Sejid Hasan Nasrullah Lideri që Udhëheq me Kur'an

nga Vullnet Merja | Publikuar në Shta. 28, 2016, 12:52 a.m.

Allahu i Madhëruar thotë: "Ata, të cilëve u kemi dhënë Librin dhe e lexojnë ashtu siç është shpallur, ata besojnë vërtet në të. Kurse ata që nuk besojnë në të, pa dyshim, janë të humbur."
(Sure “El Bekare”, ajeti 121).

Rreth këtij ajeti të begatë, eruditi dhe lideri Sejid Hasan Nasrullah thotë: “Kur lexojmë Kur'anin, qëllimi ynë nuk duhet të jetë vetëm mbarimi i sures dhe fundi i librit. Nuk duhet të mendojmë se në këtë muaj e lexuam të gjithë Kur’anin, një herë apo disa herë. Por, leximi duhet të jetë i shoqëruar me logjikë, përsiatje, qetësi, këshillë, dobi dhe zbatim - ashtu siç e dëshmon vetë Kur’ani dhe më i madhi i profetëve, Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).”

Ai, vazhdimisht thekson se përparësia e të gjitha aktiviteteve tona kulturore duhet të jetë përqendrimi te Kur’ani, me qëllim që, nëpërmjet tubimeve, leksioneve, fjalimeve, sesioneve e seminareve, të njihemi me të dhe t'ua bëjmë të njohur atë të tjerëve. Gjithashtu, na duhet të njihemi me shkencën e texhuidit, të tefsirit dhe të njohurive të tij të pafundme.

Ai këshillon e thotë se për ta lexuar Kur'anin apo për ta dëgjuar leximin e tij, duhet të përqendrohemi me gjithë qenien tonë. Gjatë leximit apo dëgjimit të Kur'anit zemra dhe mendja jonë duhet të jenë të pranishme, me qëllim që zemra të qetësohet, shpirti të lulëzohet dhe mendja të kthjellohet. Leximi dhe dëgjimi ynë duhet të jenë lexim e dëgjim i përsiatësve, i arsyetuesve dhe i zbatuesve.

Sejid Nasrullahu është i bindur se përçarjet dhe mosmarrëveshjet zhduken duke u zbatuar Kur'ani. Këtë ai e përforcon me thënien e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), nga e cila të gjithë duhet të meditojnë dhe të nxjerrin mësime: “Nëse ju mbulojnë përçarjet si nata e errët, atëherë kthehuni te Kur’ani, sepse ai është shërues i gjithçkaje dhe vërtetues. Kushdo që e vendos atë para, e udhëheq për në Xhenet. Kush e vendos atë pas tij, e drejton drejt Zjarrit. Ai është tregues i rrugës më të mirë. Ai është Libri ndarës. Është sqarues dhe gjithëpërfshirës. Është fjalë e prerë dhe jo shaka.”.

Në çdo kohë ne jemi të sprovuar me përçarje dhe mosmarrëveshje, me anë të të cilave humbet e drejta dhe njerëzit hyjnë në dyshime.

Sipas Liderit Hasan Nasrullah, Kur’ani ka dy anë: të jashtmen dhe të brendshmen. E jashtmja e tij është urtësi dhe e brendshmja e tij, dituri. E jashtmja e tij është e pastër dhe e brendshmja është e thellë.

Në çdo tubim ai përmend se Kur'ani është dritë me të cilën përshkohen dhe largohen errësirat e jetës. Nuk mjafton vetëm të lexojmë apo të meditojmë mbi të, por duhet ta zbatojnë atë. Gjithashtu, nuk mjafton ta zbatojmë pa e lexuar, që do të thotë se mund të ketë njerëz që mendojnë se janë adhurues, asketë, sakrifikues dhe nuk kanë nevojë ta lexojnë Kur’anin me rregullat e tij përkatëse. Jo. Të gjithë kemi nevojë për të dyja çështjet, leximin dhe zbatimin.

Sejid Hasan Nasrullah thotë: “Allahu i Madhëruar ka premtuar se këtë Kur’an, që në momentin e zbritjes në zemrën e profetit Muhamed ibn Abduallah (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), do ta ruajë dhe do ta mbrojë. Prandaj, Kur’ani, që nga germa e parë e deri te germa e fundit e tij, është i ruajtur nga Allahu Mbrojtës dhe i Gjithëditur. Në këtë Kur’an kurrë nuk kanë arritur dhe kurrë nuk do të arrijnë duart falsifikuese.” .

