshaAllah, një djalë dhe do të jetë në prehërin tënd.” Fatimeja lindi Husejnin dhe u vendos në prehërin tim, ashtu siç tha i Dërguari i Allahut. Një ditë, hyra te i Dërguari dhe e vendosa atë në prehërin e tij. Pastaj pashë sytë e të Dërguarit të Allahut që po lotonin. Ajo tha: I thashë: “O i Dërguari i Allahut, nëna ime dhe babai im qofshin kurban për ty! Çfarë ke?” Ai tha: “Më erdhi Xhebraili (paqja qoftë mbi të!) dhe më lajmëroi se ummeti im do ta vrasë këtë djalin (nipin) tim.” Unë i thashë: “Këtë?” Ai tha: “Po. Ai më solli edhe dheun e kuq.”  
(El-Mustedrek ala’s-Sahihejn, 3/194, hadithi nr. 4818. E ka transmetuar Ibn Asakiri në Tarijkh Dimashk, 14/197.)        
 

IMAM HUSEJNI (paqja qoftë mbi të!), DRITA E PESTË

Fillimi i muajit Muharrem përmban dy ndodhi të rëndësishme në historinë islame.

E para: Emigrimi i profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e Tij!), i vulës së profetëve dhe i më të mirit prej tyre.

E dyta: Emigrimi i prijësit të dëshmorëve, Imam Husejnit, të birit të Imam Aliut dhe Fatime Zahrasë (paqja qoftë mbi ta!).

Vendi i nisjes për të dy emigrimet është i përbashkët: është Meka, vendi më i shenjtë në rruzullin tokësor. Nga kjo tokë nisi emigrimi i profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e Tij!). Po nga kjo tokë nisi edhe emigrimi i Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të!).

Shkaku i emigrimit ishte i njëjtë: përpjekja për të ekzekutuar heroin e emigrimit. Kurthi që iu ngrit Profetit në Mekë për ekzekutimin e tij, ishte shkaku i largimit të tij prej saj. Po ashtu, i njëjti shkak ishte edhe për Imam Husejnin, (paqja qoftë mbi ta!), sepse edhe atë donin ta vrisnin po në Mekë, edhe nëse kapej pas mbulesës së Qabes. Për këtë arsye ai emigroi prej saj.

Qëllimi ishte i njëjtë: gjetja e përkrahësve për të mbrojtur Islamin dhe për të zhdukur ngjyrat e padrejtësisë që ishin përhapur në kohën e Profetit dhe të Imam Husejnit (paqja e Allahut qoftë mbi ta!). Midis dy personaliteteve të emigrimit ka disa të përbashkëta të begata dhe prej tyre është Mbulesa (Kisa). Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e Tij!), është i pari i pjesëtarëve të Mbulesës dhe Husejni (paqja qoftë mbi të!) është prej pjesëtarëve të kësaj mbulese.       
Edhe pse muslimanët janë ndarë në medh’hebe, fraksione rryma dhe shkolla të shumta, të gjithë janë të mendimit se Husejni, i biri i Aliut (paqja qoftë mbi ta!) është nipi i Profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e Tij!). Të gjithë janë të mendimit se dashuria për Husejnin (paqja qoftë mbi të!) është dashuri për Allahun e Madhëruar.

Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e Tij!) ka thënë: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Allahu e do atë që e do Husejnin. Husejni është nip prej nipave (sibtun mine’l esbat).” (El-Bukharij, Et-Tarijkhu’l-Kebijr, 8:415/3536; Sunenu’t-Tirmidhij, hadithi 3775; Sunen Ibn Maxheh, 1, hadithi 144; Musned Ahmed, 4:172; Mesabijhu’s-Sunneh, 4, hadithi 4833.)

