Sociosemantika e veshjes së gruas në Kur’an

  • None
nga Ornela Bego | Publikuar në Shk. 13, 2016, 1 a.m.

Hyrje

 

Gruaja është qenie individuale dhe shoqërore; si qenie shoqërore, praninë e saj e ndeshim jo vetëm në mjedisin familjar, por edhe në atë shoqëror. Prania e saj në shoqëri mund të nxjerrë në sipërfaqe disa pyetje. Si, dhe në ç’mënyrë duhet të shfaqet në shoqëri? Si duhet të jetë komunikimi i gruas dhe sjellja e saj me të tjerët? Po veshja e saj? Ngritja e këtyre pyetjeve, të cilat i ndeshim në të gjitha shoqëritë, dhe në të gjitha kohërat, lidhet në thelb me dallueshmërinë gjinore në rrafshin e paraqitjes dhe veshjes, e cila, nga ana e saj, lidhet me një mënyrë të caktuar jetese, sjelljeje dhe të menduari. Shkurt, është një çështje kodi kulturor, sikundërse e vërejmë qartë në paraqitjen që Euripidi i bën Agatonit tek Kuvendi i grave. Si kod e vërejmë edhe në Kur’an, një kod ky i cili nuk mund të dekodohet dhe të zbërthehet përpos se brenda suazës së vetë Kur’anit. Veshja e gruas në shoqëri përbën një çështje të rëndësishme, të cilës Kur’ani i kushton vëmendje të veçantë, jep deri në detaj mënyrën se si duhet të vishet e të paraqitet gruaja myslimane, duke e lidhur paraqitjen me qenien e saj besimtare.

Përcaktimi i paraqitjes së gruas i përgjigjet kontekstit të saj jetësor. Fjala është për një kontekst në të cilin, krahas shumëçkaje, ekziston instinkti seksual dhe magnetizmi i të përkundërtave; më konkretisht, forca dhe epërsia fizike tek burri, butësia dhe dobësia fizike tek gruaja. Brenda një konteksti të këtillë, gruaja rrezikon të bjerë pre e epsheve të burrit, çka e ul në dinjitetin njerëzor dhe e rrënon psikologjikisht. Përmes përcaktimit në Kur’an të paraqitjes së gruas në shoqëri, Zoti synon që t’i presë udhën lindjes, zhvillimit dhe përhapjes së këtyre skenareve të rrezikshme[1] jo vetëm për gruan, por edhe për vetë burrat, të cilët do të neutralizoheshin jo pak në forcën dhe në aftësitë e tyre mendore dhe fizike, siç na e jep të pikturuar në mënyrë të pashembullt Platoni tek Bashkëpirja, dhe, rrjedhimisht, edhe për mbarë shoqërinë njerëzore.

Duke pasur parasysh dimensionet natyrore dhe shpirtërore të gruas, si edhe kontekstin jetësor në të cilin gjendet, Kur’ani ka përcaktuar një sërë rregullash në lidhje me paraqitjen e saj në shoqëri.

1. Veshja

 

Trupi i njeriut, përkundër shtazave të tjera, është lënë pa një “veshje natyrore”, që ta mbrojë nga i ftohti apo i nxehti. Nga ana tjetër, njeriu për nga natyra vuan nga lakuriqësia dhe nuk ka dëshirë që trupi, apo së paku disa pjesë të tij, të jenë të ekspozuara përpara të tjerëve. Po ashtu, njeriu i kushton një rëndësi të veçantë estetikës dhe pamjes së jashtme dhe orvatet që brenda mundësive të shfaqet me një pamje sa më të bukur përpara të tjerëve. Për rrjedhojë, njeriu, për nga aspekte të ndryshme, është nevojtar për diçka e cila edhe ta mbrojë atë nga të ftohti dhe të nxehti, edhe ta shpëtojë nga lakuriqësia edhe të plotësojë nevojën apo prirjen për bukuri e elegancë, dhe veshja është ajo që ia përmbush të gjitha këto nevoja. Kështu, Kur’ani e ka përshkruar veshjen si një gjë e cila e mbron njeriun nga i ftohti dhe i ngrohti, nga dhuna, dhe i mbulon pjesët e turpshme[2]. Prandaj, nevoja për veshjes është një nevojë natyrore për njeriun, dhe përdorimi i saj është disi i lindur, qoftë tek burrat, qoftë tek gratë.

Në lidhje me veshjen e njerëzve, sheriati ka përcaktuar dispozita që në pjesën dërrmuese janë të njëjta për të dy gjinitë. Në vendin e punës, burri duhet t’i ketë të mbuluar pjesët e trupit. Nevoja e mbulimit duke filluar nga qafa e poshtë në vendet publike nuk i përket një gjinie të veçantë. Për rrjedhojë, mbulimi nuk është kurrsesi vetëm për gruan; edhe burri e ka gjithë po aq të detyrueshme që të vishet. Dhe jo vetëm kaq; sikundërse gruaja, edhe burrit i urdhërohet që të hedhë trupit rroba të përmasave të atilla, të cilat të jenë në gjendje që të pengojnë t’i ndërshihen format e pjesëve të turpshme, në të kundërt, veprimi i të mbuluarit do të ishte i paplotë, madje thjesht dhe vetëm formal, aq sa do të mund të thuhet se do të shfaqej i përafrueshëm deri diku me veshjen e mbretit tek përralla e njohur e Andersenit.   

Kështu që, sikundër vërehet, dallimi mes burrit dhe gruas qëndron tek përmasa e veshjes, e mbulimit, dhe jo në thelbin dhe teleologjinë e saj. Ajo çfarë e dallon gruan nga burri në lidhje me çështjen e veshjes, është fakti se gruaja, përveç mbulimit të trupit në regjionet e përbashkët, duhet të mbulojë edhe disa gjymtyrë të tjera të trupit të cilat burri nuk e ka të detyrueshme t’i mbulojë.

Në Kur’an Zoti thotë: “Dhe thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, dhe le të vënë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të tyre”[3]. 

Termi “zinet” (stolitë), tek fjalia “të mos zbulojnë stolitë e tyre përveçse atyre që janë të dukshme”, rrjedh nga rrënja “zejn” dhe mbart kuptimin e të pëlqyeshmes dhe të bukurës, përkundër termit “shejn”, i cili mbart kuptimin e të keqes dhe të shëmtuarës.

 

2. Mbulesa

 

Termi “hijab” tek fjalia “le të vënë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveçse burrave të tyre” shenjon shallin, shaminë, një copë me të cilën gruaja mbulon kokën. Femrat myslimane, përpara zbritjes së ajeteve të mbulesës, shamitë e tyre i lidhnin sipas zakonit dhe traditës së asaj kohe, i hidhnin prapa veshëve dhe i lidhnin pas koke, duke mbuluar vetëm pjesën e flokëve, ndërsa pjesa tjetër, veshët, vathët, fytyra dhe qafa ishin të dukshme. Me zbritjen e këtij ajeti Zoti e bëri të qartë edhe mënyrën e saktë të mbulimit të gruas dhe i urdhëroi; të dy cepat e shamisë nga ana e djathtë dhe e majtë t’i hidhnin sipër gjoksit dhe anasjelltas t’i hidhnin sipër qafës; një stil i këtillë veshjeje u bë shkak që ato t’i mbulonin gjithë pjesën e kokës dhe qafës me gjithë bukuritë e tyre me përjashtim të fytyrës që mbetej e zbuluar. Për rrjedhojë, ajeti në fjalë e bën qartazi të obligueshme mbulimin e kokës dhe të qafës si një rregull të veçantë për gruan. Shkaku i këtij mbulimi specifik mund të lidhet me gjasën se koka, qafa dhe kraharori janë pjesët më të bukura të trupit të gruas, a mbase me gjasën se kjo është pjesa ku vihen stolitë më të çmuara, ku rreziku është i pranishëm në të dy gjasat; rreziku i ngacmimit seksual, si dhe rreziku nga një grabitje me dhunë. Kjo vërehet qartazi në një ajet tjetër të Kur’anit, ku sërishmi objekt është “mbulimi”: “O Profet, thuaju grave të tua, bijave të tua dhe grave të besimtarëve le të vënë shamitë e veta mbi trupin e tyre, që të njihen dhe të mos fyen”[4].

Fjalia “që të njihen dhe të mos fyen” tregon urtësinë e urdhrit, kuptimi i së cilit është se mbulesa është paraqitja e gruas dhe rrjedhoja e kësaj paraqitjeje dhe rezultati pozitiv i saj është siguria e gruas dhe largimi i ngacmimit të saj nga ana e të tjerëve.

Sikundër vërehet mjaft qartë, përcaktimi i veshjes së gruas në Kur’an, nuk është kurrsesi një privim, një burgosje, apo zhveshje e gruas nga liria e saj, por është pjesë dhe shprehje e përkujdesit që Zoti tregon së pari ndaj saj, dhe, më pas, ndaj burrit dhe ndaj shoqërisë njerëzore.

 


[1] Kur’an, XVI: 81.

[2] Kur’an, XVI: 81.

[3] Kur’an, XXIV: 31.

[4] Kur’an, XXXIII: 59.