Përmendja e Allahut (dhikrullah) në Kur’an

  • None
nga Vullnet Merja | Publikuar në Korrik 24, 2016, mesnatë

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: “Prandaj, më kujtoni Mua (me namaz e lutje) që Unë t’ju kujtoj (me shpërblime) dhe falënderomëni Mua (duke M’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!”.

Prej fuqive ndihmuese në triumfin e luftës me vetveten është edhe përmendja e Allahut (dhikrullah) me gjuhë dhe me zemër. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar. Vërtet, përmendja e Allahut është më e madhe. Allahu di gjithçka që ju bëni.” (Sure “Ankebut”, ajeti 45).

Fjalia e ajetit: “…përmendja e Allahut është më e madhe…” tregon se namazi dhe detyrat e tjera fetare, si: haxhi, agjërimi, zekati, urdhërimi në të mira dhe ndalimi nga e keqja - të gjitha këto kryhen për Allahun dhe pwr ta pwrmendur Atw. Në Kur’an thuhet: “Me të vërtetë, Unë jam Allahu. S’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!” (Sure “Ta Ha”, ajeti 14).

Ajeti na mëson se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut në këtë ekzistencë, prandaj Ai thotë se e keni për detyrë që të më adhuroni Mua. Përmendja e Allahut është prej detyrimeve të mëdha. Allahu në Kur’an thotë: “Prandaj, përmende emrin e Zotit tënd dhe përkushtoju krejtësisht Atij! Ai është Zot i Lindjes dhe i Perëndimit. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Drejtoju Atij si rregullues i punëve të tua!” (Sure “Muzemil”, ajetet 8-9).

Dhe: “O ju që keni besuar, përmendeni shpesh Allahun! Dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” (Sure “Ahzab”, ajetet 41-42).

Autori i librit “Eel Uesail”, përmend më shumë se 200 hadithe nga Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) dhe Ehli Bejti (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!), të cilët dëshmojnë rëndësinë e përmendjes së Allahut (dhikrillah-ziqrullah).

Është detyrë e jona si myslimanë që t’i pasojmë dhe t’i zbatojmë ato që na ka porositur Profeti, familja e tij e pastër dhe e bekuar dhe shokët e tij të zgjedhur. Duhet që gjuhët dhe zemrat tona t’i aromatizojmë me aromën e përmendjes së Allahut. Në këtë mënyrë, ne zbatojmë thënien e Kur’anit: “Dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje!” (Sure “Ahzab”, ajeti 42).

Kushdo që kërkon të triumfojë mbi unin e tij, le ta përmendë Allahun natë e ditë. Nuk duhet në asnjë moment që njeriu të jetë i shkujdesur dhe i pavëmendshëm ndaj përmendjes së Allahut.

Përmendja e Allahut është e ndryshme. Disa njerëz e përmendin Atë duke thënë: “La ilahe il-lallah”. Disa të tjerë thonë: “La haule uela kuuete il-la bil-lahil alij-jil adhijm”. Disa thonë: “Allahu Ekber, elhadulilah, subhanallah”. Disa e përmendin Allahun duke lexuar ajete nga Kur’ani. E kështu me radhë. Duhet ta dimë se të gjithë këto dhikre (përmendje) ia mbyllin shejtanit dyert prej xhindeve dhe njerëzve, duke e nxjerrë përmendësin nga gjendja e vesveseve, iluzioneve dhe mërzitjes.

Dhikri më i mirë është thënia: “La ilahe il-lallah” (S’ka Zot tjetër përveç Allahut). Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) e ka shpjeguar këtë shprehje duke thënë: “Allahu është Ai, tek i Cili strehohen në nevojë dhe në vështirësi të gjitha krijesat dhe nuk shpresojnë në tjetërkënd, përveçse tek Ai.” (Teuhidul Mufadal, f. 231).

Përmendja e Allahut (dhikrullah) është në dy lloje: me fjalë dhe me zemër.

Sa i mrekullueshëm ky ajet i Kur’anit, që thotë: “Njerëz, të cilët shitblerja nuk i pengon për ta përmendur Allahun…”! (Sure “Nur”, ajeti 37). Po të thellohemi në përmbajtjen e këtij ajeti, do të vërejmë se ai na sqaron ndikimin e përmendjes në brendinë e njeriut për të arritur atje ku dëshiron edhe Allahu i Madhëruar. Me anë të përmendjes, njeriu ngrihet në gradët më të larta shpirtërore. Ngado që shkon, ai përmend Allahun: në punë, në treg, duke ngrënë e duke pirë etj. Ai e kujton dhe e falënderon Allahun për mirësitë që i ka dhënë.