Ai është vëllai i Imam Hasanit (paqja qoftë mbi të!). I Dërguari i Allahut ka thënë: “Hasani dhe Husejni janë dy borzilokët e mi prej borzilokëve të dunjasë.” (Sahihu’l-Bukhari, Kitab Fadailu’s-Sahabeh, Kapitulli i edukatës, Kreu “Mëshira e fëmijës”; Sunenu’t-Tirmidhij, 5, hadithi 3770.)

Sigurisht, të flasësh për virtytet e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të!) dhe të pjesëtarëve të tjerë të Familjes së Profetit, është tregues dashurie dhe dëshmi e thënies së Allahut të Madhëruar: “Thuaj: Unë nuk kërkoj nga ju asnjë shpërblim përveç dashurisë ndaj të afërmve.” (Surja Esh-Shura, ajeti 23.)

Revolucioni i Imam Husejnit (paqja qoftë mbi ta!) ka dimensione të shumta fetare, morale, shoqërore, humane, etj. Të shumtë janë mendimtarët, dijetarët dhe udhëheqësit të cilët kanë folur, flasin dhe do të flasin për Imam Husejnin (paqja qoftë mbi të!). Ky prijës simbolizon lirinë, pavarësinë, drejtësinë dhe udhëzimin për çdo njeri monoteist e të ndershëm në këtë jetë, pa dallim kombi, gjuhe, race a ngjyre.

Ndër ta është edhe heroi i madh dhe udhëheqësi i Indisë, Mahatma Gandi, i cili ka thënë: “Mësova prej Husejnit (paqja qoftë mbi të!) si të triumfoj kur jam i privuar.”

S’ka dyshim se me këto fjalë, ai dëshiron të vlerësojë e të nxjerrë në pah pozitën e lartë të Imam Husejnit (paqja qoftë mbi ta!), sakrificën e madhe të tij në rrugën e mbrojtjes së vlerave dhe të besimit të tij. Imam Husejni (paqja qoftë mbi të!) është shembull për mbarë botën në përballjen me padrejtësinë dhe në sakrifikimin me gjithçka që zotëronte. 

Dikush mund të pyesë: Çfarë bëri Imam Husejni (paqja qoftë mbi të!) dhe shokët e tij, derisa arritën të mirësohen me këtë pozitë të lartë, të cilën nuk ia kanë zilinë jo vetëm muslimanët, por edhe jomuslimanët? Imam Husejni (paqja qoftë mbi të!), me revolucionin e tij kristalizoi kuptimet më të larta të sakrificës dhe të flijimit. Ai nuk sakrifikoi vetëm veten e tij, por edhe fëmijët e tij dhe shokët më të afërt të tij. Ai i flijoi në rrugën e lartësimit të së vërtetës dhe të drejtësisë, me qëllim që të gjithë njerëzit, pa përjashtim, t’i mësojë që të mos u nënshtrohen padrejtësive dhe të padrejtëve në çdo vend e në çdo kohë.

Ashuraja dhe Imam Huseini (paqja qoftë mmi të!) në pikëpamjet e disa filozofëve, mendimtarëve, udhëheqësve dhe politikanëve të botës

 

Ndodhia e Kerbelasë ka ndikuar shumë në mendimet e njerëzve, deri edhe tek ata jomuslimanë. Madhështia e revolucionit dhe e sakrificës së Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të!) dhe të shokëve të tij ka bërë që të lindin shumë mendime dhe opinione rreth këtij revolucioni të përgjakur. Për të përmendur të gjitha ato mendime dhe opinione duhen literatura të shumta. Ka edhe dijetarë jomuslimanë të cilët kanë shkruar rreth kësaj ndodhie.

Më poshtë do të përcjellim mendimet e disa prej personaliteteve muslimane dhe jomuslimane për Imam Husejnin (paqja qoftë mbi të!):

Gandi, udhëheqësi i Indisë ka thënë: “Unë e kam lexuar jetën e Imam Husejnit, dëshmorit të madh të Islamit. I kam shfletuar me vëmendje faqet e Kerbelasë. Mua mu qartësua se, nëse India dëshiron triumfin, duhet patjetër që të ndjekë jetëshkrimin e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të!).”    

Muhamed Ali Xhenah, themeluesi i shtetit të Pakistanit ka thënë: “Nuk gjen në botë shembull për trimërinë dhe guximin si sakrifica e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të!) me veten e tij. Besoj se të gjithë muslimanët duhet ta ndjekin dhe ta marrin shembull këtë burrë që sakrifikoi me veten e vet në tokën e Irakut.”

Çarls Dikens, shkrimtar i njohur anglez ka thënë: “Nëse Imam Husejni (paqja qoftë mbi të!) do të kishte luftuar për qëllimet e kësaj jete, nuk e kuptoj pse duhet të merrte me vete gratë, të rinjtë dhe fëmijët?! Atëherë, logjika gjykon se ai sakrifikoi vetëm për hir të Islamit.”

Tomas Karlajl, filozof dhe historian anglez ka thënë: “Mësimi më i lartë që mësojmë prej fatkeqësisë së Kerbelasë është se Husejni (paqja qoftë mbi të!) dhe përkrahësit e tij kishin besim të fortë te Zoti. Ata vërtetuan me veprën e tyre se inferioriteti numerik nuk ka rëndësi në përballje mes së drejtës dhe të padrejtës. Ajo që më habit është triumfi i Husejnit, edhe pse ishin të paktë ata që ishin me të.”  

Eduard Braun, orientalist anglez, ka thënë: “A ka zemër që nuk e mbulon hidhërimi dhe dhimbja kur dëgjon të flitet për Kerbelanë? Madje edhe jomuslimanët nuk mund ta mohojnë pastërtinë e shpirtit që ra në këtë betejë.”

Frederik Xhejms: “Thirrja e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të!), apo edhe e ndonjë heroi tjetër dëshmor është se në këtë jetë ka parime konstante për drejtësinë, mëshirën dhe dashurinë, të cilat nuk ndryshohen. Kjo thirrje na vërteton se sa herë shfaqet një person në mbrojtje të këtyre virtyteve dhe i fton njerëzit që të kapen pas tyre e t’i zbatojnë ato, këtyre vlerave dhe parimeve u shkruhet përforcimi dhe vazhdimësia.”

L. M. Bojd ka thënë: “Prej natyrës së njeriut është se ai e do guximin, trimërinë, përparimin, lartësimin shpirtëror, hovin dhe shpirtmadhësinë. Kjo e çon lirinë dhe drejtësinë të dorëzohen përballë padrejtësisë dhe shkatërrimit. Këtu qëndron guximi dhe madhështia e Imam Husejnit. Është prej kënaqësisë time që të jem prej atyre që e lavdërojnë me gjithë shpirt për këtë sakrificë të madhe, edhe pse kanë kaluar më shumë se 1300 vjet nga ndodhia e saj.”  

Uashington Irving, historian i njohur amerikan, ka thënë: “Imam Husejni (paqja qoftë mbi të!) e kishte më të lehtë të shpëtonte veten e tij duke iu dorëzuar dëshirës së Jezidit. Por, misioni i udhëheqësit, i cili ishte shkak i shpërthimit të revolucioneve në Islam, nuk e lejonte atë të pranonte Jezidin për kalif. Përkundrazi, ai e ofroi veten e tij për t’u bërë ballë të gjitha presionieve dhe tragjedive, për të shpëtuar Islamin nga kthetrat e Beni Ummejje-s. Shpirti i Husejnit (paqja qoftë mbi të!) qëndron gjithmonë, kurse trupi i tij ra në rërën e nxehtë. O hero! O shembull i trimërisë! O kalorës, o Husejn!”