“Ky është mendimi i përbashkët i të gjithë myslimanëve.”, - thekson Nasrullahu. - “Të gjithë ata thonë se Kur’ani që ndodhet sot në duart tona, me germat dhe fjalët e tij, është po i njëjti Kur’an që Allahu ia zbriti profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Në të vërtetë, kjo ruajtje është një prej anëve të mrekullisë së Kur’anit të Shenjtë nga shmangia. Ky është vendim, premtim dhe vullneti i Allahut.” Në Kur’an lexojmë: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kur’anin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë. (Sure “El Hixhr”, ajeti 9).

Më tej, Sejid Hasan Nasrullah thotë: "Duhet të theksojmë se përgjatë më shumë se njëmijë e katërqind vjetëve janë shfaqur shumë kundërshtarë dhe armiq të Kur’anit dhe të mesazhit të Allahut. Ata janë përpjekur gjithmonë ta devijojnë dhe ta falsifikojnë këtë Kur’an, si dhe besimin e drejtë të Islamit që solli profeti Muhamed. Vërtet, ata zotërojnë mundësi, fuqi, para, pushtet për falsifikimin e tij, por kurrë nuk e kanë bërë dhe kurrë nuk do ta bëjnë. Gjithashtu, as filozofët, mendimtarët, pushtetarët, egoistët e kërkuesit e përçarjes, kurrë nuk e kanë bërë dhe nuk do ta bëjnë shtrembërimin apo falsifikimin e Kur’anit. Pra, gjatë njëmijë e katërqind vjetëve, askush nuk ka mundur të ndryshojë apo të falsifikojë një germë prej germave të Librit të Allahut, Kur’anit Fisnik, sepse ky Libër është mrekulli e vazhdueshme dhe e përjetshme. Ai është Libër i sfidave deri në Ditën e Kiametit. Kur’ani nuk ishte sfidues vetëm për kurejshët dhe arabët e kohës që zbriti, por ai është sfidues për të gjithë njerëzit në çdo kohë dhe në çdo vend. Ai nuk është mrekulli vetëm për nga retorika dhe stili i lartë, por është mrekulli edhe për nga përmbajtja e tij. Këtë të vërtetë e dëshmon dhe e përforcon Allahu: “Thuaj: ‘Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindet për të hartuar një Kur’an të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri - tjetrin.’” (Sure “Isra”, ajeti 88).

Pra, sikur njerëzit dhe xhindet të bashkoheshin, jo vetëm në një kohë, por në çdo kohë, edhe sikur të grumbullonin mendjet, dijet, aftësitë mendore, kulturore dhe përvojat për të sjellë një Kur’an të tillë si ky që gjendet sot në mesin e myslimanëve, kurrë nuk do ta bënin. Kur’ani i sfidoi ata, duke u thënë që të sillnin dhjetë sure e më pas i sfidoi që të sillnin një sure të vetme.” - ”Kjo sfidë ka qenë, është dhe do të vazhdojë deri në fund të kësaj jete.”- thekson gjithmonë eruditi dhe lideri largpamës Sejid Hasan Nasrullah.

Ai thotë: “Allahu i Madhëruar e ka shtjelluar Kur’anin dhe e ka bërë të lehtë leximin dhe kuptimin e tij. Këtu qëndron një anë tjetër e mrekullisë. Allahu i sfidon të gjithë njerëzit me Kur’anin e lehtë, ku thotë: ‘Vërtet, Ne e kemi bërë Kur’anin të lehtë për t’u kuptuar dhe për t’u kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!’ (Sure “El Kamer”, ajeti 17). Dhe: ‘Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë shtjelluar qartë, një Kur’an në gjuhën arabe, për njerëzit me dije.’” (Sure “El Fusilet”, ajeti 3).

