Asambleja e NATO-s dhe donkishotizmi i kryeministrit tonë katolik

  • None
nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Qershor 13, 2016, mesnatë

1. Mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme të NATOS, që përfundoi në Tiranë në 30 maj 2016 ishte një eveniment i frikshëm për qytetarët paqedashës të botës sonë. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe përfundimit të Luftës së Dytë Botërore me mundjen e Hitlerit, bota jonë e brishtë duket se po shkon drejt një lufte të re globale. Blloku i Fuqive Perëndimore me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas slloganit të Xhorxh Oruellit Lufta është paqe po mobilizohet për Luftën e Tretë Botërore, kësaj here kundër Rusisë e cila nuk pranon ti nënshtrohet hegjemonisë amerikane. Aviona, tanke, nëndetëse, raketa, armë nukleare e konvecionale po mbushin të gjithë kontinentin e Evropës dhe po marshojnë drejt kufirit me Rusinë. Në Siri, aleatët vehabistë-terroristë të NATO-s që nga viti 2012 e kanë kthyer vendin në një kënetë ekstremizmi fetar ku mercenarë dhe diversantë të paguar nga Arabia Saudite, Turqia dhe Katari duan të rrëzojnë me çdo mënyrë nga pushteti aleatin e Rusisë, presidentin Bashar al-Assad.

 E rrethuar nga kordoni sanitar i embargove, vizave, dhe tankeve e raketave të NATO-s që shtrihen nga Turqia e deri në Latvi dhe e përballur me dy luftëra proxy, në Ukrainë dhe Siri, Rusia e sheh veten e saj të izoluar tamam sikur në kohën e kryeministrit francez Xhorxh Klemenkau, kur Perëndimi kërkoi ta izolojë me çdo mjet, në mënyrë që të ndalonte vërshimin e komunizmit. Lufta klasike e fuqive detare të Perëndimit, Britanisë dhe Francës - kundër fuqisë kontinentale të Euroazisë - Rusisë - sot shtrihet që nga Krimeja e deri në Siri. Sikur në kohën e sulltan Abdyl Mexhitit I, Perëndimi që sot drejtohet nga anglo-amerikanët, mbështet Turqinë e Erdoganit, Ukrainën e Poroshenkos dhe grupet terroriste në Siri të cilët kërkojnë që me çdo mjet të minojnë fitoret ruse në Ukrainë, Gjeorgji dhe dëbojnë Rusinë nga Siria. 

 Bota jonë e brishtë, sot gjendet më pranë luftës së kurrë më parë. 500.000 të vdekurit e Sirisë dhe 12 milionë refugjatët sirianë që vërtiten nëpër Evropë dhe Levant nuk janë asgjë me atë që mund të vijë më pas. Evropa me udhëheqësinë e saj kriminale shkaktoi 75 milionë të vdekur në Luftën e Dytë Botërore. Ndërsa sot, kur NATO po i hakërrohet Rusisë dhe kur bota jonë e brishtë është vetëm pak sekonda larg Luftës së Tretë Botërore, viktimat do të jenë shumë herë më të mëdha. Rusët kanë dislokuar luftanijet e tyre në Mesdhe, Detin e Zi dhe të Veriut ndërsa avionët dhe nëndetëset e tyre nuklerare janë kudo nëpër Atlantik. Amerikanët në anën tjetër po e mbushin të gjithë Evropën me armë bërthamore dhe raketa të cilat janë drejtuar drejt Rusisë. 

 Por ja që bota nuk është në një moment edhe kaq tragjik në Shqipëri. 

 2.
 Në një kohë kur bota po zien nga ethet e luftës, kryeministri ynë katolik Edi Rama dhe shoku i tij Pandeli Majko organizuan një shou mjaft zbavitës në Samitin më të fundëm të NATO-s në Tiranë. Ata i treguan NATO-s dhe Amerikës dëshirën e tyre të zjarrtë për të futur edhe Shqipërinë në vallen e Luftës së madhe që po i vjen botës. Kush ka ndjekur fjalimin që Edi Rama mbajti në Mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të NATOS në Tiranë nuk ka sesi të mos jetë shtangur ndërsa ka dëgjuar kryeministrin, i cili i shprehu gatishmërinë aleatëve të tij për të qenë: rreshtuar krah për krah me aleatët dhe partnerët tanë strategjikë në çdo front, por dhe duke qenë pjesë aktive e një fronti që shkon përtej mjeteve konvencionale, në këtë betejë globale. Nëse do lëmë për një moment mënjanë luftën e madhe ku NATO po e fut botën, fjalimi fantastik i kryeministrit tonë mendoj se mund të shërbejë për të krijuar pak sportivitet sikur qyfyret e Zhvejkut, për të ulur tensionet që krijon NATO. Në fjalimin që mesa duket ia kanë shkruar këshilltarët e tij katolik, Sandër Lleshi apo Artan Shkreli, Rama NATO-n nga një organizatë luftarake e përshkroi si një organizatë katolike. Ja çfarë tha ai:

 Që kur skizma e madhe e ndau Europën në Lindje dhe Perëndim, rreth1000 vjet më parë dhe deri në vitin 2009, kur u bë anëtare në NATO, Shqipëria dhe shqiptarët jetuan, ose më mirë të themi, mbijetuan në një kufi shumë serioz të botës. Për disa shekuj, kufiri që kalonte këtu ishte bizantin, shumë shekuj të tjerë, ai ishte otoman dhe së fundmi, komunist. Përpjekjet për mbijetesë në këtë kufi që ndau botën e kanë determinuar thellë të gjithë profilin politik social, kulturor e ekonomik të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Te ky kufi mijëvjeçar gjenden shumë përgjigje për të shkuarën dhe të sotmen tonë.

 Duke folur për skizmën e madhe ndërmjet Kishës Katolike dhe asaj Orthodhokse, dhe duke treguar Bizantin (të krishterët orthodhoksë) dhe osmanët (muslimanët) si shkak i ndasisë së Shqipërisë nga NATO, kryeministri ynë shqiptoi edhe njëherë mesazhin racist që Ismail Kadareja, Sandër Lleshi dhe një numër supremacistësh e fashistësh katolikë përsërisin në Shqipëri dhe Kosovë prej dekadash. Mesazhi i fashistëve katolik shqiptarë është që shqiptarët duhet të konvertohen në katolikë, të braktisin Islamin dhe Orthodhoksinë pasi vetëm në këtë mënyrë do ti pranojë Perëndimi.
 Por fjalimi i kryeministrit tonë kishte edhe idiotësira të tjera. Ja se ç'thotë ai më poshtë:

Në këtë kufi, ku prej 1000 vjetësh deri në ditën kur u anëtarësuan në NATO, shqiptarët kanë qenë vazhdimisht nën presionin e të mbijetuarit, kanë arritur sidoqoftë, përgjatë shekujve të ndërtojnë një bashkësi e më pas një shtet, të bazuar në qytetarë me besime të ndryshme, por në harmoni të plotë fetare, apo, siç do të shprehej Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014, në një vëllazëri të plotë fetare, si rrallë tjetërkund. 
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria numëronte thuajse dhjetëfishin e numrit të hebrenjve që kishte pasur në fillim të Luftës së Dytë Botërore dhe mbetet e do të mbetet gjithmonë, një vend me historinë krenare të mosdorëzimit të asnjë hebreu në duart e nazistëve. E ndërkohë, me rrëfime të jashtëzakonshme të marrjes në mbrojtje të hebrenjve prej familjesh të krishtera, por edhe në shumicën e herës prej familjesh myslimane.
 Një popull që së fundmi i dha trashëgimisë europiane, 38 martirë të lirisë dhe të fesë, të cilët u bënë të tillë si përfaqësues të klerit katolik në ferrin e torturave të një regjimi brutal komunist që ndryshe nga të gjithë regjimet komuniste të vendeve të perandorisë sovjetike guxoi të shkonte deri në shpalljen e Zotit si të paligjshëm.

  Në paragrafin më sipër, Rama, ndërsa vazhdon sikur gjeneral Lleshi të këmbëngulë dhe ta shohi bllokun ushtarak anglo-amerikan si katolik (në një kohë që Anglia dhe Amerika janë shtete që kanë luftuar dhe janë ndërtuar në luftë kundër katolicizmit), vazhdon e gënjen duke u shitur përralla të deleguarëve të NATO-s. Ndryshe nga rrëfenja izraelite dhe librat e shumtë që janë shkruar për këtë temë, e cila thekson se në Shqipëri ishin muslimanët që shpëtuan hebrejtë nga persekutimi në Evropën kristjane, Rama kërkon që këtë meritë t'ia japë të krishterëve kur thotë: 

 E ndërkohë, me rrëfime të jashtëzakonshme të marrjes në mbrojtje të hebrenjve prej familjesh të krishtera, por edhe në shumicën e herës prej familjesh myslimane.

 Obsesioni i tij prej fondamentalisti katolik dhe si për të injoruar fatin e atyre miliona çifutësh që përfunduan në kampet e përqëndrimit nazist vijon me rrëfenjën e tij të martirëve katolikë. Shpallja nga qeveria e Edi Ramës në shtator të vitit 2014 si martirë të Shqipërisë të një grupi klerikësh katolikë - bashkëpunëtorë me nazizmin dhe fashizmin - jo vetëm që ishte një akt i turpshëm që shkon përkundër vetë historisë së bllokut anglo-amerikan i cili luftoi kundër Italisë dhe Gjermanisë naziste, por ofendon edhe kujtimin e çifutëve që përfunduan nëpër kampet e nazizmit falë ideve anti-semitike që Kisha Katolike përhapi nëpër Evropë ndër shekuj. Martirët e Kishës Katolike që nga Fishta e deri të Anton Harapi jo vetëm që mallkonin çifutërinë botërore dhe boshtin anglo-amerikan, por edhe motivuan popujt e Evropës që të kryejnë krimin e Holokaustit. 

 3.
 Fjalimi dhe dëshira donkishoteske e kryeministrit tonë për të futur Shqipërinë medoemos nëpër luftërat e NATO-s, për ta treguar NATO-n si organizatë katolike dhe për të treguar që martirët e Kishës Katolike që dënoi Shqipëria pas Luftës së Dytë Botëror janë burra të mirë dhe aleatë të NATO-s dëshmojnë injorancën e thellë por edhe ekstremizmin katolik që udhëheqësia shqiptare ka kundrejt NATO-s, Evropës dhe politikës globale.

 Një përmbledhje e ideve kryesore që qeveria e Edi Ramës i shpalli delegatëve të NATO-s në Tiranë në këtë fundmaj 2016 mund të jenë që: 

1
. Shqipëria është shtet trim dhe krenar që po bëhet gati për Luftë Botërore me Pandi Majkon dhe Edi Ramën në krye. Trimat shqiptarët janë të gatshëm të luftojnë ISIS-in, Sirinë, Rusinë, dhe Pandi me terroristët iranianë që ka strehuar në Tiranë do të marshojë edhe kundër Iranit një ditë. 

2. 
Shqipëria është shtet katolik, që është ndarë nga Kisha Katolike (sorry!) NATO që para 1000 vitesh nga të krishterët orthodhoksë të Bizantit dhe islamikët otomanë por që tani më fund ia hodhi dhe u bë prapë pjesë e aleancës katolike të NATO-s.

   3. Në mënyrë që ti realizojë ëndrrën Pandi Majkos, i cili do të bëhet edhe muxhahidin iranian dhe të marshojë drejt Teheranit, NATO duhet të ndërtojë një bazë të madhe në Shqipëri, përveç bazave me muxhahidinë iranianë që kemi. 

4
. Shqipëria edhe pse është vend katolik (por që jeton në harmoni të plotë fetare, siç ka thënë Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014), ka nxjerrë 38 martirë katolikë të cilët nuk luftuan për nazizmin dhe Italinë fashiste, por për trashëgiminë evropiane. 

5.
 Në Shqipëri, çifutët u shpëtuan nga të krishterët, sidomos katolikët, të cilët nuk iu bindën Papa Piut dhe Duçes e Hitlerit, por pati aty këtu edhe ndonjë musliman në këtë mesele. 

6.
 Tani që Shqipëria ka për kryeministër katolikun Edi Rama, ajo është e zonja që të kontribuojë për NATO-n në luftën globale që ajo po planifikon të bëj me Rusinë dhe aleatët e saj nëpër botë dhe Shqipërisë nuk i bën syri dërt nga raketat e Putinit.

 4.
 Idiotësitë që pala shqiptare shprehu në Mbledhjen e Asamblesë së NATO-s në Tiranë, përveç qyfyreve që shkaktojnë kur lexohen nga njerëzit seriozë, janë edhe shqetësuese. Qeveria e Rilindjes së Ramës, pasi po shkatërron të gjithë pasuritë natyrore dhe sociale të Shqipërisë, pasi po e rrënon vendin me koncesione, borxhe, dhe shitje të pasurive publike, tani po e fut edhe në një aventurë shumë të madhe luftarake. Dëshira e Pandi Majkos për të patur një bazë të NATO-s në Shqipëri e kthen vendin tonë në një shënjestër të arsenalit konvencional dhe nuklear rus, por edhe të terrorizmit ndërkombëtar. Paratë marramendëse që NATO kërkon që Shqipëria të shpenzojë për luftë, mund të ndihmonin mijëra të varfër dhe të pastrehë në vend. 

 Ndërsa qeveria e Rilindjes që katoliku Edi Rama drejton, i duket si gjë e mirë mburrja me martirë e me Kisha Katolike në sytë e Evropës, fjalime të papërgjegjshme sikur ai i kryeministrit tonë, cënojnë tolerancën fetare në vend dhe ofendojnë muslimanët dhe të krishterët orthodhoksë. Sikur Komuniteti Musliman i Shqipërisë dhe shumë hoxhallarë të mos ishin të kapur nga politika, dhe sikur Kisha Orthodhokse të ishte pak më e fortë, të dy këto komunitete do të duhej që të protestonin ashpër kundër idiotësive katolike që kryeministri ynë shkreh vend e pavend. Në anën tjetër, qytetarët paqedashës shqiptarë pa dallim feje dhe ideje, duhet të protestojnë dhe ti thonë jo aventurave luftarake të kryeministrit dhe qeverisë sonë me NATO-n. Shqipëria është një vend i vogël, i varfër dhe i brishtë. Pjesëmarrja e saj në luftën e ardhshme botërore rrezikon të zhdukë miliona shqiptarë dhe shkatërroj vendin nga faqja e dheut. Shqipëria duhet të qëndrojë larg luftërave, terrorizmit, dhe aventurave që kryeministri ynë kërkon të fusi atë. Shqipëria është pronë publike e shqiptarëve dhe kryeministri ynë, përpara se të hapi baza të NATO-s në vendin tonë, duhet të pyesi popullin për këtë gjë me refendume publike.

 Të përballur me kërcënimin e militarizmit, luftës dhe terrorizmit, shqiptarët duhet të dëshmojnë pacifizmin e tyre. Të mos bëhen sikur në kohën e Mustafa Krujës dhe Mehdi Frashërit kur Shqipëria u bë pjesë e bllokut Nazi-Fashist apo kur u bë pjesë e Traktatit të Varshavës. Shqiptarët duhet ti thonë jo luftës dhe konflikteve nëpër botë. Nëse kryeministri ynë dhe Pandi Majko duan të bëjnë luftë, populli shqiptar duhet ti thonë: Rrugë të mbarë! Shkoni e luftoni, por ne nuk jemi me ju. Ne nuk duam luftë, duam paqe!

Burimi : Gazeta İmpakt