Tomas Masarijk ka thënë: “Edhe pse priftërinjtë tanë ndikojnë në ndjenjat e njerëzve kur përmendin fatkeqësitë e Mesihut (Jezusit), mirëpo tek ndjekësit e Mesihut ti nuk e gjen atë entuziazëm dhe emocion që e gjen te pasuesit e Husejnit (paqja qoftë mbi të!). Më duket se shkaku është që fatkeqësitë e Mesihut në krahasim me fatkeqësitë e Husejnit (paqja qoftë mbi të!) nuk përfaqësojnë veçse një fije kashtë përballë një mali madhështor.” 

Moris Dukabrij: “Në tubimet vajtimore thuhet se Husejni (paqja qoftë mbi të!) sakrifikoi veten e tij për të mbrojtur dinjitetin dhe nderin e njerëzve, si dhe shenjtërinë e Islamit. Ai nuk i hapi rrugën tiranisë dhe tekave të Jezidit. Prandaj, ejani ta marrim shembull që të shpëtojmë prej kolonializmit dhe të preferojmë vdekjen e ndershme ndaj jetës së poshtëruar e të nënshtruar.”  

Orientalisti gjerman Marbijn: “Nëpërmjet sakrificës dhe flijimit me njerëzit më të shtrenjtë të tij dhe nëpërmjet konstatimit të së drejtës së tij, Husejni (paqja qoftë mbi të!) i dha një mësim sakrifice e në flijimi njerëzimit. Ai e futi Islamin dhe muslimanët në regjistrin e historisë dhe ua ngriti famën atyre. Ky ushtar i pamposhtur i botës islame konstatoi për të gjithë njerëzit se padrejtësisa nuk është e qëndrueshme. Ai qartësoi se padrejtësia, sado të duket e fortë dhe e madhe nga jashtë, përballë të vërtetës duket si pupla që e merr era.”

Bintu’sh-Shati’: “Zejnebja, motra e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të!) ua prishi qejfin e fitores Ibn Zijadit dhe emevitëve. Ajo hodhi ‘pika helmi’ në ‘gotat e triumfit’ të tyre. Zejnebja, heroina e Kerbelasë, ka luajur rol stimulues në të gjitha ndodhitë politike pas Ashurasë, siç ishin: kryengritja e Mukhtarit, kryengritja e Abdullah ibn Zubejrit, rënia e shtetit emevit, themelimi i shtetit abasit dhe përhapja e medh’hebit shiit.”

Lijakat Ali Khan, kryeministri i parë i Pakistanit: “Kjo ditë prej ditëve të Muharremit ka domethënie të madhe e të thellë tek muslimanët në të gjithë botën. Në këtë ditë ndodhi një prej ndodhive më pikëlluese dhe më trishtuese në historinë e Islamit. Martirizimi i Husejnit (paqja qoftë mbi të!), me gjithë pikëllimin që përmban, tregon për shpirtin e vërtetë islam, sepse ai (martirizimi) përfaqëson dorëzimin e plotë ndaj vullnetit të Allahut. Ne mësojmë prej martizimit të tij që të mos frikësohemi dhe të mos devijojmë nga rruga e drejtë dhe e vërtetë, sado të mëdha jenë problemet dhe rreziqet.”  

Xhorxh Xhordak, dijetar dhe letrar i krishterë: “Kur Jezidi përgatiti njerëzit për vrasjen e Husejnit (paqja qoftë mbi të!) dhe për gjakderdhje ata thoshin: ‘Sa para na jep?’ Kurse përkrahësit e Husejnit (paqja qoftë mbi të!) thoshin: ‘Sikur të vritemi shtatëdhjetë herë, ne jemi të gatshëm që të luftojmë me ty dhe të vritemi përsëri.’”  

Abbas Mahmud El-‘Akkad, shkrimtar egjiptian: “Revolucioni i Husejnit (paqja qoftë mbi të!) është një prej revolucioneve të vetme në histori. Deri tani nuk ka patur të njëjtë me të në fushën e propagandave fetare apo të revolucioneve politike. Pas tij, shteti u asgjësua dhe nuk qëndroi më gjatë sesa mosha e një njeriu të zakonshëm. Nuk kaloi nga koha e historisë së revolucionit të Husejnit (paqja qoftë mbi të!) e deri në rënien e shtetit më shumë se gjashtëdhjetë e pak vjet.”

