Irani dhe Italia, nënshkruan marrëveshje në vlerë 17 miliardë euro

  • None
Publikuar në Jan. 29, 2016, 1 a.m.

Presidenti iranian, Hassan Ruhani ka vizituar Italinë si dhe në Vatikan u takua me Papa Françeskun. Ruhaniu dha porosinë se mungesa e zhvillimit ekonomik i jep forcë terrorizmit, ndërsa papunësia e masivizon. Përparimi kulturor doemos duhet të shkojë paralelisht me atë ekonomik”

Ruhani qëndron në Itali në kuadër të turneut katër ditorë evropian pas heqjes së sanksioneve ndaj Teheranit dhe kjo është vizita e parë e presidentit iranian në Itali që nga viti 1999. Takimi me njeriun e parë të Vatikanit, i cili zgjati mbi gjysmë ore, për presidentin iranian paraqiste, siç u shpreh, “kënaqësi të vërtetë”, ndërsa gjatë takimit u kërkua nga Papa Françesku që të “lutet për të”.

Presidenti iranian, Ruhani pak para takimit me Papa Françeskun mori pjesë edhe në Forumin e Biznesit në Romë dhe me këtë rast iu bëri thirrje investitorëve dhe kompanive italiane që të investojnë në tregun e Iranit. Qëllimi i Forumit, si dhe i vizitës së Ruhanit në Itali, është intensifikimi i marrëdhënieve bilaterale dhe përforcimi i lidhjeve ekonomike. “Sot jemi mbledhur të gjithë këtu në mënyrë që të zbatohet marrëveshja për programin bërthamor, të hiqen sanksionet dhe të gjithë të shpijnë drejt tregjeve të reja. Marrëveshja për programin bërthamor mund të konsiderohet edhe si përparësi e madhe për progresin ekonomik të të gjitha palëve”, deklaroi Ruhani. Ai tha se investimi në tregun iranian ka përparësi të shumta, veçmas për italianët të cilët iranianët u besojnë për shkak të bashkëpunimit të suksesshëm në të kaluarën.

“Mungesa e zhvillimit ekonomik i jep forcë terrorizmit, ndërsa papunësia e masivizon. Përparimi kulturor doemos duhet të shkojë paralelisht me atë ekonomik”, porositi Rouhani. Ai u përqendrua edhe në rëndësinë e bashkëjetesës të grupeve të ndryshme etnike dhe fetare, duke shtuar se edhe Kurani i mëson myslimanët për solidarizim dhe respekt ndaj tjetrit.