Gjykata Speciale e Kosovës

nga Faik Miftari | Publikuar në Shta. 15, 2016, 10:43 p.m.

Hyrje

Gjykata Speciale e Kosovës, tani e tutje, në opinionin publik do të jetë prezent gjatë periudhës së ardhshme kohore dhjetëvjeçare. Gjykata Speciale e Kosovës  u themelua me aprovim  të Kuvendit të Kosovës, së pari me amandamentimin e nenit 162 të Kushtetutës së Kosovës, pas së cilës pasoi edhe miratimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me 3 gusht të vitit 2015,  me të cilin edhe iu hapën dyert procedurës së mëtutjeshëm të krijimit të Gjykatës Speciale. Në ndërkohë kanë përfunduar  bisedimet në mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Holandës me të cilin u caktua selia e Gjykatës Speciale të Kosovë, që do të jetë  Haga në Holandë. Me këtë veprim të Kuvendit të Kosovës, Republika e Kosovës barti një pjesë të sovranitetit të saj  Bashkimit Evropian, akoma pa qenë   anëtare e BE-së. Themelimi i Gjykatës Speciale të Kosovës  paraqet një goditje të rëndë për sistemin juridik vendor të Kosovës, pasi që me këtë cedim nga sistemi juridik kombëtar në sistemin juridik ndërkombëtar, është bërë një veprim i dhimbshëm. Edhe pse Gjykata Speciale e Kosovës është themeluar brenda në Kosovë, nga organi legjislativ i Kosovës, puna e tërësishme e funksionimit të saj do të jetë jashtë Kosovës.  Mund të cilësohet se themelimi i Gjykatës Speciale të Kosovës edhe pse është bërë me vendim të Kuvendit të Kosovës, por ai në të vërtet është krijuar nga presioni jashtëzakonisht i fuqishëm i faktorit vendimmarrës ndërkombëtar, si të Washingtonit ashtu edhe të Brukselit.

Sipas mendimit tim,  janë dy faktor  kryesor që  kanë parapri krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovë, faktori i parë, është ai i mos krijimit të një Gjykate vendore apo nacionale në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, e cila do të merrej me krimet e supozuara në Kosovë, sikurse janë themeluar Gjykatat nacionale në shtetet tjera të porsa krijuara nga shpërbërja e ish Jugosllavisë, sikurse në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi, të cilët në një mënyrë apo tjetër gjykuan deri diku një numër të caktuar të përgjegjësve të supozuar që kanë kryer krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës  në luftërat e zhvilluar në hapësirat e ish Jugosllavisë. Faktori i dytë, apo edhe kryesor  që i parapriu themelimit të Gjykatës Speciale të Kosovës ishte pa mëdyshje raporti i Dick Martit[i].

Hetimet e Carla del Pontes

Idetë e para për hetimin e pjesëtarëve të UÇK-së të dyshuar që kanë kryer krime të luftës apo krime kundër njerëzimit datojnë që nga koha gjersa ishte Prokurore e Përgjithshme e Tribunalit të Hagës për ish Jugosllavinë në dy mandate,  1999-2007, Carla del Ponte. Kjo prokurore zvicerane ishte luftëtare e denjë në përpjekjet e saja për të nxjerr para organeve të drejtësisë të gjithë të dyshuarit nga tërë hapësira e ish Jugosllavisë, që kanë kryer krime të gjenocidit, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës, e veçanërisht ishte përpjekur me të gjitha mjetet që i ka pas në dispozicion si prokurore që një ditë para Tribunalit të Hagës për ish Jugosllavinë të nxjerr liderin politik dhe liderin ushtarak serb të Bosnjës si përgjegjës kryesor për gjenocidin e Srebrenicës, e cila edhe u kurorëzua me sukses  pas skadimit të mandatit të saj, me kapjen e Radovan Karagjiqit dhe Ratko Mlladiçit të cilët tani janë duke u gjykuar në Tribunalin e Hagës. Carla del Ponte në përpjekjen e saj është treguar aq e guximshme, sa që në ballafaqimet e saja tetëvjeçare me te, shumë prokuror, gjyqtar, ekspert, analistë, gazetarët kanë pas “telashe” bukur të mëdha, ashtu që para saj herë pas here janë ndier të skuqur  shumë personalitete të njohur, nga vendosmëria e paparë e saj për të sjell para drejtësisë të gjithë të dyshuarit nga ish Jugosllavia.

Gjatë punës së saj si prokurore, ajo ka ngrit aktakuza në Kosovë vetëm në dy raste, si Procesi Limaj dhe Procesi Haradinaj, me ç’rast pas gjykimit të tyre, Tribunali i Hagës i ka shpallë të lirë, pasi që nuk ka mund të vërtetojë aktakuzën  e ngritur nga Carla del Ponte në dy procese të lartë cekura. Por ajo, që do të ndodh më e keqja   për luftën e UÇK-së në veçanti, ishte se qysh në vitin 2008 ajo e ka botuar librin me titull ”Zonja Prokurore...”, në të cilin i ka përshkruar hetimet e saja gjatë mandatit të saj, në të cilin përveç tjerash cek edhe hetimet e kryera ndaj ish pjesëtarëve të UÇK-së, i cili më tutje do të shërbej si material fillestar për Raportin e Dick Martit të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Ajo i përshkruan raportet  e shumta të zyrës së prokurorit të UNMIK-ut për krimet e supozuara  gjatë viteve 1998, 1999 e 2000, nga pjesëtarët e UÇK-së, të cilët kanë kidnapuar me qindra serb, romë, mysliman, shqiptar, nga të cilët disa prej tyre janë burgos në burgje të vendosura nëpër bodrume e ahure,  prej tyre janë rrahur e maltretuar, disa janë dhunuar, disa janë likuiduar, e shumë të tjerë akoma konsiderohen si të zhdukur[ii].

Akuzat më të mëdha janë bërë lidhur me të ashtuquajturën “Shtëpinë e verdhë” në Shqipëri, në të cilin sipas burimeve të gazetarëve jo të konfirmuara, janë bërë akuza të mëdha kinse për nxjerrjen e organeve dhe më tutje transplantimin e  tyre në vende të jashtme, që ishte një trillim sensacional, të cilin më vonë e përdori si pretekst për hulumtimin dhe përgatitjen e raportit, Dick Marti në Asamblenë e Këshillit të Evropës.

Sipas burimeve të gazetarëve, jo të konfirmuara, disa nga të burgosurit janë transferuar nga Kosova në Shqipëri, në një shtëpi e ashtuquajtur e verdhë, 20 km larg Burrelit, në të cilin të burgosurit të shëndosh janë kontrolluar nga mjeku, dhe ata nuk janë rrahur e maltretuar, por në atë shtëpi e cila ka shërbyer si klinikë kirurgjike, të burgosurve të shëndosh janë nxjerr organet e brendshme dhe më tutje janë transportuar nëpërmjet aeroportit të Rinasit në Tiranë, dhe janë transplantuar pacientëve të pasur të sëmurë në klinikat kirurgjike në shtete të ndryshme në Evropë[iii].

Por, këto trillime dhe shkrime të gazetarëve,  jo të konfirmuara, në hetimet dhe hulumtimet e kryera më tutje, pikërisht në të ashtuquajturën”Shtëpinë e verdhë”, nga prokurorët dhe gjyqtarët e UNMIK-ut si dhe nga ata të Shqipërisë, nuk janë vërtetuar si të vërteta, por kjo mjaftoi që kjo të bëjë bujë të madhe  në mediat evropiane dhe botërore.

Pas disa muajve prokurorët dhe gjyqtarët e UNMIK-ut si dhe ata vendor shqiptar, kanë hulumtuar dhe vizituar objektin e ashtuquajtur “Shtëpia e verdhë”, por në vendin e ngjarjes pas hulumtimeve të gjithanshme të kryera, nuk kanë arrit asgjë të gjejnë ndonjë provë që do të mund të vërtetohen burimet konfidenciale të gazetarëve. Nuk janë gjetur kurrfarë trupa të viktimave, apo indicie tjera, dhe as që kanë mund diç të identifikojnë apo të lokalizojnë diç të tillë. Gazetarët që nga fillimi nuk kanë dashur në asnjë mënyrë të zbulojnë burimet e tyre të jo konfirmuara, dhe në këtë mënyrë në mungesë të provave të dukshme, këto mund të kenë qenë vetëm spekulime të qarqeve të caktuara, që ndodhin në shumicën e luftërave dhe konflikteve si luftë propagandistike për të demistifikuar palën kundërshtare, duke i akuzuar për trafikim organesh si një prej mjeteve më shokuese dhe propaganduese që sjell efekt sensacional medial[iv].

Është interesante se si në librin e saj, prokurorja Carla del Ponte përshkruan takimin e saj me liderin politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetarin e tanishëm  të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin. Me rastin e pesëvjetorit të shënimit të Marrëveshjes së Dejtonit, është organizuar një konferencë në Dejton të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të cilin ishin ftuar edhe përfaqësuesit shqiptar të Kosovë. Në panel qëllova të ulem afër Hashim Thaçit, me të cilin filluan edhe të bisedojmë. Gjatë bisedës sime me Hashim Thaçin, ai pranoi se disa shqiptarë kanë kryer krime gjatë konfliktit në Kosovë, por ata kanë qenë civil të cilët janë veshur me uniformat e ushtarëve të UÇK-së. Më dha një vërejtje të papërshtatshme e cila në masë të madhe më provokoi. Dhe unë iu përgjigja duke e shikuar në sy se kam hapur hetimet për krimet e kryera nga shqiptarët në Kosovë, duke mos e përmendur asnjë akuzë kundër tij, por ai me siguri ka konkluduar se në listë është me siguri edhe ai, pasi fytyra e tij mori pamje të ngurtësuar[v].

Poashtu edhe një detaj tjetër të rëndësishëm që dua të cek këtu, është se sa është e dukshme lidhshmëria dhe ndikimi i politikës në gjyqësorin edhe pse proklamohet se gjyqësori duhet të jetë i pavarur nga ndikimet apo presionet të politikanëve, kjo në praktik nuk qëndron dhe ka krejtësisht një dimension tjetër, po aq të rëndësishëm që në rastin në fjalë, e cek edhe  ish prokurorja Carla del Ponte me rastin e marrjes së vendimit për ngritjen e aktakuzës kundër atëherë të dyshuarit Ramush Haradinaj.

E kam ditur se çdo paraqitje e Haradinajit në opinion ishte pikërisht porosi e qartë të gjithë atyre që mendonin të dëshmojnë kundër tij. I shtrova vetes pse, administruesit ndërkombëtar në Kosovë, por më duket edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe aq shumë e përkrahin Ramush Haradinajn. Por këtë mendim që kisha për përkrahjen e Ramush Haradinajt nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, doli që nuk qëndronte, pasi që gjatë takimit tim në dhjetor të vitit 2005  kam shtruar pyetjen amerikanëve, sa është i rëndësishëm Haradinaj për Shtetet e Bashkuar të Amerikës, duke iu sqaruar se pikërisht në Kosovë UNMIK-u ka arrit të bind gjyqtarët e Këshillit gjyqësor se ai është kyç për stabilitetin e Kosovës. Nga amerikanët mora përgjigje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndërmend të bashkëpunojnë me Ramush Haradinaj[vi].

Raporti i Dick Martit

Raporti i Dick Martit ishte katalizator kryesor i trysnisë ndërkombëtare  nga Washingtoni e Brukseli mbi Kosovën për t’u themeluar Gjykata Speciale e Kosovës. Raportit të Dick Martit i ka parapri ish Kryeprokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë(Tribunalit të Hagës), Carla del Ponte e cila botoi një libër së bashku me koautorin Chuck Sudetiç me titull ”Gjuetia-Unë dhe kriminelët e luftës”, të cilën së pari e botoi në gjuhën italiane e pastaj u përkthye edhe në gjuhën frënge. Në këtë libër ajo akuzon përveç tjerash drejtuesit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK-së), kinse për trafikim të organeve njerëzore. Këto pretendime të Carla del Pontes ngjallën reagime të ashpra pasi ishin tronditëse dhe deklaroheshin nga ish kryeprokurorja e cila kishte punuar vite me rrallë në sistemin gjyqësor të ngarkuar për ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë luftërave që pasuan me rastin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë.

Dick Marti në bazë të Rezolutës(Dok. nr. 11574) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ishte ngarkuar nga Komisioni i çështjeve juridike dhe të drejtave njerëzore pran Asamblesë Parlamentare për të përgatitur raportin për të verifikuar pretendimet e Carla del Pontes se a ishin të vërteta, dhe  për të vendosur në vend drejtësia për viktimat dhe të ziheshin autorët e supozuar dhe të nënshtroheshin një gjykimi të drejtë[vii].

Pas hyrjes së trupave të KFOR-it, pas bombardimeve 77 ditore të suksesshme të NATO-së , ushtria dhe policia serbe në qershor të vitit 1999 filloi të braktis Kosovën, ndërsa pas saj  filloi të kthehet populli shqiptar i dëbuar nga Kosova. Në këtë situatë mbretëronte një pasiguri totale, pasi që edhe kontrolli kufitar me Shqipëri nuk ekzistonte, pothuajse u shemb kufiri, mbretëroi një situatë kaotike në të cilin u bënë vrasje të shumta të civilëve serb dhe rom, por edhe të shqiptarëve të ashtuquajtur” bashkëpunëtor” apo “tradhtar”, si dhe në mes rivaliteteve të brendshme të dy krahëve luftarak. Për këtë shkak këto krime të kryera mbetën të pa hulumtuara dhe të pandëshkuara në të cilin ishin përfshirë edhe drejtuesit e lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës[viii].

Dick Marti në raportin e vet cek se për shkak të mungesës së administratës, si shkak i përfundimit të sistemit represiv të pushtetit serb, si edhe për shkak të mos kontrollit kufitar me Shqipërinë, sipas tij janë vrarë një numër i konsideruar shqiptar, serb, rom, të cilit gjer në ditët e sotshme jo vetëm që nuk janë marrë seriozisht, por as që janë hulumtuar e gjurmuar kryerësit e mundshëm të supozuar të këtyre vrasjeve të ndodhura të pas luftës.

Dick Marti në raportin e vet përmend  të ashtuquajturën”Shtëpinë e verdhë” e cila gjendet në Burrel të Shqipërisë, në të cilin pretendohet se është kryer marrja e organeve nga të zënit rob serbë, në të cilin gjatë vizitës së tij nuk ka pas bashkëpunim të duhur me autoritetet shqiptare, si dhe me kryefamiljarët e asaj shtëpie, pasi ata kanë dhënë versione të ndryshme lidhur me pretendimet e supozuara për krimet e kryera në këtë shtëpi[ix].

Për këtë pretendim të Dick Martit me të vërtet është shumë vështir të besohet e lere më të realizohet. Pasi që për një transplantim të mundshëm të organeve nga një person në tjetrin duhen kushte dhe pajisje medicinale më bashkëkohore për të kryer një intervenim të tillë kirurgjik, e si është e mundur në kohën dhe në rrethanat aktuale në të cilin supozohet se janë kryer, ishte kohë lufte, do të ishte e mundshme të realizohej një gjë të tillë në një shtëpi të tillë në Burrel të Shqipërisë. Ai e lidh këtë situatë me situatën e krijuar 10 vjet pas luftës me rastin e klinikës Medicus në Prishtinë  në të cilin supozohet se janë kryer transplantimet e  organeve në të cilin ishin implikuar disa persona  vendor e ndërkombëtar, mjekët që vepronin në kuadër të trafikimit  ndërkombëtar të organeve njerëzore, pa marr parasysh të një prezence të duhur ndërkombëtare në Kosovë.

Gjatë përpilimit të raportit, Dick Marti cek se nuk ka bërë një hetim kriminal, por një hetim paraprak të raportit i cili do të jetë shumë i rëndësishëm për të bërë presion në instancat ndërkombëtare dhe shtetet përkatëse me ndikim që të del e vërteta në shesh dhe përgjegjësit e supozuar të identifikohen dhe të japin llogari për krimet e supozuara të kryera[x].

Me të vërtetë Dick Marti ia ka arrit qëllimit, pasi që pas dorëzimit të raportit dhe miratimit të tij nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, është bërë një trysni jashtëzakonisht marramendëse mediale në Evropë, si pasojë e së cilës ishte edhe trysnia e paparë mbi krerët politik dhe shtetëror të Kosovës, gjë që rezultoi me miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale nga Kuvendi i Kosovës.

Në raportin e vet më tutje Dick Marti cek se një pjesë e ushtarëve të UÇK-së në të vërtetë ishin të gatshëm për të vdekur në luftë për çlirimin e Kosovës, porse këta përbënin një pakicë, përkundër shumicës së ushtarëve të UÇK-së, e sidomos të drejtuesve të UÇK-së, që ambiciet e tyre shkonin jo në mposhtjen e shtypësve serb, por në përfitimin e simpatisë të faktorit ndërkombëtar, në radhë të parë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ashtu që pas përfundimit të luftës të marrin edhe pushtetin në Kosovë nga krahu jo violentë i LDK-së, për të përfituar për vete dhe anëtarët e familjeve dhe klaneve të tyre, qoftë nga ushtrimi i funksioneve publike apo veprimtarive të caktuara në fushat ekonomike, sikurse ishte sektori i shpërndarjes së karburanteve, ndërtimtarisë, uzurpimit të objekteve të ndryshme, marrja e qirasë së lokaleve publike, si rrjedhojë e të cilës u bë pasurimi enorm i tyre[xi].

Nga distanca e tanishme kohore pretendimet e Dick Martit lidhur me përfitimet e mëdha politike dhe ekonomike e financiare të bartësve të dikurshëm të UÇK-së, të bartësve të pozitave kryesore shtetërore e politike po  dalin të sakta, pasi që me të vërtet për një kohë të shkurtër kanë përfituar të mira të mëdha materiale e financiare.

Më tutje Dick Marti udhëheqësit apo drejtuesit kryesor të UÇK-ës i ka pagëzuar me emrin”Grupi i Drenicës” në krye të së cilës e venë personalitetin më të njohur udhëheqës politik të UÇK-së dhe kryetarin aktual të Republikës të Kosovës, Hashim Thaçin, i cili gëzon pa dyshim përkrahjen politike dhe diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe fuqive tjera perëndimore si partner më i besueshëm për projektin e tyre të paraparë për Kosovën[xii].

Kjo që e cek Dick Marti në ditët e sotshme po vërtetohet se Hashim Thaqi është figurë kyçe në bisedimet që po zhvillohen në mes Serbisë dhe Kosovë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel, në të cilin Washingtoni dhe Brukseli luajnë në kartën e Hashim Thaçit si implementues dhe zbatues i projektit të tyre të agjendës së realizimit të normalizimit të marrëdhënieve në mes Serbisë dhe Kosovës drejt zhvillimeve dhe integrimeve evropiane që shkojnë pikësëpari në dobi të Serbisë, e jo edhe të Kosovës.

Në përgatitjen e raportit të tij, Dick  Marti ka pas qasje edhe në dokumente të shumta sekrete të shërbimeve sekrete të fuqishme ndërkombëtare, sikurse janë, CIA, BND, MI-6 dhe të tjerë, në të cilin figurojnë raportet e shumta të personaliteteve kyç politik e ish ushtarak, në të cilat përveç Hashim Thaçit që cilësohej si më i rrezikshmi i UÇK-së, gjenden edhe ish përfaqësuesit tjerë të UÇK-së, tani bartës të funksioneve të rëndësishme politike, shtetërore e opozitare, që janë: Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj e Shaip Muja. Dick Marti në raportin e tij i përshkruan këta anëtar të “Grupit të Drenicës”,  se kanë pas dorë çoftë në mënyrë direkte apo edhe indirekte në urdhërimin, ndjekjen dhe realizimin e një numrit të vrasjeve, plagosjeve, burgosjeve, kidnapimeve, kërcënimeve, në rajone të ndryshme të Kosovës  gjatë periudhës së viteve 1998-2000[xiii].

Tani, pas themelimit të Gjykatës Speciale të Kosovës, personat e apostrofuar dhe të supozuar  në raportin e Dick Martit, në rast se eventualisht do të ngritet ndonjë aktakuzë për ndonjërin nga ta, do të duhej të përgatisin mbrojtje  të mirë dhe efikase për të hedhur poshtë pretendimet e supozuara në raportin e Dick Martit. Më tej Dick Marti prezanton një numër të caktuar të burgjeve dhe vendeve të torturimit në Shqipëri, në të cilin pretendon se janë torturuar, rrahur, plagosur dhe vrarë personat e zënë peng dhe të burgosurit, disa prej të cilëve edhe janë dënuar, ndërsa për të tjerë do të shihet pasi që do të nis punën Gjykata Speciale e Kosovës, e cila do të trajtojë këto raste të cekura.

Në përfundim të raportit të tij Dick Marti konkludon se ky raport mori shkas nga njoftimet e botuara në librin e Charla del Pontes, i cili ishte edhe shkas për hetimin dhe përpilimin e këtij raporti të kërkuar dhe të miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. “Detyra ime nuk ishte të bëjë hetim penal”, ka përfunduar raportin e vet Dick Marti, e as të japim gjykime dënimi apo fajësimi për personat dhe individët e cekur në raport. Por faktet që kemi hulumtuar dhe mbledhur kanë një rëndësie të madhe dhe se Këshilli i Evropës dhe shtetet anëtare të saj nuk do të mund të qëndrojnë indiferente karshi raportit të tillë të prezantuar[xiv].

    Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar

Pas trysnisë së madhe ndërkombëtare me rastin e  aprovimit të Raportit të Dick Martit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, Kuvendi i Kosovës më në fund qe i detyruar të miratojë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar me anë të cilit ligjërisht i dha dritën e gjelbër themelimit të Gjykatës Speciale të Kosovës. Këtu do të ndalem tek  disa  aspektet kryesore të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar[xv].