Sejid Nasrullahu thotë se Allahu i Madhëruar, me gjuhën arabe dhe të kurejshëve, u flet të gjithë njerëzve. Nëpërmjet gjuhës arabe, ai e ka tubuar këtë përmbajtje madhështore, i ka grumbulluar të gjitha këto thesare të çmueshme, i ka përmbledhur të gjitha sekretet e mahnitshme, të zbuluara e të pazbuluara. Të gjitha këto janë si uji i kthjellët e i pastër, ku çdo njeri mund të marrë nga ai aq sa ka mundësi, aftësi dhe botëkuptim. Pas këtij lehtësimi, Allahu na fton që ta dëgjojmë me vëmendje leximin e Kur’anit dhe të përqendrohemi. Ai thotë: “Kur të lexohet Kur’ani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni.” (Sure “El A’raf”, ajeti 204).

Më tej ai citon se Allahu na kërkon ne që të lexojmë aq sa të mundemi nga Kur’ani, edhe nëse jemi të sëmurë apo në udhëtim, apo në çdo situatë tjetër. Allahu na urdhëron që të lexojmë aq sa të mundemi, qofshim në xhami apo në arë, në shtëpi apo në fushëbetejë. Sa herë që të lexojmë, të themi: “...dhe lexoje Kur’anin ngadalë dhe qartë…”. (Sure “El Muzemil”, ajeti 4).

Kur e lexojmë Kur’anin ngadalë dhe qartë, ne mund të ndikohemi më shumë nga ky lexim. Gjithashtu, Allahu na urdhëron që me dëgjimin me vëmendje dhe leximin e ngadaltë e të qartë, të mendojmë dhe të logjikojmë. Nuk duhet ta dëgjojmë Kur’anin me veshë, ndërkohë që zemrat dhe mendjet tona janë të punësuara e të zëna me gjëra të tjera. Kjo është më kryesorja.

Në një tubim rreth Kur'anit të mbajtur në Bejrut, Liban në muajin e begatë të Ramazanit, Sejid Hasan Nasrullah ka thënë: "Dua të përmend dhe të përforcoj se përveç leximit të ajeteve të Kur’anit, duhet edhe zbatimi i tij. Ai është baza e shpëtimit tonë, e krenarisë, e arritjeve dhe e triumfeve tona. Triumfi që realizoi Rezistenca islame, është prej fryteve të këtij Kur’ani, prej Librit të Allahut, ajetet e të cilit janë të mbushura me mbarësi dhe begati për të gjithë.

Sejid Nasrullahu thotë: "Në histori nuk gjendet diçka tjetër e luftuar dhe e kundërshtuar më shumë nga tiranët, faraonët dhe të padrejtët, sesa feja. Në këtë kohë, makineritë më të fuqishme informatike, kulturore dhe politike e luftojnë fenë, por kurrë nuk kanë arritur ta ndalojnë e ta pengojnë përhapjen e saj. Zhvillimi material i ka plotësuar qëllimet dhe njeriu ndien nevojë të madhe për fenë. Pa dyshim, e ardhmja e kësaj gjithësie, e kësaj bote, e kësaj toke është Islami, feja e drejtë e Allahut dhe udhëheqja e shenjtë e Zotit. Kjo do të thotë se i gjithë rruzulli tokësor po drejtohet kah ky drejtim dhe s’ka dyshim se edhe vendi ynë është pjesë e këtij rruzulli tokësor. Me shpresën dhe dëshirën e Allahut, ky ndryshim në besim dhe kjo gjendje besimi është një gjendje madhështore. Ne dëshirojmë që kjo gjendje të forcohet edhe më shumë nëpërmjet këtyre mbrëmjeve kur’anore. Islami që duhet të zbatohet nga njerëzit është Islami autentik, ai që e përshkruan vetë Kur’ani Fisnik."

Nasrullahu porosit se të gjithë ne jemi përgjegjës ndaj Kur’anit të Shenjtë. Ne duhet të pohojmë se nuk po e kryejmë ashtu siç duhet detyrën tonë. Pa dyshim që kjo është një përgjegjësi shumë e madhe. Ky Kur’an është argument i Allahut të Madhëruar për ne në këtë jetë. Po ashtu, është argument i Allahut për ne në Ahiret. Ky Kur’an do të ankohet në Ditën e Kiametit tek Allahu. Ankimi i asaj dite është vazhdim i ankimit në këtë jetë. Për këtë ai sjell si dëshmi ajetin e Kur'anit që thotë: “…O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kur’anin, si (diçka) të urryer.” (Sure “El Furkan”, ajeti 30).

Atë ditë, - thotë lideri Nasrullah, - Kur’ani do të ankohet tek Allahu për lënien, braktisjen dhe largimin e njerëzve prej tij, ndërkohë që Ai ka ardhur për njerëzit dhe për asgjë tjetër. Ai ka ardhur që t’i udhëzojë ata dhe t’i nxjerrë nga errësirat në dritë; ka ardhur që t’i vendosë në rrugën e lumturisë në këtë jetë dhe të shpëtimit të madh në Jetën Tjetër. Mirëpo, ata që i mbyllën veshët dhe zemrat e tyre nga dëgjimi dhe nga udhëzimi i Tij, pa dyshim që janë përgjegjës për veprimin e tyre.”

Në një tubim gjatë netëve të muajit të Ramazanit, Sejid Hasan Nasrullahu ka thënë: "Sigurisht, në këto ditë, mrekullia e vetme, e përjetshme, gjendet në duart tona. Ky është Kur’ani i Shenjtë. Mrekullitë e profetëve (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!) kanë qenë vetëm për kohën e tyre:

-Allahu e ftohu zjarrin për Ibrahimin (Paqja qoftë mbi të!) dhe kjo ishte mrekullia e tij.

-Në dorën e Musait (Paqja qoftë mbi të!) gjendej një shkop që shndërrohej në gjarpër, i cili gëlltiste gjithçka që bënin magjistarët.

-Isai (Paqja qoftë mbi të!) ringjalli të vdekurit, shëroi lebrosët dhe të verbrit.

Këto janë prej mrekullive të profetëve të Allahut (Paqja e Allahut qoftë mbi të gjithë ata!). Mirëpo, pas vdekjes dhe largimit të tyre nga kjo botë, ato mrekulli nuk kanë qëndruar dhe janë bërë lajme historike. Ky lajm historik mund të harrohej, të humbiste dhe nuk do të mësohej se ata të dërguar kanë pasur mrekulli. Për fat të keq, çifutët i ndryshuan fjalët e Allahut deri në atë masë sa i mveshën të dërguarve çështje dhe vepra që nuk përputhen as me një njeri të zakonshëm. Shpallja e Kur’anit nuk ka qenë e vetmja mrekulli për profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), pasi në jetën e tij mrekullitë kanë qenë të ngjashme me ato të profetëve të tjerë.

Ka njerëz që mund të kenë paqartësi dhe mendojnë se mrekullia e vetme e Musait ka qenë shkopi dhe ajo e Isait, ringjallja e të vdekurit, shërimi i lebrozës dhe i verbërisë. Mrekullia e Profetit Muhamed është Kur’ani. Kur’ani është mrekulli e përjetshme për Profetin Muhamed. Por nuk është vetëm kjo mrekulli, sepse në jetën e Profetit ka pasur shumë mrekulli, të cilat janë përcjellë në librat e historisë. Të gjitha këto mrekulli, përveç Kur’anit të Shenjtë, nuk ekzistojnë më mes nesh dhe njerëzit mund të thonë se e kemi dëgjuar nga dikush apo e kemi lexuar në një libër.

E veçanta e Kur’anit të Shenjtë, në mesin e të gjithë këtyre mrekullive, është se ai gëzon cilësinë e qëndrimit dhe të vazhdimësisë, edhe pas ndarjes nga jeta të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), në zemrën e të cilit zbriti ky Kur’an që ndodhet në duart tona. Kjo mrekulli nuk është shkëputur me vdekjen e tij, siç janë mrekullitë e profetëve të tjerë. Sigurisht, Kur’ani i Shenjtë është mrekullia e çdo kohe dhe njerëzit shohin dhe prekin përmasat e tij logjike me anë të mendjes, të zemrës dhe të shpirtit të tyre. Një nga madhështitë e Kur’anit Fisnik është se me kalimin e kohëve, me zbulimet shkencore, njeriu njihet më shumë me njohuritë dhe vërtetësinë e këtij Libri të Përjetshëm. Pra, në çdo ditë që jetojmë duket qartë madhështia e Kur’anit dhe kjo madhështi do të vazhdojë deri në Ditën e Fundit të kësaj bote. Kjo madhështi tregon se ky libër është nga Allahu i Madhëruar. Edhe në hadithet e ardhura nga Profeti, nga Prijësi i besimtarëve dhe nga Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi të gjithë ata!) lexojmë se Kur’ani do të jetë gjithmonë i gjallë dhe koha, kurrë nuk del para tij, por ai është prijës i gjithçkaje, deri edhe i kohës. Kjo është një veçanti e lartë e Kur’anit Fisnik. Sa më shumë të kalojnë kohët, aq më shumë zbulohet përmasa e mrekullive të Kur’anit. Këtë e them plot bindje.".

Ai thekson: "Dimensioni i edukimit dhe i pastrimit të njeriut ka qenë gjithmonë në krye, që nga koha e profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Formimi i njeriut është misioni më i vështirë, të cilin mund ta bëjë një libër, një mësues, një filozof, një edukues dhe një metodologji edukuese. Meqenëse ky mision është i vështirë, atëherë njeriu ka nevojë për njerëz të mëdhenj nga ana e Allahut, që janë të dërguarit. Formimi dhe edukimi shpirtëror dhe mendor i njeriut ka nevojë për të dërguar dhe libër nga ana e Allahut; ka nevojë për metodologjinë edukuese të profetëve; ka nevojë për njerëz, që edhe pse nuk kanë qenë profetë, janë afër me këtë pozitë.".

Ky Kur’an, - thotë Sejid Nasrullahu, - që ndodhet në duart tona, përmban njohuri të Zotit. Në të flitet për emrat e Allahut të Madhëruar, për cilësitë e Tij të shenjta, për metafizikën, për ngjarjet që do t’i ndodhin njeriut në vdekje dhe pas vdekjes (në Barzah, në Kiamet) dhe për ndodhitë madhështore të asaj dite. Ai përmban lajme për kohën pas profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), lajme për të ardhmen e afërt, të largët e të mesme; përmban të fshehtat e të shkuarës që njerëzit nuk i njihnin në librat dhe në bisedat e tyre. Ky Kur’an përmban mrekulli shkencore. Nëse do ta lexojmë Kur’anin, do të shohim se ai përmban mrekulli në sistemin e gjithësisë, në retorikë dhe elokuencë, në sistemin e rregullimit të jetës e shumë e shumë anë të tjera të mrekullisë.”

Në fund të këtyre rreshtave, do të doja të përcillja këtë thënie të dijetarit, eruditit dhe liderit largpamës, Sejid Hasan Nasrullah, i cili ka thënë:  "Është e ditur se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) përgjatë njëzet e tre vjetëve arriti që të formonte një popull madhështor e të fortë, i cili hyri në portat e gjera të historisë. Ai arriti që zemrat e ashpra t’i shndërronte në të buta e të mëshirshme, të cilat përloten në mesin e natës. Ai arriti që atë popull që vritej e pritej për hir të fisit, ta shndërronte në popull luftues për hir të Allahut, për hir të udhëzimit të njeriut, për hir të vendosjes së drejtësisë dhe për zhdukjen e padrejtësisë. Vetëm me anë të Kur’ani Fisnik, Profeti arriti të ndërtonte një bashkësi që vazhdon të jetë e pranishme, e cila rritet dhe zhvillohet dita-ditës, me gjithë problemet e saj të brendshme dhe intrigat e shumta që janë thurur përgjatë historisë, me qëllim zhdukjen e Kur’anit.

Mrekullia vazhdon sot dhe do të vazhdojë përgjatë gjithë kohëve, pa as më të voglën mëdyshje. Vërtet, ky është Kur’ani që ndërton shoqëri. Ky Kur’an arrin të bëjë ndryshime të mëdha në çdo shoqëri njerëzore. Vërtet, nëse kthehemi te Kur’ani, ne mund të realizojmë shumë arritje madhështore, qoftë edhe me mundësi modeste e të thjeshta. Ajo që është e rëndësishme këtu të thuhet është se Kur’ani, para se të jetë libër që na flet për historinë dhe tregimet, para se të jetë libër që përmban elokuecë dhe retorikë, para se të jetë libër që përmban ligjet e Allahut, është libër për pastrimin dhe edukimin e njeriut, me qëllim që të formojë një njeri dhe të ndërtojë një popull, që të ketë pozitë të lartë në këtë jetë, të shpëtojë në Jetën Tjetër e të fitojë shpërblim të madh në të. Allahu na e ndriçoftë jetën me dritën e Kur'anit!”.

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI