Haxhi, detyrë e caktuar nga Allahu

nga Vullnet Merja | Publikuar në Shta. 8, 2016, 12:38 a.m.

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: Kujtoje, kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur. Thirri njerëzit për haxh. Ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta.”. (Sure “Haxh”, ajetet 26,27)

Që në kohën kur profeti Ibrahim (Paqja qoftë mbi të!) iu lut Zotit të Plotfuqishëm duke thënë: O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Sate të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.. (Sure “Ibrahim”, ajeti 37), gjendja e Mekës ndryshoi. Ajo nuk mbeti luginë e thatë dhe pa të mbjella, por u zhvillua, u gjelbërua dhe u bekua.

Dikush mund të pyesë: Kush e bëri atë që të jetë vend vizite për njerëzit që para mijëra vjetëve?! Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjen kur ndodhesh në atë vend dhe ke veshur rrobën e bardhë të ihramit. Pa dyshim që është Allahu, Krijuesi i gjithësisë. Sapo fillon rituali i haxhit, zemrat mbushen me dashuri dhe anojnë kah Shtëpia e Shenjtë. Ata që kanë qenë në atë Shtëpi, dëshirojnë që të kthehen çdo vit tek ajo dhe përpiqen që të shkojnë dhe ta vizitojnë për së dyti, për së treti etj.. Ata që nuk kanë shkuar, për shkak të pamundësisë, dëshpërohen dhe urojnë nga zemrat e tyre të jenë me haxhinjtë në atë vend të shenjtë.

Haxhi është prej adhurimeve të rëndësishme, të cilin Allahu e ka bërë detyrë për robtë e Tij. Ai është prej shtyllave të Islamit dhe prej shenjave të imanit (besimit).  Ai që nuk e kryen, pa shkak, konsiderohet i devijuar dhe jobesimtar. Allahu i Madhëruar thotë: “…Vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje (është detyrë) për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E, kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.”. (Sure “Ali Imran”, ajeti 97)

Haxhi ka rituale dhe detyra. Edhe ky adhurim, si të gjitha adhurimet e tjera, ka si qëllim afrimin tek Allahu i Madhëruar dhe fitimin e kënaqësisë së Tij. Ky adhurim ndikon shumë në jetën individuale dhe shoqërore të personave që e kryejnë. Prandaj, cilido që ka vendosur të shkojë në haxh, të ulet e të mendojë për qëllimin e shkuarjes në Shtëpinë e Allahut. Ta dijë dhe ta kuptojë se qëllimi i haxhit duhet të jetë vetëm për Allahun dhe për askënd e për asgjë tjetër. Të mos jetë shkuarja në haxh vetëm e vetëm që njerëzit ta thërrasin “haxhi”, apo thjesht udhëtim për të njohur Mekën dhe Medinen, apo se po shkojnë disa miq e shokë e po shkoj t’i shoqëroj ata.

 Pasi të sigurohet se qëllimi i shkuarjes është vetëm për Allahun, atëherë të largohet nga çdo gjë e keqe që e pengon daljen para Allahut. Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Si mund të guxoj të them Lebejke Allahume Lebejk, e Allahu të më thotë: “Nuk të pranoj!"

Para shkuarjes në haxh shkruhet testamenti. Ai që ka vendosur të shkojë në haxh, duhet të shkruajë të gjitha borxhet dhe detyrimet që ka ndaj Allahut dhe ndaj njerëzve.

I nderuar haxhi dhe e nderuara haxheshë. Para se të trokasim në portën e Shtëpisë së Allahut, le të rregullojmë marrëdhëniet tona me njerëzit. Le t’i kryejmë përgjegjësitë dhe t’i shlyejmë detyrimet që u kemi njerëzve, qofshin materiale, apo shpirtërore. Le të marrim hallallëkun prej tyre. T’i kërkojmë falje atij që e kemi lënduar, apo i kemi bërë padrejtësi. Sepse Allahu nuk i pranon ata njerëz, që u bëjnë keq dhe padrejtësi të tjerëve.

Është detyrë që çdo rit i haxhit të kuptohet, sepse Allahu nuk sheh trupin tonë që lëviz; Ai sheh mendjen dhe zemrën tonë: çfarë mendojmë dhe çfarë ndiejmë. Prandaj, çdo njeri që shkon në haxh, të përgatitet për këtë udhëtim shpirtërisht më shumë se materialisht.

I nderuar Haxhi dhe e nderuara haxheshë. Kur të veshim ihramin, le të mos mjaftohemi vetëm me veshjen e rrobës së bardhë. Gadishmërinë tonë për haxh ta përkthejmë me punë e me vepra. "Lebejke", duhet të jetë e përditshme dhe jo vetëm në ditët e haxhit.

Kur të bëjmë Tauafin (rrethrrotullimin) rreth Qabes së Shenjtë, duhet të sigurohemi që gjatë gjithë jetës do të jemi me Allahun dhe afër Tij. Duhet të sigurohemi se nuk do ta kundërshtojmë dhe nuk do t’ia kthejmë shpinën përmendjes së Tij. Kur të bëjmë Sajin (ecjen mes Meruasë dhe Safasë), duhet të sigurohemi që ecja jonë në këtë jetë do të jetë për Allahun e Madhëruar dhe në rrugën e Allahut dhe kurrë nuk do të devijojmë nga rruga e drejtë, sado të mëdha të jenë problemet me të cilat do të përballemi gjatë jetës.

Kur të qëndrojmë në Arafat, në Muzdelife dhe në Mina, duhet të sigurohemi se gjatë gjithë jetës do të mbajmë qëndrime që i pëlqejnë Allahut. Kur të godasim shejtanin me guralecët, duhet të sigurohemi se kurrë nuk do ta lejojmë shejtanin të ndërhyjë në jetën tonë dhe se do ta godasim gjithmonë dhe kurthet e tij do t’i përballojmë me vullnet dhe palëkundshmëri. Kur të presim kurbanin, duhet të sigurohemi se do të jemi gjithmonë të gatshëm për të sakrifikuar në rrugën e Allahut, qoftë edhe me shpirtin tonë, me pasurinë tonë a me çdo gjë që ne e konsiderojmë të shtrenjtë.

Haxhi nuk është i plotë nëse nuk vizitohet Medinia, qyteti i profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Në Medine shkohet për të rikujtuar mundimet, përpjekjet, sakrificat dhe durimin e profetit Muhamed, të familjes së tij të pastër dhe të shokëve të tij të zgjedhur. Aty kujtohet jeta e pastër e Profetit tonë të dashur, e mbushur me dashuri, punë, sakrifica dhe modesti. Në fillim dhe në fund të vizitës e përshendesim duke i thënë: “Es selamu alejke ja resulallah. Paqja qoftë mbi ty o i Dërguari i Allahut. Dëshmoj se ti e ke falur namazin dhe e ke dhënë zekatin. Ti ke urdhëruar në të mira dhe ke ndaluar nga të këqijat. Ti ke adhuruar Allahun me sinqeritet e çiltërsi derisa ndërrove jetë.”

Allahu ua pranoftë haxhin të gjithë besimtarëve muslimanë!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI