Nga shejh Buti te shejh Nimri: lufta e vehabizmit kundër Islamit

  • None
nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Jan. 4, 2016, 1 a.m.

Ekzekutimi që regjimi diktatorial saudit i ka bërë ulemasë saudit Shejh Nimr al-Nimr në 2 janar 2016, ka shkaktuar një tronditje në shkallë globale me krimin e radhës që vehabizmi saudit bën kundër Islamit. Ekzekutimi i shejh Nimrit është denoncuar nga kreu i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, nga Bashkimi Evropjan, qeveritë amerikane dhe franceze, organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut; Amnesty International, Human Rights Watch dhe shumë qeveri arabe, muslimane dhe një sërë organizatash dhe partishë politike në rang botëror.
Vendet që popullohen nga komunitetet shiite kanë parë një seri protestash kundër regjimit saudit dhe kanë denoncuar vrasjen e klerikut shiit. Arsyeja pse autoritetet vehabiste saudite arrestuan shejh Nimrin në qershor të vitit 2012, e torturuan në burg dhe më pas e ekzekutuan, lidhet me aktivizmin social të shejhut i cili prej vitesh ka kërkuar liri dhe më shumë të drejta për komunitetin musliman shiit të Arabisë Saudite. Edhe pse shiitët përbëjnë rreth 15% të popullsisë dhe jetojnë mbi puset e naftës saudite, minoriteti i egër vehabist që drejtohet nga familja beduine e al-saudëve dhe sundon vendin që prej krijimit të mbretërisë saudite në vitin 1932 shtyp me terror dhe i ka mohuar shumë të drejta shumicës synite dhe pakicës shiite të vendit. Ndërsa mbretëria saudite ka mundur që të heshtë me dhunë dhe korrupsion shumicën synite dhe në veçanti kurejshët, fisin e profetit Muhamed që të mos rebelohen kundër regjimit diktatorial vehabist, shiitët të cilët trajtohen si qytetarë të dorës së dytë; që diskriminohen në punë dhe fetarisht e trajtohen si të pafe dhe armiq kanë qenë më vokalë në kundërshtimin e tyre ndaj diktaturës saudite. Shejh Nimri ka qenë zëri i rezistencës për liri dhe të drejta i minoritetit shiit në Arabinë Saudite, për të cilin qëllim autoritetet saudite edhe e arrestuan, torturuan dhe e vranë.
Por ekzekutimi që regjimi saudit ka bërë kundër Shejh Nimrit nuk është as i pari dhe as i fundit në historinë kriminale të vehabizmit. Që prej themelimit të tij në shekullit e 18të, ideologjia tekfiriste vehabiste ka bërë vetëm krime kundër komunitetit të muslimanëve botërorë. Fillimisht, vehabistët shpallën të pafe muslimanët hanefi osmanë, turq, shqiptarë, egjiptianë etj, dhe deklaruan luftë kundër tyre. Shqiptarët dhe turqit me në krye Mehmet Ali Pashën dhe djemtë e ti i mundën dhe i shkatërruan vehabistët në shekullin e 19të. Por pas shkatërrimit të kalifatit osman, dhe zbulimit të naftës, shteti vehabist i Arabisë Saudite ka vazhduar me eksportin e vehabizmit në të gjithë botën, duke futur sherre dhe konflikte në komunitetet muslimane që nga Çeçenia, Ballkani, Azia, Afrika dhe gjithë Evropa. Idetë supremaciste që kanë vehabistët, sipas të cilave të gjithë muslimanët e botës janë të pafe dhe të gjithë duhet ti nënshtrohen Arabisë Saudite, bëjnë regjimin saudit që të nxisë luftëra xhihadiste sikur ato që kemi parë në Siri, Libi dhe Jemen. Organizata terroriste sikur ISIS, al-Kaeda, Xhehbet al-Nusra etj burimin ideologjik të tyre e kanë te priftërijtë shtetëror (që vehabistët i thërrasin dijetarë) që drejtojnë fenë në Arabinë Saudite, dhe trushpëlajnë besimtarët injorantë që të vrasin e therrin në emër të vehabizmit.
Regjimi saudit, është shumë fanatik dhe hakmarrës. Ai nuk duron dot kritikët e tij dhe mendimin ndryshe. Demokracia është e paimagjinueshme për familjen e Beni Saudëve që sundojnë me dhunë absolute vendin, Arabinë, të cilët ata e quajnë Saudite - dmth pronë private të familjes al-Saud. Shkollarë të Islamit sikur Shejh Nimri, apo më herët Shejh Ramadam el-Buti, apo Muammar al-Gaddafi që guxojnë të demaskojnë teologjinë e shpikur që familja saudite bën në emër të Islamit - sauditët i vrasin. Për këtë arsye ata vranë nëpërmjet organizatës terroriste të Xhehbet al-Nusrës Shejh Ramadan el-Butin në xhaminë e tij në 21 mars 2013, e po për këtë arsye regjimi saudit orkestroi vrasjen e kolonet Muammar al-Gaddafit në Libi, dhe nxiti xhihadistët vehabistë që të sulmojnë regjimin e Bashar al-Assadit në Siri.
Që prej rënies së komunizmit në Evropën Lindore, vehabizmi është në ekspansion edhe në Ballkan. Në Shqipëri që nga vitet 90' vehabistët me financimet nga Arabia Saudite kanë arritur që të marrin nën kontroll shumë xhami në Shqipëri, ndërtojnë shkolla, hapin radio dhe organizata, dhe indoktrinojnë me mësimet e tyre shumë të rinj shqiptarë, disa prej të cilëve përfunduan si terroristë në Siri. Krerët e vehabizmit sot në Shqipëri që kontrollojnë xhamitë kryesore të vendit, sulmojnë pa rreshtur Komunitetin Musliman të Shqipërisë të cilin ata duan ta marrin nën kontroll dhe ta kthejnë nga medhhebi hanefi për në fenë vehabiste. Ata i shohin si të paditur dhe të pafe krerët e KMSH-së, ndërsa të ditur me Islam quajnë vetëm ata hoxhallarë që janë shkolluar në Arabinë Saudite apo kanë punuar për Fondacionin al-Haramein në Tiranë. Sulmi që bëhet kundër KMSH-së dhe xhamive e muftinive të ndryshme të Shqipërisë, është i ngjashëm me sulmin që vehabistët bënë kundër Sirisë, Libisë, Bahreinit, Jemenit dhe tani me vrasjen e Shejh Nimrit. Por ndërsa në kohë paqeje, siç është rasti i Shqipërisë, ata mundohen ti pushtojnë xhamitë me forma paqësore, duke pretenduar se e njohin fenë mirë, duke dhënë mësime feje, shpërndarë ndihma, organizuar kurbane dhe iftare dhe muslimanët e tjerë që nuk janë vehabij i shpallin jobesimtarë - në kohë lufte dhe kur kanë pushtet - ata vrasin e therrin muslimanët, të krishterët dhe të gjithë njerëzit e tjerë që nuk i nënshtrohen atyre, duke pretenduar se puna që po bëjnë është e justifikuar nga Allahu.
Por pretendimi dhe supremacia vehabiste për të marrë nën kontroll Islamin në rang botëror, për të persekutuar sunitët hanefi, maliki, shafi etj dhe zhdukur shiitët, alevitët, të krishterët etj - siç po bën regjimi saudit sot me luftërat e tij në Jemen dhe Siri - nuk kërkohen nga Allahu dhe as nga Kurani. Edhe persekutimi i sekteve minoritare në botën e Islamit, sikur shiitët, sufijtë, bektashijtë etj, apo i të krishterëve, çifutëve etj nuk kërkohen nga Kurani. Ato kërkohen vetëm nga familja kriminale saudite e cila prej vitesh e ka kthyer Islamin në monopol të saj, dhe vret, bën terror dhe masakra duke u fshehur pas emrit të Allahut dhe Islamit. Familja saudite nëpërmjet hoxhallarëve që ajo mban me para ka sjellje fitnen e vehabizmit edhe në Ballkan.
Shfaqja e vehabizmit është paralajmëruar nga profeti Muhamed si shenjë e fundit të kohës dhe krimet që regjimi saudit bën duke vrarë hoxhallarë e besimtarë nëpër botë, urrejtjenxitja që hoxhallarët vehabistë bëjnë kundër muslimanëve të tjerë, luftërat që vehabizmi po bën sot nga Jemeni, Siria, Bahreini, Turqia, Libia, Franca, Brukseli etj janë dëshmi e fytyrës kriminale të vehabizmit saudit dhe lojës së ndyrë të Shejtanit me fenë e Zotit. Vrasja e hoxhë Nimrit, ashtu sikur edhe vrasja e hoxhë Ramadan al-Butit janë dëshmi e luftës që vehabizmi po i bën Islamit në rang botëror.


Burimi : Gazeta İmpakt