Ahmed Mahmud Subhi: “Edhe pse Husejn ibn Aliu (paqja qoftë mbi të!) u mund në nivel politik apo ushtarak, historia nuk ka dëshmuar asnjëherë për humbjen që përfundon në favor të të humburve, siç përfundoi në favor të gjakut të Husejnit (paqja qoftë mbi të!). Gjakun e Husejnit (paqja qoftë mbi të!) e pasoi revolucioni i Ibn Zubejrit, kryengritja e Mukhtarit e të tjera revolucione deri në rënien e shtetit emevit. Zëri i kërkimit të gjakut të Husejnit u shndërrua në një thirrje, e cila tronditi frone dhe shtete.”

Antuan Bara, gazetar i krishterë sirian: “Sikur Husejni (paqja qoftë mbi të!) të ishte prej nesh, në çdo vend do të përhapnim për të një flamur dhe në çdo vend do të ngrinim një foltore, nga ku do të ftonim njerëzit në Krishtërim me emrin e Husejnit (paqja qoftë mbi të!).”

Gibon, historian anglez: “Edhe pse ka kaluar shumë kohë nga tragjedia e Kerbelasë, edhe pse ne nuk na bashkon me personazhin e tragjedisë i njëjti vatan, megjithatë, fatkeqësitë dhe tragjeditë që i ndodhën Husejnit (paqja qoftë mbi të!), vënë në lëvizje ndjenjat e lexuesit, edhe sikur të jetë më zemërforti ndër njerëz. Ai ndien në veten e tij një lloj dhembshurie dhe tërheqjeje nga ky personalitet.” 

Nikolson, orientalist i njohur: “Emevitët ishin të padrejtë, tiranë dhe shtypës. Ata i harruan rregullat islame dhe i nënvleftësonin muslimanët. Nëse do të studiojmë historinë, do të gjejmë se feja u ngrit kundër tiranisë dhe shtypjes dhe se shteti fetar u përball me sistemin perandorak. Për këtë, historia gjykon drejt se gjaku i Husejnit (paqja qoftë mbi të!) është në qafë të emevitëve.”

Sër Persi Sajkus, orientalist anglez: “Është e vërtetë se trimëria dhe heroizmi që shfaqi ky grup i vogël, ishin në atë shkallë, saqë gjithkush që dëgjoi për të e lavdëroi dhe i bëri komplimente padashur. Ky grup trim e i ndershëm e bëri veten e tij të njohur, të lartë dhe të përhershëm, i cili kurrë nuk do të zhduket.”

Muhamed Zaglul Basha, ka thënë: “Vërtet, Husejni (paqja qoftë mbi të!) me këtë vepër të tij e përçoi detyrën e tij fetare dhe politike. Të tilla tubime vajtimi edukojnë te njerëzit shpirtin e burrërisë dhe zhvillon në brendinë e tyre fuqinë e vullnetit në rrugën e të drejtës e të vërtetës.”

Abdurrahman Esh-Sherkauij, shkrimtar egjiptian: Husejni është dëshmor i rrugës së fesë dhe lirisë. Nuk duhet që vetëm shiitët të krenohen me emrin e Husejnit (paqja qoftë mbi të!), por të gjithë të lirët e botës të krenohen me këtë emër.”

Taha Husejn, dijetar dhe letrar i madh egjiptian: “Husejni (paqja qoftë mbi të!) digjej nga malli për të shfrytëzuar kohën, të rifillonte xhihadin dhe të ecte në gjurmët e babait të tij. Ai e la të lirë Muavijen dhe mëkëmbësit e tij deri në atë masë, saqë Muavija filloi ta kërcënonte. Mirëpo Husejni (paqja qoftë mbi të!) i angazhoi përkrahësit e tij që të kapeshin me të drejtën dhe të vërtetën.”