Në nenin e parë të këtij ligji figuron  se Dhomat e Specializuara do të merren pikërisht me pretendimet e Raportit të Dick Martit të raportuar para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, dhe të cilën në bazë të këtij raporti janë kryer hetimet nga Task Forca Speciale e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Poashtu këto dhoma duhet të përmbushin obligimet ndërkombëtare për mbrojtjen e drejtave dhe lirive njerëzore të parapara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Dhomat e Specializuara edhe pse në shikim të parë do të jenë pjesë përbërëse të sistemit gjyqësor të Kosovës,  në të vërtetë ato janë të veçanta, pasi që  duke filluar prej Gjykatës Themelore, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Supreme, e gjer te Gjykata Kushtetuese, do të paraqesin organe gjyqësore të veçanta  nga sistemi i drejtësisë vendor në Kosovë. Këto  do të jenë të pavarura dhe se nuk do të nënshtrohen kontrollit gjyqësorit të Kosovës. Dhomat e Specializuara do të funksionojnë sipas Kushtetutës së Kosovës, si dhe sipas këtij ligji që   është lex specialis i cili i zëvendëson apo është mbi ligjet tjera në Kosovë, si dhe të drejtës zakonore ndërkombëtare e cila do të jetë mbi ligjet vendore, si dhe të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të cilët i  përshijnë 8 konventa ndërkombëtare të cilët kanë përparësi mbi ligjet vendore, të cilët janë të përfshira taksativisht në nenin 22 të Kushtetutës së Kosovës.

Sipas këtij ligji  edhe pse Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar formalisht janë pjesë përbërëse e sistemit gjyqësor të Kosovës,  ata kanë të drejtë të lidhin marrëveshje me shtete dhe organizata ndërkombëtare lidhur me mandatin e tyre për realizimin e procedurave gjyqësore, bashkëpunimin, asistencën gjyqësore dhe vuajtjen e dënimit, d.m.th. kanë të drejtë të lidhin marrëveshje ndërkombëtare, duke mos kërkuar aprovimin e institucioneve kosovare. Vetëm në rastin e kërkimit të ratifikimit sipas nenit 18 të Kushtetutës së Kosovës, atëherë duhet të kërkojnë dhe të marrin pëlqimin e Qeverisë së Kosovës. Këto veprime të Dhomave të Specializuara nuk do të nënshtrohen ndarjes së pushteteve sipas rendit kushtetues të Kosovës( legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor), por në këtë rast pushteti i Kosovës i nënshtrohet fuqisë së jashtme, asaj evro-atlantike.

Edhe tek juridiksioni lëndor i Dhomave të Specializuara, përparësi i jepet krimeve të supozuara të parapara me nenet 12-16 nga Raporti i Dick Martit të prezantuar para Asamblesë së Këshillit të Evropës, e pastaj vjen juridiksioni lëndor i paraparë me kapitujt e caktuar të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2012 që kanë të bëjnë me krime kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës. Edhe pse përflitej se Dhomat e Specializuar do të merren edhe me raste tjera në Kosovë, sikurse krimi i organizuar apo edhe korrupsioni, këtu shihet qartë se Dhomat e Specializuar e kanë mandatin e afatizuar kohor në kuadër të juridiksionit lëndor të lartë cekur, dhe përfshin vetëm  periudhën trevjeçare, prej 1 janarit 1998 gjer më 31 dhjetor 2000. Tek juridiksioni territorial këtu kemi të bëjmë me ligje të zbatueshme penale që kanë qenë në fuqi në mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000, që nënkupton Ligjet e ish Jugosllavisë, Rregulloret e UNMIK-ut, që do të thotë për veprat penale të nisura dhe të kryera jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj, në Serbi, Shqipëri apo Mal të Zi.

Tek juridiksioni personal Dhomat e Specializuara kanë kompetencë vetëm mbi personat fizik të cilët gjatë periudhës kohore 1 janar 1998 e 31 dhjetor 2000 kanë pas nënshtetësinë e ish Republikës së Jugosllavisë apo nënshtetësinë e tanishme kosovare. Edhe te ligji i zbatueshëm i jepet përparësi të drejtës zakonore ndërkombëtare në raport me ligjin penal të zbatueshëm në Kosovë, që do të thotë se Dhomat e Specializuara do të bazohen në Konventa Ndërkombëtare që kanë epërsi mbi ligjet vendore penale,  të cilët janë të përfshira në nenet 19, 22 dhe 33 të Kushtetutës së Kosovës.

Dhomat e Specializuara do të gjykojnë personat të supozuar për krimet kundër njerëzimit të parapara me drejtën zakonore ndërkombëtare të cilët taksativisht janë të përshkruar në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specializuar. Poashtu Gjykata Speciale e Kosovës do të gjykojë personat e supozuara që kanë kryer krimet e luftës që nënkuptojnë shkeljet e rënda të Konventave të Gjenevës të vitit 1949.

Dhomat e Specializuara përveç krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës të parapara me drejtën zakonore ndërkombëtare dhe Konventat e Gjenevës të vitit 1949 do të gjykojnë edhe krimet tjera në Kosovë që janë paraparë me ligjet penale të zbatueshme në Kosovë në periudhën kohore prej 1 janarit 1998 e gjer më 31 dhjetor 2000, e që janë përveç tjerash: Kodi Penal i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë-1976, Ligji Penal i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës-1977, Kodi Penal i Kosovës-2012, si dhe Ligji 04/L-082.

Dhomat e Specializuara do të gjykojnë individ të supozuar vetëm sipas përgjegjësisë penale individuale, i cili përshin individin i cili ka planifikuar, nxitur, urdhëruar apo realizuar një krim të caktuar, pavarësisht se individi i tillë mund të ishte kryetar, kryeministër, ministër apo  bartës i ndonjë pozite tjetër udhëheqëse, të cilin nuk e liron nga gjykimi apo dënimi. Sipas kësaj çdo qytetar i Kosovës për të cilin supozohet se ka kryer ndonjë krim nuk do të mund të anashkalohet nga gjykimi pa marr parasysh se çfarë pozite të lartë shtetërore, politike, udhëheqëse mund të ketë, do të thotë nuk ka të paprekshëm që do të mund të anashkaloheshin nga  gjykimi i potencuar nga Gjykata Speciale e Kosovës.

Dhomat e Specializuara do të kenë parasysh parimin ”no-bis-in –idem”( nuk ka gjykim dy herë për veprën e njëjtë), me të cilin lirohen të gjithë ata persona që janë gjykuara nga Tribunali Penal Ndërkombëtar i Hagës për ish Jugosllavinë, apo të gjykuara nga ndonjë Gjykatë vendore  në Kosovë, ose pasi që gjykohen nga Gjykata Speciale e Kosovës, për veprat penale që janë  paraparë të gjykohen nga Dhomat e Specializuara.

Ky ligj lex specialis e veçon përveç tjerash Dhomat e Specializuar nga mos nënshtrimi i saj amnistisë së paraparë sipas nenit 65.15 të Kushtetutës së Kosovës. Do të thotë nga çfarëdo lloji amnistie janë të përjashtuar të gjithë ata persona  që do të jenë pjesë e procedurës së përfshirjes së gjykimit nga Gjykata Speciale e Kosovës për krimet e supozuara kundër njerëzimit, krimeve të luftës apo krimeve tjera të parapara të Kosovës.

Rëndësia e Gjykatës Speciale të Kosovës

Themelimi i Gjykatës Speciale të Kosovës do të ketë rëndësinë e saj, pasi  që me këtë do të vejë fund akuzave dhe dyshimeve për ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të dyshuar se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë. Me këtë të gjithë të dyshuar që do të dalin në Gjykatë dhe do të ballafaqohen me aktakuzat nga Prokurorët e Gjykatës Speciale,  mund të llogarisin në një gjykim të drejtë dhe nëpërmjet mbrojtjes së tyre do të mund të hedhin poshtë akuzat duke ofruar prova, fakte dhe dëshmi për pafajësinë e tyre.

Gjykata Speciale e Kosovës do të duhet të jetë, instanca e nivelit të lartë gjyqësor me ç’rast do të ngrihet një standard i tillë i gjyqësisë çfarë e kanë në strukturën e tyre të drejtësisë ato shtete që e krijuan këtë Gjykatë Speciale, në radhë të parë shtetet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kjo gjykatë do të duhej  jetë krejtësisht ndryshe nga ato gjykata të huaja që ishin gjatë këtyre 16 viteve,  të UNMIK-ut apo edhe të EULEX-it[xvi].

Edhe pse Gjykata Speciale e Kosovës është krijuar në aspektin ligjor nga legjislativi vendor, do të thotë nga Kuvendi i Kosovës, pikësëpari duke e amandamentuar  një nen në Kushtetutën e Kosovës, e cila më tutje ia hapi rrugës Kuvendit të Kosovës të miratojë Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale, ajo në përgjithësi mund të llogaritet si Gjykatë Ndërkombëtare e themeluar ad hock për Kosovën, apo ndryshe edhe si gjykatë mikse kombëtare-ndërkombëtare.

Në Gjykatën Speciale të Kosovës do të ekzistojë një prokurori e veçantë që do të ketë për detyrë të urdhërojë arrestimin e qytetarëve të veçantë të Kosovës, do t’i dërgojë në dhoma arresti të veçanta jashtë Kosovës, do të mbajë gjykime të posaçme me gjyqtarë të veçantë. Edhe pas shqiptimit të dënimeve me burg për qytetarët e dyshuar të Kosovës që kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë, ata do të vuajnë dënimet në burgje jashtë Kosovës,  jashtë shtetit të Kosovës të cilët do t’i kontraktojnë me marrëveshje të posaçme ndërshtetërore  Gjykata Speciale e Kosovës me shtetet veç e veç të cilët do të pranojnë që të dënuarit kosovar të mbajnë dënimet e burgut në ato shtete[xvii].

Gjykata Speciale e Kosovë ka edhe rëndësinë tjetër të saj, pasi që tani Kosova e ka ratifikuar marrëveshjen kontraktuale për stabilizim dhe asocijim me Bashkimin Evropian, sipas së cilës për një periudhë kohore afro dhjetëvjeçare, do të duhet të plotësoj shumë kritere (marrëveshja për stabilizim dhe asocijim përmban 500 faqe). Nga puna e Gjykatës Speciale të Kosovës,  sistemi gjyqësor i Kosovës duhet të  merr si model dhe përvojë se si trajtohen këto raste në aspektin ndërkombëtar nga Gjykata Speciale e Kosovës.

Gjykata Speciale e Kosovës në një mënyrë do të bëjë ”stabilizimin” e shtetit të Kosovës në aspektin gjyqësor, e pas kohës që do të ”stabilizohet” mund të shihen se çfarë perspektivat e “asocijimit”  na presin gjatë fazës së stabilizim asocijimit si fazë e parë e rëndësishme drejt inicimit të fazës së dytë, edhe më të vështirë, që është faza e bisedimeve drejt integrimit të plotë të Kosovës në Bashkimin Evropian[xviii].

Edhe pse Kosova e ka bart një pjesë të sovranitetit Bashkimit Evropian, ajo de jure akoma nuk e ka  rrumbullakuar sovranitetin e saj në aspektin e drejtës ndërkombëtare, si pasojë e Rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe mos anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Kosova edhe de fakto nuk ushtron sovranitet të plotë, pasi që në një pjesë të saj akoma është prezent sovraniteti i shtetit të Serbisë, përkundër marrëveshjes së Brukselit të nënshkruar me Serbinë në vitin 2013.

Në këtë aspekt, Kosova akoma nuk ushtron sovranitet territorial të plotë, përkundër asaj se një pjesë të sovranitetit me marrëveshje e ka ceduar Bashkimit Evropian  me rastin e krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës. Në  pjesën veriore të territorit të Kosovës shtrihet akoma sovraniteti i shtetit të Serbisë, dhe me këtë rast në Kosovë kemi prezencën apo shtrirjen e dy shteteve që potencojnë se kanë sovranitet të plotë, sikurse  Serbia ashtu edhe  Kosova. Në mënyrë të heshtur kemi pajtimin e shtrirjes apo bashkëjetesës së dy shteteve sovrane, të Kosovës dhe Serbisë në një territor të vetëm të përbashkët të tyre[xix].

Në përfundim të kësaj mund të themi se rëndësia e Gjykatës Speciale të Kosovës qëndron edhe në një aspekt tejet të rëndësishëm,  pasi që sovraniteti i vendit është i dëmtuar bukur shumë edhe nga institucionet shtetërore të Kosovës që nuk janë në gjendje akoma të udhëheqin dhe të qeverisin sipas modelit të shtetit ligjor, posaçërisht sistemi i drejtësisë dhe gjyqësori janë të atakuar më së shumti nga mos zbatimi i vendimeve gjyqësore të plotfuqishme. Do të shohim se Gjykata Speciale e Kosovës e krijuar ad hock për Kosovën a do të arrijë të përmbush  detyrën e vet, të cilit ia ka besuar shteti i Kosovës me cedimin e një pjese të sovranitetit të saj, përkundër sistemit gjyqësor të administratës së UNMIK-ut të OKB-së, apo të misionit të drejtësisë të Bashkimit Evropian, atij të EULEX-it.

Përmbyllja

Në përmbyllje do të konkludojë se krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, paraqet një grusht të rëndë për Republikën e Kosovës si në aspektin politik ashtu edhe në aspektin e drejtësisë e cila do të na përcjell  gjatë periudhës së ardhshme kohore dhjetëvjeçare. Kjo sidomos është një goditje e madhe  për sistemin gjyqësor të Kosovës, pasi që me këtë, Gjykata Speciale ad hock e krijuar për Kosovën barazohet në një formë me Gjykatën Penale Ndërkombëtare(Tribunali i Hagës) ad hock i krijuar  për ish Jugosllavinë. Fajin për këtë themelim të Gjykatës Speciale  nuk duhet kërkuar  vetëm tek bashkësia ndërkombëtare, e cila ka bërë një trysni të paparë për themelimin e saj, por fajin duhet kërkuar edhe tek klasa politike aktuale në Kosovë, e cila për plot 7 vite (nga viti 2008)  nuk qe në gjendje që të themelojë një Gjykatë vendore( sikurse ishin formuar në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi) që do të merrej në kuadër të sistemit gjyqësor kosovar me individët të dyshuar që kanë kryer  krime lufte në Kosovë. Për të ndërmarr një veprim të tillë, jo vetëm që nuk pati iniciativa politike , por s’ka pas vullnet  në Kosovë që ndonjë Gjykatë të iniciojë një gjykim të tillë për ndonjë  person të dyshuar.

Të gjithë personat e dyshuar  që do të gjykohen nga Gjykata Speciale, do të mbahen në paraburgim  jashtë Kosovës, do të gjykohen nga paneli gjyqësor të përbërë nga gjyqtarët e jashtëm , dhe  dënimet eventuale me burg do të mbajnë në ndonjë nga burgjet e  shteteve të caktuar të Evropës, bile edhe arkiva e Gjykatës Speciale do të ruhet jashtë Kosovës, ndërsa kostoja e shpenzimeve të kësaj Gjykate do të mbulohet nga Bashkimi Evropian.

Pas dështimit të gjyqësorit të Kosovës, atij të UNMIK-ut, edhe të EULEX-it, për dallim nga këto, Gjykata Speciale e Kosovës do të jetë instanca ku duhet të vie në shprehje  gjykimi i drejtë dhe i  pavarur, i bazuar  në fakte dhe prova, me të cilin do të duhej të arrihet një standard i gjyqësisë euro-atlantike, çfarë i posedojnë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjykata Speciale e Kosovës do të duhej të jetë e strukturuar ndryshe nga modelet e aplikuara të gjertanishme  në Kosovë,  asaj të UNMIK-ut dhe EULEX-it. A do të arrijë të përmbush këto standarde të larta të sistemit gjyqësor euro-atlantik, vitet në vijim do të dëshmojnë se sa i ka realizuar qëllimet për të cilën është themeluar.

Konsideroj se, edhe kjo Gjykatë Speciale e Kosovës, nuk do të jetë e përjashtuar nga implikimet  politike të faktorëve  kyç ndërkombëtar,  atij të Washingtonit dhe Brukselit, do të thotë se nuk do të jetë krejtësisht e pavarur, pasi që do të kemi standarde të dyfishta të procedurave gjyqësore, sikurse në rastet e gjykuara nga Tribunali i Hagës për ish Jugosllavinë,  të cilin vet prokurorja Carla del Ponte dhe zëdhënësja e sajë Florence Hartman në mënyrë publike i kanë përshkruar të gjitha vështërsitë me të cilat janë ballafaquar gjatë punës së tyre në Tribunalin e Hagës, pikërisht për shkak të trysnive të mëdha të fuqive kryesore që kanë pas impakt të drejtëpërdrejtë, sikurse e cek në shembullin e Radovan Karagjiqit dhe Ratko Mlladiqit[xx] .

Ky konkludim bazohet në aspektin politik nga rrjedhat aktuale politike nëpër të cilin kalon Kosova, duke marrë parasysh se  nga publikimi i Raportit të Dick Martit në vitin 2010, personat politik dhe shtetëror të Kosovës, të apostrofuar në raport, kanë filluar të sillen në një mënyrë krejtësisht të ndryshëm  se që ishin më parë. Pas publikimit të raportit të Dick Martit, fill pas saj nisën bisedimet, në fillim të quajtura teknike, e  më vonë u bënë kryekëput politike, në mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian në Bruksel. Këto bisedime  janë duke vazhduar akoma e që do të vazhdojnë edhe gjatë  periudhës së ardhshme. Si pasojë e trusnisë politike të faktorit kyç ndërkombëtar (Washingtonit dhe Brukselit), mbi krerët politik e shtetëror të Kosovës, rezultatet e këtyre bisedimeve do të shkojnë sa më shumë në favor të Serbisë e në dëm të Kosovës, dhe se nuk do të ndalet vetëm te krijimi i Asociacionit  të komunave serbe e ashtuquajtura” Zajednica”, por do të vazhdoj edhe më tej, me plot  zgjidhje të panjohura për të ardhmen e Kosovës.

Në aspektin juridik, cedimi(bartja) i sistemit gjyqësor vendor atij të jashtëm evropian, sipas konkludimit tim, do të thotë dështimi  i shoqërisë kosovare në aspektet e ndryshme shoqërore në përgjithësi, e në veçanti paaftësia jonë në një çështje shumë të rëndësishme të veprimit të pushtetit në Kosovës, e cila për pasojë ka pasur pothuajse dështimin e plotë të sistemit gjyqësor. Gjykata Speciale e Kosovës do të jetë nën mbikëqyrjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe  prej këmbëngulësisë të tyre, do të varet edhe efikasiteti i Gjykatës Speciale të Kosovës. Edhe pse insistohet me të madhe se gjyqësia duhet të jetë e pavarur dhe larg ndikimeve  politike, siç kam theksuar më lartë, realiteti është diç tjetër, pasi që faktorët kyç ndërkombëtar vendimmarrës do të ushtrojnë  presion në mënyrë të tërthortë prej rastit në rast, të individëve të caktuar të dyshuar për krime të kryera gjatë konfliktit në Kosovë, ashtu si që ka ndodhur me rastin e gjykimeve nga Tribunali i Hagës për ish Jugosllavinë. Për të t’u themeluar Gjykata Speciale e Kosovës ishte e nevojshme edhe vendimi për ndryshimin apo plotësimin e Kushtetutës së Kosovës, e  kjo ishte edhe ndërhyrje në Kushtetutën e Kosovës që nga hyrja e saj në fuqi në qershor të vitit 2008,  që paraqet edhe një paradoks tjetër shtesë me rastin e themelimit të Gjykatës Speciale të Kosovës.

Veçanërisht është brengosës Ligji për Dhomat e veçanta dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale i miratuar nga Kuvendi i Kosovë me ç’rast iu dha drita jeshile themelimit të Gjykatës Speciale të Kosovës, në të cilin ka shumë zbrazëtira dhe mungesa të cilët lënë të hapur për interpretime të lira të tyre. Sidomos është non sens dispozita e nenit 19 paragrafi 4 e cila parasheh që rregullat e procedurës dhe provat mund të ndryshohen nga gjyqtarët e dhomave në seanca plenare në konsultim me prokurorinë e specializuar. Jashtëzakonisht  është shqetësuese edhe dispozita e nenit 37 që ka të bëjë me prova të paraqitura e cila lejon mundësin që provat të mbledhura nga ndonjë autoritet ose agjenci kombëtare ose ndërkombëtare për zbatimin e ligjit para krijimit të Gjykatës Speciale të Kosovës, do të mund të përdoren si provë. Kjo nënkupton se edhe provat e mbledhura nga autoritetet e shtetit të Serbisë mund të përdoren si prova, e para se gjithash shqetëson fakti se këto prova mund të jenë të manipuluara.

Në fund, Gjykata Speciale e Kosovës është krijuar edhe për shkak të sëmundjes kronike të vet neve shqiptarëve, pasi që ne punët kryesisht i bëjmë në mënyrë stihike, paushale, afatshkurtër, aty për aty, duke mos lodhur fare kryet se çfarë pasoja do të mund të na sjellin më vonë vendimet e këtilla, sikurse që është rasti i tanishëm me Demarkacionin dhe Asociacionin.

 

 

L i t e r a t u r a:

 

  1. Hartmann, Florence,”Paqja dhe ndëshkimi”, KOHA, Prishtinë, 2011
  2. Ponte del Carla&Sudetic, Chuck,”Gospođa tužiteljica-Suočavanje s najtežim ratnim zločinima i kulturom nekažnjivosti“, PROFIL, Zagreb, 2008
  3. Surroi, Veton, “Emri i autonomisë”, KOHA, Prishtinë, 2015
  4. www.tribunashqiptare.net
  5. www.kuvendikosoves.org

 


[i] I ashtuquajturi Raporti i Dick Martit i cili raport u aprovua nga Asambleja Parlamentare e  Këshillit të Evropës dhe hapi dyert  hulumtimit të  personave të caktuar e të supozuar që kanë kryer krime të luftës apo krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit në Kosovë, shih më shumë këtë raport.

[ii] Carla del Ponte&Chuck Sudetic, Gospođa tužiteljica..., PROFIL, Zagreb, 2008, fq.269

[iii] Po aty, fq.270-271

[iv] Po aty, fq.277

[v] Carla del Ponte&Chuck Sudetic, Gospođa tužiteljica..., PROFIL, Zagreb, 2008, fq.273

[vi] Po aty, fq.288

[vii] www.tribunashqiptare.net/Raporti i Dick Martit

[viii] www.tribunashqiptare.net/Raporti i Dick Martit

[ix] Po aty

[x] Po aty

[xi] Po aty

[xii] www.tribunashqiptare.net/Raporti i Dick Martit

[xiii] Po aty

[xiv] Po aty

[xv] www.kuvendikosoves.org/Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorisë së specializuar

[xvi] Veton  Surroi, Emri i autonomisë, KOHA, Prishtinë, 2015, fq.80

[xvii] Veton, Surroi, Emri i autonomisë, KOHA, Prishtinë, 2015,  fq.71-72

[xviii] Po aty, fq.75

[xix] Po aty, fq.77

[xx] Hartmann, Florence,”Paqja dhe ndëshkimi”, KOHA, Prishtinë, 2011