Ka njerëz që flenë, por zemra e tyre e kujton Allahun edhe kur është në gjumë. Të lumtur do të jenë këta përmendës, si në këtë jetë, ashtu edhe në Jetën Tjetër. Allahu i Madhëruar thotë: “…Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Sure “Rra’d”, ajeti 28).

Nuk ka mërzitje dhe as shqetësime në ato zemra që e përmendin Allahun. Ato zemra nuk shohin tjetër, përveç Allahut të Madhëruar.

Allahu në Kur’an thotë: “Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai është e vërteta.” (Sure “Fusilet”, ajeti 53). Ky ajet dëshmon se Allahu i Plotfuqishëm, Krijuesi i gjithësisë, i tregon shenjat e Tij që njerëzit ta kuptojnë dhe ta njohin Krijuesin e Vetëm e të Pashoq; ta përmendin, ta falënderojnë dhe ta lartësojnë Atë në çdo kohë.

Allahu i Madhëruar, në Kur’anin e Shenjtë, thotë: “O ju që keni besuar, përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje! Është Ai që ju bekon, ndërkohë që melekët e Tij luten për ju, me qëllim që Ai t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Ai është Mëshirues ndaj besimtarëve. Përshëndetja e tyre, kur ta takojnë Atë, është “Paqe!”. Ai u ka përgatitur atyre shpërblim bujar.” (Sure “Ahzab”, ajetet 41-43).

Përmendja e Allahut është prej bazave të jetës shpirtërore; është elementi që vë në lëvizje anën e brendshme të njeriut që e përmend Allahun. Ky veprin bashkohet me rrahjet e zemrës dhe shndërrohet në energji ndriçuese dhe udhëzuese për njeriun që e përmend Allahun e Madhëruar. Përmendja e Allahut e forcon dhe e fuqizon shpirtin e besimtarit duke e shtyrë atë sa më shumë në përulje, në adhurim dhe në kryerjen e punëve të mira.

Përmendja e Allahut është burim i pandërprerë i mirësive. Prej fryteve të mëdha të përmendjes së Allahut është se ajo e nxjerr njeriun prej errësirave shpirtërore e materiale në dritën e së vërtetës, të së drejtës, të urtësisë etj. Kjo është prej mëshirës së Allahut për robtë e Tij në këtë jetë.

Kurse në Jetën Tjetër, në atë ditë kur do të dalim para Allahut të Madhëruar për të dhënë llogari për gjithçka që kemi bërë, besimtari që e ka përmendur Allahun në këtë jetë, do të shohë dashurinë, respektin dhe paqen, që as syri nuk e ka pare, as veshi nuk e ka dëgjuar dhe as zemra nuk e ka ndjerë. 

Allahu i Madhëruar na ka dhënë mendjen që ta kuptojmë madhështinë dhe fuqinë e Tij absolute. Na ka dhënë ndjenjën shpirtërore që të shijojmë ëmbëlsinë e besimit. Na ka dhënë gjymtyrë të forta e të plota, me anë të të cilave, t’i kryejmë veprat që na kërkohet t’i veprojmë dhe t’i braktisim ato që nuk duhet t’i bëjmë. Të gjitha këto mirësi të Allahut duhet t’i vëmë në shërbim të çlirimit prej errësirave të paditurisë dhe imitimit verbues dhe të dalim në dritën e dijes, të njohjes dhe të bindjes së vërtetë.

Përmendja e Allahut është porta më e rëndësishme, me anë të së cilës, njeriu arrin ta njohë Allahun. Kur’ani i Shenjtë na nxit për zbatimin e përmendjes së Allahut (dhikrullah). Ajetet rreth kësaj çështjeje në Kur’an, janë të shumta. Gjithashtu, Kur’ani na urdhëron që të mos e ndërpresim këtë vepër dhe ta kryejmë në çdo kohë dhe në çdo vend qofshim. Allahu thotë: “…përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur dhe të shtrirë!” (Sure “Nisa”, ajeti 103).

Përmendja e Allahut duhet të bëhet ditën dhe natën, në tokë e në det, në udhëtim e në qëndrim, në pasuri e në varfëri, në shëndet e në sëmundje, në fshehtësi dhe haptazi - pra, në çdo situatë dhe në çdo rrethanë. Dhikri nuk ka kuptimin vetëm të lëvizjes së gjuhës, por ai është lidhje me Allahun nëpërmjet zemrës.

 Zemra e zbrazët prej përmendjes së Allahut, është e hutuar, e çoroditur dhe e errët. Nëse zemra mbushet me dritën e dhikrit, e shëron mbajtësin e saj prej kotësive dhe e udhëzon atë. Ajo ia qartëson atij rrugën që duhet të ndjekë në këtë jetë.

Në qoftë se gjuha e njeriut e përmend vazhdimisht Krijuesin e saj, ai njeri afrohet më shumë pranë Tij dhe e ndien mbikëqyrjen e Allahut në çdo kohë. Zemra e tij është e pastër dhe arrin gradën e bindjes e të qetësisë, siç thotë Allahu i Madhëruar në suren “Rra’d”, ajeti 28: “...ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut.” .

Kur dhikri triumfon në zemrën e kujtuesit, dashuria për Allahun shtohet në shpirtin e tij, largohen pengesat mes tij dhe Allahut, ai e ndien të vërtetën e ekzistencës së tij dhe Allahu e mbulon me mirësitë e Tij të pafundme.

Duhet që dhikri të jetë i shoqëruar me tesbihun (lartësimin), i cili ka kuptimin e pastrimit të Allahut prej cilësive, që nuk janë në përshtatje me Të. Në shumë ajete të Kur’anit përmendet tesbijhu i Allahut të Madhëruar. Edhe në transmetime të shumta thuhet se të lartësuarit e Allahut ka mirësi dhe shpërblim të madh, si në këtë jetë, ashtu edhe në Jetën Tjetër.

Mirësitë në këtë jetë janë: ndriçimi i zemrave të besimtarëve, qetësia e shpirtit, udhëzimi i zemrave në besimin e Allahut të Vetëm e të Pashoq. Kurse shpërblimi në Jetën Tjetër, është siguria prej dënimit të Allahut dhe futja në mëshirën e gjerë të Tij, sepse Ai fal shumë dhe e pranon pendimin e penduesve prej robve të Tij.

Përshëndetja e përmendësve të Allahut në Ditën e Kiametit është “Paqe!”. A ka përshëndetje më të bukur e të pastër se sa “Paqja”? Paqe prej frikës. Paqe prej çdo mendimi e lodhjeje. Paqe prej çdo fatkeqësie. Paqe, e cila vjen nga Allahu, që e përcjellin melekët. Në shtesë të kësaj, ata që e përmendin Allahun do të gjejnë edhe shpërblimin e madh që Allahu u ka premtuar punëmirëve dhe përmendësve të Tij. Sa fisnikëri e madhe dhe sa nderim i madh! Allahu i Madhëruar, në suren “Zuhruf”, ajeti 36, thotë: Atij që shmanget nga Këshilla e të Gjithëmëshirshmit (Kur’ani), Ne do t’ia caktojmë një shejtan, që do t’i bëhet shok i pandashëm.”.

Sigurisht, drita e Allahut e mbron zemrën e përmendësit të Tij prej shejtanit të mallkuar dhe prej cytjeve të tij. Kurse ai, që nuk e përmend Allahun, është i vetëm dhe nuk ka përkrahës e as mbrojtës. Shejtani e sulmon nga të gjitha anët dhe në çdo kohë.

Është ligj i Allahut që drita ta largojë errësirën. Sapo del drita, ikën errësira. Drita e Allahut është e mbjellë në zemrën e njeriut. Me përmendjen e Krijuesit, kjo zemër qëndron gjithmonë e ndriçuar dhe i rigjallëron energjitë e njeriut në jetën e tij. Në momentin që ndërpritet përmendja e Allahut, fiket edhe drita e zemrës.

Zemra, ose bëhet burim dashurie për Allahun dhe për krijesat e Tij, ose bëhet çerdhe e shejtanit. I keq e i lig është ai që e neglizhon zemrën e tij, sa e ka bërë atë si humnerë të errët dhe shejtani depërton me lehtësi në të. I lumtur është ai që e pastron zemrën dhe interesohet për të. Duke e pastruar zemrën me përmendjen e Allahut, ai e ka mbushur atë me dritën e Tij dhe shejtani nuk depërton kurrë në të. Në Kur’an, Allahu thotë:Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.” (Sure “El Enfal”, ajeti 2).