Abdul Hamid Xheudet Es-Sahar, shkrimtar egjiptian: “Husejni (paqja qoftë mbi të!)  nuk ia dha besën Jezidit dhe nuk iu nënshtrua udhëheqjes së tij. Sepse një veprim i tillë ka kuptimin e përhapjes së shthurjes, devijimit, forcimit të bazave të padrejtësisë e të tiranisë dhe mbështetjen e qeverisë së paligjshme. Husejni (paqja qoftë mbi të!) nuk ishte i kënaqur me këto veprime derisa u robëruan familja dhe fëmijtë e tij dhe u vra së bashku me përkrahësit e tij.”

Eruditi Tantauij, dijetar dhe filizof egjiptian: “Epopeja husejnite ngjall tek të lirët mallin për sakrificë në rrugën e Allahut (xh.sh.) dhe e bën pritjen e vdekjes dëshirën më të mirë. Ajo i bën ata të garojnë për te gjiri i martirizimit (shehade).”

El-Ubejdij, Mufti i Mosulit: “Tragjedia e Kerbelasë është e rrallë në historinë njerëzore. Po ashtu edhe pjesëmarrësit në të janë të rrallë. Imam Husejni (paqja qoftë mbi të!) mendoi se është prej obligimeve të tij që të kapet fort pas traditës së mbrojtjes së të drejtave të të privuarve dhe të interesave të përgjithshme bazuar në ligjin e Allahut në Kur’an dhe në ato që solli i dërguari fisnik. Ai nuk hezitoi të ecë në të dhe sakrifikoi veten e tij në atë thertore të madhe. Ai u bë tek Zoti i tij, prijësi i dëshmorëve; në historinë e ditëve u bë udhëheqësi i reformatorëve dhe mori atë që dëshironte, por edhe më shumë se ajo.” 

Dalai Lama, kreu i besimit budist: “Nëse ne, budistët, do të kishim personalitete të tilla si Imam Aliu dhe Husejni (paqja qoftë mbi ta!), nëse do të kishim Nehxhu’l Belaga-n dhe Kerbelanë, të gjithë njerëzit e botës do e përqafonin doktrinën budiste. Ne jemi krenarë për këto dy personalitete islame.”

Profesor Jan Arvid Henningsson, kancelar në Kishën Suedeze: “Me revolucionin dhe martirizimin e tij, Husejni posedonte një aftësi shumë të madhe me qëllim të dialogut mes Krishtërimit dhe Islamit. Vërtet, Husejni (paqja qoftë mbi të!) mund të bëhet urë lidhëse mes të krishterëve dhe myslimanëve.”

Shkrimtari francez Viktor Hygo: “Parimet e revolucionit të Husejnit u bënë metodologji për çdo kryengritës që dëshiron të marrë të drejtën e tij nga i padrejti.”

Ahmed Sukarno, udhëheqës i Indonezisë: “Husejni është flamur valëvitës të cilin e mbart ai që dëshiron të sfidojë tiranët e kohës së tij, të cilët kënaqen me kënaqësitë e kësaj jete duke i lënë popujt e tyre në shtypje e mjerim.”

Gjenerali De Gol, president i Francës: “Qëndrimi i Husejnit më kujtoi qëndrimin guximtar përballë personit që dëshironte vrasjen e tij dhe të familjes së tij, e cila ka pozitë të lartë në shumë popuj të botës. Atë patjetër duhet ta lavdërojmë dhe të marrim prej parimeve të tij të larta.”  

Martin Luther, reformator gjerman: “Unë e ftoj popullin tim në reformë fetare dhe të jenë në pajtueshmëri me njëri-tjetrin. Të marrin shembull për këtë reformim fetar atë reformim në të cilin ftoi udhëheqësi arab Husejn ibn Ali.”  

Komandanti Abdul Kerim Kasim: “U kërkoj juve që të bëni lutje për ne tek udhëheqësi i të lirëve, komandanti i revolucionarëve dhe simboli i përjetshëm, padroni im Husejni.”  

Muhamedi V, mbreti i Marokut: “Ne, arabët dhe muslimanët, jemi krenarë për ata simbole të mëdhenj si Husejni e të tjerë, të cilët mbartën parimet më të përsosura, më të larta e më të vyera, të cilat u kushtuan atyre me jetë.”  

Esh-Shadhlij bin Xhedid, president i Algjerisë: “Husejni ishte prej prijësve të mëdhenj të lëvizjes revolucionare globale, sepse ai është prej themeluesve të kësaj lëvizjeje, e cila tmerroi poseduesit e pushteteve të dobëta. Ajo lëvizje i hodhi ata në greminë, e cila është vendi që e meritojnë.”

Mbreti Fejsal II, kur vizitoi Kerbelanë ka thënë: “Kjo është dita më e lumtur në jetën time, se unë ndodhem pranë gjyshit tim Husejnit, me të cilin krenohem për të shkuarën e tij të ndritur, për mendimet e tij largpamëse dhe për qëndrimin e tij guximtar.”  

Ko Jana, shkrimtar japonez: “Revolucioni i Husejnit është dritë për të privuarit në rrugën e shpëtimit të tyre. Ai u forcoi atyre këmbët dhe i nxorri ata nga errësirat. Ai u ndriçoi atyre ndërgjegjet për të ndjekur të vërtetën.”

Mustafa Kemal Ataturk ka thënë: “Vërtet, Husejni është udhëheqës i rrallë e i pashoq. Ai është mësues i mësimeve të vyera në luftën për liri dhe për mbrojtjen e nderit.”

Abraham Linkoln, president i Amerikës: “Vërtet, Kur’ani, Muhamedi dhe Husejni janë ‘trini e shenjtë’ dhe duhen parë me syrin e shenjtërisë, sepse në to ka shumë shembuj të lartë dhe shemuj respekti për të drejtat e njeriut.”

Mendimtari anglez, Bernard Shou: “Çdo njeri i ndritur qëndron me respekt dhe nderim para atij udhëheqësi madhështor, nipit të Profetit të Islamit, i cili qëndroi i palëkundur para një grupi shkurtabiqësh, të cilët tmerruan dhe persekutuan popujt e tyre.”  

Napoleoni, udhëheqësi francez, vëllait të tij, i cili e shoqëronte dhe dëshironte të kthehej në vendin e tij, i ka thënë i zemëruar: “Të pandeha se je si vëllai i Husejnit!”

Shilley, shkrimtar anglez: “Husejni nuk është pronë e askujt. Përkundrazi, ai është pronë e të gjithëve, sepse mendimet e tij janë të drejta. Prej atyre përfiton kushdo që dëshiron të jetë simbol i popullit dhe i bashkësisë së tij.”

Perez de Kuelar, ish sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara: “I kam parë (lexuar) librat e konsiderueshëm të historisë që flasin për udhëheqësit të cilët dhanë gjakun e tyre për të lumturuar popujt e vet. Vura re se nipi i Profetit të muslimanëve, i biri i Aliut, ka qenë më i forti dhe më i guximtari i tyre.”

Lubid Singor, president i Senegalit: “Husejni, i biri i Aliut, ka qenë shembulli më i lartë në sakrificat për zhdukjen e pavërtetësisë dhe në luftimin e diktatorëve.”

Ruzvelti, ish-president i Amerikës: “Sado që të arrijnë luftëtarët në gjendjen e egërsisë, të luftimit dhe të agresionit, ne kurrë nuk e pranojmë vrasjen e djalit të një vajze, që i atribuohet një Profeti.” 

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI