Letër hoxhës tim vehabist

  • None
nga Olsi Jazexhi | Publikuar në Nën. 22, 2015, 1 a.m.

I dashur hoxhë efendi,

Këtë të xhuma erdha dhe u fala në xhaminë tënde si gjithmonë. Mua nuk më bën të falem në xhaminë tënde, pasi nuk bie dakort me marrëzirat që ti thua, por pasi jam syni dhe pothuaj të gjithë xhamitë e Tiranës dominohen nga hoxhallarë sikur ti, jam i detyruar të kryej adetin dhe të shfaqem në xhami, formalisht. Për këtë arsye edhe këtë të xhuma, hytben e kapa me vonesë pasi e dija që do të dëgjoja të njëjtat gjëra. Nga ato që dëgjova në hytben e radhës ishte ankesa jote ku ti dhe shokët e tu nuk doni të thërriteni vehabij, pasi Uahab - Dhënës, është një nga emrat e Zotit dhe ju nuk pranoni të quheni kështu. Pra edhe pse themeluesi i sektit tënd fetar, Abdyl Vehabi, quhej Abdyl Vehab, ne muslimanët hanefi, maliki, shafi, hanbeli etj, ju vehabijtë nuk duhet tu thërrasim sipas rregullit gramatikor arab - sipas themeluesit të sektit tuaj - por duhet t'u thërrasim ashtu siç ju doni ta quani veten - grupi i shpëtuar. Në këtë mënyrë ju doni të trajtoheni si ajka e muslimanëve, ndërsa ne muslimanët e tjerë të pranojmë pozitën tonë inferiore para sektit tuaj.

Në hytben tënde ti përsërite avazin tënd të vjetër, që bën për çdo javë duke na numëruar sektet që pretendojnë që janë muslimane, por që sipas teje janë qafire (dhe largqoftë, sikur të ishim në një Kalifat vehabi do të ishin vrarë). E nise me bektashijtë, sufijtë, alevijtë, shiitët dhe kështu me radhë. Nga pjesa jote e hytbes unë fiksova fjalinë tënde të fundit, ku ti shprehje lumturi që bektashijtë në vendin tonë janë deklaruar si fe më vete e nuk kanë punë më me ne, sunitët (dmth. vehabijtë). Sipas teorive të sektit tënd, muslimanë të vërtetë në këtë botë janë vetëm vehabijtë - më fal grupi i shpëtuar - ndërsa muslimanët që nga Indonezia e deri te hanefijtë e Bosnjes - meqë janë eshari - maturidi - janë të gjithë infidelë.

Edhe pse Allahu në Kuran na porosit në suren en-Nisa: 94 që të mos i themi atij që ju shpreh selamin: “Nuk je besimtar!”, ti o hoxhë efendi duket se i di më mirë këto gjëra sesa unë. Tek e fundit ti je hoxhë i licensuar nga Komuniteti Musliman (liderët e të cilit janë qafirë sipas besimit vehabi, meqë janë eshari-maturidi). Dhe unë si besimtar i thjeshtë që jam, nuk të ndryshoj dot pasi nuk kam tagrin as ligjor dhe as paratë saudite që të të udhëzoj që ti bindesh mësimeve të Kuranit në vend të atyre të Abdyl Vehabit.

Hoxhë efendi,

Ndërsa hytbet që ti mban çdo xhuma në xhaminë e KMSH-së mua më mësojnë sesa të ligj dhe të pafe janë muslimanët e tjerë të botës që nuk i binden vehabizmit të Arabisë Saudite dhe ISIS-it, të djelën e kaluar fati më çoi që të marr pjesë në një meshë të Kishës Orthodhokse në Katedralen Ringjallja e Krishtit në Korçë. Unë e di që ti do të më kritikosh e ndoshta do më nxjerrësh edhe nga feja meqë kam shkelur në Kishë, por më lë të të them nja dy fjalë përpara se ta bësh këtë.

Në meshën ku morra pjesë, prifti që mbante meshën - apo hytben si e themi ne muslimanët - përgjatë të gjithë kohës fliste për dashuri. Tregonte sesi zoti i tyre Jezu Krisht ishte sakrifikuar për njerëzinë. Ishte therrorizuar për të përhapur mirësinë dhe dashurinë.

Edhe pse të krishterët ashtu sikur ne muslimanët janë të ndarë në sa e sa degë, në meshën e priftit nuk dëgjova asnjë sharje apo tekfirizëm (të bërit të pafe) ndaj feve të tjera. Ti besoj se e di që të krishterët janë ndarë më keq sesa ne muslimanët; në katolikë, ortodoksë, protestantë, dëshmimtarë të Jehovait e turlifarë sektesh të tjera. Unë, sikur ti jam dakort që ata ja fusin kot mbi natyrën e Jezu Krishtit. Por edhe pse ata gabojnë sipas mendimit tonë, nëpër meshat e krishtera që unë marrë pjesë nuk më ka rënë rasti të dëgjoj sharje e mallkime kundër kishave të tjera, siç ndodh nëpër xhamitë tona. Nuk kam parë libra që katolikët të sulmojnë ortodoksët, siç bëjnë njerëzit e sektit tënd kundër sekteve të tjera Islame. Të krishterët e kanë sharë e mallkuar njëri tjetrin në kohët e mesjetës, siç shajmë e mallkojmë ne njëri tjetrin sot. Si pasojë e sharjeve pa fund, ata edhe e kanë vrarë njëri tjetrin në masë, siç po vriten arabët sot. Por sot ata nuk e bëjnë më këtë gjë. Kohët kanë ndryshuar, dhe siç edhe ti mund ta shohësh ata e duan dhe e ndihmojnë njëri tjetrin, dhe si pasojë edhe Allahu i ka bekuar me pushtet dhe pasuri.

Ndërsa unë e di që ti ndoshta do më kritikosh pas këtij shkrimi, meqë kam shkuar në kishë, e ndoshta do të deklarosh që jam bërë edhe i krishterë, unë dua të të pyes sinqerisht - a ke menduar ndonjëherë që hytbet e tua ti bësh sikur prifti i Korçës? Dmth që në vend se të na yshtësh për çdo xhuma që të urrejmë muslimanët dhe të krishterët - a nuk do të ishte mirë që hytbet e tua t'ia dedikoje njëherë dashurisë ndërnjerëzore, dhe pse jo edhe ndërfetare? A do të ishte e mundur që në një nga hytbet e tua - përveç se të na tregosh pse të krishterët janë të pafe, pse bektashijtë janë qafira etj, të na tregoje sesi ne si muslimanë mund të bëjmë gjëra të mira me njerëzit e feve të tjera? Pasi unë mendoj se përsa kohë Allahu ynë i madhëruar i mban gjallë dhe i ushqen njerëzit e feve të tjera në këtë tokë, edhe për ne si muslimanë duhet të ketë mundësi që ti shohim ata si njerëz, si vellëzer që besojmë në të padukshmen, dhe jo si armiq vetëm. Allahu thotë në Kuran që Muhamedi u soll si mëshirë për të gjithë krijesat (Kuran 21: 107). A mundesh edhe ti që të tregosh pak mëshirë dhe dashuri në hytbet e tua të ardhëshme dhe të na mësosh sesi të mëshirojmë në vend se të tekfirizojmë vetëm? Tek e fundit Allahu i madhëruar është Ai që do ta na gjykojë në ditën e madhe, dhe për sa kohë që Allahu tregon dashuri për gjithë rracën njerëzore në këtë tokë dhe i ushqen dhe mban në jetë të gjithë njerëzit - besimtarë apo edhe mëkatarë - edhe ne duhet të kemi mundësinë që t'i duam këto krijesa gabimtare, që tek e fundit njerëz sikur ne janë. Si mendon hoxhë efendi? A mund të flasësh për paqe, falje dhe mëshirë në xhaminë tënde ndonjëherë, edhe për ata njerëz që nuk e besojnë Zotin sikur ne?

Es-selamu aleikum ue rahmetullah - paqja dhe mëshira qoftë me ty.


Burimi : Gazeta İmpakt