Xhamia e Sofi Sinan Pashës

nga Faik Miftari | Publikuar në Shta. 25, 2016, 3:57 a.m.

Është perla e qytetit të Prizrenit e cila gjendet në qendër të qytetit, në Shadërvan, buzë lumit Lumbardhë, në një pozitë grandioze, dhe lirisht mund të them se është xhamia  më e bukur jo vetëm në Prizren por edhe në Kosovë dhe më gjerë në Ballkan. Xhamia e Sinan Pashës është njëra prej xhamive më të njohura, më të rëndësishme  të qytetërimit islam në trojet shqiptare dhe të trashëgimisë kulturore osmane-islame në qytetin tonë.

Për xhaminë dhe ndërtuesin e saj Sinan Pasha ka shkruar edhe kronisti Mehmet Tahir efendiu në Kronikën e tij të shkruar gjatë shek. XIX, ku në mes tjerash për xhaminë e Sinan Pashës shkruan:” I thonë Sinan Pasha  prejardhjen e ka nga Vila(Luma),është bërë zëvendës i sadriazemit(kryeministrit) të mbretit. Ka ndërtuar një xhami, me të s’ka në trojet tona,një xhami e ngjashme është në Edrene kanë thënë të ngriturit tanë...”[i].

Ndërtuesi i xhamisë ishte Sofi Sinan Pasha i cili është me prejardhje shqiptare nga fshati Vilë, të Lumës së Shqipërisë.  Sinan Pasha ishte ushtarak i lartë që kishte marrë grada dhe tituj të lartë gjatë shërbimit në Perandorinë Osmane. Që nga shkuarja e tij në Stamboll ai kishte bërë karrierë të famshme ushtarake, ishte bejlerbe i Budapestit,  i Kajros, dhe i Bosnjës, gjatë një kohe kishte shërbyer edhe si vezir (ministër) Divani i Portës së Lartë. Në vitin 1607  një vit kishte  qëndruar në postin e valisë në Bosnjë, dhe më pas emërohet vali (guvernator) i Shamit (Damaskut).  Sinan Pasha ndërroi jetë  në Stamboll në vitin 1615, dhe ishte varrosur në një tyrbe  në lagjen Tophane të Stambollit[ii].

Gjatë ekzistencës së saj 400 vjeçare xhamia e Sinan Pashës ka përjetuar në njëqind e vjetët e fundit disa tentativa për rrënimin dhe mbylljen e saj, që nga viti 1912 pas largimit të Perandorisë Osmane, si dhe okupimin serb të Kosovës nga fundi i  vitit 1912 me ç’rast Prizreni ra në duart e pushtuesve serb.

Përpjekja e parë për rrënimin e xhamisë së Sinan Pashës ishte  me 29 nëntor të vitit 1915, me rastin e kurdisjes së bombave brenda xhamisë nga ushtarët serb, me ç’rast ndodhi një shpërthim i madh nga të cilët si pasojë pati dëmtime të mëdha në enterierin dhe  muralet e brendshme të xhamisë[iii].

Përpjekja e dytë për rrënimin e xhamisë së Sinan Pashës ishte gjatë viteve 1920-1922 me ç’rast pushteti i atëhershëm lokal serb do të provojë që të rrënojë këtë xhami, por myftiu i atëhershëm i Prizrenit Hafiz Rustem ef. Shporta kishte organizuar demonstrata masive disaditore të xhematit dhe qytetarëve të Prizrenit në mbrojtje të saj, edhe përkundër rrënimit të pjesshëm të xhamisë,  hajatit të saj të jashtëm dhe tri kupolave përcjellëse të jashtme , në saje të veprimit të guximshëm të myftisë së atëhershëm të Prizrenit së bashku me  xhematin dhe qytetarët e Prizrenit, arriti kjo xhami madhështore të shpëtojë nga rrënimi i mëtutjeshëm, pasi që pas kësaj rezistence të xhematit dhe qytetarëve të Prizrenit, pushteti serb  hoqi dorë nga rrënimi i xhamisë së Sinan Pashës[iv].

Pas ardhjes së pushtetit komunist në Prizren, pas luftës së dytë botërore, xhamia e Sinan Pashë nuk u rrënua, por gjatë gjithë kohës,gati 50 vjeçare, ishte jashtë funksionimi të saj për kryerjen e namazeve, ditore, javore, mujore dhe vjetore.

