Islami në Bibël

Publikuar në Tet. 3, 2016, 11:16 p.m.

Më 7 tetor, në orën 17:00, në hapësirat e Universitet të Evropës Juglindore në Tetovë, do të mbahet promovimi i librit “Islami në Bibël”, që është botimi më i ri i Fondacionit për Kulturë dhe Shkencë GNOSA.

I shkruar nga Dr. Thomas McElwain, docent i religjionit krahasimtar në Universitetin e Stokholmit, ky libër paraqet një perspektivë të re në studimin e shkrimeve të shenjta judaike dhe të krishtera, duke i kundruar këta shkrime si trashëgimi të përbashkëta të traditës abrahamike, të cilat janë po aq relevante për Islamin, si manifestimi përfundimtar i kësaj tradite, sa edhe për Judaizmin dhe Krishterimin.

Duke e kundruar Biblën nga prizmi islam dhe duke i lënë mënjanë paragjykimet dhe keqkuptimet shekullore, autori arrin në përfundime tejet interesante, që kanë për ta befasuar lexuesin dhe kanë për të dhënë një kontribut të rëndësishëm në promovimin e dialogut ndërfetar dhe të njohjes së ndërsjellë ndërmjet traditës judeo-kristiane dhe asaj islame.

Përveç vetë autorit, në promovim do të marrë pjesë edhe Dr. Olsi Jazexhi, historian, mendimtar dhe analist i mirënjohur për publikun shqiptar.

Promovimi do të ndiqet nga një koktej i shkurtër për mysafirët.

Të gjithë dashamirët e diturisë e të shpirtërores janë të mirëseardhur për të marrë pjesë në këtë eveniment.



Burimi : GNOSA