Dhe: “...ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Sure “Rra’d”, ajeti 28).

Besimtarët përmendës të Allahut janë njerëzit më të mirë ndër krijesat e Allahut. Sa herë që dëgjojnë emrin e Allahut, e ndiejnë më shumë madhështinë e Tij dhe u shtohet më shumë besimi dhe malli për Të. Në Kur’an, Allahu thotë: “…dhe jepu lajme të mira atyre që janë të përulur; atyre, zemrat e të cilëve frikësohen kur përmendet Allahu!” (Sure “Haxh”, ajetet 34-35).

Të përulurit janë të thjeshtët, të frikësuarit ndaj Allahut. Janë ata, të cilët, kur dëgjojnë fjalët e Tij, u qetësohen zemrat. Kjo është prej mrekullive të Kur’anit, i cili ndikon shumë shpejt në zemra. Ai depërton drejtpërsëdrejti në zemrat e njerëzve dhe nuk ka nevojë për ndërmjetës. Kur Kur’ani hyn në zemra, ato e ndiejnë dritën e Allahut. Në një ajet të Kur’anit, Allahu na përshkruan gjendjen e dijetarëve të ithtarëve të Librit, kur dëgjojnë emrin e Allahut dhe Fjalën e Tij: Kur dëgjojnë për atë (Kur’anin) që i është zbritur të Dërguarit, i sheh se si u rrjedhin lotët nga sytë, për shkak të së vërtetës që kuptuan. Ata thonë: ‘O Zoti ynë! Ne besojmë, prandaj na llogarit ndër dëshmitarët e Tu!’”.

Ai që beson në Allahun, në ata që Ai ka dërguar dhe në ato që ka zbritur, me besim të pastër e të çiltër dhe nuk i bën shok atij, i mbështetet Atij për çdo nevojë dhe vështirësi, pa dyshim që është i shpëtuar në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër. Allahu thotë: Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë – jo me zë të lartë, në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që nuk i kushtojnë vëmendje! Në të vërtetë, ata që janë afër Zotit tënd, nuk refuzojnë ta adhurojnë Atë, por e lavdërojnë dhe përulen në sexhde para Tij. (Sure “A’raf”, ajetet 205 -206).

Përmendja më e mirë është ajo që shoqërohet me frikë, me përulje dhe me bindje ndaj Allahut. Përmendja e Allahut është adhurim i përhershëm. Kudo që të jetë, besimtari duhet të jetë me Allahun. Në çdo kohë që jeton, nuk duhet të jetë i pavëmendshëm ndaj përmendjes së Allahut, sidomos në fillim të ditës dhe në fund të saj, siç thotë ajeti i lartpërmendur. Melekët janë zbatues të këtij adhurimi. Ata gjithmonë e lartësojnë dhe e falënderojnë Allahun për mirësitë dhe për madhështinë e Tij.

I tillë duhet të jetë edhe besimtari. Duhet të dihet se dhikri, (apo Ziqri, siç njihet në mesin e muslimanëve shqiptarë), nuk e zëvendëson namazin, agjërimin apo adhurimet e tjera, të cilat janë detyra për besimtarët dhe besimtaret.

Në këto ajete thuhet se përmendja duhet të jetë e vazhdueshme dhe të bëhet në vetmi (halvet), ku përmendësi të jetë larg çështjeve të dynjasë. Kryerja e përmendjes në halvet ka qenë traditë e të gjithë të dërguarve të Allahut.

Edhe Profeti ynë i dashur, hazreti Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e praktikonte dhikrin në shpellën e Hirasë, derisa erdhi koha e ardhjes së Profetësisë.

Në qoftë se besimtari nuk përfiton prej përmendjes së Allahut, e cila konsiderohet si ushqimi bazë i shpirtit, ai do të dalë nga kjo dynja me besim të paplotë dhe me shpirt jo të pastër.

Përmendja e Allahut hap të gjitha rrugët e bllokuara dhe largon të gjitha pengesat. Hiqen errësirat prej mendjeve dhe zemrave. E kundërta ndodh me ata që neglizhojnë ushqimin e shpirtit të tyre, duke u interesuar vetëm me nevojat e trupit. Për këtë grup njerëzish, Allahu thotë në Kur’an: “…ata kanë zemra, por nuk kuptojnë, kanë sy, por nuk shohin, kanë veshë, por nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëtitë, madje edhe më zi. Pikërisht këta janë të shkujdesurit. (Sure “A’raf”, ajeti 179).

Allahu është Shoqëruesi i përmendësve. Koha më e mirë për dhikr është fillimi i ditës dhe fundi i saj. Në këtë periudhë, përmendësi e ndien lidhjen e tij me ata që e rrethojnë dhe më pas, lidhjen e fortë me Krijuesin e tij. Ai që e nis ditën me përmendjen e Allahut dhe e përfundon atë po me përmendjen e Allahut, vërtet, ai e ndien mbikëqyrjen e Allahut të Madhëruar dhe nuk e harron Atë.

Kur’ani nxit për përmendjen e Allahut dhe lartësimin e Tij. Kjo për shkak të ndikimit të madh që ka përmendja në butësinë e zemrave. Allahu thotë në Kur’an:Prandaj duroje atë që thonë ata, madhëroje Zotin tënd e falënderoje Atë para lindjes së diellit dhe para perëndimit! (Sure “Kaf”, ajeti 39).

Dhe: Përmende emrin e Zotit tënd në mëngjes dhe në mbrëmje! Në një pjesë të natës bëji sexhde Atij dhe natën falju gjatë Atij!” (Sure “Insan”, ajetet 25-26).

Duhet që përmendja e Allahut të jetë e shoqëruar me praninë e zemrës. Të mos përmendet Allahu me gjuhë dhe zemra të jetë e shkujdesur ndaj përmendjes. Njeriu ka shumë nevojë për lidhjen me Zotitn e tij, me qëllim që të jetë i fortë përballë intrigave dhe kurtheve të shejtanit. Allahu ia forcon vendosmërinë besimtarëve dhe i bën ata që të jenë gjithmonë të lidhur me Të.

Përmendja e Allahut e zemëron shejtanin, i cili e nxit njeriun që të devijojë nga rruga e Allahut. Në Kur’an thuhet: “Vërtet, shejtani kërkon që të fusë armiqësi e urrejtje midis jush dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe nga kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?”. (Sure “Maide”, ajeti 91).

Në suren “Zumer”, ajetet 22-23, Allahu thotë: A është njëlloj si ai që Allahu ia ka hapur kraharorin për të pranuar Islamin, duke qenë kështu në dritën e Zotit të vet, (ashtu edhe ai që e ka zemrën të mbyllur ndaj besimit)?! Prandaj, mjerë ata që e kanë zemrën të pandjeshme, kur përmendet Allahu! Njerëz të tillë janë në humbje të qartë. Allahu ka shpallur Fjalën më të bukur (Kur’anin) në formën e një libri, pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që i frikësohen Zotit të tyre e, mandej qetësohen lëkura dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu. Ky Libër është udhëzim i Allahut. Nëpërmjet tij Allahu udhëzon kë të dojë. Ndërsa atë që Allahu e shpie në humbje, s’mund ta udhëzojë kush.”.

Islami është drita e Allahut, e cila depërton në gjokse që të përhapë në zemra atmosferën e qetësisë dhe të lumturisë shpirtërore. Kjo dritë e shenjtë, nëse nuk gjen zemër të përshtatshme për të qëndruar, kthehet andej nga vjen, duke e lënë atë zemër në errësirë të plotë.

Njeri i mençur është ai që e kontrollon zemrën e tij dhe interesohet për shëndetin e saj nga papastërtitë. Ai i kontrollon ndryshimet e saj prej frikës së grumbullimit të të këqijave në të dhe që e shndërrojnë atë zemër në tokë të thatë, mbi të cilën nuk mbijnë vetëm gjemba. Ai njeri përpiqet ta mbrojë zemrën e tij duke shtuar përmendjen e Allahut, e cila zbret dritën e Allahut në zemër. Në atë zemër që hyn drita e Allahut, shpërthejnë burimet e urtësisë të vendosura në të.

Të mjeruar janë ata njerëz, zemrat e të cilëve janë të ngurtësuara. Kur u përmenden argumentet e fuqisë së Allahut, jo vetëm që nuk i pranojnë, por zemrat e tyre ngurtësohen edhe më shumë. Kjo ngurtësi ua ndalon atyre që ta shijojnë ëmbëlsinë e besimit.

Allahu i Madhëruar thotë: “A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur e të mos bëhen si ata, të cilëve u është dhënë Libri më parë?! Me kalimin e një kohe të gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan dhe shumë syresh janë të pabindur. Dijeni, se Allahu e ngjall tokën pas vdekjes së saj. Ne ju sqarojmë shpalljet, në mënyrë që ju të kuptoni!” (Sure “Hadijd”, ajetet 16-17).

Duhet që besimtarët të jenë të palëkundur në rrugën e besimit në Allahun, bazuar në dashuri dhe në frikë ndaj Tij. Me përmendjen e Allahut dhe me leximin e ajeteve të Kur’anit, në zemrat e besimtarëve shpërthejnë burimet e dashurisë dhe të mëshirës. Ata bëhen dëshmues të thënies së Allahut në suren “Fet’h”, ajeti 29: “Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre…”. 

Të shumtë janë njerëzit e larguar prej burimeve shpirtërore të Shpalljeve të profetëve. Ndjenjat e tyre për besimin janë ngurtësuar. Ata kanë devijuar nga rruga e drejtë që të çon tek dashuria e Allahut dhe kënaqësia e Tij.  Mësimet e Allahut janë të qarta. Nëse këto mësime kuptohen dhe zbatohen, e gjithë njerëzia do të udhëzohet.

Allahu i Madhëruar thotë: “Por pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta. Në të vërtetë, ka gurë nga të cilët burojnë lumenj, ka të atillë që çahen e nga të cilët rrjedh uji, madje ka edhe syresh që rrëzohen nga frika e Allahut. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.(Sure “Bekare”, ajeti 74).

Në këtë ajet Allahu i cilëson zemrat e të shkujdesurve ndaj përmendjes së Tij si më të forta se guri. Kjo për shkak të mbulimit të këtyre zemrave me perdet e gjynaheve, sa as këshillat dhe as mrekullitë nuk ndikojnë në zbutjen e tyre. Zemrat e të shkujdesurve janë më të ngurta se guri. Guri është më i mirë se zemra e të shkujdesurit, sepse disa prej gurëve mbartin ujë dhe shpërthejnë burime në dobi të të gjithë njerëzve.

Mirëpo, prej zemrave të shurdhëta e të ngurta nuk pret asnjë mirësi. Vërtet, Allahu është i Gjithëditur për krijesat e Tij. Ai nuk është i pavëmendshëm ndaj tyre dhe as ndaj punëve që bëjnë. Në Kur’an thuhet: “Por, pas kësaj, zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri, madje edhe më të forta. Në të vërtetë, ka gurë nga të cilët burojnë lumenj, ka të atillë që çahen e nga të cilët rrjedh uji…” (Sure “Bekare”, ajeti 74).

Njeriu është krijesa më e përkryer. Në brendinë e tij gjendet konflikti i ashpër mes arsyes dhe unit. Rezultati i këtij konflikti përcakton karakteristikat e veçanta me të cilat dallohet personaliteti i çdo njeriu.

Njeriu më i ulët nuk mund të barazohet as me jofrymorët, për shkak të ngurtësisë së zemrës së tij. Njeriu ka nevojë për një lëkundje të fortë që t’ia zgjojë ndjenjat dhe t’ia hapë zemrën që të kthehet në rrugën e udhëzimit. Nëse në zemrën e njeriut depërton besimi dhe përmendja e Allahut, ajo zemër është e qetë dhe e butë. Atij që i është ngurtësuar zemra, i është mbaruar uji i dashurisë së Allahut dhe i dashurisë së njerëzve. Ai jeton me trup të gjallë, por me zemër të vdekur. Ai nuk i sjell dobi as vetes e as të tjerëve.

O Zoti ynë! Na mbarëso që të të kujtojmë gjithmonë me gjuhë dhe me zemër! Mos na bëj prej të shkujdesurve ndaj përmendjes Tënde! Na fal me mëshirën Tënde të pafundme në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër! Pa dyshim, Ti je Falës dhe Pranues i pendimit. O Zoti ynë! Bekoje Profetin Muhamed dhe familjen e tij, ashtu siç bekove profetin Ibrahim dhe familjen e tij! Sigurisht, Ti je i Lavdëruari dhe i Larti.

Paqja, bekimet dhe mëshira e Allahut qoshin mbi ju!

Vullnet Merja

Kryetar i Shoqatës FLLADI