Në vitin 1948  xhamia e Sinan Pashës ishte vendosur në mbrojtjen e shtetit, ndërsa në vitin 1952 kishte filluar konservimi i saj i brendshëm në organizim të Entit për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit, ashtu që më pas, po nga Enti për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore të Prizrenit në vitin 1968 u hap si muzeu i dorëshkrimeve orientaleve. Por, vetëm  një vit më vonë me kërkesën e kreut më të lartë fetar mysliman në ish Jugosllavi, Reis ul Ulemasë së atëhershëm Sylejman ef. Kemurës, xhamia e Sinan Pashës  iu kthye në posedim dhe mirëmbajtje të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit me vendimin të prerë gjyqësor. Në vitin 1972 ishte kryer  riparimi i kubes (kupolës) qendrore  si dhe   konservimi i kaligrafisë (bukurshkrimit) arabe të dëmtuara në brendi të xhamisë me rastin e shpërthimit të bombave  në vitin 1915 brenda xhamisë[v].

Në pjesën e majtë të mihrabit është ruajtur mbishkrimi në të cilin  shkruan ” tarihi bina-misali xhenet-1024” që do të thotë: ” ndërtesa historike- vendi i xhenetit-1615”[vi].

Me datë 31Korrik 2011 u organizua ceremoniali i rihapjes së xhamisë së Sinan Pashës pas restaurimit detaj të saj, që nisi në vitin 2007 dhe përfundoi me sukses në vitin 2011, pas një restaurimi që zgjati plot 4 vite . Restaurimi u krye me mbështetjen financiare nga organizata qeveritare turke TIKA, ndërsa punët restauruese janë zhvilluar nën mbikëqyrjen e organit mbikëqyrës të përbërë nga ekspertët e kësaj  fushe restauruese nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së  Kosovës, si dhe Drejtoratit të Përgjithshëm të Vakëfeve të Turqisë. Gjatë  restaurimit u rindërtuan hajati dhe tri kubet  (kupola) të vogla të jashtme përcjellëse që ishin rrënuar gjatë tentimit të rrënimit të xhamisë nga pushteti i atëhershëm  serb. Përveç kësaj është kryer edhe restaurimi  i brendisë së xhamisë. Gjatë vitit 2013, poashtu me mbështetjen e organizatës qeveritare turke TIKA, është rregulluar edhe oborri prapa xhamisë, ashtu që tani objekti si i tillë  paraqet një kompleks per exellent jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan. I mbetet tani Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit të jetë vigjilent  në mirëmbajtjen e xhamisë dhe oborrit të saj, nga dëmtimet eventuale që mund të ndodhin nga pakujdesia dhe neglizhenca e xhematit, qytetarëve, dhe turistëve  të shumtë që e vizitojnë këtë xhami, si trashëgimi kulturore historike me rëndësi primare në qytetin historik të Prizrenit të pasur me trashëgimi kulturore .

Xhamia e Sinan Pashës me pozicionin e saj të mrekullueshëm,  gjendet nën Kalanë historike të Prizrenit , me kuben(kupolën) e sajë qendrore,  tani edhe me tri kube(kupola) më të vogla mbi hajat, të rindërtuara  rishtas dhe me minaren e hollë dhe të lartë, përbën  objektin  dominues në qytetin e Prizrenit. Xhamia si e tillë, përmban karakteristika të artit klasik osman me qendër në Stamboll dhe është një nga veprat estetike të rralla në Ballkan. Me  dekorimet e brendshme , xhamia është një prej shembujve më të bukur të artit dekorues në Ballkan. Përveç dekorimeve klasike në xhami dominojnë edhe dekorimet e stilit barok të shekullit XIX[vii].

 


[i] Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës  në  Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.84

[ii] Vırmiça, Raif:’’Menakib-Haci Mehmet Tahir Efendi”, Prizren, 2001, fq.69

[iii] Shukriu, Muhamed”Prizreni i lashtë…”Prizren, 2001, fq.297

 [iv] Rexhepi,Resul&Mehmeti, Sadik ”H. Rrystem ef. Shporta-Monografi”...,Prishtinë, 2010,fq.41

[v] Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.20

[vi] Vırmiça, Raif:’’Prizren Camileri’, Prizren, 1996, fq.24

[vii] Miftari,Faik”Feja, shpresa dhe qëndresa”, Prizren, 2013, fq.180